Arsimi – zemra e kombit

Të arsimohesh sot është një nevojë e imponuar nga konjukturat e zhvillimeve, megjithëse nuk është kusht i domosdoshëm dhe jetik për të përballuar sfidat e jetës. Nuk është kusht arsimimi për të kuptuar misterin e jetës, nuk është kusht arsimimi për të qenë njeri, nuk është kusht arsimimi për t’u transformuar së brendshmi. E megjithatë nuk mund ta mohojmë rëndësinë që ka arsimimi për të të çuar në udhë të reja të dijes, rëndësinë që ka për të çelur dritare të reja perceptimi, rëndësinë që ka për të dhënë mundësinë të njihesh me personalitete, që nuk do të kishe mundësinë t’i njihje në ndonjë mjedis tjetër. Kësisoj, kalimi i qenies njerëzore në sistemin arsimor merr një rëndësi të posaçme, pasiqë shndërrohet në kovaçhanën ku farkëtohet, kalitet dhe merr formë bota ideore e breznive të një kombi.

Nisur nga rëndësia që ka formimi ideor i qenies njerëzore, çdo sistem politik i ka kushtuar një vëmendje të veçantë hallkave të zinxhirit arsimor, për ta kthyer në klloçkën e sistemit politik. Kushtimi i një rëndësie të veçantë përshtatjes së sistemit arsimor me frymën e doktrinave të sistemeve politike, është tregues i qartë për rolin dhe peshën që luan arsimi në shoqërinë e një kombi, apo dhe më gjerë. Natyrisht që sistemet politike e kanë përdoruar sistemin arsimor për qëllime dhe interesa të caktuara. Ky përdorim politik dhe ideologjik i arsimit tregon se çfarë mund të pësojë qenia njerëzore në një sistem arsimor të politizuar dhe të ideologjizuar. Nga ana tjetër një sistem i politizuar dhe i ideologjizuar na tregon se çfarë mund të mos pësojë qenia njerëzore, në rast se sistemi arsimor do të përpiqet t’i përafrohet natyrshmërisë së qenies njerëzore. Kësisoj, duke qenë kovaçhana e formimit ideor të breznive të tëra, rëndësia e cilësisë së sistemit arsimor duhet të jetë në shkallën sipërore. Pa i kushtuar vëmendjen maksimale kësaj kovaçhane, për ta mbajtur në punë me parimet më të epërme, të mos fajësojmë asnjë segment tjetër të institucioneve për keqfunksionim apo dështim.

Shpesh dhe vazhdimisht dëgjojmë të adresohen, dhe me të drejtë, akuza për korrupsion, nepotizëm, pameritokraci, pandershmëri, hajdutëri në drejtim të sistemit arsimor, të drejtësisë, të sistemit shëndetësor, të hallkave të sistemit financiar e të ndonjë segmenti tjetër institucional. Duke u përballur me kaq shumë probleme dhe anomali në këto segmente jetikë për mirëfunksionimin e një shoqërie, vazhdimisht kërkojmë kryerjen e reformave, pastrimin e tyre nga të korruptuarit, të paaftët e të pazotët, të paktën teorikisht. Natyrisht që kërkesa të tilla janë të drejta dhe parimisht pothuajse të gjithë bien dakord që kështu, me këto cilësi duhen kryer reformat institucionale, në mënyrë që të gjithë segmentet institucionalë jetikë të një shoqërie të mirëfunksionojnë në shërbim të njerëzve. Teorikisht kërkesat janë të drejta dhe legjitime, madje të një rëndësie tepër të madhe, por ajo çfarë vërehet dhe është karakteristikë themelore, të paktën në këto shtatë dekadat e fundit, është se ka një disharmoni dhe thellim të vazhdueshëm të hendekut mes teorizimeve të mirëqena dhe zbatimit praktik të asaj çfarë teorizohet. Vazhdimisht është trumbetuar me të madhe kryerja e reformave, por kemi dekada që reformohemi dhe sërish na del si detyrë të reformohemi. Këtu me të drejtë mund të shtrohet çështja e cilësisë së reformave që janë kryer dhe bazamentit ku janë mbështetur, që edhe pas dekadave të tëra nuk kanë arritur të vendosin një bazament të qëndrueshëm mbi të cilin të mund të ngrihet një sistem, që i përafrohet nevojave më të qenësishme të qenies njerëzore, qoftë në sferën fizike apo metafizike.

Jo më kot e cilësuam sistemin arsimor kovaçhanën e të ardhmes së një kombi. Në qoftë se na kanë dalë kaq e kaq probleme të cilat po tërheqin me të madhe vëmendje, atëherë duhet të kthehemi te kovaçhana dhe te kovaçi, që ka farkëtuar këta elementë që kanë sjellë probleme në segmentet institucionalë jetikë të shoqërisë. Pse i duhet kushtuar vëmendje krahëve, këmbëve, gishtave, thonjve, flokëve, veshëve, syve, hundës, kur zemra ka pësuar arteriosklerozë? A mund të kenë vlerë zbukurimi i këtyre që përmendëm, kur zemra të mos funksionojë si duhet apo akoma më keq akoma, të pushojë? Arsimi është zemra e kombit, është vitaliteti mendor i një kombi dhe në rast se duhet vëmendje totale ndaj ndonjë segmenti institucional, arsimi duhet të jetë epiqendra, por me kushtin që të mos keqpërdoret për interesat politike të ditës. Edhe mund t’i kushtohet vëmendje, por kjo vëmendje nuk është operacioni i duhur për të luftuar arteriosklerozitetin e zemrës së kombit, ose edhe mund të bëhet sikur po i kushtohet vëmendje, që pacienti të vazhdojë të vuajë dhe të marrë vazhdimisht pilulat reformuese me shpresën se një ditë do të “shërohet”.

Nuk mund të godasësh të gjitha fenomenet negative të segmenteve institucionalë, pa i goditur më parë ato në sistemin arsimor. Nuk mund të pastrosh nga problemet segmentet e tjerë pa pastruar më parë arsimin me të gjithë hallkat e tij. Nuk mund të pretendosh, teorikisht mundesh, të ndërtosh një bashkësi njerëzore pa ndërtuar më parë një arsim cilësor, i cili nuk do të ketë në vëmendje produktin e indoktrinuar që do t’i shërbejë si ushtar i bindur rendit politik dhe ekonomik, por do të ketë në vëmendje qenien njerëzore për të sjellë në jetë brezni, që do të përpiqen ta çojnë arsimin dhe kombin natyrisht, në limanin e duhur.

Në rast se duam të vlerësojmë një komb për vitalitetin, mençurinë, aftësitë, zotësinë dhe fuqinë e tij, nuk ka pse të merremi me statistika dhe tregues të segmenteve të tjerë institucionalë. Të merremi me arsimin dhe të shohim se çfarë breznish kanë lindur dhe janë rritur brenda këtij sistemi arsimor dhe me çfarë janë edukuar këto brezni, sepse origjina e shumë problematikave që sot e kemi të vështirë t’i zgjidhim apo t’i vendosim në binarët e së duhurës, gjendet pikërisht tek arterioskleroziteti i arsimit, madje akoma më tej te faktorët që kanë sjellë arterioskeloriztetin e arsimit në këtë vend, faktorë që nuk i takojnë vetëm periudhës së tranzicionit. Pa kurimin e zemrës, kombi kurrë nuk do të mund të ngrihet në këmbë sado pilula reformuese të gëlltisë, edhe me një gotë ujë pas.

Nuredin Nazarko