VEXHI BUHARAJA DHE FIGURA E SHUMANSHME E NJË DIJETARI ORIENTALIST SHQIPTAR I CILI U LA NË HIJE PËR SHUMË KOHË

Fatkeqësisht, ashtu siç ndodh në shumicën e rasteve, dhe kjo duket si një virus tek shqiptarët, nuk i njohim mirë, për të mos thënë fare, figurat dhe personalitet tona historike dhe të sotme. Nuk dimë t’i vlerësojmë ata intelektualë të cilët nuk kërkojnë asgjë nga familjarët dhe populli i tyre, por vetëm kontribuojnë për qëllime shumë të larta, për të thënë dhe hyjnore, dhe vetëm e vetëm për t’i shërbyer popullit të tyre pa asnjë interes, pa dyfytyrësi, pa qëllime të errëta etj.

Për mua, e tillë ka qenë dhe figura e të ndjerit, studiuesit dhe orientalistit të famshëm shqiptar Vexhi Buharaja. Ai lindi në lagjen e vjetër dhe të bukur orientale “Murat Çelepi” të qytetit të bukur dhe historik të Beratit, më 12 Maj 1920 dhe ndërroi jetë po atje më 5 Korrik 1987, në moshën 67 vjeçare, dy vjet pas ndërrimit jetë të diktatorit Enver Hoxha, i cili ia shkatërroi jetën dhe personalitetin Vexhi Buharasë sa ishte gjallë.

Ai ka qenë letrar, poet, shkrimtar, orientalist, mësues, epigrafist dhe përkthyes shqiptar, i cili ka përkthyer shumë vepra nga osmanishtja e persishtja, edhe pse ishte njohës i nëntë gjuhëve të huaja, të lindjes e perëndimit. Babai i tij, Ibrahimi dhe gjyshi i tij, Ismaili, ishin të njohur në Berat si njerëz me kulturë të lartë fetare dhe atdhetare, dhe që njihnin shumë gjuhë të huaja gjithashtu, nga të cilët dhe Vexhiu mori themelet e kulturës botërore dhe gjuhëve të huaja.

Mësimet fillore i kreu në vendlindje. Pastaj shkoi në Tiranë ku vazhdoi shkollën në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, dhe u diplomua në vitin 1940. Nga ky vit e deri më 1944 ai qëndroi në Tiranë ku nisi të punonte në revistën “Kultura Islame”, organ i Komunitetit Musliman në atë kohë. Vitet 1940-1944 njihen si vitet ku ai ishte më i angazhuar me punë krijuese. Gjithashtu, ai shkruante poezi dhe shkrime të tjera në gazetat dhe revistat e kohës, si në gazetën “Tomorri”, në revistën “Kultura Islame”, “Zani i Naltë” dhe “Njeriu”, ku disa herë shkruante me pseudonime për shkak të gjendjes së pasigurtë komuniste që gjendej në atë kohë. Disa nga pseudonimet e tij ishin “Valter Çokdari” dhe “Lulëzira”.

Pas 1944, meqenëse ishte gjendje lufte, ai u kthyer në Berat për t’u kujdesur për familjen e tij. Atje, ai nisi fillimisht të punonte për pak kohë si referent në shtëpinë e kulturës, por më vonë dashakeqësit komunistë e burgosën duke e akuzuar për propagandë kundër qeverisë së sapo dalë komuniste. Aty në burg mësoi dhe gjuhën ruse, të cilën pasi doli nga burgu e dha si lëndë mësimore në shkollë. Më pas, u kthye në Tiranë ku vazhdoi studimet në degën e gjuhës dhe letërsisë, ndërsa në vitin 1965 u pranua në Sektorin e Historisë së Mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Aty mblodhi, përktheu në shqip dhe transkriptoi rreth 250 mbishkrime osmane, ndërsa pas tre vitesh e përzunë nga aty. Sipas historianit Ahmet Kondo, i cili në vitin 1995 ka botuar librin “Vexhi Buharaja – njeriu, poeti, dijetari”, puna e Buharasë në Institutin e Historisë si përkthyes nga gjuha osmane u vu në shërbim të disave që bënë emër si punonjës shkencorë në mënyrë të padrejtë në kurriz të tij. Kjo do të thotë se gjatë punës në Institutin e Historisë, atë e kanë shfrytëzuar shumë të tjerë të cilët më vonë u njohën si “specialistë” të osmanishtes. Me të drejtë, në atë kohë ka pasur shumë studiues të rinj, të cilët e mësuan osmanishten nga Vexhi Buharaja për qëllime studimore. Njëri prej tyre ishte dhe Dhimitër Antoni, një arumun (vlleh) ortodoks nga Tirana i cili sipas wikipedia-s thuhet se prej kujt e ka mësuar gjuhën osmane, ku përveç Haki Sharofit e Jonuz Tafilaj, përmendet dhe emri i Vexhi Buharasë.

Edhe pse mbiemri i tij i vërtetë ka qenë Çokdari, nga dashuria e madhe që ka pasur për Orientin në përgjithësi dhe Iranin në veçanti, përvetësoi emrin e një prej rajoneve më të njohura në Iran, atë të Buharasë.

