Nga Ebu Hurejra (i kënaqur qoftë Allahu prej tij) transmetohet se i dërguari i Allahut ka thënë: “Kini kujdes (ruajuni) nga paragjykimet dhe hamendjet, pasi ato janë fjalët më të gënjeshtërta, mos spiunoni, mos përgojoni, mos kini zili (hased), mos e urreni njëri-tjetrin dhe mos i ktheni shpinën, bëhuni robër të Allahut dhe vëllezër, ashtu siç ju ka udhëruar vetë Ai. Myslimani është vëlla i myslimanit, nuk i bën keq atij, nuk e nënçmon dhe nuk e poshtëron atë. Për çdo mysliman është i ndaluar shpërdorimi i pasurisë së myslimanit, i gjakut dhe i nderit të tij. Allahu nuk shikon (vlerëson) trupat dhe fytyrat tuaja, por mbikëqyr zemrat dhe veprat tuaja. Devotshmëria është këtu, devotshmëria është këtu. – e përsëriti tri herë Profeti a.s., duke bërë me shenjë nga gjoksi i tij në krahun e zemrës.” (Buhariu – Muslimi)

Në këtë hadith të lavdishëm Profeti Muhamed a.s. i ndalon umetit të tij gjashtë vese dhe e urdhëron atë për vëllazërim ndaj njëri-tjetrit dhe devocion ndaj Allahut të Madhëruar.

Duke i marrë në analizë shoqëruar me një koment të shkurtër këto gjëra të ndaluara dhe të urdhëruara në këtë hadith, shpresojmë që së paku ato do të nguliten më thellë në mendjet tona dhe të lexuesve tanë të nderuar, por duhet theksuar se ajo që dëshirojmë dhe shpresojmë është zbatimi i këtyre ndalesave dhe urdhëresave në jetën tonë të përditshme. Të lexosh e studiosh mësimet islame është vërtet një gjë mjaft e bukur, por të jetosh me to është kulminante, pasi Islami të bën të lumtur si asgjë tjetër në botë kur e jeton atë.

Kini kujdes (ruajuni) nga paragjykimet dhe hamendjet, pasi ato janë fjalët më të gënjeshtërta

Këtu Profeti ynë i nderuar a.s. na ndalon nga paragjykimet dhe hamendjet e kota, që nuk kanë asnjë bazë, pasi këto lloj hamendjesh shpesh mund të na çojnë në mendime negative për njerëzit, madje jo rrallëherë në akuza të drejtpërdrejta e të rëndomta ndaj tyre. Një gjë të tillë e ka ndaluar vetë Allahu në Kur’anin Famëlartë ku thotë: “O ju që keni besuar, largojuni paragjykimeve e hamendjeve (të shumta e të këqija), pasi disa të tilla janë mëkat.” (Huxhurat, 12)

Mos spiunoni

Spiunim do të thotë t’i tregosh të fshehtat palës kundështare (armikut). Pikërisht ky lloj spiunimi dhe të ngjashëm me të (që sjellin dëme) janë të ndaluar me Kur’an dhe me hadithin në fjalë që po komentojmë.

Ka raste kur spiunimi lejohet, si për shembull, të hysh në radhët e armikut me qëllim vetëm për të zbuluar planet e tij dashakeqe, kur e di se një individ ose grup personash kanë vendosur të bëjnë një krim a diçka tjetër të keqe, atëherë duhet treguar kjo gjë për ta parandaluar atë. Në këto raste e të tjera të ngjashme, nuk kemi të bëjmë me spiunim dhe mëkat, madje shumë prej dijetarëve myslimanë nuk e konsiderojnë këtë veprim si spiunim.

Mos përgojoni

Këtu na ndalohet përgojimi që ndoshta është bërë moto e jetës për disa njerëz. Përgojimi është prej mëkateve të mëdha në fenë islame dhe ai nuk kufizohet vetëm në marrjen nëpër gojë të njerëzve me thashetheme nga më të ndryshmet e duke u ngjitur atyre epitete që nuk i dëshirojnë, por ai bëhet edhe duke hulumtuar në të metat e njerëzve për t’ia nxjerrë në pah ato, thjesht për t’ua ulur personalitetin. Allahu i Madhëruar e krahason përgojimin me ngrënien e mishit të vëllait tonë të vdekur: “Dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin. A mos vallë ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të tij të vdekur?..” (Huxhurat, 12)

Mos kini zili

Zilia është të dëshirosh që një e mirë e dikujt të jetë e jotja, duke dashur njëkohësisht që ajo e mirë t’i hiqet atij tjetrit. Ky fenomen që jo rrallë bëhet i pranishëm edhe në rrethin e besimtarëve, është një mëkat dhe ves mjaft i shëmtuar dhe i dënueshëm në fenë islame. Ai bie ndesh me moralin e besimtarit të vërtetë, i cili duhet të dëshirojë për të tjerët atë që dëshiron për veten e vet.

