Të ruash ekuilibrin brenda familjes, të ruash shëndetin e saj është një pikë shumë e rëndësishme. Ruajtja e ekuilibrave të caktuar sigurisht që kërkon angazhimin e të gjithë anëtarëve të familjes. Ky angazhim duhet të jetë si në kohët e shëndetshme ashtu edhe në kohët e krizës në mënyrë që të ruhet struktura familjare dhe vazhdimësia e saj.

Disa periudha të rëndësishme në martesë

Periudha para martese: në këtë periudhë e cila sipas kulturës sonë quhet edhe si fejesë të dy palët bashkë me familjet e tyre përpiqen të njohin njëri tjetrin. Problemet më kryesore gjithnjë e kanë bazën në familje. Problemet ku hasin familjet e çiftit pasqyrohen edhe tek marrëdhënia e çiftit të ri. P.sh., nëse të rinjtë e sapo fejuar i përkasin kulturave të ndryshme mund të lindin vështirësi, përplasje, pakënaqësi ndërkohë që në raste të tjera kjo larmi kulturash mund të vlerësohej si diçka pozitive.

Periudha e martesës: çiftet tani fillojnë të pasqyrojnë modele të tjera sjelljeje. Ngaqë koha e kaluar së bashku është më e gjatë, fillojnë të pasqyrojnë vetveten dhe sjelljen e tyre reale. Në disa raste sjelljet e vërteta të partnerit mund të sjellin një sinqeritet më të thellë e në disa raste mund të sjellin zhgënjime të mëdha

Ardhja e një anëtari të ri në familje: një nga situatat të cilat ndikojnë më shumë në martesë është marrja e lajmit të ardhjes së një fëmije. Gjendja e ndryshueshme emocionale e femrave gjatë shtatzanisë kërkon domosdoshmërisht mbështetjen dhe ngrohtësinë e bashkëshortit. Gjatë kësaj periudhe vihet re një zgjerim në rolet e bashkëshortëve, të dy tashmë bëhen gati të jenë prindër. Prindërit e çiftit bëhen gati të bëhen gjyshër, pra rolet ndryshojnë.  Ndryshimi i roleve në disa familje bëhet burim gëzimi e kënaqësie e në disa familje të tjera shndërrohet në burim shqetësimi, ankthi e stresi. Në këta raste nëna nuk duhet lënë vetëm në muajt e parë pas sjelljes në jetë të fëmijës. Mbështetësit më të mirë mund të jenë bashkëshorti dhe nëna e saj. Të gjitha shqetësimet e përjetuara nga anëtarët e tjerë të familjes nuk duhet t’i transmetohen nënës së re sepse ndikon thellësisht në gjendjen e saj emocionale.

Rritja e fëmijëve: me rritjen e fëmijëve ndryshojnë edhe marrëdhëniet brenda familjes. Adoleshenca, kërkimi i vetevetes , problemet e brendshme, përbëjnë disa nga problemet e familjes së kësaj periudhe. Ndërkohë që fëmijët rriten dhe kërkojnë të marrin iniciativa të pavarura,  ka prindër që nuk arrijnë të pranojnë rritjen e fëmijës dhe nuk i lënë të bëjnë zgjedhjet e tyre të pavarura.

Periudha e moshës së mesme: në këtë periudhë vihet re një lloj ndryshimi në marrëdhëniet brenda familjes. Njeriu fillon të shohë më shumë veten, të pyesë veten nëse është apo jo aty ku ka dashur të jetë, nëse i ka arritur apo jo qëllimet  .

Pleqëria: është periudha kur fëmijët largohen nga familja, krijojnë familjet e tyre dhe bashkëshortët mbeten vetëm. Bashkë me plakjen fillojnë të pakësohen dhe fuqitë fizike, aftësitë motorike të individit.

Vdekja: vdekja të rikujton edhe një herë qëllimin e ardhjes në këtë jetë, qëllimin e ekzistencës tënde. Vdekja e njërit nga bashkëshortët ndikon më tepër tek bashkëshorti tjetër që mbetet vetëm. Në këtë rast bashkëshorti i mbetur vetëm duhet të mbështetet nga fëmijët dhe nëse nuk ka fëmijë, nga të afërmit e tij.

Çfarë duhet bërë për një investim të mirë martesor:

Lidhja: krijimi i një lidhjeje të fortë e të qëndrueshme sigurisht që mbështetet në besim e siguri. Besimi ushqen dashurinë dhe forcon lidhjen.

Vlerëso marrëdhënien: vlerëso partnerin/ en,  lavdëroje, mos e kritiko, bëje të ndihet i,e dashuruar dhe ç’është më e rëndësishmja shprehe me fjalë dashurinë dhe vlerësimin tënd.

Kaloni kohë sëbashku: kalimi i kohës bashkë, zhvillimi i aktiviteteve të përbashkëta  dhe zbavitja së bashku forcon marrëdhënien bashkëshortore.

Qëndrimi i mbajtur gjatë momenteve të krizës: mbështetja e njëri-tjetrit gjatë momenteve të vështira në jetë forcon më mirë themelin e martesës.

Mbështetja dhe stimulimi: në rastet kur njëri nga bashkëshortët nuk ndihet i mjaftueshëm, pala tjetër duhet të luajë rolin e mbështetisit, nxitësit në mënyrë që të vazhdohet përpara.

Të mbajmë rolet që na përkasin: në jetë kemi më shumë se një rol. Kur martohemi na shtohen edhe më shumë. Me kalimin e kohës mund të përballemi me një rrëmujë rolesh. Bashkëshortët duhet të sillen në përshtatje me rolet e tyre në mënyrë që të mos ketë përplasje të forta.

Të komunikosh shëndetshëm: për të realizuar një komunikim të shëndetshëm pikë së pari duhet të mësojmë të shprehim ndjenjat tona. Kjo është e domosdoshme nëse duam një martesë të konsoliduar.

Nga Aisa Kokiçi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here