Njeriu i edukuar me moralin islam bëhet sundues i vetes së tij, vë në jetë mësime për mirë dhe kurrë nuk i nënshtrohet ligësisë, pra largohet me durim nga të ndaluarat.

Kur’ani ndalon çdo pije alkoolike, përdorimi i së cilës e degradon njeriun, e kthen në qenie të shëmtuar moralisht dhe fizikisht.

“O ju që keni besuar, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe falli janë të ndaluara. Largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar”, thuhet në Kur’anin e shenjtë.

Çdo pije alkoolike e izolon të menduarit e njeriut, e shkëput nga gjëja më e shtrenjtë, e ul në një shkallë me qeniet e tjera të gjalla. Rakia, vera, konjaku, birra dhe çdo pije tjetër që deh, që bën të paaftë sistemin nervor, që e tjetërson njeriun në veprime, në Islam janë të ndaluara.

Sot, pas më shumë se 14 shekujsh, me më shumë forcë se kurrë, shkenca dhe njerëzit po flasin kundër pijeve alkoolike. Sa e përzier bota! Islami, shkenca dhe mendja shpjegojnë dëmet e alkoolit dhe e ndalojnë atë, ndërsa prodhuesi, tregtari dhe dashakeqësi i njerëzimit e nxisin atë. Pse e ndalon Zoti pijen alkoolike për njeriun? Një ndër armiqtë më të rrezikshëm që ka sulmuar gjithmonë trupin e njeriut, e në veçanti trurin e tij, ka qenë alkooli. Ai është prodhuar që në kohët më të lashta, por profetët dhe mendja e shëndoshë gjithmonë e kanë urryer. Le të flasim për arritjet e shkencës:

– A e nxit oreksin pija alkoolike? Kush e ka filluar me 30 ml, për pak kohë e ka shumëfishuar atë. Edhe pakica sjell hipersekrecion. Alkooli ngacmon mukozën e stomakut, bën që të grumbullohet atje më shumë gjak se ç’duhet. Oreksin e nxisin lëvizjet e 5 faljeve të ditës, agjërimi, fizkultura, puna fizike, gatimi i pastër, i shumëllojshëm si dhe medikamentet mjekësore. Sasinë e duhur të alkoolit njeriu e merr nga prodhimet natyrore dhe farmaceutike. Këto nuk rrisin grumbullimin e gjakut në stomak dhe ndihmojnë në përdorimin normal të lëngjeve të kërkuara.

– A të shëndoshin rakia, konjaku, birra, etj? Lëndët ushqimore për të cilat ka nevojë njeriu janë: albuminat, karbohidratet, yndyrat, etj. Gjatë përdorimit të lëndëve ushqimore prodhohet energjia e duhur dhe ajo harxhohet sipas nevojave të organizmit. Këto shërbejnë edhe si material ndërtues për indet e organizmit. Alkooli, duke u shpërbërë shpejt, bëhet shumë i dëmshëm për indet. Ai jo që nuk e ndihmon ndërtimin e tyre, përkundrazi, i helmon ato. Pra ai kurrë nuk mund të merret si lëndë ushqyese. Këshilla mjekësore është e prerë: “Mos e përdor alkoolin për lëndë ushqyese”.

– A e ngroh organizmin pija alkoolike? Jo. Statistikat në ambulanca e spitale tregojnë se përdoruesit e alkoolit ftohen më shpejt e në shumicën e rasteve vuajnë nga bronkiti kronik e bronkopneumonia. Nën veprimin e alkoolit qelizat prodhojnë më shumë nxehtësi nga sa kërkon organizmi e shumë shpejt krijohet çrregullim në punën e tyre. Edhe dozat e vogla e humbin ndjeshmërinë e lëkurës. Pra edhe në këto raste alkooli bëhet i dëmshëm.

– Pijet alkoolike ia humbin aftësinë njeriut për punë fizike dhe mendore. Është vërtetuar se kur njeriu konsumon vetëm 300 ml nga këto pije, rendimenti i punës së tij ulet në masën 17%. Kjo është arsyeja që në takimet me rëndësi, në punë që kërkojnë kujdes etj., ndalohet rreptësisht pija.

Alkooli prish funksionimin normal të sistemit nervor qendror, funksionimin e trurit në përgjithësi. Personi që konsumon 100 ml pije alkoolike çlirohet nga ajo vetëm pas 6-12 orësh. Pra, siç shihet, pijet dobësojnë punën në përgjithësi.