Mos e urreni dhe mos i ktheni shpinën njëri-tjetrit

Dijetarët e komentojnë urrejtjen e ndaluar në këtë hadith në këtë mënyrë: Çdo shkak që të çon në urrejtje dhe armiqësi është i ndaluar të mendohet dhe veprohet. Po ashtu edhe kthimi i shpinës ndaj njëri-tjetrit është i ndaluar për shkak se ai është të paktën një faktor që mbart në vetvete urrejtje dhe që na çon në ndërprerjen e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve.

Bëhuni robër të Allahut dhe vëllezër, ashtu siç ju ka urdhëruar vetë Ai

Profeti Muhamed a.s. këtu na urdhëron për vëllazërim ndërmjet besimtarëve, ashtu siç na ka urdhëruar vetë Allahu, pra: bëhuni vëllezër në butësi, mëshirë, barazi dhe këshilla. Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëlartë na thotë: “Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër, bëni pajtime ndërmjet tuaj dhe kini frikë Allahun që të jeni të mëshiruar.” (Huxhurat, 10)

Qëllimi i kësaj vëllazërie është që ndjenjat ndërmjet individëve myslimanë të jenë si ndjenjat ndërmjet anëtarëve të një familjeje. Të mbështesë çdo individ interesin e tjetrit dhe ta ruajë e mbrojë me sa ka mundësi nga çdo lloj dëmi ose e keqeje, pasi lidhja e besimit është më e fortë dhe më e qëndrueshme se lidhja familjare. Këto lidhje e interesa janë të urdhëruara derisa nuk kalojnë në mëkate e punë të ndaluara, prandaj edhe Profeti a.s. në këtë thënie na e kushtëzon vëllazërinë me qenien tonë pikë së pari: robër të Allahut, pra robër të bindur ndaj Tij në gjithçka që ka urdhëruar e ndaluar. Allahu Fuqiplotë në Kur’anin Famëlartë thotë: “Dhe nëse ata të dy (prindërit) përpiqen (të luftojnë) vetëm e vetëm që ti të më bësh Mua shok, atë që ti nuk e di, atëherë mos i dëgjo ata, por shoqëroji dhe sillu mirë me ta në këtë botë.” (Lukman, 15)

Por ç’përbën më saktë vëllazërimi ndërmjet myslimanëve?

Profeti a.s. e shpjegon fare mirë këtë në vazhdim teksa shton:

“Myslimani është vëlla i myslimanit, nuk i bën keq atij, nuk e nënçmon dhe nuk e poshtëron atë.” Njeriu jo rrallëherë ndodh që të bëhet i keq aq shumë, sa arrin të poshtërojë vëllanë e vet mysliman. Ai që e ka bërë ndoshta diçka të tillë pikë së pari duhet të pendohet dhe ta kuptojë se vëllazërimi ndërmjet myslimanëve është besimi i lidhjeve të ngushta që i afron, i fton për dashuri, për marrëveshje, vepra të mira dhe këshilla. Pra, myslimani i vërtetë nuk i cenon të drejtat e vëllait të vet, nuk e nënçmon atë kur e thërret që ta ndihmojë për hir të së drejtës, nuk ia ul autoritetin (vlerat ose punën e tij), nuk e poshtëron atë. Në rast se një mysliman bën qoftë vetëm njërën nga këto veprime të përmendura në hadith, duhet ta dijë se e ka prishur vëllazërinë dhe ka nisur armiqësinë.

Për çdo mysliman është i ndaluar shpërdorimi i pasurisë së myslimanit, i gjakut dhe i nderit të tij

Këtu Profeti a.s. na sqaron qartë e bukur respektimin e të drejtave të myslimanëve. Çdo gjë e keqe e myslimanit për myslimanin është e ndaluar dhe e dënueshme. Në hadith të drejtat e myslimanëve përmblidhen mjaft bukur në tri pika kryesore, brenda të cilave përfshihet çdo e drejtë tjetër sado e vogël qoftë në krahasim me to. Me fjalë të tjera duhen ruajtur të gjitha të drejtat e vëllait mysliman. Myslimani nuk e dhunon myslimanin, nuk ia merr ose shfrytëzon pasurinë, nuk e vjedh e as e plaçkit, nuk e ofendon atë, nuk e ngacmon për cilësinë e moralit të babait ose gjyshit të tij, etj.

Allahu nuk shikon (vlerëson) trupat dhe fytyrat tuaja, por mbikëqyr zemrat dhe veprat tuaja. Devotshmëria është këtu

Sa bukur. Me të vërtetë vlera e njeriut nuk qëndron në rrobat që ai ka veshur, as në fizionomininë e tij të bukur, pasi këto janë dhuratë e Allahut për cilindo. Vlera e njeriut matet me veprat që ai bën si produkt i vetvetes, që buron prej zemrës së tij. Ai që e ka zemrën e tij të pastër e të mbushur me druajtje ndaj Allahut Fuqiplotë, që ka dashuri për njerëzit dhe kryen vepra të mira, ai pikë së pari përmirëson vetveten, pastaj familjen e tij dhe kështu me radhë jep kontributin e tij në ngritjen e fesë dhe të kombit. Pikërisht një njeri i tillë, meriton vlerësimin e Allahut, mbrojtjen, mëshirën dhe shpërblimin e tij, pasi ai e ka hedhur lëvozhgën dhe e ka përmirësuar thelbin (zemrën).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here