E bukura e botës dhe e jetës qëndron te diversiteti, e ndryshmja, tek ajo që nuk është e njëjtë, uniforme, statike. Ky jouniformitet vihet re, mbi të gjitha, kur flasim për “material” shpirtëror, të parrokshëm nga arsyeja, mendja dhe të paprovuar në rrugë “shkencore”. E më konkretisht, ka një ndryshim në mënyrën se si e interpretojnë botën dhe jetën ata që besojnë nga ata që nuk besojnë. Të dytët mendojnë se Zoti dhe feja janë zhvillime njerëzore dhe historike, që klasa të caktuara shoqërore i kanë përdorur për të mbajtur të sunduar dhe për të shtypur masat popullore, duke i lidhur interpretimet religjioze me një fazë primitive të shpjegimit të fenomeneve natyrore, çka është tejkaluar me zhvillimin e shkencës dhe me interpretimin e botës nëpërmjet saj.

Ndaj, raporti dhe marrëdhënia e besimit me mosbesimin, si dhe vendi që zënë ato në jetën njerëzore, nuk mund të shihet i shkëputur nga zhvillimi historik dhe nga një kontekst i caktuar, nëpërmjet të cilit ka kaluar mendimi filozofik evropian, rrjedhime të të cilit janë të gjitha rrymat filozofike gjatë periudhës së iluminizmit e në vazhdimësi deri në ditët e sotme. Natyrshëm ajo që dihet është se Evropa, në përgjithësi, doli me një farë përbuzjeje dhe urrejtjeje ndaj besimit që kishte mbizotëruar të gjithë mendimin evropian gjatë periudhës së Mesjetës.

Mirëpo, si për të kontrastuar këtë periudhë, na vjen në ndihmë konstatimi i orientalistit Bernard Lewis, i cili, për të bërë një krahasim mes Mesjetës së krishterë dhe botës së atëhershme islame, të përfaqësuar nga Perandoria Osmane, shprehet: “…Në këtë ballafaqim të hershëm, ekzaltimi dhe dogmatizmi ishte i të dy krahëve dhe toleranca më e madhe ishte në anën turke. Në shekujt XV dhe XVI, lëvizja e refugjatëve – të cilët, sipas shprehjes brilante të Leninit ‘votonin me këmbët e tyre’ – ishte nga Perëndimi në Lindje dhe jo si sot nga Lindja në Perëndim. Shpërngulja e çifutëve për në Turqi, përzënë nga Spanja (krishtere) në 1492, është e mirënjohur, por në asnjë mënyrë e vetmja”.

Në fakt, kishte prej iluministëve që besonin në Zot, por këtë besim dhe këtë Zot e shihnin jashtë dogmatizmit të kishës. Në të vërtetë, disa prej iluministëve e shfrytëzuan Islamin me qëllim që të lirohen nga barra e imponuar dhe e mërzitshme e kishës. Një gjë të tillë e bëri Lesingu në vitin 1779, në dramën e tij “Natani i urtë”, dramë e cila u përfundua sipas shembullit të myslimanit. Po ashtu, Leon Tolstoi me veprën e tij “Haxhi Murati”. Ajo që mund të themi është se shumica e iluministëve dhe e atyre që do të hidhnin në atë kohë bazat e mendimit të mëvonshëm perëndimor, nuk i kishin njohuritë e duhura për fenë islame (kjo si alternativë jashtë Kishës) dhe për profetin Muhamed. Është e qartë se pse Kur’ani i parë i përkthyer në gjermanisht është përkthyer me një titull mjaft profan: “Kurani turk, religjioni dhe besëtytnitë”.

Stereotipat dhe mosnjohja e Islamit në këtë kohë ishin të asaj mase sa Kur’ani i parë i përkthyer në gjuhën latine e kishte devijuar maksimën kuranore, nga “Nuk ka zot përveç Allahut…” në “Nuk ka zot përveç Muhamedit…”. Nuk ka dyshim se profeti Muhamed para perëndimorëve është paraqitur si një magjistar, si idhull (person i trinisë), madje edhe si Kardinal i dëshpëruar për zgjedhjen e Papës.

Pasi Perëndimi braktisi Zotin dhe fenë, historia e tij, duke filluar nga iluminizmi e në vazhdim, është një seri e vazhdueshme e jonjerëzores me dimensione dhe produkt mjaft negativ: dy luftëra të ashpra botërore, me miliona të vdekur, përdorimi i armëve kimike dhe bërthamore, zhdukja e njerëzve në masë, terrori shtetëror bolshevik, komunizmi, shovinizmi fashist, nazist, grek dhe ai sllav në Ballkan, spastrimet etnike në Evropën Qendrore, në Kroaci, në Bosnjë, në Kosovë etj.

Erih Maria Remark, një ndër shkrimtarët e “Brezit të humbur” në librin e tij “Obelisku i zi” (1955) e ka shprehur në mënyrë të shkëlqyer pikërisht këtë humbje të shpirtërores, gjë që ka çuar në shkatërrime pafund, ndërkohë që, sipas tij, “laboratorët dhe uzinat i janë përveshur punës me vrull për të ruajtur paqen në botë, duke shpikur armë që janë në gjendje të hedhin gjithë planetin tonë në erë. Ah, kjo paqja e botës!!!

Kurrë s’është bërë aq shumë zhurmë për të dhe kurrë, në asnjë epokë, s’është bërë aq pak për ta ruajtur. Kurrë ndonjëherë s’ka pasur aq shumë profetë të rremë, aq shumë mashtrime, aq shumë vdekje, aq shumë shkatërrime dhe aq shumë lot sesa në shekullin tonë, të njëzetin, në shekullin e progresit, të teknikës, të qytetërimit, të kulturës masive dhe të vrasjeve masive…”.

Kështu që, pasi Zoti u “zhduk”, njeriut nuk i ngeli gjë tjetër për të adhuruar përveçse ndonjërën nga ideologjitë shkatërrimtare ose të adhuronte individin, duke e shndërruar Perëndimin në një qytetërim që besonte se mund të ekzistojë pa besimin te Zoti.

Nga Namir Lapardhaja

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here