BESO DHE BËJ VEPRA TË MIRA!

 1 – TË BESOSH!

Kushti i parë, themelor, që njeriu të kalojë një jetë për së mbari, të denjë për të merituar Parajsën, është që ai të besojë, të jetë besimtar!

Besimi është bekim nga Krijuesi, dhurata themelore, është pasuria më e madhe e njeriut. Njeriu është lindur që të besojë dhe ka nevojë të jetë besimtar. Besimi është frymëzim nga Zoti, është drita që të ndriçon jetën. Vetëm Krijuesi ta hap mendjen dhe zemrën që ti të besosh! …

Është provuar se njeriu përgjithësisht, gjatë gjithë jetës së vet në këtë botë, endet midis besimit dhe mosbesimit, se si çdo orë e çdo ditë, nëpërmjet provave, ngjarjeve, rrethanave e fakteve pakundërshtueshme të jetës, ai bindet gjithnjë e më shumë në ekzistencën e Fuqisë Hyjnore, të Zotit të Plotfuqishëm e Mëshirëmadh. Jeta shfaq shumë shenja për këtë.

Kam njohur njerëz shumë të pasur, por aspak të lumtur, gjithmonë të pangopur e shpirtzbrazët, pikërisht sepse ata nuk besonin në Zot dhe në asgjë tjetër; njerëz që e kishin xhepin plot, por shpirtin bosh. Ata, në të shumtat e rasteve, ishin shndërruar në rolin e qenit roje të parasë dhe pasurisë së tyre, në vend që të ndodhte e kundërta. Të mjerët ata, që nuk kanë ditur të udhëzohen! Nga thëniet e Profetit tonë të nderuar mësojmë se, Zoti i jep njeriut pasuri të madhe si sprovë dhe pastaj e mundon atë me shëndetin e vet, me zhdukjen e një pjese të pasurisë së vet dhe me shthurjen apo humbjen e të afërmve të tij…

Ka gjithashtu mjaft njerëz të varfër, ose në pozitat që, as kanë, as iu mbarohet, njerëz të sëmurë, madje edhe të paralizuar, por që e ndjenin veten të gëzuar, optimistë e plot shpresë. Shkaku që ata kanë këtë gjendje të ngritur shpirtërore ishte se ata besonin te Zoti Mëshirëmadh e Fajfalës; besonin se në Ditën e Ringjalljes dhe Gjykimit, Fuqia Hyjnore do t’i zgjidhte ata midis më të afërmve të Vet, do t’i parapëlqente midis më të mirëve dhe do t’i bënte banorë të përhershëm të Parajsës (Xhenetit)

Në këtë botë për Krijuesin asgjë nuk është e çuditshme dhe e pamundur; të fshehtat dhe të dukshmet e kësaj jete dhe asaj tjetrës, i di më së miri vetëm Zoti i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.

Një njeri, të cilin Zoti vendos ta udhëzojë në rrugë të drejtë, puna e tij merr për mbarë dhe kjo nuk ka pikë dyshimi. I Plotfuqishmi, pasi e ka drejtuar andej nga duhet, në rrugën e mëshirës, nimetit dhe besës, njëkohësisht i ka dhënë liri të mjaftueshme, të nevojshme dhe orientim optimal, meqë e ka pajisur me logjikë (mendje) të shëndoshë dhe vullnet normal për të punuar sipas porosive të Tij.

BESIMI është sistemi unik i ndjenjave dhe mendimeve, i përqendruar në bindjen e patundur për ekzistencën e Zotit, si Fuqi Supreme Hyjnore dhe në sigurinë e padiskutueshme se do të vijë Dita e Gjykimit, se njerëzit një ditë do të ringjallen së vdekuri, do të shpërblehen, dënohen ose falen për veprat e bëra në këtë jetë, duke zënë vendin që kanë merituar përgjithmonë, në jetën e përtejme.

TË BESUARIT është virtyti më i lartë, me të cilin Zoti, që i paçim uratën, e ka pajisur njeriun, krijesën e vet të dashur. Ata që besojnë, në radhë të parë përsosin vetë karakterin e tyre njerëzor, plotësojnë detyrën numër një të ekzistencës në këtë jetë. Respektojnë vetveten; ata e ngrenë veten në gradën më të lartë si në këtë jetë, ashtu edhe për jetën përtej varrit. Ata që besojnë te Zoti, e përmendin me dashuri orë e çast Atë, e falënderojnë nga thellësia e zemrës dhe kanë besim, shpresë dhe siguri të plotë në premtimin dhe shpërblimin e të Plotfuqishmit.

