KODI MATEMATIK I KURANIT

Ndër 10 vjeçarët e fundit shumë dijetarë myslimanë janë ballafaquar me shkencëtarë perëndimorë të fushave të ndryshme për t’u treguar se për zbulimet e tyre të arritura edhe me mjete shumë të sofistikuara të kohës, Kur’ani ka folur hapur apo në mënyrë indirekte, para më shumë se 1400 vjetësh. Kemi parë në videokasetën e transmetuar edhe në TV-et tona, kur dijetari Dr. Ez-Zendani zhvillon debate me disa shkencëtarë të njohur të universiteteve prestigjioze amerikane, gjermane, japoneze etj. dhe më në fund këta, përballë fakteve, pranojnë se Kur’ani s’mund të jetë vepër e njeriut; Ai, Kur’ani është shpallje nga Zoti.

S’ka rrugëdalje tjetër për njerëzimin veçse të pranojë atë që pranuan ata shkencëtarë. Vërtet Allahu i Madhëruar i shpalli Muhammedit (a.s.) Kur’anin me dijen e Tij dhe i premtoi njerëzimit se gjatë zhvillimit të tij, do të vërtetohet se Kur’ani është libër i Zotit.

Ja si thuhet në Kur’an:

E ju gjithsesi, më vonë do ta kuptoni vërtetësinë e Kur’anit” (Sad, 88).

Dhe “Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që të shohin shenjat Tona në horizonte dhe në veten e tyre derisa t’u bëhet e qartë se Kur’ani është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë” (Fussilet, 53).

Edhe në librin “Kur’ani mrekullia më e përsosur”, autori Ahmet Didat, publikon e komenton disa rezultate shkencore të Dr. Reshid Halifes. Në përfundim të librit, autori i lutet lexuesit që “të popullarizojë këtë mrekulli të Kur’anit”.

Kjo thirrje e autorit do të ketë frymëzuar me siguri autorin Ahmet Kolgjini, i cili ka paraqitur disa rezultate në librin “Kodi matematik i Kur’anit” dhe unë, mbasi kam shkruar një artikull të ngjashëm në revistën “Familja”, organ i shoqatës kulturore “Gruaja”, po përpiqem të paraqes edhe këtu, disa fakte më interesante, që me gjuhën e matematikës, provohet se Kur’ani është një mrekulli hyjnore.

Çelësi i mrekullisë gjendet në ajetin e parë të Kur’anit.

Bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim

Harfet (germat) që e formojnë atë, janë gjithsej 19 (në arabisht).

S’do të ishte asgjë interesante deri këtu, që janë 19 germa në këtë ajet. Por, në ajetin e 30-të të sures “Al Mud-dath-thir”, thuhet:

Mbi të vigjilon nëntëmbëdhjetëshi”.

Profeti Muhammed (a.s.) nuk ka sqaruar se kujt i referohet ky numër, prandaj shumë komentues të njohur të Kur’anit, me kohë, kanë supozuar se numri 19 i referohet 19 engjëjve që do të mbikëqyrin njerëzit në xhehenem (ferr); disa të tjerë thonin se numri 19 ka të bëjë me aftësinë e njeriut; disa të tjerë thonin se numri 19 tregon shtyllat dhe urdhëresat e Fesë Islame. Megjithatë, çdo komentues supozimin e vet e vazhdonte me fjalët: “por Allahu e di më së miri”.

Pikërisht këtë e zbuloi Dr. Reshit Halifa: Në Kur’an është përdorur sistemi matematikor me bazë numrin 19.

Numri 19 është numër pa pjesëtues (pjesëtohet vetëm me 1 dhe me 19), ndryshe nga numri 18 që ka pjesëtues 2,3,6,9 apo 20 me pjesëtues 2,4,5,10.

Le të shohim disa fakte me të vërtetë interesante:

–  Sureja e parë e shpallur “Al-Alak” përbëhet prej 19 ajetesh dhe është e vendosur në Kur’an në vendin e 19-të nga fundi:

–  Xhebraili herën e parë që u paraqit, shpalli vetëm pesë ajetet e para që përbëhen prej 19 fjalësh dhe këto fjalë kanë 76 shkronja: 76 = 19 x 4.

–  Në herën e dytë Xhebraili shpalli ajetet e para të sures “Al-Kalem” që përmbajnë 38 fjalë: 38 = 19 x 2.

