Të kuptosh adoleshentin

Father and children playing on the beach at the sunset time. Concept of friendly family.

Të kuptosh adoleshentin

Adoleshenca është një periudhë gjatë së cilës duhet të përballesh me probleme sociale, psikologjike dhe, në të njëjtën kohë, fizike, pasuese e viteve të fëmijërisë, një periudhë ku ndihesh pak fëmijë dhe pak i rritur. Njohuritë e marra gjatë fëmijërisë, sjelljet e përfituara përballen me vlera dhe struktura të reja sjelljeje. Individi, i cili përjeton një ndryshim të madh si nga ana fiziologjike e biologjike, harxhon shumë mund e djersë në edukim, zgjedhjen e profesionit, përcaktimin e rolit në shoqëri. Disa e kalojnë këtë periudhë të qetë, të mbyllur në vetvete dhe pa bërë shumë zhurmë e disa të tjerë janë si baruti, kanë shpërthime të fuqishme e të pakontrolluara. Mosha 12-20 vjeç është periudha kur individi maturohet; te disa fillon më herët e te disa të tjerë më vonë, por të gjithë përjetojnë ndryshimet më të mëdha të jetës.

Kërkimi i një modeli, shembulli

Lidhja e fortë me nënën apo babanë, e krijuar gjatë fëmijërisë, lihet mënjanë në adoleshencë me mendimin se ata nuk janë të përkryer. Tashmë është në kërkim të një modeli të jashtëm, sepse i riu përpiqet të tregojë vetveten pavarësisht familjes. Përpjekja për të qenë i pavarur nga familja, e bën atë të varur nga shoqëria dhe grupet e tjera shoqërore. Mund të shoqërohet nga mendimi se nuk është i dobishëm për familjen dhe shoqërinë pavarësisht përpjekjeve që bën, mund të refuzojë mendimin e familjes, ose të përthithë një identitet krejt të kundërt.

I riu në fillim largohet nga familja gjatë periudhës së kërkimit të identitetit dhe krijon lidhje të forta me bashkëmoshatarët. Dëshiron t’u ngjasojë atyre, krahason veten me një shok të parapëlqyer nga rrethi shoqëror. Më pas fillon të krijojë lidhje me njerëz më të njohur e popullorë. Fillon të imitojë mënyrën e veshjes, të folurin, sjelljen, etj. Ndërkohë që këto modele të reja bëhen shkak të prirjes së të riut ndaj imitimit, nga ana tjetër lënë gjurmë në botëkuptimin e tij. I riu fillon të hedhë themelet e identitetit të ri duke kaluar nëpër fazat e imitimit.

Prandaj gjatë kësaj periudhe është shumë e rëndësishme zgjedhja e modeleve të duhura për fëmijët tuaj. Kjo është detyrë primare e prindërve. Këto modele mund të zgjidhen nga bota e shkrimtarëve, shkencëtarëve, profetëve. Jeta e profetëve apo e njerëzve të përzgjedhur duhet t’u serviret të rinjve me anë të historive, filmave e romaneve. Një bisedë e ngrohtë e fokusuar te materialet e lexuara apo të shikuara në televizion, luan një rol të rëndësishëm në hedhjen e themeleve të shëndosha të identitetit të fëmijëve.