Kush beson provon tre ndjenja kryesore: Dashurinë, Frikën dhe Shpresën. Njëkohësisht ata bëjnë durim gjithë jetën, përmes sprovash të ndryshme që kalojnë, me shpresë të patundur se do ta meritojnë dashurinë, mëshirën dhe shpërblimin e Zotit të Madh. Sepse njeriu në jetën e vet kalon një mori të madhe provash, nga më të ndryshmet; madje vetë jeta njerëzore nuk është gjë tjetër veçse sprovë, sepse veprat janë sprova të besimit. Besimi kërkon sprova dhe nëpërmjet tyre kalitet dhe fuqizohet. Pastaj vjen shpërblimi ose dënimi. Kështu që provat duhen kaluar me durim dhe duke kalitur karakterin dhe trupin, për të përballuar me sukses të gjitha ngjarjet e kësaj jete mbi dhé.

Sa më shumë prova t’i dalin njeriut përpara në jetë dhe sa më të vështira të jenë ato, aq më i dashur është ai njeri te Zoti Gjithëmëshirues dhe aq më i nderuar bëhet ai në sytë e njerëzve të tjerë.

“Sa i përket atij që besoi dhe bëri vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë (Xheneti) dhe atij nga ana Jonë do t’i bëhet lehtësi në jetë.” (Kur’ani, 18: 88)

Besimi është shkalla më e lartë e respektit ndaj Zotit, shkolla më e mirë, themeli i shëndoshë ku nguliten cilësitë më të mira të moralit të njerëzve, i cili është i hapur për çdo njeri, nga fëmija deri te plaku.  “Nuk ka shoqëri pa fe (besim) askund në këtë jetë”, ka thënë Viktor Hygo.

Kurdoherë mungesa e besimit përbën burim pandershmërie dhe anarkie në jetë.

Pejgamberi ynë i dashur, Muhamedi, paqja, mëshira, mirësitë dhe kënaqësia e Zotit qofshin mbi të!, ka thënë: “ Besimi i fortë dhe i sinqertë shpie në mirësi, kurse mirësia shpie në Xhenet.

Kur u përkufizua Besimi, si një unitet ndjenjash e mendimesh, u nënvizuan dy kushte bazë:

1 – Besimi, bindja e patundur në ekzistencën Zotit të vërtetë, një dhe të vetëm, Fuqi Supreme Hyjnore.

Zoti i pashoq është Allahu, i cili ka krijuar gjithçka, gjithësinë dhe çka brenda në të, njeriun me të gjitha begatitë e tij dhe për njeriun nuk ka të adhuruar tjetër përveç Zotit Fuqiplotë dhe Gjithëkrijues.

 “Falënderimi i takon vetëm Allahut, krijuesit të botëve.” (Fatiha, 1)

 Krijuesi suprem është Zot, pronar, gjithëbërës prej asgjësë në ekzistencë dhe vetëm Ai është i denjë për ibadet.

 “… Nëse i bën shok Allahut veprat e tua janë të asgjësuara… “ (Zumer, 65);

Për besimtarin mysliman shfaqja më e parë dhe më e larta e besimit është Deklarata

“La ilahe il – All -llah!”, kurse degët e besimit janë më shumë se shtatëdhjetë.

Deklarata e besimit është e plotë, e lehtë për t’u mbajtur mend dhe shumë e pëlqyeshme për veshin e krijesave njerëzore.

Kushtet kryesore të Besimit Islam janë gjashtë : Të besuarit në Allahun, në Engjëjt, në Librat e Shenjtë, në Të Dërguarit, në Ditën e mbrame dhe në Caktimin e Allahut – në të mirën dhe të keqen.

2 – Siguria, bindja e plotë se do të ketë një Ditë Gjykimi, se njerëzit do të ringjallen dhe do të shpërblehen sipas veprave të tyre. Pas ringjalljes do të ketë gjykim, vlerësim të veprave të secilit. Do të punojë Kandari (peshorja, balanca), që do të kryejë tre procese kryesore:

– Do të peshohet Vepruesi, karakteri i tij,

– Do të peshohen veprat e njeriut,

– Do të peshohen shënimet e veprave të tij, ditari i secilit.

Kandari, peshorja është mjeti, ndërsa Drejtësia është qëllimi në Ditën e Gjykimit.

Dy kushtet e mësipërme pranohen apriori nga besimtari, pa e diskutuar, pa dyshuar dhe pa kërkuar prova dhe shkaqe.

Dihet se ekzistenca dhe vullneti i Zotit është i pavarur prej shkaqeve, është vetë Shkaku i parë, pikërisht kjo i bën njerëzit e mençur të jenë të sigurt dhe të besojnë pa kushte në fuqinë e pakufishme të Zotit të Madhëruar.

Dëshira e Zotit realizohet pa u mbështetur në shkaqe. Pikërisht ekzistenca e Zotit, vetë Ai, është vetë shkaku, premisa fillestare. Qenia e Zotit nuk parakupton as fillim, as mbarim, Ai është i përjetshëm.

