“Dhe plotësoni masën e peshoni me drejtësi.”

Kjo porosi përfshin dy çështje: 1. Plotësimin e masës; 2. Peshimin me drejtësi. Ajo lufton një ves shumë të keq, lakminë për të shtënë në dorë atë që nuk është e jotja dhe nuk ke të drejtë ta bësh tënden.

Kur jep në masë më pak sesa paguhet dhe kur peshon mangut, do të thotë se ke bërë vjedhje të fshehtë. Nëse përvetësimi i pasurisë së jetimit, ndodh ngaqë ai vetë nuk është në gjendje ta kontrollojë dhe ta administrojë atë e dëmtohet vetëm ai, mosplotësimi i masës dhe padrejtësia në peshim dëmton mbarë bashkësinë, sepse është e domosdoshme që njerëzit të blejnë e të shesin; pa këto marrëdhënie asnjë bashkësi nuk mund të jetojë; tregtinë e kërkon çdo bashkësi; nëpërmjet saj këmbehen mallrat, bëhet shitblerja e tyre. E kjo gjë bëhet me masë e me peshë. Prandaj, profesioni i tregtarit është lavdëruar nga Zoti, se, më një anë, fiton me djersën e tij jetesën dhe mban familjen e tij; në anën tjetër me mjeshtërinë e vet i shërben bashkësisë, se merr pjesë në zhvillimin e përparimin e saj.

Por, fatkeqësisht, gjithmonë ka pasur e ka edhe sot asisoj njerëzish, të cilët lakmia për të bërë sa më shumë pasuri, i shtyn që të përdorin edhe mënyra e mjete të pandershme. Këta lloj njerëzish humbin vlerën e tyre para Zotit e para të tjerëve dhe pasuria e vënë në një mënyrë të tillë nuk u ka bereqet. Tregtarë të tillë përdorin mënyra të ndryshme për ta vjedhur njerëzinë; përveç matjes dhe peshimit të mangët, përdorin dhe mashtrime të tjera: e paraqisin si të mirë mallin që ka të meta, kërkojnë çmime më të larta se ç’vlen sendi që shitet, ngaqë shfrytëzojnë nevojën e blerësit për të etj. Por mjeti më i vjetër dhe më i përdorur nga tregtarët e panderë ka qenë dhe është matja dhe peshimi më i mangët. Kur’ani i Shenjtë na tregon shembullin e disa popujve, të cilët e kishin bërë zakon këtë ves. Zoti u kishte dërguar Profetë atyre, të cilët, pas ftesës për adhurimin e një Zoti, u kërkonin atyre që të plotësonin masën dhe të peshonin me drejtësi. Ja si thuhet në Kur’an: “Dhe në popullin e Medienit dërguam Shuajbin, vëllanë e tyre, i cili u tha: ‘Adhuroni Zotin, ju nuk keni zot tjetër veç Atij. Dhe matni e peshoni me drejtësi, mos ia jepni njerëzisë mangët gjërat e tyre dhe mos shkaktoni ngatërresa në tokë, duke qenë ajo në rregull! Kjo është më e mira për ju, po të jeni besimtarë.’” (7:85)

Ata nuk ua vunë veshin udhëzimeve të Shuajbit, që ishte vëllai i tyre, por vijuan udhën e shtrembër e u shpaguan me dënim të rreptë. Për këtë Kur’ani thotë: “Dhe kur erdhi vendimi Ynë, Ne me mëshirën Tonë i shpëtuam Shuajbin dhe ata që kishin besuar, ndërsa ata që ishin mizorë, i përlau një britmë (e tmerrshme) dhe u bënë kufoma (të vdekur) në banesat e tyre, sikur mos të kishin jetuar kurrë. Le të jetë larg (nga mëshira e Zotit) Medieni, ashtu siç ka qenë larg edhe Themudi!” (11:94-95)

Njerëzit janë njerëz në çdo komb dhe në çdo kohë. Lakmia e madhe ka qenë, është dhe do të jetë e gjithmonë dëmshme. Është fakt se njerëzimi ende nuk ka shpëtuar nga njerëz të tillë, prandaj revelata hyjnore e urren këtë ves e këtë sëmundje, e përmend dhe e ndalon edhe në kumtimin e fundit – në Kur’an.  