Të rinjtë dhe feja

Krijimi i një botëkuptimi rreth jetës, vetes dhe të tjerëve është shenjë treguese e zhvillimit të karakterit të të riut. Gjatë kësaj periudhe njeriun e preokupojnë pyetje të ndryshme të lidhura me ekzistencën. Tema si statusi i të riut në shoqëri, çfarë do të bëjë në të ardhmen, pritshmëritë e tij nga jeta janë disa nga çështjet themelore të të riut. Feja na mundëson përfitime të shumta në rrugën e gjatë të formimit të identitetit. Njëra nga këto është ndjenja e besimit. Ndjenja e besimit bazohet në fuqinë e përballjes me vështirësi të ndryshme dhe në rezistencën e fortë përballë çdo sfide. Feja, pikë së pari, përforcon ndjenjën e besimit, sigurisë së të riut, më pas i mundëson atij lidhjen me njerëz të tjerë, të cilët i besojnë Zotit xh.sh. dhe vlerave fetare. Në këtë mënyrë individi shpëton nga ndjenja e vetmisë dhe e monotonisë. Në adhurimet e bëra së bashku ndihet i fuqishëm. Feja e ndërgjegjëson të riun për vendin që i përket në shoqërinë ku bën pjesë, e vlerëson si individ, e ndihmon në plotësimin e statusit shoqëror, i servir një ambient të sigurt. Në të njëjtën kohë, me anë të fesë, ai arrin të gjejë përgjigjet e pyetjeve të shumta, sepse feja është një tërësi, e cila përfshin gjithë jetën e njeriut, duke filluar nga lindja deri në vdekje. Ndihmon në disiplinimin e jetës, duke e lidhur njeriun me disa rregulla, duke vendosur objektiva të qarta për sa i përket pyetjes se çfarë do të bëjë dhe se si mund të bëhet i dobishëm për njerëzit. Feja e ndihmon të riun të arrijë pikat më të larta të formimit.

Një komunikim i drejtë dhe efektiv me të rinjtë

Të komunikosh me të rinjtë, t’i përgatisësh ata për të ardhmen, të ndërtosh identitetet e tyre, në këtë periudhë kaq kritike, është një nga sfidat më të vështira të familjes, shoqërisë dhe shtetit. Sigurisht që disa të rritur e kanë shumë të vështirë të kuptojnë gjuhën e të rinjve. Prandaj, të gjithë së bashku, familjarë, mësues, predikues fetarë, akademikë, etj., duhet të kontribuojmë për edukimin dhe formimin e brezave të rinj.

I riu, i cili përpiqet të mbajë ekuilibrin e prishur, e ka shumë të vështirë të shprehet. Tashmë fillojnë të vihen re ndryshimet e para në marrëdhënien e krijuar dhe forcuar prindër-fëmijë. Gjatë kësaj periudhe prindi nuk e di se si të komunikojë me fëmijën e tij. Fëmija, dëshirat, interesat, ëndrrat e të cilit i njihte më parë, tashmë ka ndryshuar plotësisht. Prandaj lind nevoja e një gjuhe të re, e cila do të krijojë bazën e marrëdhënies prind-adoleshent.

Zoti i Madhëruar në suren Rrahman tregon për një nga veçoritë e njeriut, që është të kuptuarit dhe të shpjeguarit e diçkaje (Rrahman, 55/4). Njeriu është krijuar me aftësinë e shprehjes së ndjenjave dhe mendimeve. Aftësia e të folurit është një mirësi e rrënjosur në ekzistencën tonë. Për të krijuar një lidhje të shëndoshë me fenë dhe besimin në Zot, i riu ka nevojë për të rritur përballë të cilëve të shpalosë mendimet dhe ndjenjat e tij lirshëm, pa u frikësuar. Nga njëra anë prindërit ankohen duke thënë se fëmijët nuk ndajnë asgjë me ta, ndërsa fëmijët ankohen se nuk dëgjohen apo kuptohen nga të rriturit. Asnjëherë nuk duhet harruar se komunikimi më i vlefshëm me fëmijët është dëgjimi i tyre. Të jesh një dëgjues i mirë i fëmijës tënd është një gur i pazëvendësueshëm i murit të komunikimit, sepse vetëm përballë një dëgjuesi të sinqertë i riu do të arrijë të shprehë lirshëm mendimet e ndjenjat dhe kështu do të hidhet hapi i parë drejt zgjidhjes së problemit. Asnjëherë nuk duhet t’u drejtohemi me fjalët ‘ti nuk kupton, je akoma i vogël’ apo shprehje të ngjashme, në mënyrë që të kanalizojmë energjitë e tyre në rrugën e duhur. Servirja para tyre e aktiviteteve të përshtatshme me interesin dhe aftësitë e të riut bën të mundur përdorimin pozitiv të energjive shpirtërore dhe fizike.