– A shërojnë pijet alkoolike? Shkenca e vërtetë thotë: Jo. Ndërsa gjysmakët këshillojnë se pija lufton gripin, shëron stomakun, zemrën etj. Pija alkoolike nuk shëron, përkundrazi, e përgatit organizmin për t’u sëmurë, i nxit dhe i bën më agresive sëmundjet. Pija e shkatërron shëndetin. Dihet se pneumonia, dizenteria e sëmundje të tjera futen më shpejt në organizmin e personave që konsumojnë alkool. Sëmundjet e stomakut, si gastriti akut e kronik, sëmundjet e mëlçisë së zezë si “ceroza hepatite” tek alkoolistët e kanë vendin e punës së tyre. Pijet alkoolike bëjnë të vdekshme me shumicë qeliza të mëlçisë së zezë dhe këto zëvendësohen me dhjamëra e qeliza të tjera të huaja për funksionimin e mëlçisë.

– A shërohet zemra me pije alkoolike?! Jo, thotë shkenca, përkundrazi dëmtohet. Zemra nën veprimin e pijeve zgjerohet. Muskuli i saj dëmtohet rëndë dhe mund të zëvendësohet me inde të tjera. Zemra e alkoolistit është e dobët. Shumë prej tyre vdesin kur janë të pirë.

– Dëmin më të madh pija alkoolike ia shkakton sistemit nervor. Pija sjell atë që quhet “psikoza alkoolike”. Cilat janë shenjat e saj? Ato njihen nga të gjithë. Ulet iniciativa për punë, lind neglizhenca dhe synimi për veprime imorale, kanë frikë të pashpjegueshme, dëgjojnë zëra që i shajnë, i kërcënojnë, nuk njohin njeri, u dridhen duart, tërë trupi, shkojnë drejt paralizës, bëhen të rrezikshëm për të gjithë. Janë të shpeshta rastet që psikozat përfundojnë në vdekje.

– Konsumuesit e rregullt të pijeve alkoolike shpesh lënë trashëgimtarë të padenjë për njerëzimin. Fëmijët e tyre vijnë të dobët fizikisht, ecin e flasin me vonesë, nuk kanë zhvillim të rregullt mendor, lindin me të meta fizike e mendore. Prandaj, për të lënë trashëgimtarë të denjë, mos pini pije alkoolike!

Të gjithë njerëzit me mendje të shëndoshë, pavarësisht nga përkatësia fetare, u largohen përdorimit të pijeve dhe këshillojnë të mos përdoren.

Edhe dëmi ekonomik është i konsiderueshëm. Ti që i harxhon këto lekë në pijetore për të hequr mendjen, a nuk mendon se ke njerëz të tjerë në shtëpi?! Ku është barazia midis pjesëtarëve të familjes, kur ua merr edhe paratë e bukës për të blerë raki!

Zoti e ka ndaluar pijen që njeriu të jetë i shëndetshëm, që në jetë të jetë gjithmonë njeri, ashtu siç e ka krijuar Ai: “Vërtet e krijuam njeriun në formën (e përmbajtjen) më të bukur”.

Sot shkenca si dhe përparimi njerëzor, në përgjithësi, ndriçojnë më së miri rrezikshmërinë e pijeve për njeriun. Këto u ndaluan para më shumë se 1400 vjetësh, kur shkenca nuk i kishte shpjeguar dëmet e pijeve alkoolike. Atëherë këto dëme ishin vetëm në dijeninë e Zotit dhe në brendësi të këtyre pijeve. Ndërsa në vendet më të zhvilluara të botës, si në ShBA etj., bëhen të gjitha përpjekjet propagandistike dhe ligjore për t’i larguar njerëzit nga pijet alkoolike, te ne sigurohen të gjitha lehtësirat e nevojshme për prodhimin dhe shitjen e tyre.

Fronti i luftës kundër pijeve duhet të jetë fetar, shtetëror dhe mbarë popullor. Kështu do ta shpëtojmë njeriun tonë nga pasojat degraduese të pijeve dhe qytetari ynë do të jetë gjithmonë i pastër moralisht, do të jetë i nderuar, në të njëjtën kohë do të marrë edhe shpërblimin e premtuar nga Zoti xh.sh.

Ahmet Çaushi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here