Kurani, si libri i fundit hyjnor, është i pacenueshëm dhe i pandryshueshëm deri në ditën e fundit të kësaj bote, kjo për faktin se vetë Zoti e ka marrë nën mbrojtje prej armiqve të mundshëm. Nëse do ta shprehnim me një fjali gjithëpërfshirjen e tij, do të thoshim se Kurani tregon raportin mes individit dhe Krijuesit, mes individit me veten e tij dhe mes individit me shoqërinë. Kurani është i vetmi libër që urdhëron drejtësinë e vërtetë, lirinë e vërtetë, barazinë e drejtpeshuar, dobinë, nderin, virtytin, dhembshurinë ndaj të gjitha qenieve, gjer te kafshët, që ndalon hapur dhunën, politeizmin, padrejtësinë, injorancën, mitet, fajdenë, gënjeshtrën, dëshminë e rreme…  

Kurani është fjalë hyjnore e zbritur për njeriun, për t’i dhënë atij mundësinë që të jetë bashkëbisedues me Zotin dhe meritor i emërtimit “krijim i bukur”. Në klimën e ndritshme të Kuranit, njeriu bëhet pjesë e realitetit fizik e shpirtëror, sheh ringjalljen dhe Siratin, mendon për dënimin e shpërblimin dhe aspiron të shëtisë në majat e gëzuara të parajsës… Zoti urdhëron e thotë: “Sikur këtë Kuran t’ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë (malin) të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut. Shembuj të tillë Ne ua japim njerëzve që ata të meditojnë.” (Hashr, 59:21)

Po qe se, duke iu marrë parasysh madhështia, do t’u ishte zbritur maleve, do të shihnim se si malet do të bëheshin copë-copë. Sigurisht, nga mbresa dhe tronditja para Allahut, malet do të rrënoheshin, kurse njeriu s’pëson gjë, sepse e mban mendjen dhe zemrën larg Kuranit. Njeriu, i cili nuk i bën vend Kuranit në mendje dhe në botën e vet të brendshme, gjithsesi nuk do të ketë pjesë prej tij. Myslimanët kanë mundur të arrijnë unitetin mes tyre vetëm me anë të besimit dhe besnikërisë ndaj Kuranit dhe kështu ka për të ndodhur edhe në të ardhmen. Ata që nuk i qëndrojnë besnikë Kuranit, jo vetëm që s’mund të jenë besimtarë të mirë, por edhe as që mund të ngrenë një unitet të qëndrueshëm mes tyre.

Problemi qëndron në qasjen ndaj metodologjisë hyjnore, me ç’rast myslimani i mëhershëm bashkëvepronte me Kuranin në sajë të faktit se është sistem i vlerave, udhërrëfyes, kandil ndriçues, ushqyes i mendjes dhe shpirtit, platformë e shëndoshë për ndërtimin e institucioneve të sistemit, frymëzues, që njeriut i ofron përgjigje për pyetjet më enigmatike: kush është ai, nga erdhi dhe si do të jetë fundi i tij dhe botës që e rrethon, kush e krijoi universin, cila është zanafilla e tij?, etj. Libër, i cili myslimanëve ua mësoi parimet për projektin madhështor për ngritjen e një qytetërimi të paparë deri atëherë. Praktikisht kjo ndikonte pozitivisht në lidhjen dhe qasjen serioze ndaj Kuranit Fisnik.

Qasja jonë e gabuar manifestohet në faktin e anashkalimit të njohurive dhe të vërtetave kuranore, ku kryesisht bëhet lexim sipërfaqësor larg meditimit, analizimit të argumenteve racionale, që i drejtohen njeriut, porosive për ngritje morale e shpirtërore. Sistem, të cilin e kishte praktikuar vetë Profeti (a.s.) duke i mësuar shokët e tij, që raporti i tyre ndaj Kuranit të jetë raport bashkëveprimi, i cili duhet materializuar në jetën e përditshme, sikur janë porositë, udhëzimet, urdhëresat e ndalesat kuranore.

Por sot, raporti ynë me Kuranin është sipërfaqësor. Sa për ilustrim, më tepër na intereson sa ishte i gjatë Ademi (a.s.), sa gërma ka Kurani, kush i lidhi në martesë Ademin me Havën, etj. Para nesh kalojnë një numër i madh ajetesh, të cilat ftojnë në logjikë, meditim, që dëshmojnë për përsosurinë e krijimit të njeriut, për marrëdhëniet njerëzore, etj.Jo më kot Zoti, në Kuran, thotë:  “A nuk e studiojnë me vëmendje Kuranin? Por jo, ata i kanë zemrat e kyçura”. (Muhamed, 47:24)

Si përfundim, me gjithë problematikat e veta, shoqëria njerëzore, sot e gjithmonë, gjen në Kuran mesazhin e Krijuesit, i Cili e udhëzon njerëzimin se si të gjejë rrugën e shpëtimit dhe çelësat e lumturisë. Kurani i nxit të gjithë njerëzit, femra e meshkuj, që të kërkojnë diturinë e dobishme, të dallojnë të mirën nga e keqja, të punojnë e të fitojnë me djersën e ballit. Meqenëse Kurani është një libër formues e orientues, që kultivon dashuri dhe mbjell frymë paqeje, njerëzit duhet të jetojnë me të, sepse ai është udhërrëfyes për të gjithë ata, të cilët iu përmbahen këshillave dhe mësimeve të tij.

Dorian Demetja

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here