Viti i ri shkollor 2020-2021, fillon shumë ndryshe nga ç’jemi mësuar, për shkak të situatës së koronavirusit. Megjithëse fëmijët janë më pak të rrezikuar në këtë drejtim, duket se ka ende pasiguri dhe shqetësimi për çdo prindër është i madh. Autoritetet na qetësojnë kur thonë se agresiviteti i virusit nuk është i njëjtë me atë të muajve mars-prill. Megjithatë, nuk duhet të jemi neglizhentë në këtë periudhë, pasi fillojnë shkollat, ulen temperaturat, rriten kontaktet nëpër lokale të mbyllura e të tjera. Parë në këtë këndvështrim, kujdesi duhet të vazhdojë, madje duhet të jetë shumë herë më i madh, duke qenë se fëmijët do të jenë nëpër shkolla.

Shkolla është vendi ku jepet mësim dhe edukatë. Aty mësohet gjithçka në lidhje me jetën e më tej. Në fakt, edhe vetë jeta është një shkollë. Ajo është institucioni që hedh dritë mbi evenimentet jetësore dhe u jep nxënësve mundësinë të kuptojnë atë që ndodh rreth tyre. Shkolla dhe edukimi që jepen aty, përfshijnë pothuajse të gjithë jetën e njeriut. Ai gjatë gjithë jetës, zbaton e përsërit mësimet që merr në shkollë dhe, virtytet e aftësitë e fituara aty, janë udhërrëfyesi i tij gjatë rrugëtimit.

Mësuesi është një udhërrëfyes shembull, që i jep njeriut formë, si dhe njëkohësisht është krijesa “e shenjtë” e tempullit të edukimit. Vetë fjala e Profetit Muhamed (a.s.): “Unë jam dërguar si mësues”, e shpjegon më së miri këtë. Ndikimi i mësuesit mbi individin është më i madh se ndikimi i prindërve apo i shoqërisë. Në një shkollë të mirë, mësuesi është ai që mbjell dhe që ruan farën e pastër e të pafajshme. Nxënësit mund t’i bëhet shembull i mirë dhe udhërrëfyes i saktë, një mësues që e ka perceptuar të vërtetën dhe që e ka kaluar çdo dituri më parë nga porta e ndjenjave të veta.

Librat që u jepen nxënësve në shkolla, qofshin libra të lëndës, qofshin libra me karakter fetar, romane apo poezi, duhet të jenë të tillë, që të arrijnë të zhvillojnë vullnetin, t’i japin forcë mendjes, vendosmëri shpirtit dhe shkëndijë shpresës. Çdo e dhënë apo çdo mësim përmendësh që nuk premton ndriçim të mendjes e çlirim të shpirtit, është një goditje që i jepet zemrës. Një dituri që nuk ka për qëllim zbërthimin e enigmës mes personalitetit tonë dhe materies, nuk i sjell asnjë lloj dobie nxënësit, përveç njehsimit me botën e jashtme e distancimin nga vetvetja.

Në jetën shkollore, nxënësit i duhen mësuar së pari gjuha, besimi, morali e karakteri, pastaj duhet synuar ndërtimi i një personaliteti të shëndoshë mbi këto themele. Qëllimi i mësimit duhet të jetë përgatitja intelektuale e sociale në përshtatje me kohën dhe vendin ku jeton. Nxënësi duhet të shtyhet drejt përditësimit të dijeve, drejt një mënyre të menduari që nxit zhvillimin dhe suksesin në çdo fushë. Pasi të arrihen këto objektiva, duhet përgatitur specializimi i nxënësit për fe, art, shkencë, financë teknikë… E gjitha kjo është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin në paqe të shoqërisë, me moralin dhe besimin e saj, si dhe me sukseset në fushat e ndryshme.

Me këtë rast, megjithëse në situata të vështira e shqetësuese, shpresojmë që mësuesit dhe nxënësit të vazhdojnë mësimin me të njëjtin ritëm e zell. Duke iu uruar atyre vitin e ri shkollor, lutem që Zoti të na i prijë mbarë dhe të dalim me sukses nga kjo sprovë mbarëkombëtare.

Dorian Demetja

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here