Sahrawi men walk in the desert after a ceremony marking the 35th anniversary of the proclamation of independence of the Sahrawi Arab Democratic Republic on February 27, 2011 in the Western Sahara village of Tifariti. Western Sahara is a former Spanish colony which was annexed in 1975 by Morocco. The Polisario Front, backed by Algeria, wants independence for the territory on the west African coast. AFP PHOTO / DOMINIQUE FAGET (Photo credit should read DOMINIQUE FAGET/AFP/Getty Images)

Mësimi nga dikush tjetër është primordial për të njohur. Njeriu që nga hershmëria nuk ka mundur t’i njohë dhe shquajë emrat e gjithçkaje që e rrethonte. As nuk ka mundur t’i mësojë nga vetvetja. Kësisoj është implikuar në procesin e të mësuarit dhe në përcjelljen e asaj që iu mësua. Kështu të mësuarit u bë pjesë e pandarë e rrugëtimit përkohësor të njeriut.

Transmetimi i njohurive nga ata që dinë tek ata që duan të dinë është kusht i patjetërsueshëm për të mësuar. Pa përfshirjen e të diturve në procesin e transmetimit të njohurive, qenia njerëzore nuk mund të mësojë si autodidakt. Njeriu ka nevojë të domosdoshme të dëgjojë nga shpirtrat e të diturve atë që duhet mësuar. Ka nevojë të dëgjojë shpjegimet e tyre. Mënyrën sesi e kanë kuptuar atë që të tjerët nuk janë bekuar të arrijnë ta kuptojnë. Të qëndruarit pranë të diturve është një detyrim për këdo që do të dijë. Diskutimi me ta, dëgjimi i tyre është një ëmbëlsi që vetëm ata që janë gjuetarë të ëmbëlsive të kësaj natyre ia dinë vlerën. Është fryma që ata përcjellin prej zemrave të tyre ajo që të ç’akullzon dhe ndez dritën e së vërtetës brenda qenies që dëshiron me gjithë zemër të dijë.

Këta të bekuar për të ditur nuk duhet ta vështrojnë dijen që iu është dhënë si pronë të tyre, që edhe mund ta shpërndajnë, por edhe mund ta fshehin. Kurnacëria në këtë çështje është katërçipërisht e papranueshme. Nëse ndokush tregohet kurnac vetëm pse mendon se të tjerët nuk duhet ta tejkalojnë në njohuritë që zotëron, tregon se ende nuk ka kuptuar përgjegjësinë e të qenët i ditur. Të dish më shumë se të tjerët nuk është vetëm nderim për njeriun, por njëkohësisht është edhe përgjegjshmëri. Është një provë e vështirë, sepse edhe përgjegjësia është shumë më e madhe në raport me ata që nuk dinë. Kjo duhet kuptuar më së miri. Të diturit mbajnë shumë më tepër përgjegjësi edhe për mënyrën e të jetuarit, edhe për transmetimin e dijeve që do t’i udhëheqin të tjerët drejt burimeve të mirësisë. Prandaj të jesh në grupin e atyre që dinë është peshë e rëndë dhe jo më kot të është dhënë kjo peshë.

Të diturit janë mësuesit e njerëzisë. Pa këta kandila që djegin vetveten për t’u dhënë dritë të tjerëve bota nuk do të ishte kjo që është. Këta janë ata që sakrifikojnë nga koha e argëtimeve. Ndërkohë që të tjerë kryejnë shëtitje apo argëtime për të mbushur “kohën e lirë”, të diturit dergjen mbi libra që i kanë shkruar sivëllezërit e tyre në kohëra më të hershme apo në të njëjtën kohë me ta. Shfletojnë faqe pas faqe. Meditojnë mbi atë që lexojnë. Bëjnë krahasime me realitetin që i rrethon dhe mundohen me përshpirtshmëri dhe çiltërsi të nxjerrin nektarin që duhet për të ushqyer me njohuri të vlefshme brezat e rinj, për të sfiduar vështirësitë e aktualitetit në formimin e personaliteteve të qëndrueshme. Nuk janë papagaj. Nuk tregohen të lehtë në të kuptuarit e çështjeve që shqetësojnë ata që dinë më pak, ata që dinë më pak se ata që dinë më pak e kështu me radhë. Përpiqen deri në thellësi të natës të kuptojnë sa më thellësisht njohuritë që kërkojnë t’i përvetësojnë. Dritën që u është dhënë duan ta prarojnë edhe më tej. Çdo dije e re që hyn e zë vend në shpirtin e tyre, në zemrën e tyre, vetëm ua shton thjeshtësinë. Bëhen gjithmonë e më tepër njerëzorë. Gjithmonë e më tepër të mëshirshëm, të butë e mirëkuptues. Bëhen gjithmonë e më burrërorë, sepse pa këtë virtyt dituria shndërrohet në gjethe peme në një ditë vjeshte që fluturon me fryrjen e erës së parë të stinës. Përmes zgjerimit të diturive virtytet e tyre ndriçojnë edhe më fort. Shpirtrat e tyre nuk ndjejnë lodhje, as mërzitje dhe as dëshpërim. Edhe në u prekshin ndonjëherë prej tyre është një prekje tangjenciale dhe aspak dërrmuese siç mund të ishte për të tjerë jashtë sferave të dijes. Durojnë atëherë kur për të tjerët është i pamundur durimi. Japin prej vetes atëherë kur të tjerë nuk tejkalojnë dot kurnacërinë që e strehojnë me aq ëndje në skutat e qenieve të tyre. Tregohen të pakursyer në shpërndarjen e asaj që dinë, duke shpresuar se të tjerë shpirtra njerëzorë do ta përthithin fjalën e mirë, fjalën që del nga zemra dhe do ta vendosin në zemrat e tyre për ta zhvilluar bimën e mirësisë. Ujisin të tjerët me virtytin e butësisë, për të shuar zjarrin e zemërimit, inatit e smirës që djeg çfarë t’i dalë përpara, përveç tokës së ujitur nga të diturit. Mundohen me mish e me shpirt pa kurrfarë prapavije që qenie të tjera si ta, të mos përfshihen nga vorbulla zvetënuese dhe t’i degdisin nëpër shtjella të errëta, prej nga ku është më shumë se e vështirë të dalësh e të rikthehesh me statusin, qenie në botë.

Kudo që t’i takojmë këta të ditur, t’i nderojmë dhe t’i duam me shumë pastërti dhe dashamirësi. Këta shpirtra të mëdhenj duhen ndjekur si yjet në një natë kthjellët. T’i duam edhe kur i njohim nga afër. Edhe atëherë kur nuk i njohim. Edhe atëherë kur nuk do t’i njohim asnjëherë në përkohësi. Dashuria dhe nderimi ndaj tyre është bazike, sepse vetëm kështu mësojmë jo vetëm veten por edhe brezat e rinj. Të diturit duhet të nderohen jo me përkujtimore ndaj tyre, por duke ndjekur dhe shkelur në rrugën e tyre. Nderohen duke kryer aktin sublim që ata kanë kryer për të qenë në sferat e larta të diturisë.

Nuredin Nazarko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here