–  Herën e tretë Xhebraili shpalli 10 ajetet e para të sures “Al-Muz-zem-mil” që përmbajnë 57 fjalë: 57 = 19 x 3.

–  Në herën e katërt Xhebraili shpalli 30 ajetet e para të sures “Al-Mud-dath-thir” dhe ajeti i 30-të është “Mbi të vigjilon 19-ta”.

– Herën e pestë Xhebraili shpalli suren e parë të plotë “El-Fatiha”, e cila fillon me deklarimin e parë të Kur’anit بسم الله الرحمن الرحيم “Bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim”, me 19 shkronja arabe. Kjo vulë gjendet në 113 sure të Kur’anit (Sureja Et-teube nuk fillon me të) përveç suresë En-neml në të cilën është cilësuar dy herë, në fillim dhe në ajetin e 30-të. Pra kjo vulë përmendet 114 herë në Kur’an: 114 = 19 x 6.

– Vetë ky verset përbëhet gramatikisht nga katër emra: Ism, Allah, Rrahman, Rrahim. Duke përdorur kompjuterin, është llogaritur se secila prej këtyre fjalëve është përdorur një numër herësh që është i plotpjesëtueshëm me numrin 19; kështu:

–  Fjala “Ism” është përdorur në Kur’an 19 herë.

–  Fjala “Allah” përmendet 2698 herë dhe 2698 = 19 x 142.

–  Fjala “Rrahman” përmendet 57 herë dhe 57 = 19 x 3.

–  Fjala “Rrahim” përmendet 114 herë dhe 114 = 19 x 6.

Deri këtu do të ishte e mjaftueshme për shumë persona, madhështia e arritjes së përdorimit të një numri pa pjesëtues dhe të shumëfishave të tij, gjatë shtjellimit të ideve në një libër jo matematik. Por, le të shohim më poshtë, ky ishte vetëm fillimi.

Kur’ani është i vetmi libër në botë që ka në krye të disa sureve disa “iniciale” ose “shkronja të shifruara”, të cilat në gjuhën arabe quhen Mukatta-at (shkurtesa). Këto duket sikur nuk kanë kuptim. Nga 28 shkronjat e alfabetit arab, gjysma e tyre, plot 14, gjenden në këto iniciale. Me to janë formuar vetëm disa nga kombinimet e mundshme dhe pikërisht 14 të tillë: 3 njëshe (Kaf, Nun, Sad), 4 dyshe (Ta Ha, Ja Sin, Ta Sin, Ha Mim), 4 treshe (Elif Lam Mim, Elif Lam Ra, Ta Sin Mim, Ajn Sin Kaf), 2 katërshe (Elif Lam Mim Ra, Elif Lam Mim Sad) dhe 1 pesëshe (Kaf Ha Ja Ajn Sad).

Inicialet e treguara janë përdorur në krye të 29 sureve, atëherë duke mbledhur 14 germat + 14 inicialet + 29 suret= 57 dhe 57=19 x 3.

Duke përdorur kompjuterin, është konstatuar se çdonjëri inicial përmbahet një numër herësh që është i plotpjesëtueshëm me 19. Le t’i shohim me radhë:

–  Iniciali KAF. Gjendet në krye të sureve 42 dhe 50. Në suren 42 ajo gjendet 57 herë dhe 57 = 19 x 3. Edhe në suren 50 ajo shfaqet 57 herë dhe 57 = 19 x 3.

–  Iniciali NUN. Gjendet në krye të sures 68 dhe shfaqet aty 133 herë dhe 133 = 19 x 7.

–  Iniciali SAD. Me të fillojnë suret 7, 19 dhe 38 dhe shfaqet në to 152 herë dhe 152 = 19 x 8.

–  Iniciali i dyfishtë TA HA. Me to fillon sureja 20. Shkronja Ha përdoret 314 herë, ndërsa shkronja Ta përdoret 28 herë. Vërehet se këto dy shkronja përdoren pra, 314 + 28 = 342 herë dhe 342 = 19 x 18.

–  Iniciali i dyfishtë JA SIN. Me to fillon sureja 36. Shkronja Ja përdoret 237 herë, ndërsa shkronja Sin përdoret 48 herë, pra të dyja shfaqen 237 + 48 = 285 herë dhe 285 = 19 x 15.

–  Iniciali i dyfishtë HA MIM. Me to fillojnë suret 40, 41, 42, 43, 44, 45, 46. Shkronja Ha përdoret 304 herë, kurse shkronja Mim 1862 herë. Shuma 304 + 1862 = 2116 dhe 2116 = 19 x 114.

