Një lidhje e veçantë…

Sfidë dhe mirësi, prindërimi…

E di ti se çfarë je?

Ti je copëz shpirti e unë shpirti i copëtuar për ty. Ti je rreze shprese, e unë ruajtës i amanetit tënd. A e di ti se çfarë je? As edhe një mijë përse s’mund të të thonë ty atë që je në brendësinë e pakorruptuar të shpirtit tim. Je mijëra copëza, të bëra një të tërë. Je vetja ime e ndarë në dysh, vogëlushi im…

Njeriu është qenie sociale dhe si e tillë, ka dhe krijon lidhje të forta sociale me të tjera qenie, por një ndër lidhjet, të cilat kanë marrë shumë kohë studimi, por ende mbetet “thesar i pazbuluar”, është lidhja(raporti) prind-fëmijë, që nis si nevojë për vazhdimësinë e jetës. Studimet sociologjike janë thelluar deri aty sa të diskutojnë, shpesh për praninë apo jo të interesave reciproke, prindërit dhe fëmijët, pra familja në kuptimin e saj të ngushtë, mbetet kësisoj lidhja më e fortë që karakterizon marrëdhëniet njerëzore gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Në fakt, njeriu mundet lehtësisht të ndahet nga një mik, por kurrë nga fëmija i tij, apo prindërit me të cilët, ndonëse mund të jetë në një distancë të konsiderueshme largësie, apo vitesh pa komunikuar; gjaku ka një tërheqje të veçantë.

Madje kjo lidhje ka ndjeshmëri të lartë edhe kur fëmijët janë të rritur dhe s’janë më nën ndikimin e prindërve. Pra, edhe pse fëmijët mund të kenë arritur moshën e pjekurisë psikologjike e fiziologjike dhe ligjërisht janë të aftë të kujdesen për veten e tyre, prindërit e kanë të pamundur të mos ndikohen nga gjendjet shoqërore, ekonomike, shëndetësore të fëmijëve të tyre. Thënë më qartë, nëse fëmija është duke kaluar një problem, edhe pse është i pavarur, prindërit janë nën efektet e asaj që ai kalon. Kështu, ndonëse një fëmijë mund të ketë krijuar familjen e tij, të jetë bërë prind, në momentet kur diçka jo e këndshme ndodh në jetën e tij, në aspektin personal, profesional apo diçka tjetër, prindi i tij e ka të pamundur të mos ndikohet e të mos e përjetojë këtë.

Dhe vjen një moment, në jetën e këtyre fëmijëve, kur fëmijët e tyre rriten dhe ata kuptojnë se sa e vështirë është të jesh një prind i mirë e të realizosh një prej qëllimeve më të vështira në jetë, të rrisësh e të edukosh fëmijët. Është ndoshta, puna më e vështirë që mund të ekzistojë ndonjëherë, sepse je përgjegjës pjesërisht për atë që po rrit. Për fat të keq, nuk ekzistojnë rregulla ekzakte që të mësojnë si të jesh një prind i mirë, por ajo që theksohet është gjithnjë ndjekja e instinktit prindëror.

Është pikërisht kjo, lidhja që nuk shpjegohet dot nga shkenca, por që kurrsesi nuk i mohohet ekzistenca. Nuk ka metodë më të mirë për të rritur një fëmijë se sa t’i tregosh atij, në çdo hap të jetës, dashurinë dhe përkujdesjen prindërore, faktin që ti je aty për atë dhe së bashku, do të dini si të përballoni momentet më të vështira.

Në fakt, prindërimi është një përgjegjësi prej së cilës s’mund të japësh dorëheqje, pra pasi je bërë prind, s’ka më hapa pas.

Edhe pse kjo është një ndër kontratat e pashkruara që bart më shumë dashuri, kjo s’nënkupton aspak se kjo marrëdhënie s’ka probleme. Një ndër hapat më pozitivë në këtë marrëdhënie prind-fëmijë është se duhet të zgjidhen problemet mes tyre, sado të vogla qofshin ato, sepse pasojat që ato lenë te të dyja palëve nuk janë të pakta. Megjithatë, sipas psikologëve, ata që i vuajnë më shumë pasojat e këtyre konflikteve janë prindërit, e më pak fëmijët, të cilët këtë gjë e kuptojnë vetëm atëherë kur bëhen vetë prindër.

Pra mirëqenia e prindërve rrezikohet kur fëmijët kanë probleme serioze, pasi shëndeti i tyre fizik e psikik cenohet.

E sigurisht që lidhja prindër-fëmijë s’është vetëm instiktive, pasi po të ishte vetëm e tillë, marrëdhënia shpirtërore s’duhet të ekzistonte. Kjo lidhje është e veçantë dhe me burim krijues. Askush s’mund të sendërtojë një lidhje të tillë në një marrëdhënie pa lidhje gjaku. Megjithatë, rruga e të bërit prind është e gjatë. Kur vjen në jetë një fëmijë kuptohet vlera e të qenët prind dhe gjithashtu vlera dhe vështirësitë e edukimit të tij.

