SOT, 31 VJET LIRI BESIMI

Pas 23 viteve të ndalimit të fesë me ligj, Zoti bëri të mundur që me datë 16 nëntor 1990, të rihapet xhamia e parë në Shqipëri, ajo e Plumbit në Shkodër. Hapja e xhamisë së Plumbit ishte shkëndija e parë, që dha sinjalin fatlum se Islami jo vetëm që nuk ish harruar, por vazhdonte të ishte i gjallë e i freskët në zemrat e shqiptarëve. Ky veprim historik për Shqipërinë, vërtetoi edhe një herë ajetin e Kur’anit Famëlartë: “Thuaj: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket”! (Isra, 81)

Në këtë ditë të shënuar, ne kujtojmë me respekt dhe nderim ata bijë e bija shqiptare, të cilët morën iniciativën e guximshme për të hapur xhaminë dhe për të rifituar të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit fetar. Rreziku ishte shumë i madh, por zemrat e besimtarëve nuk mund të rezistonin më ndalimin e praktikimit të fesë. Pjesëmarrësit në këtë ngjarje tregojnë se ajo ka qenë një ditë sa e gëzueshme dhe mallëngjyese, po aq e guximshme dhe e rrezikshme për të ardhmen e besimtarëve. Sipas Faik Hoxhës, ish Myftiut të Shkodrës, iniciativën e guximshme për të hapur xhaminë, për të falur namazin e ditës së xhuma, në thelb për të ripërtërirë fenë, për të rifutur të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit fetar, e mori rinia e Shkodrës. Ndërsa pjesa që spikaste më tepër në këtë iniciativë, ishte se në rihapjen e objekteve të kultit, ndihmuan edhe përfaqësues të besimit katolik e ortodoks të qytetit të Shkodrës. Kjo panoramë pasqyroi qartë frymën e bashkëpunimit dhe respektit për besimin dhe vlerat e njëri-tjetrit.

Në këtë ditë të shënuar, ne kujtojmë me respekt Haxhi Hafiz Sabri Koçin, pishtarin e ringjalljes së Islamit në Shqipëri, i cili në praninë e afro 55 mijë vetave do të shprehej: “Gëzimi më i madh imi ka qenë më 16 nëntor… sikur linda përsëri… E pashë veten aq të lumtur, saqë nuk kisha gajle edhe sikur të bija kurban. Nuk kishte gëzim më të madh!” Do të ishte hoxha i njohur e i nderuar, 69-vjeçari Haxhi Hafiz Sabri Koçi, i burgosur për shumë vjet nga regjimi komunist, ai që do këndonte ezanin dhe do falte xhumanë pas 23 vitesh heshtje. Në fjalën e hapjes, hirësia e tij Haxhi Hafiz Sabri Koçi, më pas kryetar i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas komunizmit, vuri në dukje nevojën e ushtrimit të fesë nga çdo njeri dhe në çdo kohë. Ai pasi falënderoi Zotin për mirësitë e Tij të panumërta, vlerësoi lart mundin dhe përpjekjet e të gjithë atyre që ndihmuan në rikthimin e xhamisë në gjendjen e saj funksionale. Nga xhamia e Plumbit u dëgjuan pas shumë vitesh ajetet e Kur’anit dhe Hadithet e Muhamedit (a.s.), të cilat me besnikërinë më të madhe i kishte ruajtur në kujtesën e tij Hafiz Sabriu. Përmbajtja e tyre mund të përmblidhet në thirrjen e njerëzimit për paqe, dashuri, harmoni, mirëkuptim, bashkëpunim, miqësi e vëllazërim midis njerëzve pa dallim.

Ngjarja e 16 nëntorit nuk ishte thjesht një ceremoni fetare. Ajo krahas vlerës së vet të ringjalljes së fesë, ishte një dritë shprese për të ardhmen e Islamit në Shqipëri. Po atë ditë u vendos rithemelimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili me ndihmën e Zotit, me shumë mund dhe sakrifica, arriti të ngrihet së bashku me myftinitë, medresetë dhe Universitetin Bedër, një institucion që i shërben mbarë popullit shqiptar në shumë drejtime. Duke përkujtuar këtë ngjarje, këtë ndodhi të madhe pas 3 viteve (1993), Ismail Muçej, ish kryeredaktor i gazetës “Drita islame”, shprehet: “Deshi s’deshi qeveria e asaj kohe, feja u legalizua praktikisht, duke dhënë shkëndijën e parë për qytetet dhe fshatrat e tjera të Shqipërisë, të cilat filluan të hapin njëra pas tjetrës faltore.”

Vlerësim dhe mirënjohje për të gjithë ata njerëz, që me përkushtim kontribuuan me shpirtin dhe pasurinë e tyre në skalitjen e datës 16 Nëntor 1990 në kujtesën historike të kombit tonë, si dita e lirisë së besimit.

Dorian Demetja