“O Zoti ynë! Mos na i trondit zemrat tona, pasi na udhëzove në rrugën e drejtë! Na jep edhe mëshirë prej Vetes Sate, sepse Ti, pa dyshim, je Dhënësi i çdo gjëje për robtë e Tu.” (Al Imran, 8)

Shpjegime

“O Zoti ynë! (O Krijuesi e Formuesi ynë) mos na i trondit zemrat…” zemrat tona (na i ruaj zemrat nga prirja në të gabuarën). Sepse Ti o Zot na ke treguar udhën e drejtë dhe na e bëre mbarë që të besojmë (pra, mos na e kthe mendjen e të lëmë të drejtën)!

“Na jep mëshirë prej vetes Sate!” (Na dhuro dhe të mira që të arrijmë kënaqësinë Tënde! Na e bëj mbarë që të qëndrojmë në të vërtetën, që të shpëtojmë përgjithmonë!)

“Sepse Ti (o Zot je, pa dyshim), je Dhënësi i çdo gjëje” (për robtë e Tu)! Ti u jep atyre edhe kur ata nuk të lypin gjë).

Zoti, duke treguar këtë lutje, thekson se njerëzit, sado të formuar të jenë, përsëri duhet t’i luten Atij.

Bejzaviu thotë se fraza (Rabbena la tuzig kulubena) do të thotë: “O Zoti ynë! Mos na i trondit zemrat tona nga e vërteta…” ose: “O Zoti ynë! Mos na lësho katastrofa të atilla që na i trondisin zemrat nga e vërteta!”

Fjala “rahmet” në lutjen e sipërtreguar ka ardhur në kuptimin e dhuratave të Allahut, por vjen edhe me kuptimin “qëndrim mbi të drejtën dhe falje mëkatesh”. Atëherë, fraza (ue heb lena min ledunke rahmeten), do të thotë:

“O Zot, na bëj të qëndrueshëm mbi të drejtën dhe na i fal fajet tona prej Vetes Sate!”

Kuptimi: O Zot, na i pastro zemrat prej së shtrembrës dhe na bëj të qëndrojmë në të drejtën. Pra, për çdo besimtar është detyrë fetare që kurdoherë t’i lutet Zotit dhe fjalët t’i rreshtojë bukur. Lutja bëhet më mirë me fjalët që vijojnë:

Zoti ynë! Pasi Ti na udhëzove zemrat në rrugën e drejtë, mos i bëj ato që të largohen nga kjo rrugë! Na jep edhe mëshirë diturie në mendjet tona, na e bëj mbarë të kryejmë detyrat tona si robtë e Tu me të gjitha gjymtyrët tona; na jep lehtësi për të siguruar rrëzkun derisa të jemi gjallë; na e lehtëso mundimin e vdekjes; na jep lehtësi në pyetjet e varrit dhe pastaj na fut në xhenet![1]


[1]. Shkëputur nga vepra “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Kerijmit” e Hafiz Ibrahim Dalliut, f. 296-297.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here