A e keni pyetur veten ?

● A gëzoheni kur shkoni të vizitoni prindërit e bashkëshortit/es po aq sa gëzoheni kur vizitoni prindërit tuaj?

●A e ndihmoni burrin/gruan tuaj kur kthehet i/e lodhur nga puna, a përpiqeni t’i ndani punët bashkë?

● A i vlerësoni nevojat materiale të bashkëshortit/es po aq sa tuajat?

● A dëshironi të veprohet vetëm sipas dëshirës suaj për sa i përket çështjeve të ndryshme si të pasurit e një fëmije, vendosja e emrit të tij, zgjedhja e shtëpisë etj?

● A keni arritur të bëni një bashkëpunim të ekuilibruar me bashkëshortin/en në lidhje me edukimin e fëmijëve?

Qëllimi i martesës është krijimi i një familjeje me njeriun e zemrës, bazuar në dashurinë, respektin, besimin reciprok që bashkëshortët kanë për njëri-tjetrin. Të kalosh jetën në paqe e lumturi pranë njeriut që do. Të trashëgohesh me fëmijë, të cilët ta zbukurojnë edhe më shumë jetën. Të gjithë këto hapa hidhen me mendimin e të kaluarit bashkë të çdo vështirësie e pengese në këtë jetë plot surpriza, të ndash me bashkëshortin/en çdo gëzim e hidhërim e të kesh një sup ku të mbështetesh sa herë që ndihesh e lodhur nga sprovat e jetës. Por jo çdo gjë realizohet ashtu siç është menduar apo dëshiruar. Shpeshherë pritshmëritë tona mund të përplasen fort me realitetin, duke sjellë me vete zhgënjimin. Njeriu e burgos veten në vetmi, duke nënvlerësuar detyrën e tij si bashkëshort dhe si prind. Sy të cilët shohin njëri-tjetrin jo me dashuri por me urretje, dy njerëz që jetojnë në një shtëpi, por të huaj përballë njëri-tjetrit. Shkaku i rrëshqitjes së familjes në një pikë të tillë kritike është mungesa e drejtësisë brenda saj. Sjelljet e paekuilibruara, mungesa e drejtësisë në ndarjen e përgjegjësive sjell zhdukjen e dashurisë, mirëkuptimit, respektit e besimit, të cilat qëndrojnë në bazën e një marrëdhënieje. Zoti i Madhëruar i krijoi bashkëshortët si prehje, paqe dhe mbështetje për njëri-tjetrin.

Drejtësia në ekuilibrimin e të drejtave e përgjegjësive

Martesa dhe jeta familjare sjell me vete të drejta dhe përgjegjësi reciproke. Të dyja palët i thonë po plotësimit të të gjithë përgjegjësive e vështirësive të jetës. Por në shumicën e rasteve bashkëshortët fokusohen tek të drejtat e tyre dhe harrojnë përgjegjësitë përkatëse. Në vend që të pyesin veten: “A i kam plotësuar detyrat e mia?” apo “Çfarë më përket të bëj?” fokusohen në kritikimin e palës përballë. Sigurisht që nuk është aspak e lehtë përputhja apo harmonia e plotë në mes dy personave me karaktere të ndryshme në shumë çështje si, ndarja e përgjegjësive në edukimin e fëmijëve, në menaxhimin e të ardhurave, në koordinimin e punëve të përditshme. Kjo harmoni mund të arrihet vetëm me anë të ekuilibrimit të drejtësisë, barazisë. Pra, thënë ndryshe, drejtësia është mbrojtësja e këtij ekuilibri.

Mungesa e drejtësisë lind prishjen e ekuilibrit, duke lëkundur familjen dhe nxjerrë në pah debate të padëshiruara. Ndërkohë që pret kujdesin e bashkëshortit/es kur je i sëmurë të mos interesohesh për të kur ai/ajo sëmuret, të mos marrësh përsipër përgjegjësitë tuaja në edukimin e fëmijëve, të sillesh egoist duke bërë shpenzime të tepërta vetëm për vete, janë disa qëndrime të cilat prishin qetësinë familjare. Shkaku i keqkuptimeve dhe mungesës së ekuilibrit mund të jenë dhe konceptimet e gabuara rreth detyrave të femrës dhe mashkullit. Një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe roli i traditës apo shoqërisë ku jetojmë, duke i ngarkuar më shumë punë e përgjegjësi femrës e duke lehtësuar mashkullin.