A është domosdoshmëri dashuria prindërore?

Njeriu është ajo krijesë e cila në të gjitha drejtimet e jetës së tij përdor dashurinë. Por dashuria e prindërve për fëmijët është një domosdoshmëri e vetëkuptueshme për zhvillimin e tyre. Nevoja e fëmijëve për dashurinë është shumë më e madhe se nevoja e tyre për ushqim të mirë, për veshje të bukura ose për lodra. Është shumë me rëndësi që fëmijëve t’u kushtohet vëmendje nga prindërit dhe ata ta ndiejnë veten të afërt me ta.  

Nëse fëmijëve u mohohet dashuria në vitet e para të jetës, kjo mungesë do të manifestohet më vonë, madje që në fëmijëri, në formën e problematikave të ndryshme në marrëdhëniet e tyre me veten e të tjerët. Dhe teksa individi rritet, kjo mungesë dashurie nis të manifestohet në formë të konflikteve emocionale dhe shqetësimeve të brendshme. Është pikërisht mungesa e dashurisë nga prindërit që i çon fëmijët drejt vjedhjes, gënjeshtrave dhe dhunës. Pra as që e mendojmë se një sjellje e dhunshme nga ana e fëmijës sonë, vjen si pasojë e mungesës së vëmendjes dhe dashurisë që ne i japim. Fëmijë të tillë kanë mungesë të theksuar të vëmendjes nga njerëzit që i rrethojnë dhe si pasojë, shfaqen të tilla gjendje emocionale.

Edhe disa sjellje të pahijshme të disa adoleshenteve vijnë si rrjedhojë e mungesës së komunikimit dhe dashurisë. Kur familja krijon një atmosferë miqësore për të gjithë pjesëtarët e saj dhe kur një vajze i falet dashuria dhe siguria se problemet dhe krizat e saja, veçanërisht ato emocionale, mund t’i tematizojë para nënës dhe babait, shumë sjellje të pahijshme mund të parandalohen, pasi ajo merr këshillën e duhur në momentin e duhur.

Si mund ta shprehim dashurinë?

Forma më e njohur dhe më e praktikuar e të shprehurit të dashurisë është përkëdhelja dhe puthja. Kujdesi i tillë ndaj fëmijës e forcon themelin e dashurisë, që është vendosur nga Zoti brenda fëmijës. Në një moshë shumë të re, fëmija nuk i kupton fjalët. Por kur ledhatohet, kur merret në krahë ose t’i falet një buzëqeshje, dashuria përcillet lehtësisht dhe fëmija ndjehet i qetë dhe i sigurt.

Edhe babai mund ta shfaqë dashurinë ndaj fëmijës. Edhe ai mund ta marrë fëmijën në krahë dhe ta trajtojë me dashuri, ta përkëdhelë e ta puthë atë, gjë që është shumë e rëndësishme për t’i falur fëmijës një ndjenjë sigurie. Teksa fëmija rritet, ndryshon edhe mënyra se si prindi e shfaq dashurinë që ka ndaj tij.

Nëse duam të shprehim dashuri ndaj fëmijëve tanë, ne mund edhe të luajmë me ata dhe t’i argëtojmë. Fëmijët janë burim dashurie dhe në lojëra ata janë të hapur që të na tregojnë potencialet e tyre. Nëpërmjet lojës, prindërit u mësojnë fëmijëve ndaj kujt dhe ndaj ç’gjëje të shfaqin ndjenja, si t’i shprehin dhe si t’i kontrollojnë ato, kur të jetë e nevojshme.

Krahas kësaj, një mënyrë tjetër e shfaqjes së dashurisë ndaj fëmijëve, është të trajtuarit e tyre me respekt. Pra nëse në moshë të hershme fëmija kritikohet pak dhe i lejohet liri zgjedhjeje kjo ka një efekt pozitiv mbi zhvillimin e unit e të vetërespektit, si dhe kultivon brenda tij ndjenjën e të qenët i lirë dhe përgjegjës për veten e tij.

Edhe barazia ndërmjet fëmijëve është një mënyrë tjetër për t’ua shprehur atyre dashurinë. Nëse njëri prej fëmijëve favorizohet krahasuar me të tjerët, kjo krijon mes tyre një ndjenjë armiqësie dhe ngjall urrejtje. Më pas fëmija rrezikon të bëhet dashakeq. Një sjellje e tillë ia ul vetërespektin fëmijës dhe kultivon brenda tij ndjenja të hakmarrjes. Andaj prindër numrin e fëmijëve në familje e zgjidhni ju, ama secili do dashuri dhe përkujdesje pa bërë diferencime të dukshme të cilat më pas sjellin edhe shqetësime.

Nga Entela Hidri