MUAJI I RAMAZANIT ËSHTË MUAJI I KUR’ANIT

Muaji i Ramazanit në vetvete është muaji i Kur’anit. Kur’ani është fjala e Allahut (xh.sh.). Këndimi i Kur’anit ka një vend të posaçëm veçanërisht në Ramazan. Siç janë të lidhura mishi me kockën, ashtu është i lidhur edhe muaji i Ramazanit me Kur’anin e shenjtë. Shkaku që e bën këtë muaj të shenjtë, është zbritja e Kur’anit në këtë muaj. Këtë fakt e shpreh dhe ky ajet: “Muaji i Ramazanit që në të u zbrit Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)” (Bekare, 185). Letra që gjendet në zarfin e Ramazanit është Kur’ani i Shenjtë. Letra është më e rëndësishme se zarfi. Në natën e shtatëmbëdhjetë të Ramazanit me anë të Xhibril Eminit, Profetit të nderuar (salallahu alejhi ve selem) i zbritën ajetet e para të sures Alak: “Lexo në emër të Zotit që krijoi”.

Kur’ani, burimi i orientimit dhe i rrugës së drejtë për besimtarët, është një libër që gjithmonë duhet lexuar, duhet menduar dhe medituar mbi të. Besimtarët myslimanë kanë nevojë për Kur’anin sa ç’kanë për ajrin, ujin dhe bukën. Profeti ynë (s.a.s.) e ka kaluar gjithë jetën e vet, duke ua tërhequr njerëzve vështrimin dhe vëmendjen mbi Kur’anin. E ka kënduar dhe përsëritur vetë, herë-herë i ka vënë edhe sahabet, shokët e tij ta këndojnë dhe i ka dëgjuar.

Enes b. Malik thotë që: ‘Profeti (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) lexonte shumë Kur’an. Sidomos pas natës së Beraetit lexonte akoma më shumë. Ndërsa në Muajin e Ramazanit ai priste lidhjet me çdo gjë tjetër dhe lexonte vetëm Kur’an’. Çdo natë të Ramazanit, Profeti (s.a.s.) bashkë me Xhebrail Eminin mësonin së bashku Kur’an. Dhe në çdo Ramazan e këndonin së bashku Kur’anin në formë mukabeleje (e këndonin dhe e dëgjonin me radhë) nga kreu në fund. Në atë vit që do të ndërronte jetë Profeti, kjo mukabele pati ndodhur dy herë. Ibni Abasi flet në një hadith që e përcjell:

“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte më bujari i njerëzve. Kurse koha kur bujaria e tij arrinte kulmin, ishte koha kur takohej me Xhebrailin në Ramazan. Gjatë çdo nate të Ramazanit, ai takohej me Xhebrailin dhe e këndonin Kur’anin së bashku. Në të mirë, Profeti ishte më i fuqishëm se era që fryn me vrull (Buhari, Saum, 7, Menakib, 23; Muslim, Fedail, 48, 50).

Edhe myslimanët e ndjekin gjithmonë këtë traditë profetike. Psh. Ebu Hanife në muajin e Ramazanit e lexonte 60 herë Kur’anin. Thuhet që në tërë jetën e tij ai e ka mbaruar shtatë mijë herë (Ibn Haxher el- Hejthemi, Menakib-i Imam-i Adham). Nuk besoj se duhet arsyetuar shumë se pse quhet dijetar i madh Ebu Hanife. Ky është vetëm një shembull nga jeta e tij.

Të lexosh Kur’an është si të flasësh me Allahun (xh.sh.). Në këtë botë, nëse do na lavdëronte ose të na fliste, ose më e pakta të na hidhte sytë një njeri i madh me pozitë apo me famë, për ne kjo do të ishte një nder i madh. Madje, shumë nga ne këtë gjë do ia tregonte të afërmëve dhe shokëve të tyre. Por harrojmë faktin që, kur lexojmë Kur’an, ne komunikojmë drejtpërdrejtë me Allahun e Madhëruar. Sa gjë me vlerë dhe e bukur. Sa vlerë që na ka dhënë Ai (xh.sh.) neve që pranon të flasë me ne. Madje kjo nxitet nga Ai Vetë. Një begati e madhe ndër begatitë e xhenetit, është biseda që Allahu i Madhëruar bën me ne: “Selamun Alejkum, qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, prandaj hyni në të, aty jeni përgjithmonë” (Zumer, 73). Ndërkohë që ne kemi mundësi që në një formë ta përjetojmë këtë gjë duke lexuar Kur’an.

Kur’ani është si një litar i zbritur nga qielli. Cili komb e ka kapur këtë litar, ka ecur përpara. Në një hadith Profeti (salallahu alejhi ve selem) thotë: “Ky Kur’an është një lidhje ku, njëra anë është në duart e Allahut dhe tjetra në duart e juaja. Kapuni fort tek ajo që të mos devijoni asnjëherë nga rruga e drejtë dhe të mos shkatërroheni” (Sahihu Ibn Hiban, 1, 166). Tekstualisht si Jusufi (a.s.) kur ishte ne fund të pusit. Një udhëtar me karvan i hodhi litarin dhe ai u kap pas tij dhe meqenëse dora që e tërhiqte ishte e fortë, doli jashtë me lehtësi. Më pas u bë i nderuari i Egjiptit.

Dhe ne tani jemi në fundin e pusit. Por jemi të bashkuar në mendimin që vendi ynë nuk është këtu. Nëse duam të dalim dhe të bëhemi të nderuar, duhet të kapemi fort pas Kur’anit. Sa herë që jemi kapur pas tij, jemi bërë të nderuar dhe sa herë e kemi lëshuar, jemi bërë të shthurur. Kur’ani për ne është “Urvetu’l Uthka-mbajtësi më i sigurtë”, që nuk thyhet kurrë (Bakara, 256). Është amanet nga Allahu dhe i dërguari i Tij. Profeti (sallallahu alejhi ve sellem) thotë: “Ju kam lënë dy gjëra të tilla që nëse kapeni fort pas tyre, nuk do të dilni asnjëherë nga rruga e drejtë. Ato janë Libri i Allahut dhe Suneti i Profetit të tij” (Ebu Daud, Menasik, 56; Ibn Maxhe, Menasik, 84; Muvata, Kader, 3).

Kur’ani është vendosur mbi shpatullat tona si një begati hyjnore. Duke e pranuar si detyrë të shenjtë, duhet ta ngremë sa më lart flamurin e tij. Këtë do e arrijmë duke e lexuar më shumë dhe duke e kuptuar dhe jetuar atë.

Shkëputur nga libri “Ditët dhe Netët e mira në Islam”

Këshilli Botues, KMSH