Njeriu i besimit është përfaqësuesi i cilësive më të përsosura njerëzore. Ai është hero i zemrës, i shpirtit, i ndërgjegjes dhe i arsyes. Duke e gjykuar prej vlerave që përfaqëson dhe nga praktika e qindra-mijëra udhërrëfyesve, gjatë gjithë historisë së kësaj rruge plot dritë, njeriu i besimit na shfaqet me karakteristikat më të vlerësuara nga ndërgjegjja njerëzore. Besimtari i vërtetë nuk fut asgjë tjetër veç dashurisë së Allahut në zemër, që në botëkuptimin e tij ajo është fron veçse për Zotin, por nga ana tjetër, për hatër të Zotit, ai i hap zemrën gjithë qenies.

Ai zotëron një gjykim të shëndoshë me aftësi të vështrojë e të kuptojë me ndjeshmëri, përgjegjësi dhe me vizion të sigurt dhe gjithëpërfshirës çdo ngjarje, çdo veprimtari dhe çdo projekt që synon kënaqësinë e Dhuruesit Absolut dhe lumturinë e krijesave. Besimtari i vërtetë e kalon jetën të ndriçuar nga drita e Kur’anit dhe e sunetit. Ai nuk lejon që bota e tij e brendshme të njolloset nga ndjenja e egoizmit, famës, mburrjes, pushtetit, etj., ndjenja këto që e vrasin zemrën. Besimtari i vërtetë ka qëndrim të vendosur ndaj të keqes, dhunës, poshtërimit, diskriminimit dhe ndaj çdo lloj mizorie. 

Me vetëdije të plotë dhe me dëshirë të papërshkrueshme besimtari është i përfshirë në kuriozitetin për të depërtuar në kuptimin esencial të gjërave; me dritën e besimit ai zotëron dhe njëkohësisht thellon aftësinë për të analizuar e interpretuar drejt fenomene të ndryshme të jetës; me mbështetjen që ka te Zoti, ai natyrshëm, imponon besueshmëri te njerëzit dhe rrezaton sigurinë e një njeriu ku mund të mbështetesh për gjithçka dhe prej të cilit çdokush mund të kërkojë ndihmë. 

Besimtari i vërtetë është përfaqësuesi më i besueshëm i paqes universale dhe i vlerave më sublime ardhur për njerëzimin. Ai kurrsesi nuk mund të shkaktojë vuajtje apo mjerim për të tjerët. Për hir të asaj që ndjek dhe përfaqëson, ai është i detyruar të jetë simbol i sigurisë, garancisë dhe përkrahjes. Nuk mund të perceptohet që në veprimtarinë e tij të ketë gjurmë të dhunimit fizik apo shpirtëror të dikujt tjetër; pavarësisht se kjo gjë mbetet në suazën e të përfaqësuarit të cilësive siç duhet nga ana e besimtarit. 

Besimtari është i ndjeshëm ndaj nderit dhe dinjitetit të njerëzve të tjerë sikurse është i ndjeshëm ndaj nderit dhe dinjitetit të vet. Ai nuk jeton për veten, por që të bëjë të tjerët të jetojnë, është gati të bëjë çdo sakrificë materiale dhe shpirtërore, që njerëzit të gjejnë Zotin e kështu të sigurojnë lumturinë e përjetshme. Njeriu i besimit është i gatshëm, me gjithë zemër, të bashkëpunojë me çdokënd, që është në udhë të drejtë, madje bashkëpunimin ai e konsideron si lutje për të përfituar mëshirën dhe përkrahjen hyjnore. 

Besimtari është i vetëdijshëm që besimi është forca më e madhe që ekziston nën qiellin e kësaj bote. Besimtari e shikon besimin si dritë dhe si forcë. Ai ndjen se përftimi i besimit të vërtetë i mundëson atij të sfidojë gjithë botën, madje në varësi të fuqisë së besimit që zotëron, gjithë universin. Sepse besimi, në thelb, ka lidhjen me Zotin që bën të domosdoshëm njësimin (teuhidin), njësimi sjell dorëzimin ndaj vullnetit të Tij.

Besimtari është përherë në “luftë” me veten për të larguar nga bota e tij e brendshme urrejtjen, smirën, xhelozinë, hakmarrjen dhe çdo ngacmim djallëzor, e për t’i lënë vendin ndjenjave më të pastra të besimit, dashurisë e çiltërsisë. Duke u marrë me korrigjimin e gabimeve të veta, njeriu i besimit mbyll sytë ndaj gabimeve të të tjerëve, deri aty sa ndërkohë që bëhet prokuror i gabimeve të veta, ai kthehet në një avokat për të tjerët. 

Besimtari prehet në paqe e gjen qetësi edhe në rastet kur është i rrethuar nga motive dhimbjeje e pikëllimi. Për shkak të lidhjes së fortë që ka me Zotin, ai është në gjendje të largojë çdo re hidhërimi. Në momentet më pikëlluese, një shpirt i tillë është në gjendje që me gjuhën e zemrës së vet të recitojë poemat e lumturisë. 

Besimtari e ka të qartë se kjo botë nuk është vendi i kënaqësive dhe shpërblimit, por është sheshi i shërbimit dhe provimit. Prandaj ai nuk krenohet me arritjet, por në të njëjtën kohë edhe nuk bëhet pesimist për humbjet dhe fatkeqësitë.

Për besimtarin çdo gjë në këtë botë ka domethënien e vet. Universi me çdo grimcë që e përbën atë, Kur’ani me çdo verset të tij, Profetët e veçanërisht Profeti Muhamed a.s. me mesazhin dhe mënyrën e jetës që jetoi dhe së fundmi ndërgjegjja njerëzore me të gjitha thellësitë e saj, janë argumente të madhështisë së Allahut.

Prandaj qëllimi më i epërm në këtë botë për një mysliman është që të ketë një jetë dinjitoze dhe që Allahu të jetë i kënaqur me të. 

Nga: Ali ZAIMI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here