Zoti është i gjallë, ekziston, gjeneron; nuk ka trup të dukshëm nga ne, është i pakufizuar, i padukshëm nga krijesa të tjera. Allahu është transhendent dhe jomaterial, si materia e zakonshme që ne njohim. Ai është jashtë çdo nocioni të njohur fizik. Thelbi i Allahut është i pafund në të gjitha pikëpamjet (kohore dhe hapësinore) dhe tek Ai çdo gjë është e përkryer.

Po të ndjekim logjikën e besimit të vërtetë, do të vërejmë dhe do të kuptojmë se besimtar i mirë mund të jesh nëse jeton sipas Islamit dhe për Islamin, nëse ky besim paqësor dhe i përkryer bëhet program i jetës tënde, nëse Kur’ani i Shenjtë bëhet rregull për jetën tënde dhe nëse e drejta Islame gjykon të gjitha çështjet tona. Të gjithë besimtarët e sinqertë janë myslimanë, pavarësisht nëse ata janë të vetëdijshëm për këtë…

2 – TË BËSH VEPRA TË MIRA

Dobitë, të cilat burojnë nga një Besim i vërtetë dhe i sinqertë, shfaqen, materializohen në veprat e mira gjatë jetës së njeriut. Gjatë procesit jetësor, ka plot gjëra, të cilat nuk bëhen me ndonjë orar të detyruar, as me ndonjë qëllim për të fituar para, as me nxitjen e ndonjë shënimi kërcënues shefash “urgjent!”. Fjala vjen meditimi për të adhuruar Allahun, Krijuesin e Gjithësisë, të lexuarit e Kur’anit apo librave të tjerë për të ndriçuar e freskuar shpirtin dhe mendjen, të takuarit e miqve të vyer e të dashur, të kaluarit e kohës me fëmijët apo pjestarët e tjerë të familjes…

Njeriu i kohëve moderne i lë shpesh mënjanë këto gjëra, të cilat duken si imtësi dhe mbeten krejt pas dore, vetëm se nuk ka për ta ndonjë fuqi shtërnguese, ndonjë drejtor, shef apo kujdestar që të na shtyjë, të na shtrëngojë, të na detyrojë t’i bëjmë.

Vetëm dora e hekurt e nevojës na detyron neve të fitojmë para në njëmijë e një mënyra.

Sot intensiteti i jetës së njeriut po bëhet përherë e më i madh… Por në fund të fundit çdo gjë varet nga ndërgjegjja jonë, nga vullneti ynë.

“Pyet zemrën tënde!”, na mëson Profeti ynë i dashur dhe i paharruar.

Dhe s’ka gjë më të mirë se sa kur gjërat në jetë bëhen me shtytjen e ndërgjegjes sonë, nën presionin, detyrimin e saj; sepsa zemra, ndërgjegjja jonë është pjesë e zgjedhur, e dhuruar nga Zoti i Plotfuqishëm.

Veprat e mira janë ato, të cilat plotësojnë, kënaqin dhe përmbushin këshillat e dhëna nga Allahu Mëshirëplotë në Kur’anin e Shenjtë, janë ato të cilat respektojnë porositë e Pejgamberit tonë të dashur Muhamed a.s. në Hadithet thëniet dhe veprat) e tij.

Që të jetë në rregull njeriu, duhet të respektojë Dispozitat Fetare, Ligjet e Shtetit,

Ligjet e Natyrës, Ligjet Morale, si dhe rregullat dhe zakonet e shoqërisë.

“Ne nuk obligojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij dhe te Ne është libri (i shënimeve) që shkruan saktësisht (veprat) dhe atyre nuk u bëhet e padrejtë…

Po ata që nuk e besojnë botën tjetër, i shmangen rrugës së drejtë… E kujt i peshojnë më rëndë peshojat (veprat e mira), ata janë të shpërtuarit.” (23: 62, 74, 102)

Ditën e Gjykimit do të bëhet vlerësimi i veprimtarisë së njeriut në jetën e kësaj bote. Do të vihet kandari (peshorja) dhe do të peshohen të tre elementët përbërës.

Kështu peshorja është mjeti, kurse përcaktimi i drejtësisë është qëllimi i procesit të

peshimit. Kandari i peshon të tre elementët që e përbëjnë njeriun:

1 – peshohet vepruesi, njeriu, karakteri, morali i tij, vetë thelbi i robit të Allahut.

2- Peshohet vepra tërësore e njeriut, me të gjitha elementet e saj: nijet (plani, qëllimi) – veprim konkret – pasojë…

3- Peshohen shënimet (fletët) e ditarëve të veprave të njeriut, shënime të cilat janë mbajtur nga engjëjt e Zotit, që vigjëlojnë nëpër supet e çdo njeriu, në të majtë dhe në të djathtë të secilit.