Vexhiu ka qenë nga përkthyesit e parë dhe të vetëm shqiptarë nga puna e palodhur e të cilit sot mund të lexojmë në shqipen tonë dokumente të Rilindjes Kombëtare dhe ato të Lidhjes së Prizrenit. Po ashtu, bota akademike shqiptare, përveç kontributeve të tjera, i detyrohet atij për përkthimin e veprave të mëdha klasike të letërsisë perse, si “Shah name-ja” (ose “Libri i mbretërve”) e Firdeusit (e cila fatkeqësisht nuk u botua sa ishte gjallë ai) si dhe “Gjylistani dhe Bostani” nga Saadiu, të dy nga letrarët më të mëdhenj të letërsisë klasike perse dhe trashëgimisë së letërsisë botërore. Vexhiu ka përkthyer gjithashtu nga persishtja dhe veprën “Ëndërrime” të Naim Frashërit, emrin e të cilit e mban dhe instituti ndërkombëtar “Naim Frashëri” në Prishtinë. Po ashtu, ai përktheu nga osmanishtja dhe dramën “Besa” të Sami Frashërit.

Pas vetes, Vexhi Buharaja la shumë historianë dhe studiues beratas të cilët shkruajtën për jetën dhe kontributet e tij. Për veprat dhe kontributet e tij janë shkruar dhe disa libra, ku ndër më të spikaturit mund të përmendim veprën “Vexhi Buharaja – njeriu, poeti, dijetari”, përgatitur dhe pajisur me shënime nga Ahmet Kondo, dhe botuar në vitin 1995 nga shtëpia botuese “Uegen” në Berat. Të tjerë që kanë shkruar për të kanë qenë Yzedin Hima që  ka shkruar librin “Vexhi Buharaja pa mite e mjegull” (i cili ka mbrojtur me të temën e masterit). Për të kanë shkruar shumë personalitete të ndryshëm shqiptarë si dhe janë bërë seminare për kontributin e tij në fushën e përkthimeve dhe dorëshkrimeve orientale. Prej vitesh, është për t’u vlerësuar dhe kontributi i pamasë i fondacionit kulturor-iranian “Saadi Shirazi” në Tiranë, të cilët kanë botuar dhe shumë shkrime në revistën “Perla”, si dhe janë botuesit e librave “Shahname” dhe “Gjylistani e Bostani”.

Libroteka publike e qytetit të Beratit si dhe medreseja e qytetit kanë marrë emrin “Vexhi Buharaja” për nder të tij. Por, për fat të keq, emri i tij nuk përmendet në asnjë nga librat e letërsisë shqipe të shkollave të mesme. Për këtë, përveç sistemit komunist, i vihet faj dhe pasardhësve të tyre të cilëve u verbojnë disi sytë ata të cilët kanë kulturë orientale.

Padyshim, nga kontributet më të vlefshme nga Vexhi Buharaja, janë përkthimi i “Shahname-së” dhe “Gjylistani dhe Bostani”.

Siç përmend akademiku Shefik Osmani në librin e tij “Panteoni iranian dhe iranologët shqiptarë”, Shahnameja është përkthyer në shqip nga dy iranologë shqiptarë, Sheh Muharrem Mitrovica dhe Vexhi Buharaja, por në parathënien e botimit të “Shahname-së” në vitin 2001 në Tiranë, botuar nga fondacioni iranian “Saadi Shirazi”, Shaban Sinani përmend se dhe para 100 vitesh, një përkthim tjetër i Shahname-së qenka bërë nga rilindësi Sami Frashëri, i cili paska mbetur në dorëshkrim dhe nuk dihet se ku gjendet tashmë. Po ashtu, edhe kryevepra tjetër e letërsisë perse, “Gjylistani dhe Bostani” është përkthyer nga dy përkthyes, dijetarë muslimanë dhe orientalistë të njohur, Hafiz Ali Korça dhe Vexhi Buharaja.

Përkthimi i parë i librit “Gjylistani” është botuar nga Hafiz Ali Korça në vitin 1925 në shtypshkronjën “Mbrothësia” që drejtohej nga Kristo P. Luarasi, por Vexhi Buharaja nuk e përmend emrin e tij.

Në veprën “Shah name”, Firdeusi tregon në formën e poezisë epike mbi mbretërit e famshëm që kanë sunduar Persinë (Iranin e sotëm), ku më e rëndësishme aty është historia e Rustemit. Këtë epope me titull “Libri i mbretërve” ai e shkruajti gjatë sundimit të princit Mahmud, rreth një shekull pas ardhjes së Islamit në trojet e Persisë. Ajo ishte një punë kolosale e tij e shkruar brenda 30-vitesh dhe e cila më pas u bë kryevepra e letërsisë perse, tashmë gati prej 1000 shekujsh.

Për kontributet e shumanshme të orientalistit të famshëm shqiptar, Vexhi Buharaja, vetëm pas viteve ’90, domethënë pas demokracisë, dhe thënë më qartë pas ndërrimit jetë të tij, vlerat e kontributeve të tij nisën të vlerësohen disi.

Më 20 dhjetor 1993 iu dha titulli “Mësues i Popullit” (post mortum) dhe Qytetar Nderi, kurse që nga data 6 korrik 1994, medreseja dhe biblioteka e qytetit të Beratit mbajnë emrin e tij.

Emri i Vexhi Buharasë përmendet gjithashtu në librin “Antologjia e krimit komunist”, botuar në vitin 2006. Në vitin 2008, në Tiranë, u botua libri me titull: “Vexhi Buharaja pa mite e mjegull”, shkruar nga Yzedin Hima.

Pas një heshtje të gjatë foli edhe Akademia e Shkencave me Fjalorin Encikopedik Shqiptar.

Disa nga veprat shkencore të Vexhi Buharasë

Besa – dramë, Sami Frashëri

Ëndërrimet – përmbledhje poetike, Naim Frashëri

Katër Stinët – përmbledhje poetike, Naim Frashëri

Gjylistani dhe Bostani – vepër poetike, Saadi Shirazi

Shahnameja – vepër poetike, Firdeus


Ermal BEGA

Autori i shkrimit është drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale në Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here