Prefekti i parë i Mekës pas Islamit

Attab ibn Esidi (r.a.) ishte akoma një djalosh 11 ose 12 vjeçar kur Profeti (a.s.) emigroi nga Meka për në Medinën e bekuar. Që atëherë, i dërguari i Zotit e kishte kuptuar potencialin e tij dhe ishte ndikuar. Ndonëse kishte emigruar drejt Medinës, ai e kishte ndjekur atë hap pas hapi në çdo aspekt. Edhe pse në atë shoqëri familjet ishin me shumë fëmijë, kjo gjë Profetit nuk ia kishte harruar fytyrën dhe emrin e tij.

Ndërkohë që pas shumë vitesh, kur bashkë me sahabet ishte drejtuar drejt Mekës për çlirimin e saj, ndër emra të tjerë që priste të pranonin Islamin, Ai (a.s.) ia kishte përmendur atyre edhe Attab ibni Esidin (r.a). Por edhe pse Meka ishte çliruar, Attabi nuk e kishte pranuar menjëherë Islamin. Ashtu si disa Mekas të tjerë edhe ai kishte disa dyshime që e pengonin. Vendimin do e tregonte koha.

Tashmë kishte hyrë koha i drekës dhe Bilal Habeshiu, të cilin dje nuk donin ta shikonin, ngaqë ishte një skllav me ngjyrë, sot ishte ngjitur në majë të Qabes dhe po thërriste ezanin e parë në Meke. Zëri i tij, që para disa vitesh kishte tronditur malet Faran me fjalët ‘Ehad! Ehad!’ nga torturat e Mekasve, sot po u dukej atyre si shigjetë vrastare. Sigurisht që kjo nuk u kishte pëlqyer!

Një grup njerëzish Mekas, duke dëgjuar ezanin e Bilalit, po e shprehnin këtë ndjenjë mospëlqimi me njëri-tjetrin. Midis tyre ishte edhe Attab ibni Esidi. Madje, ai ishte i pari i cili mori fjalën duke nënkuptuar për të atin se “Allahu e ka begatuar Esidin (që ka vdekur), sepse sot nuk po e dëgjon këtë zë me të cilin mund të çmendesh nga inati”.

Vëllai i Ebu Xhehlit, Harith ibni Hishami dhe poeti i famshëm Suhejl ibn Amri, theksuan: “Nëse do të mendoja se Ai (a.s.) ishte me të vërtetën, menjëherë do t’i besoja!”. Radhën për të folur e kishte Hakem ibni Ebi el-Asi, i cili thotë: “Të hipë një skllav në majë të ndërtesës së Ebu Talhasë (Qabes) dhe të bërtasë në këtë mënyrë, me të vërtetë është një ngjarje e madhe!”

Ndërsa Ebu Sufjani, i cili po i dëgjonte me vëmendje, ishte më i rezervuar. Padyshim se poshtë këtij rezervimi qëndronte një përvojë e rëndësishme, sepse i dërguari i Allahut (a.s) ia kishte vërtetuar atij më parë, se i dinte me imtësi të gjitha temat e diskutimit që ai bënte në shtëpi vetëm me gruan e tij, Hindin. Kështu që ai tha: “Në lidhje me këtë temë, unë nuk mund të them diçka, sepse e di që, sikur të them diçka, edhe këta gurë që janë këtu shkojnë dhe ja tregojnë atij se çfarë folëm!”.

Pas pak, ndodhi ajo që kishte menduar Ebu Sufjani. Engjëlli Xhibril, erdhi dhe ia tregoi Atij (a.s) gjithçka që u fol në atë grup njerëzish. Pas kësaj, i dërguari i Allahut (a.s) shkoi midis tyre dhe tha: “E di shumë mirë që ju folët midis jush kështu e kështu”.

Pas kësaj ngjarjeje, të gjithë ishin goditur aty ku nuk e prisnin. Edhe pse për pak minuta nuk mundën ta fshehin habinë, i pari që u dorëzua ishte Attab ibni Esidi, i cili menjëherë shprehu bindjen ndaj Profetit (a.s.) duke thënë: “Edhe ne dëshmojmë se me të vërtetë Ti je i dërguari i Allahut! Nuk pati njeri që t’i dëgjonte fjalët tona dhe t’i tregonte Ty!”. Ja pra, më në fund, pas vitesh të tëra, erdhi momenti i shumëpritur dhe Attab ibni Esidi pranoi Islamin.

19 ditë pas kësaj ngjarjeje, i dërguari i Zotit (a.s.) bashkë me ushtrinë, u detyruan të niseshin drejt Hunejnit dhe personi të cilit i dorëzoi drejtimin e Mekës duke e bërë prefekt, ishte djaloshi 19 ose 20 vjeçar, i sapo bërë mysliman Attab ibni Esidi (r.a). Rasulullahu (a.s.) i kishte caktuar atij një rrogë prej 2 dërhemësh. Në këtë detyrë, ai ka qenë aq shumë i kujdesshëm dhe i ndjeshëm, saqë ka thënë: “Që kur jam emëruar në këtë detyrë, nuk kam përfituar diçka tjetër, veçse 2 rroba që ia kam veshur ndihmësit tim Kejsanit”.

Ndërkohë që Rasulullahu (a.s.) përveç atij si prefekt, kishte emëruar edhe Muadh ibni Xhebelin dhe Ebu Musa el Eshariun (r.a.) si mësues në Meke. As Ebu Sufjani dhe as persona të tjerë me pozitë nga Kurejshët, nuk e kishin parë si problem këtë lëvizje. Ndoshta, ata mund të kishin menduar se, në atë vend ku me pozitë drejtuese mund të ishin këta njerëz të mëdhenj, si ka mundësi që djaloshi 20 vjeçar të na drejtoi neve! Por përkundrazi, pranimi i Islamit nga ana e Attab ibni Esidit dhe ndikimi i tij në jetët e Kurejshitëve, i bëri ata t’i binden me modesti vendimit profetik. Edhe pasi profeti Muhamed (a.s), largohet nga Meka për t’u kthyer në Medine, ata vazhduan t’i binden atij vendimi.

Ndërkohë, Attab ibni Esidi e vazhdoi detyrën e prefektit të Mekës edhe nën drejtimin e Ebu Bekrit (r.a.). Mirëpo Attabi (r.a.) nuk jetoi gjatë dhe në një moshë fare të re, 23 ose 24 vjeçare, u largua nga kjo botë. Pikërisht, po në atë ditë ndërron jetë edhe kalifi i parë i profetit, Ebu Bekri (r.a). Pa harruar të theksojmë se Attabi, njëkohësisht, ishte edhe dhëndëri i Ebu Xhehlit.

 

Taulant Bica