Kolana me titull “Kurani dhe njeriu” është një ribotim i 10 librave serial po me të njëjtën titull, shkruar nga profesori i nderuar, z. Xhemal Balla. Kjo kolanë vjen si botim i KMSH-së me 10 vëllime, duke sjellë pranë lexuesit komentimin e veprës “Ajka e kuptimit të Kurani Kerimit” të dijetarit të madh shqiptar Hafiz Ibrahim Dalliut. Autori, duke u mbështetur në idetë bashkëkohore të H. Dalliut në përkthimin dhe komentimin e Kur’anit mbi një shekull më parë, e sjell atë aktual në kohën e sotme, duke analizuar problemet dhe duke i komentuar ato mbi bazën e citimeve të Kur’anit. Në tema të veçanta ofron udhëzime për zgjidhje, të cilat, sipas mendimit të tij, mbështetur në Kur’anin fisnik, qëndrojnë në themelet e diturisë islame, përvetësimi i së cilës të çon në një shoqëri të pastër nga veset negative.

Në vëllime të ndryshme të kolanës “Kurani dhe njeriu”, gjejmë çështje që kanë të bëjnë me besimin, me problemet në marrëdhëniet familjare e shoqërore, me kuptimin e drejtë të civilizimit dhe progresit, me luftën kundër veseve shoqërore, me arsimimin dhe edukimin e rinisë, si dhe shumë tematika të tjera. Kolana “Kurani dhe njeriu”,  ka një shtrirje të gjerë tematike me kapituj e tema të veçanta, ku në thelb tregon se shkenca kur’anore, përfaqëson sot te besimtarët myslimanë dhe te studiuesit e tjerë, burimin hyjnor të jetës së tyre shpirtërore e sociale, dije kjo e pasuruar nga studiuesit dhe dijetarët e shumtë dhe themeluesve të shkencave të ndryshme të studimit të Kur’anit, përgjatë historisë shumëshekullore të trashëgimisë fetare islame.

Në botimin e kësaj kolane, puna jonë konsiston në:

1- Redaktim i plotë gjuhësor, tematik dhe sipas nevojës teologjik.

2- Ndryshimi i të gjitha ajeteve kur’anore në tekst dhe unifikimi i citimit të tyre nga “Kurani i madhërishëm”, me përjashtim të disa rasteve ku ka qenë e nevojshme shoqërimi i ajetit me ndonjë koment, arsye për të cilën i jemi drejtuar “Kur’ani Fisnik – përkthim i kuptimeve të tij me komentim në gjuhën shqipe” të H. Sherif Ahmetit.  

3- Rishikim i citimeve në fusnota ku përfshihet ndryshimi i plotë i mënyrës së citimit të ajeteve kur’anore, si dhe një renditje të re për fusnotat e kolanës në përgjithësi. 

4- Rishikim i termave të gjuhës arabe të transkriptuara në gjuhën shqipe.

5- Rikonceptim i kolanës nga ana grafike dhe e dizenjimit për ta bërë sa më të kënaqshëm për lexuesin. 

Me këtë rast, shprehim vlerësimet dhe falënderimet tona për profesorin dhe studiuesin e pasionuar, z. Xhemal Balla, në lidhje me punën dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për të lënë një pasuri të çmueshme fetare e kulturore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here