Në Shqipëri, disa shekuj më parë, institucionet mësimdhënëse fetare kanë qenë pranë xhamive dhe në to mësohej kryesisht Kur’ani Famëlartë dhe njohuritë bazë të fesë islame. Kurse për medresetë, si institucione serioze të arsimit kombëtar fetar islam, mund të flasim vetëm pas Shpalljes së Pavarësisë.
Ideja e hapjes së medresesë shtronte nevojën e rishikimit të metodave, hartimit të programeve mësimore dhe përcaktimit të objektivave për edukimin e nxënësve me ndjenja fetare e kombëtare. Medreseja nuk u hap brenda një dite; u desh shumë mund, shumë bisedime, duheshin zgjidhur shumë çështje e nën çështje financiare, duhej siguruar personeli pedagogjik, ambienti i mësimit, literatura mësimore didaktike, etj. Ideatorët, flamurtarët e pastaj nismëtarët e kësaj lëvizjeje për ta çuar përpara problemin, u bënë ata që kishin marrë mësim në shkolla të përparuara të botës islame ose që kishin dhënë leksione ndër kësi shkollash si mësues e pedagogë. Autorë të veçantë prezantonin përvojën personale se si mund të themelohej një medrese në shërbim të Islamit, në shërbim të Atdheut.[1]
Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve në shkresën e datës 2 qershor 1923, i raporton Këshillit të Naltë të Sheriatit mbi ndërtimin e Medresesë:
“1) Sot për sot, pasi pasuria e Xhema’atit Mysliman nuk mund të përballojë shpenzimet që duhen për ndërtimin e Medresesë së Përgjithshme dhe për institutin në fjalë ekziston një nevojë e madhe dhe e ngutshme, mendojmë përsëri se, sa të përmirësohet gjendja financiare e xhema’atit, të merret këtu në kryeqytet me qira një godine e favorshme e të formohet në të medreseja.
2) Në këtë medrese të merren prej çdo prefekture nga 5 nxënës, duke u siguruar shpenzimet e tyre prej vakfit të prefekturave.
3) Mësimet të ndahen në 3 kategori – fillore, lice e universitet dhe periudha mësimore e secilës kategori të jetë 4 vjet.
4) Nxënësit që kanë mbaruar filloren në medrese të vendit, të pranohen në rendin e prapmë të kategorisë fillore.
5) Përveç atyre që do të vazhdojnë studimet me kursimet e vakëfeve të qarkut, të pranohen edhe nxënës të pasur që dëshirojnë të ndjekin mësimet në Medrese, me kusht që të paguajnë shumën e shpenzimeve që u përkasin. Presim vendimin e Këshillit të Naltë të Sheriatit që të nisim marrëveshjet me zyrat e qarkut.”[2]
Në vendimin e Këshillit të Naltë të Sheriatit nr. 52, të datës 4 qershor 1923 citohet: “Këshilli i Naltë i Sheriatit lexoi shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të datës 2 qershor 1923, nëpërmjet së cilës propozohet që të merret një vendim nga ana e Këshillit të Naltë të Sheriatit për pranimin e formimit të një Medreseje të Përgjithshme në Tiranë, sipas konditave të treguara në shkresën e sipërpërmendur, që kështu Drejtoria në fjalë të fillojë pa humbur kohë përgatitjet e duhura. Mbasi u pa i arsyeshëm e i pëlqyeshëm propozimi i lartpërmendur, u vendos pranimi i formimit të Medresesë së sipërtreguar prej tri klasash, e cila do të funksionojë sipas një programi e rregulloreje të posaçme dhe me këtë mënyrë autorizohet Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve për të bërë marrëveshjet e duhura me të gjitha prefekturat për sigurimin e nxënësve si edhe për shpenzimet e duhura, duke njoftuar Këshillin në përfundim.”[3]
Medreseja e Naltë në Tiranë u hap më 01.03.1924 me vendim të Kongresit të Parë të Myslimanëve Shqiptarë dhe me lejen e Ministrisë së Arsimit N. 105/1, datë 25.02.1924,[4] për të plotësuar nevojat për kuadro fetarë. Kjo shkollë islame u hap me një personel tërësisht shqiptarë, me programe e organizim bashkëkohor, të hartuara e administruara nga teologë shqiptarë dhe, shpenzimet për ecurinë e saj u përballuan nga të ardhurat e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Fillimisht, Medreseja filloi nga puna në ambientet e ndërtuara në shtëpinë e Haqim Maçit, lagjja Sulejman Pasha[5] (pranë xhamisë së Sulejman Pashës dhe godinës së vjetër të Komunitetit Mysliman). Ndërtesa e specifikuar për Medresenë e Tiranës u përurua më 20.12.1931 në prani të të gjithë elitës së kohës.[6]
Në kuadrin e riorganizimit të rrjetit arsimor fetar në Shqipëri, në Kongresin e Tretë të Myslimanëve Shqiptarë më 1929, u vendos të suprimohen të gjitha medresetë e qyteteve të lartpërmendura dhe të mbetej vetëm ajo e Tiranës, e cila do të quhej “Medreseja e Përgjithshme”. Nga bankat e Medresesë së Naltë kanë dalë figura të shquara të shkencës shqiptare si historiani Vexhi Buharaja, akademiku Shaban Demiraj etj. Disa nga maturantët e parë të kësaj Medreseje që u diplomuan në vitin 1932, pasi kryen studimet e larta, punuan po këtu me përkushtim si mësues apo drejtues të saj.
