Kreu Familja Gruaja A EDUKOHET GRUAJA NË ISLAM?

A EDUKOHET GRUAJA NË ISLAM?

0

 

Rëndom bëhet pyetja e këtillë në rrethe të ndryshme njerëzish. Është e qartë se ata e ngrenë si një sfidë duke pasur parasysh anën e veçantë të çështjes: shkollimin dhe specializimin pas kësaj, rolin që gruaja luan në përparimin dhe përhapjen e diturive. Të ekzaltuar nga rëndësia e problemit për “kohët moderne”, e festojnë fitoren e sfidës pa e vënë ende pikën e pyetjes. Islamin, të cilin nuk duan ta njohin, nuk rreshtin së përfytyruari në forma e ngjyrime nga më të çuditshmet dhe më pas i ngjisin mirë në kokë. Është e kotë ta paraqitësh idenë tënde. Çdo trajtim i thelluar e i detajuar i problemit nuk shkon me përfytyrimin e tyre prej mitesh. Debati është i dënuar të varroset në hendekun e mosnjohjes, ndaj të ngelet ta lësh pas zhurmën e fjalëve e ta pohosh në vete të drejtën tënde. Po. Islami në thelb është edukim, njohje. Me të kam parasysh perceptimin më të thellë e më të gjerë të sendeve e dukurive. Islami dhe padituria nuk shkojnë bashkë. Padituria e mbyt besimin në zemrën e njeriut. Prandaj dijetarët, me të drejtë, konsiderohen më të devotshmit, dhe të devotshmit më të diturit. Dija, si çdo gjë tjetër, kërkon motivim. Motivimin më të fortë për të, ndër të gjitha gratë e botës, e kanë myslimanet. Çështja është e prerë. Ka vetëm dy rrugë: ose për në xhenet, ose për në xhehenem. Rruga për në xhenet është sa e qartë, aq edhe e fshehtë. Ngjyra e saj nuk përfshihet as edhe në skajet e spektrit të padijes. Është gjithashtu e turbullt nëse e përzien paditurinë me dije të pjesshme. Për ta perceptuar, myslimania duhet të dijë të dallojë të vërtetën duke lexuar në të nëpërmjet një këndvështrimi absolut: “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi. Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur. Lexo, se Zoti yt është më Bujari. I Cili e mësoi (njeriun) të shkruajë me penë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte” (Alak, 1-5). Duke e përfituar prej kësaj lartësie, gruaja besimtare nuk guxon ta keqpërdorë dijen, as t’i përqasë asaj interesa të ulëta. Ajo nuk guxon të futet në labirinthe të paqarta dijesh afatshkurtra, nga ato që njerëzit me shumicë formësojnë e ndërrojnë sipas interesave të tyre. Dija e gruas myslimane nuk është modë. Mbi të gjitha, ajo është dije me vlerë universale për këtë botë dhe ahiret, për veten dhe të gjithë bashkësinë e njerëzve.