 Natyrisht, jeta i është dhënë njeriut për ta gëzuar atë, për të provuar, shijuar dhe trashëguar të gjitha të mirat që ka dhënë i Plotfuqishmi.

 “… mos lërë mangut atë që të takon nga kjo botë dhe bëj mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bëj të këqija në këtë tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit.”

(28: 7)

Për veprat e njeriut gjatë procesit jetësor e shoqëror, vlerësimin e saktë e jep vetëm Krijuesi i Gjithësisë (Universit) dhe gjallesave mbi dhe, Allahu i Pashoq, Mëshirëmadhi, Fajfalësi e Gjithëdhuruesi Suprem. Ai dhe vetëm Ai e disponon Peshoren ideale të veprave të njeriut në Ditën e Gjykimit. Ndërsa vlerësimet tona, pra, të njerëzve mes veti, janë gjithsesi subjektive dhe të kufizuara në saktësi dhe drejtësi, për shumë arsye, midis të cilave do të veçonim atë që shpesh ne i shohim veprimet e të tjerëve në bazë të dobisë (leverdisë) që kemi prej tyre. Që këtu minohet objektiviteti i gjykimit. Njeriu shpesh është gabues. Megjithatë, përgjithësisht Veprat e njeriut mund të ndahen në dy grupe të mëdha, prej të cilave mund të krijohen kombinacione nga më të ndryshmet:

1 – Vepra të mira, të dobishme për njeriun veprues dhe për shoqërinë ku ai jeton;

2 – Vepra të këqija, në dëm të vetë njeriut veprues dhe të shoqërisë ku ai jeton.

Njeriu është një qenie shumë e ndërlikuar dhe shumë interesante. Krijuesi e ka pajisur atë me të gjitha gjërat që duheshin. Brenda tij gjendet gjithçka, gjenden farërat e së mirës dhe të së keqes. Zhvillohen procese shumë të ndërlikuara biokimike, cytëse dhe frenuese, disa prej të cilave njihen nga shkencat…

Bazuar në Kur’anin Famëlartë, mësojmë se burimi i të gjitha cilësive morale të njeriut (Virtyteve) është Kultivimi i Shpirtit të Sakrificës. Këto cilësi mund t’i ndajmë në dy grupe:

a) – Cilësitë që e shtyjnë njeriun t’u bëjë mirë të tjerëve, t’u shërbejë atyre. Këtu mund të përmendim: mirësia, falja, e vërteta, guximi, bujaria, simpatia, durimi, dhembshuria për krijesat e Allahut, etj.

b) – Cilësitë që kultivojnë frenimin, pengesën dhe ndalimin e veprimeve që dëmtojnë jetën, pasurinë dhe moralin e njerëzve të tjerë. Këtu, ndër më kryesoret mund të përmendim : Mirësjellja, Urtësia, Vetëpërmbajtja, Drejtësia, Dëlirësia, etj.

Cilësi të tilla në Kur’anin e Ndritur përmenden jo vetëm si predikime dhe në mënyrë të thatë. Aty jepen edhe rrastet kur këto cilësi mund të shfaqen më së miri. Jepen shembuj nga sjellja e Profetëve, në komente të Veprave dhe Thënieve të Profetit të Fundit, Muhamedit a.s.

Ndjenjat, mendimet, veprat e njeriut në vetvete nuk janë as të mira, as të këqija, nuk kanë ndonjë ngjyrë dalluese, apo tingull të veçantë. Janë disa rrethana të caktuara, të posaçme kur ato bëhen të vlefshme nga ana morale. Kjo ka të bëjë me natyrën e vetë shoqërisë njerëzore. Në rrethana të caktuara ato e ndryshojnë karakterin e tyre. Por gjithsesi, edhe me ndryshimin e rrethanave, thelbi i tyre mbetet.

Dallimi midis Virtytit dhe Vesit është thelbësor. Virtyti parakupton bazën dhe nxitjen e një vepre të mirë, ndërsa Vesi parakupton shtratin dhe cytjen për kryerjen e një vepre të keqe.

Njerëzit janë krenarë për qenien e tyre, bazuar kjo në krenarinë dhe fuqinë e Allahut, të cilit i mbështeten, të cilit edhe i janë nënshtruar natyrshëm. Bazuar në këtë krenari të ligjshme, sa tokësore, aq edhe hyjnore, njerëzit duhet ta veshin atë me vepra të mira. Vetëm kështu njeriu do të jetë i plotë dhe i tërë përpara Krijuesit të vet.

Për veprat tona secili nga ne do të përgjigjet. Nëse secili nga ne, për veprat e kryera nuk do të vihej në fron, për t’u gjykuar nga Fuqiploti, atëherë nuk do të kishte kuptim morali vetë!   

nga HYSEN KOBELLARI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here