(shkëputur nga poezia me titull “La Tahzen” – Mevlana Xhelaleddin Rumi)


Sido që të jetë problemi, shko dhe merr abdest:
Një abdest si marrfrymje,
Shtroje sixhadenë atje në dhomë diku në qoshe,
Ulu më pas dhe loto;
Nëse të vjen për mbarë, as mos bëj zë:
Zoti, brengat e tua, i di shumë më mirë se sa ti vetë.
E pra, kur t’i lutesh Atij,
Drejtoju me ndjenjat e tua më të thyera,
Sepse mëshira dhe ndiha e Zotit
Vërshon drejt plagëve të njerëzve zemërthyer.

Qëllimi i atij që e godet tapetin me shkop,
Nuk është që ta rrahë qilimin,
Por mëton veç sa pluhurin t’ia shkundë;
E atëherë, nëse Zoti yt
kërkon që të shkundë pluhur prej teje,
Përse të hakërrehesh, o shpirt?

Mos u trishto!

Në s’tu realizoftë diçka,
Kjo ndodh ose ngaqë diçka më e mirë po të vjen,
Ose ngaqë me të vërtetë është më mirë të mos ndodhë.

Kundroji zogjtë që fluturojnë,
As që mbjellin, e as që korrin diç…
Veç Zoti mendon për furnizimin e tyre me fryte,
Pra, ti tash kujton se Zoti do të të lërë pas dore?
Kurrsesi,
Mjafton që ti të dish të kërkosh prej Tij.

Nëse brengat fillojnë e gëlojnë perde-perde si shirat,
Vetëm atyre që arrijnë të mbahen fort pas Tij,
U shkruhen emrat mes ashikëve të vërtetë.
Kur kaplon e keqja, ashiku është si një varg që spikat,
E ngado që ja beh karvani i brengave,
Njeriu që ecën udhës së dashnisë,
Nuk mund të prihet dot nga e keqja.

Ndërtimi merr trajtë si fryt i passhembjes;
Grumbullimi i popullit është i lidhur pas hapërdarjes;
Rregullsia fshihet pas prishjes së rendit;
Vullneti ja beh si shkak i mungesës së dëshirës,
Ekzistenca është e fshehur në mosekzistencë…

Sa keq është kur njeriu
mbetet në pavendosmëri mes mendjes dhe zemrës;
Sa keq është kur koha ngjan aq e afert sa një çast,
Dhe njëmendësisht po aq e largët sa një shekull.
Dhe, e di çfarë?
Sa dhemb kur njeriu nuk arrin ta shprehë dot një gjë që e di,
Të mërmërisë “Unë”, e të heshtë…
Të përshpërisë “Ti,” e gati ta zërë e qara…

Nëse ti merr udhën e të Vërtetës,
Do të ta hapin dhe lehtësojnë rrugën;
Por nëse më mirë tretesh në ekzistencën e Vërtetë,
Atëherë do të të shndërrojnë në qenien e duhur.
Nëse arrin të shkitesh prej egos,
Do të rritesh aq shumë,
Sa as bota s’të mban
Dhe pikërisht atëhere do të ta shfaqin
veten tënde pa qënë nevoja ta shohësh vetveten…

Një sinonim tjetër i dashurisë është DURIMI:
Duron ndaj urisë dhe etjes, kjo quhet “Agjërim”.
Duron ndaj dhimbjes dhe kjo emërtohet “Vendosmëri”,
Bëhesh i durueshëm me njerëzit dhe kjo quhet “Tolerancë”.
Duron për hir të një dëshire dhe kjo merr trajtën e “Lutjes’.
Duron për hir të ndjenjave dhe rishtas përftohet “Lotimi”.
Duron ndaj mungesës së zjarrtë dhe lind “Përmallimi”.
Duron ndaj pasionit dhe së fundmi kthehet në “Dashuri”.

Çfarëdolloj gjëje që mund ta dua, unë e kërkoj prej Allahut.
Nëse Ai ma jep, është për nga Madhështia e Tij,
E nëse nuk ma jep, atëherë është sprovë për mua.
Nëse kërkon diçka prej Zotit:
Do të të hapen dyert;
Mjafton që ti të dish se si të trokasësh.
Se kur mund të hapet ajo derë,
nuk mund ta them, sepse nuk e di,
Por mos i humb më kot shpresat,
Veç mjafton që ti të dish gjithmonë
Si të rrish në shqem të asaj dere.

Përktheu: Mehmet Disha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here