Edhe në dukjen e jashtme nuk qëndron larg qytetërimit, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet e kohës. Në këtë mënyrë përmbush porosinë profetike për ta marrë dijen kudo që ta gjejë. E kërkon atë në shkollë, universitet, në informacionin e publikuar, në internet, etj. Madje ndodh shpesh që ajo të kapet me thonj pas këtij sistemi, sepse prania e saj në të është e kushtëzuar me braktisjen e fesë. Duket qesharake, por është një e vërtetë e hidhur. Ata që pretendojnë ta modernizojnë gruan myslimane, njëkohësisht e pengojnë atë nga arsimimi. Ata që pretendojnë se janë aq të “modernizuar” e të “qytetëruar” sa ta pranojnë individin, madje edhe kur paraqitet në trajtat e prostitutës, shtrembërohen dhe neveriten nga mbulesa islame. Megjithatë, ne me kënaqësi e pranojmë se brendia e edukimit tonë është krejt e ndryshme nga ajo e “femrës moderne”. Gjatë procesit të edukimit, Islami nuk e shmang aspak gruan nga natyra e saj, por e drejton atë drejt njohjes së saj. Përmes kësaj njohjeje i dhuron qetësi e siguri, gëzim e kënaqësi. Sado absurd të duket qytetërimi i gruas së mbuluar e të disiplinuar, ai është i vërtetë, sepse përkon me kuptimin parësor të tij. Këtë kuptim shoqëria e sotme e fryn si tullumbace dhe e dërgon larg kokës së saj. Krenohet me ngjyrat e tyre në erë dhe zhurmën e plasjes. Po t’i pyesësh shumë nga njerëzit e “edukuar” se çfarë mendojnë kur përmendin fjalët qytetërim dhe modernizim, ose u mungon fjalori, ose do ta shëmbëllejnë me datën e fundit. Qytetërimi për gruan myslimane merr trajtë kur arrin baraspeshën e brendshme e të jashtme, kur brendia dhe dukja prodhon vlera që i përfiton vetë individi dhe bashkësia, kur harmonia përfshin lidhjet e ndërsjella duke siguruar paqen. Një shpirt i tillë i bindur, i zhytur në ëmbëlsinë e harmonisë, e ka përfituar edukatën e kulluar, e ka përmbushur qëllimin e parë dhe të fundit, duke njehsuar kënaqësinë e kësaj bote me kënaqësinë e vazhdueshme në ahiret. Shpirti i tillë bëhet kripa e bashkësisë ku jeton dhe shembulli i përkryer i lumturisë që sjell qytetërimi i vërtetë. Sa i përket modernizimit, ai është thjesht një mjet për ta përmirësuar e lehtësuar jetesën në këtë botë dhe për myslimanët në veçanti bëhet i rëndësishëm për t’iu siguruar epërsinë materiale, që s’duhet anashkaluar krahas epërsisë morale. Për ta ky është farz kifaje[1]. Prej tij nuk përjashtohen gratë, por, ashtu si për çdo besimtar tjetër, është e rëndësishme që t’i njohin aftësitë e veta, ta gjejnë fushën e përshtatshme ku kërkohet edhe ndihmesa e tyre. Allahu iu ka dhuruar njerëzve aftësi të ndryshme me qëllim që së bashku t’i përmbushin të gjitha nevojat e tyre. Ka dalluar në dhunti burrat nga njëri-tjetri, burrat nga gratë, gratë nga njëra-tjetra. Në Islam s’mund të mendohet shkolla me dyer të shqyera prej nga të gjithë dalin me tituj profesorësh. Dija është përparësi, por edhe përgjegjësi e madhe. Një e re myslimane përpiqet të arsimohet sa të mundet me shpresën për ta kënaqur Allahun. Ajo nuk grumbullon sasi, por thellohet në njohje, me qëllim që të nxjerrë dobi prej saj. Nëse sheh në vetvete aftësi për të punuar e përcjellë vlera në një drejtim të caktuar, nuk shmanget, por këtë e konsideron detyrë. Brenda saj cakton përparësitë. Nëse vendos të vazhdojë studimet në ndonjë degë të universitetit kjo vjen si pasojë e bindjes dhe formimit që ka për ta marrë përsipër një përgjegjësi të tillë. Myslimanja e diplomuar nuk e përdor diplomën si një magnet për të thithur e zhvatur si të mundë e nga të mundë të mira materiale, as si marifetin e fundit për të mashtruar e imponuar modele vetjake mbi shoqërinë. Diploma për të është karta e hyrjes në një shkallë më të lartë të bamirësisë, të përkushtimit të vetvetes, për të dhuruar vlera në këmbim të një kënaqësie sublime, që ta jep të qenët e dobishme, të fituarit grada më të larta në xhenet. Nëse shoqëria e mohon dhe nuk do ta njohë këtë përkushtim, është ajo që ka humbur më tej. Gruaja besimtare asgjë nuk humbet. Dija dhe përkushtimi e zbukurojnë me virtyte. Kësisoj, mbetet në vazhdimësi në përmbushje të qëllimit të saj, motivit fillestar për të merituar kënaqësinë e Allahut. A mund të thuhet tashmë se kush e arrin edukimin më të lartë dhe njohjen më të sigurt? Pas këtij pohimi të gjatë bëhet përsëri zhurmë, sepse nuk kanë dëgjuar, sepse nuk kanë kuptuar. Jo ngaqë nuk munden, por ngaqë nuk duan. Kjo ka pak rëndësi për ne. Kemi kumtuar të vërtetën dhe Allahu e di. Ai na mjafton si dëshmitar.

Kozeta Boçi

[1]. Obligim i kërkuar prej gjithë bashkësisë islame. Nëse kryhet nga një grup personash, atëherë të tjerët lirohen nga ky detyrim…

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Exit mobile version