Kur’ani na e ndalon matjen dhe peshimin e mangët dhe ky ndalim vjen menjëherë pas porosisë që “Të mos i afrohemi pasurisë së jetimit, veç për të mirë!”, sepse në të dy rastet kemi të bëjmë me përvetësim, me vjedhje dhe plaçkitje të urryera nga Zoti dhe nga njerëzit e ndershëm.

Në këtë verset përmendet edhe fraza: “Ne askënd nuk ngarkojmë më tepër seç ka fuqi.” Besojmë se qëllimi i saj mund të jetë për të ngritur përgjegjësinë e tregtarit, që mat ose peshon keq nga përgjegjësia e atij, që nuk ka dijeni për matje e peshime të mangëta, kur masa ose pesha është fabrikuar gabimisht. Kjo do të thotë, gjithashtu se njeriu duhet të ruhet brenda mundësive të tija, dhe kur ta kuptojë se masa ose pesha ka të meta duhet t’i ndreqë menjëherë. Kjo porosi nuk erdhi vetëm në suren “El-En’am”, në të cilën përmenden edhe nëntë porositë e tjera. Kaq shumë e lufton dhe e urren Zoti këtë ves të ligë, saqë një prej sureve të Kur’anit e ka titulluar “El-Mutaffifijn” (ata që nuk masin drejtë”.

Në të përmendet gjendja shpirtërore e mashtruesve në këmbim të mallrave dhe ndëshkimi që i kërcënon në jetën tjetër: “Mjerë (për) ata që masin metë, kur masin për vete e plotësojnë, por kur masin ose peshojnë për të tjerët, u japin më pak. A nuk mendojnë ata se do të ringjallen (e do të japin llogari) në Ditën e Madhe, kur njerëzit do të qëndrojnë para Zotit të gjithësisë?” (83: 1-6)

Ligjëvënësit myslimanë, duke u mbështetur në këto versete, të cilët e quajnë mëkat dhënien më pak sesa paguhet, qoftë në masë, qoftë në peshim, fusin në këtë grup të gjithë ata që u japin njerëzve më pak se ç’duhet, si dhe çdo njeri, i cili nuk e kryen si duhet detyrën që ka marrë përsipër. Për shembull, kur angazhohesh e paguhesh për të punuar tri orë, duhet ta plotësosh punën e tri orëve. Kontraktuesi që ndërmerr për të ndërtuar një shtëpi duhet të shtjerë në përdorim lëndën, të cilën e ka marrë në kontratë e jo të vërë në të material më të dobët. Nëpunësi, qoftë privat, qoftë shtetëror, duhet ta kryejë pa vonesë detyrën që ka marrë përsipër dhe të mos i përcjellë njerëzit me sot e me nesër. Dëmi që i vjen bashkësisë njerëzore nga dhënia më pak e disa gramëve në kilogram djathë ose disa centimetrave më pak në një metër nuk është më i madh se i atij që ndërton një ndërtesë me lëndë të dobët, e cila mund të shembet e të shkaktojë edhe vrasje njerëzish; e një lloji është edhe puna e atij nëpunësi shtetëror, i cili i mundon njerëzit për të kryer çka kërkohet prej tij, duke u thënë eja nesër, ose eja pasnesër, kur ka mundësi ta bëjë punën e tij sa më drejtë dhe sa më shpejt e të mos mungojë në detyrë; ndryshe bën mëkat dhe është përgjegjës para Zotit, sepse nuk e ka kryer si duhet detyrën e vet.

Imam Vehbi Ismaili

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here