–  Iniciali i dyfishtë TA SIN. Në suret që i përmban cilëndo nga këto shkronja si iniciale (suret 20, 26, 27, 28, 36, 42) këto shkronja shfaqen 494 herë dhe 494 = 19 x 26.

–  Iniciali i trefishtë TA SIN MIM. Në suret ku përdoren këto shkronja si iniciale, ato shfaqen 1444 herë dhe 1444 = 19 x 76.

–  Iniciali i trefishtë ELIF LAM MIM. Këto shkronja, në suret 2, 3, 7, 13, 29, 30, 31, 32, përdoren 26676 herë dhe 26676 = 19 x 1404.

–  Iniciali i trefishtë ELIF LAM RA. Këto shkronja 10, 11, 13, 14, 15 përdoren si iniciale dhe shfaqen ndër to 9709 herë dhe 9709 = 19 x 511.

–  Iniciali i trefishtë AJN SIN KAF. Këto shkronja në suret e përdorura si iniciale (26, 27, 28, 36, 42, 50) shfaqen 722 herë dhe 722 = 19 x 38.

–  Iniciali i katërfishtë ELIF LAM MIM SAD. Këto shkronja në suret e përdorura si iniciale shfaqen 38114 dhe 38114 = 19 x 2006.

–  Iniciali i katërfishtë ELIF LAM MIM RA. Me të fillon sureja e 13 dhe aty shkronjat përbërëse shfaqen 1501 herë dhe 1501 = 19 x 79.

–  Iniciali i pesëfishtë KAF HA JA AJN SAD. Me të fillon sureja e 19 dhe aty shkronjat përbërëse shfaqen 798 herë dhe 798 = 19 x 42.

Me anën e kompjuterit është treguar se shumëfish të numrit 19 janë edhe tregues të tjerë brenda këtyre inicialeve të marra më sipër. Më pas është llogaritur se:

–  Shkronja Elif përdoret 17499 herë dhe 17499 = 19 x 921,

–  Shkronja Lam përdoret 11780 herë dhe 11780 = 19 x 620,

–  Shkronja Mim përdoret 8683 herë dhe 8683 = 19 x 457; etj.

Gjithashtu, me anën e kompjuterit është konstatuar se numrat (p.sh. kemi krijuar 7 qiej, etj.) përmenden 285 herë dhe 285 = 19 x 15. Madje, në qoftë se i mbledhim të 285 numrat sipas vlerës së tyre numerike merret shuma 174951 = 19 x 9189. Ka raste që i njëjti numër përsëritet disa herë. Në qoftë se këta numra i marrim vetëm nga një herë, merret shuma 162146 dhe 162146 = 19 x 8534.

Dhe me këto të dhëna të marra me kompjuter, mund të vazhdohet akoma më gjatë.

Kush vallë mund të krijojë një mrekulli të tillë?

Me anën e kompjuterit u morr edhe përgjigja e pyetjes: Çfarë mundësish ka të shkruhet një libër i tillë, që përmban sistemin matematikor me bazë 19, me lidhjet dhe kombinimet konkrete dhe që kjo të jetë rastësisht? Përgjigja ishte:

Mundësia që kjo të ndodhë rastësisht është 1 me 626 septilion dhe 1 septilion = 10000… 0 ka 42 zero. Madje, kjo mundësi që konsiderohet nga çdo shkencë e pamundur, vjen gjithnjë duke u zvogëluar sepse gjithnjë e më shumë zbulohen argumente të reja me po këtë bazë.

E kush tjetër përveç Allahut mund të jetë autor i këtyre mrekullive?

Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit me xhinët për të sjellë një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të bënin një si ky, sado që do ta ndihmonin njëri tjetrin” (Kur’an 17: 88).

Pastaj, a mendojmë se po të kishte humbur gjatë 14 shekujve një sure do të kishim 113 të tilla, shifër kjo që nuk plotpjesëtohet me 19. Jo një sure, po edhe sikur një inicial të hiqej, të shtohej apo të ndryshohej, do të prishej pjesëtueshmëria me 19. Pra, do të shkatërrohej sistemi matematikor i përdorur. Por edhe kjo ka përgjigjen e vet:

Ne me Madhërinë tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të Tij” (Kur’an 15: 9).

Prof. Dr. Sadije Bushati