Mos të harrojmë asnjëherë modelin e përkryer të Profetit a.s., i cili fjalët e thëna i ka shoqëruar edhe me vepra. “T’i japësh të drejtën folësit” (Buhari , Saum, 51), të mos nënvlerësosh familjen, të ndash kohë për ta (Darimi, Nikah, 3), të ndash përgjegjësitë familjare (Buhari, Ezan, 44), të rregullojë apo arnojë rrobat e grisura apo sandalet e prishura (Buhari, el-edebul-mufred,190), ishin disa nga punët e bëra nga Profeti ynë i dashur a.s.

Kur Profeti a.s. u pyet për të drejtat e gruas ndaj burrit, ai u përgjigj: “Ta ushqejë nga ushqimi i tij, ta veshë, të mos e kritikojë, të mos e lërë vetëm dhe të mos e godasë.” (Ebu Davud , Nikah , 40-41). Me anë të këtij hadithi kuptojmë edhe më mirë kriteret e drejtësisë bashkëshortore.

I dërguari i Allahut nënvizon rëndësinë e të vepruarit me drejtësi e sinqeritet në një epokë kur padrejtësia konsiderohej si diçka e drejtë. Fuqia dhe drejtësia e vërtetë është të sillesh mirë e drejt me bashkëshorten tënde dhe të mos përfitosh nga dobësia e saj fizike apo materiale.

Në Kur’anin Famëlartë i padrejti specifikohet si një skllav i pafjalë, i shkretë dhe që nuk të shërben për asgjë (Nahl 16/76), sepse mungesa e drejtësisë bëhet shkak për lindjen e urrejtjes dhe armiqësisë. Ata që përpiqen të imponojnë mendimet e tyre me forcë, që vendosin vetëm, pa pyetur të tjerët, do të humbasin edhe atë pak dashuri e respekt që mund të ketë mbetur ndaj tyre. Në çastin kur nënvlerësohet kjo drejtësi e shumëdëshiruar në familje, pikërisht atëherë fillon të lëkundet vatra familjare. Edhe në çështjet që mund të duken të parëndësishme, mungesa e drejtësisë mund të lëndojë shpirtrat dhe të zbehë besimin e çiftit te martesa.

Të sillesh drejt me fëmijët

Ekzistenca e drejtësisë dhe barazisë gjatë edukimit të fëmijëve ka një rëndësi të veçantë për sa i përket mësimit të ndërgjegjes me këtë ndjenjë dhe arritjes së paqes e qetësisë shpirtërore në të ardhmen. Fëmija do të mësojë të sillet drejt nën shembullin e prindërve të tij. I dërguari i Allahut a.s. i ka tërhequr vëmendjen Nu’man bin Beshirit për sa i përket sjelljes së drejtë të prindit me të gjithë fëmijët duke i thënë: “A nuk dëshiron ti që fëmijët e tu të sillen njëlloj me ty në të vepruarit e punëve të mira?”

Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm të sillen në mënyrë të barabartë ndaj fëmijëve në shfaqjen e dashurisë, të mos tregohen të padrejtë në krijimin e mundësive të ndryshme në të ardhmen e fëmijëve, të sillen me drejtësi ndaj njëri-tjetrit dhe t’u mësojnë edhe fëmijëve të njëjtën gjë. Sigurisht që kjo nuk arrihet thjesht me të thënë, por me të vepruar. Fëmijët që shohin ndjeshmërinë e prindërve në vendosjen e ekuilibrave të barazisë, nuk do të jenë tjetër vetëm se pasqyrim i pastër i barazisë dhe drejtësisë. Në ato familje ku sundon drejtësia, harmonia e barazia, dashuria dhe qetësia nuk zbehen asnjëherë.

Aisa Kokiçi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here