Pejgamberi ynë a.s. dhe të rinjtë

Përdorimi i gabuar i energjive në moshën më frytdhënëse mund ta shpjerë njeriun në rrugë pa dalje, ta shtyjë drejt depresionit. Kjo është arsyeja pse Profeti a.s. ka futur të riun, i cili vepron me vullnetin e tij, kontrollon veten dhe dëshirat dhe ruhet nga mëkatet, në njërin prej shtatë grupeve, të cilët do të jenë nën mbrojtjen e Allahut xh.sh. Ditën e Fundit. (Buhari, Ezan, 36)

Duke marrë parasysh dendësinë emocionale të të riut dhe ndryshimet e papritura të sjelljes, i Dërguari i Allahut është sjellë në mënyrën më të drejtë, duke përdorur një gjuhë të sinqertë e të ngrohtë dhe duke u përpjekur t’i kuptojë ndjenjat e tij. Në çdo çast i është afruar me delikatesë e dashuri. Që në vitet e para të profetësisë, Profeti a.s. ka pasur shumë të rinj rreth vetes, madje mund të themi se pjesa më e madhe e besimtarëve të parë kanë qenë të rinj. Këta të rinj kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe aktiv në përhapjen e fesë islame. Profeti a.s. ka ushqyer besim të patundur tek aftësitë e të rinjve, duke i nxitur e stimuluar pozitivisht.

Profeti a.s. ka hedhur hapa të rëndësishëm për sa i përket zhvillimit të vetëbesimit tek të rinjtë. Ai emëroi Usamen si komandant të ushtrisë, që në moshën 18 vjeçare, në një shoqëri ku Ebu Bekri dhe Omeri ishin luftëtarë të pashoq. I ngjashëm me këtë rast është edhe emërimi i Mus’ab bin Umejrit në marrëdhëniet diplomatike.

Si përfundim mund të themi se besimi, siguria dhe përkujdesja janë nevojat themelore të të riut. Detyra kryesore e familjes është sigurimi i një ambienti apo atmosfere të sigurt e të qetë, duke mbajtur gjithmonë hapur rrugët e komunikimit. Një individ që e kalon në mënyrë të shëndetshme këtë periudhë, do të mësojë të përdorë energjinë në dobi të vetes dhe shoqërisë ku jeton. Të rinjtë janë e ardhmja e shoqërisë. Të mos harrojmë se kur flasim me ta, po flasim me të ardhmen.

Cili është qëndrimi që duhet të mbajë familja përballë dyshimeve në çështjet fetare të të riut?

Themelet e besimit hidhen në fëmijëri dhe marrin formë në periudhën e adoleshencës. Adoleshenca është një periudhë kritike për ndërtimin e karakterit dhe të besimit të njeriut. Ashtu siç ndodh për shumë çështje të ndryshme edhe në çështjet e besimit i riu do të shfaqë dyshimet e tij. Familjeve u takon t’u japin përgjigje pyetjeve të fëmijëve me sinqeritet dhe dëshirë. Pyetjet e drejtuara do të ndikojnë në njohjen më të mirë të karakterit të të riut dhe në një komunikim të shëndetshëm. Kur familjet nuk arrijnë t’u japin përgjigje pyetjeve atëherë duhet të ruajnë qetësinë dhe t’i dërgojnë fëmijët në institucionet përkatëse ku mund të marrin një përgjigje bindëse. Nuk është problem nëse të rriturit përgjigjen me fjalët ‘nuk e di’, problemi lind atëherë kur të rriturit nxehen, bërtasin apo frikësojnë të rinjtë, duke i kërcënuar apo kritikuar. Kjo mënyrë komunikimi hap plagë të pashërueshme tek adoleshenti.

Aisa Kokiçi