Fëmijët do të tregojnë dashuri, respekt dhe dhembshuri ndaj prindërve të tyre nëse në jetën e tyre shohin shembuj të dashurisë dhe respektit. Te fëmijët e rritur në një ambient të dhunshëm mund të shfaqen çrregullime të karakterit.

Çdo prind dëshiron që fëmija i tij të jetë një person i shëndetshëm, i dhembshur dhe i ndërgjegjshëm për veprimet që bën. Parandalimi apo zhdukja e problemeve shoqërore siç është dhuna është e mundur vetëm me anë të dhembshurisë dhe respektit. Bashkë me këtë duhen parë edhe disa veçori të lindura të fëmijës. Me një edukatë të mirë këto veçori negative mund të eliminohen.

Nëse fëmija shfaq sjellje të ashpra dhe të dhunshme ndaj nënës, babait apo vëllezërve atëherë kjo lidhet me zhvillimin e karakterit të tij. Parë nga ky aspekt duhen vlerësuar mirë shkaqet e sjelljeve të dhunshme ndaj kafshëve apo lodrave. Megjithëse te një pjesë e fëmijëve këto sjellje mund të jenë kalimtare, te një pjesë tjetër mund të paralajmërojnë probleme shumë serioze. Për shembull, nëse një fëmijë 6 muajsh kafshon një nga pjesëtarët e familjes kjo është një sjellje fëmijërore dhe nuk tregon një çrregullim në zhvillim. Por në atë moment fëmija duhet të paralajmërohet, t’i preket hunda apo t’i thuhet se është një sjellje e pahijshme. Të gjitha teprimet në sjelljet e fëmijëve mund të parandalohen me anë të shembujve të bukur dhe kufizimet e drejta.

Sjelljet e dhunshme e të papërgjegjshme të shfaqura te fëmijët më të mëdhenj na flasin për nevoja të paplotësuara dhe për trauma të së kaluarës. Për këtë arsye fëmija në fillim duhet të mbrohet në një ambient të sigurt, t’i plotësohen nevojat e tij dhe të qëndrohet larg lëndëve të dëmshme qëkur fëmija është në barkun e nënës. Funksionimi i rregullt i sistemit të ndjenjave dhe sjelljeve është i mundur me një strukturë të shëndetshme biologjike. Themelet e karaktereve të papajisur me dhembshuri e ndërgjegje hidhen që në barkun e nënës.

Komunikimi i shëndetshëm dhe plot dashuri i nënës dhe fëmijës, mbështetja mes bashkëshortëve, ndikon pozitivisht në shfaqjen e një sjelljeje të ndërgjegjshme nga ana e fëmijës. Në rastet e shkëputjes së komunikimit mes prindërve dhe fëmijës shfaqen shumë mangësi. Prindi duhet të tregohet i kujdesshëm në dënimin e fëmijës kur është i nevrikosur. Nëse e tepron me dënimin mund të shkaktojë trauma të rënda emocionale te fëmija, të cilat ndikojnë negativisht në ndjenjat e dhembshurisë. Por asnjë nënë apo baba nuk është perfekt. Prindi gjithmonë ka kohë të riparojë gabimet e veta dhe të rregullojë marrëdhënien e tij me fëmijën. Më mirë vonë se kurrë.

nga AISA KOKIÇI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here