Kreu Familja KUJDES NË PLOTËSIMIN E DËSHIRAVE TË FËMIJËVE!

KUJDES NË PLOTËSIMIN E DËSHIRAVE TË FËMIJËVE!

0

Nëse prindi preket nga qarja e fëmijës dhe përpiqet t’ia plotësojë çdo dëshirë të tij vetëm për të mos e mërzitur, atëherë do të përballet gjithnjë me fëmijë të cilët e përdorin qarjen, lotët për të plotësuar dëshirat dhe tekat e tyre.

Sigurisht që më vonë edhe prindërit do të mërziten dhe shqetësohen nga kjo situatë sepse fëmijët do ta përsërisin këtë veprim edhe më shpesh. Foshnjat kërkojnë plotësimin e nevojave të tyre me anë të qarjes, por me kalimin e kohës mësojnë të presin pak për plotësimin e tyre. Pasi fëmija mbush moshën 1 vjeç, tek ai zhvillohet aftësia e lëvizjes, kërkon të jetë më i lirë dhe përpiqet shumë për pavarësinë e tij, por prindërit mundohen të vendosin kufij dhe rregulla për të parandaluar çfarëdolloj dëmtimi të tij.

Mosha dy vjeçare është mosha e shfaqjes së kokëfortësisë dhe qarjeve. Veçanërisht në këtë moshë vihet re edhe lidhja me nënën, por edhe dëshira për pavarësi. Kokëfortësitë dhe qarjet janë me shumicë në këtë periudhë. Pikë së pari duhet ta dimë se fëmijët janë shumë të lëvizshëm, kërkojnë të zbulojnë gjëra të reja, të prishin diçka dhe janë këmbëngulës. Por këto veçori janë kalimtare. Mosha 3 vjeçare është më e shtruar, i përshtatet më mirë rregullave.

Prindi duhet të jetë i vendosur dhe i prerë në  rregullat dhe kufijtë e vendosur. Fëmijët mësojnë shpejt dhe nuk harrojnë. Për shembull: Nëse fëmija kërkon të hajë karamele megjithëse e di se prindërit nuk e duan diçka të tillë, ai fillon të qajë. Nëse prindi ia jep karamelen vetëm që të pushojë, atëherë ai ka mësuar se mund ta kërkojë diçka duke qarë. Për të mos i mësuar fëmijët në mënyrën e gabuar prindërit duhet të jenë të vendosur dhe të prerë. Për të qenë të vendosur duhet dhe mirëkuptimi i bashkëshortëve në pranimin e rregullave të përbashkëta dhe praktimin e tyre.

Ja çfarë na këshillojnë specialistët për minimizimin e zakonit të qarjes tek fëmija. Nëse fëmija juaj luan me një material të cilin ju nuk e lejoni, atëherë merrjani ngadalë dhe jepini një lodër tjetër e cila ia tërheq vëmendjen. Duhet ndarë një vend i veçantë ku fëmija të luajë. Të stimulohet për veprimet pozitive dhe të pritet qetësimi i tij në rast të reagimeve negative. Nëse reagimet apo sjelljet negative vazhdojnë, atëherë me kalimin e kohës mund ta kufizoni për një periudhë kohore nga një aktivitet i pëlqyer.

Aisa Kokiçi

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Exit mobile version