NXËNËSI I ZGJUAR

0

 

E ka pyetur Shekik el-Belhi nxënësin e tij, Hatim el-Esamin.

Sa vjet ke mësuar tek unë? Gati 33 vjet, i përgjigjet nxënësi.

Mësuesi – Çfarë ke mësuar nga unë gjatë kësaj periudhe të gjatë?

Nxënësi – Kam mësuar tetë çështje me rëndësi.

Mësuesi – O Zot, mbarova jetën me ty, kurse ti ke mësuar vetëm tetë çështje. Më trego pra, ç’ke mësuar?!

Nxënësi filloi t’i radhiste çështjet:

  • Shikova krijesat e Allahut dhe pashë se njerëzit në këtë botë kanë shumë shokë e miq. Megjithatë, kur njeriu shkon në varr, ata e braktisin atë dhe e lënë vetëm. Atëherë, vendosa që të marr me vete veprat e mira, sepse edhe kur do të hyj në varr, ato do të vazhdojnë të jenë me mua dhe nuk do të më braktisin.
  • Vështrova fjalën e Allahut: “E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, xheneti është vendi i tij” (Naziat 40-41) dhe kuptova se fjala e Tij është e vërtetë, prandaj kufizova epshin tim dhe u përqendrova në adhurimin ndaj Allaut (xh.sh.).
  • I shikoj njerëzit, çdonjëri mbështetet në pasurinë dhe familjen e tij, duke investuar të gjitha shpresat tek ata. Për mua kjo mbështetje nuk mjaftonte derisa Allahu thotë: “E s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (është më i devotshëm)” (Huxhurat 13). Prandaj u mbështeta në devotshmërinë ndaj Allahut që të jem më fisnik dhe më bujar.
  • I shikoj njerëzit. Gjithsecili ruan dhe vlerëson tejmase gjërat e tij. Pastaj lexova fjalën e Allahut: “Ajo që e keni pranë vetes është e përkohshme e ajo që është tek Allahu është e përjetëshme” (Nahl 96). Kështu që, sa herë kam diçka me vlerë, e jap atë në rrugën e Zotit.
  • Njerëzit në këtë botë orvaten të kundërshtojnë dhe të nënvlerësojnë njëri-tjetrin. Burim i gjithë kësaj është zilia dhe smira. Allahu thotë: “Ne kemi përcaktuar tek ata gjëndjen e jetës në këtë botë” (Zuhruf 32). Ky ajet Kuranor më bëri të braktis zilinë dhe armiqësinë me të tjerët, duke qenë i sigurt se çfarë ka caktuar Allahu për mua do të më realizohet.
  • Duke jetuar me njerëzit, pashë se ata armiqësohen dhe nuk pajtohen me njëri-tjetrin. Mirëpo kur vërejta se armiku im i vërtetë është shejtani, braktisa armiqësinë dhe hidhërimin me njerëzit dhe u harmonizova me to. Allahu (xh.sh.) thotë: “Shejtani është armiku juaj, pra edhe ju konsiderojeni armik” (Fatir 6)
  • Duke jetuar me njerëzit, kuptova se ata kërkojnë shumë dhe nuk janë të kënaqur me të mirat që kanë. Mirëpo, kur lexova fjalët e Allahut: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin (rriskun) e saj” (Hud 6), kuptova se edhe unë jam në grupin e të furnizuarve, kështu që u mbështeta tek Allahu, duke mbetur i kënaqur me atë që kam.
  • Duke jetuar me njerëzit, kuptova se dikush mbështetet në pasurinë e tij, dikush tjetër në tregtinë e tij, e dikush tjetër në shëndetin dhe forcën e tij. Kështu çdonjëri mbështetet tek një krijesë. Mirëpo, kur iu ktheva fjalës së Zotit: “Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij” (Talak 3), atëhere vendosa të mbështetem në Të Gjallin, i Cili nuk vdes kurrë.

Mësuesi – Allahu Fuqiplotë të dhashtë suksese dhe të mira në jetë, sepse në këto tetë çështje ke përfshirë gjithçka.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Exit mobile version