Rihapja e Medresesë së Tiranës pas çlirimit të vendit
Rihapja e Medresesë së Tiranës pas çlirimit të vendit, u pa me shumë prioritet nga stafi drejtues i KMSH-së, e për këtë, u mor vendim që Medreseja të rifillojë mësimin e rregullt pas disa riparimeve të bëra, për shkak të dëmtimeve nga luftimet. Me të njëjtin vendim u vendos Hafiz Ismet Dibra drejtor i këtij institucioni.[7] Këshilli i Përhershëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me vendim nr. 9, datë 23.05.1945 vendosi që Medreseja e Përgjithshme të çelë dyert e saj më 01 qershor 1945.[8]
Ishte merita e Medresesë së Përgjithshme, e trupit mësimdhënës, veçanërisht e drejtorit të saj, Hafiz Ismet Dibrës, si dhe e kolegëve të tij: Jonuz Buliqit, sheh Qazim Hoxhës, Haki Sharofit, H. Ibrahim Dalliut, H. Ali Korçës, etj., të cilët, me punën e tyre intensive e të palodhur, me shkrimet e veprat e botuara dhe me patriotizmin që i karakterizonte, përgatitën breza studentësh, të cilët u bënë përçues të denjë të Islamit, duke ia rritur njëkohësisht nderin edhe kombit.
Nga regjimi komunist, ashtu si feja e besimi në përgjithësi, edhe Medreseja e Tiranës pati goditje me ashpërsi në rritje, duke nisur me reformën arsimore të vitit 1946, e cila ia kufizoi ndjeshëm lëndët fetare, ndërsa lëndët e kulturës së përgjithshme ia detyroi si të një shkolle profesionale. Pushteti komunist i imponoi me vendim të veçantë një plan-program mësimor, që prekte thellë fizionominë dhe përmbajtjen e saj. Ministria e Arsimit gradualisht u përpoq që programi i shkollës të shkojë drejt laicizmit. “Mbledhja e Ministrisë së Arsimit më 16 tetor 1946, vendosi që shkolla fillore pranë Medresesë të mbyllej, kurse numri i klasave të mesme të reduktohej në 4.”[9]
Regjimi komunist, shumë drejtues e mësues të Medresesë së Tiranës i përndoqi, i burgosi dhe i dënoi me egërsi. Më 11 dhjetor 1946 arrestohet drejtori i Medresesë Hafiz Ismet Dibra me një arsyetim si kundërshtar politik i regjimit komunist. Edhe nxënësit e Medresesë patën presione të ndryshme, duke i thirrur ata qëllimisht për ushtar apo duke i orientuar që arsimin ta vazhdojnë në shkolla të tjera shtetërore.
Sipas vendimit nr. 1 dt. 22.08.1964 të Këshillit të Përgjithshëm, Medreseja e Tiranës hëpërhë mbyllet për arsye të forta buxhetore dhe se tani për tani ka kuadro të bollshëm.[10] Një goditje e fortë iu dha Komunitetit Mysliman, kur më 27 dhjetor 1965 konfiskohet nga shteti pa asnjë shpjegim godina e Medresesë së Tiranës, duke iu kaluar në dispozicion Fakultetit të Mjekësisë, dega Stomatologji, gjendje e cila vazhdoi edhe pasi vendi kaloi në një regjim demokratik.[11] Kjo frymë ateiste vazhdoi deri në vitin 1990.
Ringritja e Medresesë së Tiranës me fillimin e proceseve demokratike
Në shkresën e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë të datës 10.10.1991, me numër 1 të protokollit, drejtuar Myftinisë Tiranë, H. Sabri Koçi citon: “Me vendimin e marrum nga ky Komunitet, është vendosur që në qytetin e Tiranës do të ngrihet shkolla e mesme MEDREZE e emërtueme ‘Haxhi Mahmud Dashi’. Personeli që do të japi mësim në kulturën e përgjithshme, do i sigurohet paga nga ana e këtij Komuniteti simbas orëve dhe normave në fuqi për arsimin e përgjithshëm.”
Në vitet e para, medresetë u përballën me vështirësi të mëdha e serioze që i kapërcyen gradualisht, duke filluar nga mungesa e ndërtesave, e mjeteve didaktike-mësimore, kuadri i kualifikuar mësimdhënës, programet e deri te tekstet mësimore aq të nevojshme. Kërkesa për bazë materiale për shkollat fetare, si banka, katedra, tabela të zeza, etj., dërguar Bashkësisë së qytetit të Tiranës nga H. Sabri Koçi, tregon fare qartë mungesën dhe nevojën e madhe në këtë drejtim.[12]
Për ringritjen e Medresesë së Tiranës “Haxhi Mahmud Dashi”, ish-mësuesi i saj z. Ali Hoxha thotë: “Në datën 16.10.1991 Medreseja e Tiranës hap dyert për nxënësit e vitit të parë të arsimit të mesëm. Nismëtarët e rihapjes së Medresesë së Tiranës ishin njëkohësisht edhe mësuesit e saj, Ibrahim Balla, Mehmet Sinella, Xhavit Alimehmeti, Ali Hoxha, Selim Stafa, Xhemal Balla dhe Ismet Tancica. Si përgjegjës për punët e shkollës, zgjidhet fillimisht z. Ibrahim Balla, i cili emërohet drejtor i medresesë një vit më pas nga Komuniteti Mysliman.” Medreseja e Tiranës “Haxhi Mahmud Dashi” u hap fillimisht pranë xhamisë së Kokonozit me një klasë, ku paradite bënin mësim nxënësit nga rrethinat e Tiranës dhe pasdite nxënësit me banim brenda qytetit. Në shtator të vitit 1995, nxënësit fillojnë të bëjnë mësim në godinën e vet historike të Medresesë së Tiranës.
Në planet mësimore të medresesë u përfshinë lëndët e kulturës së përgjithshme të shkollave të mesme të përgjithshme dhe lëndët fetare: Kur’an, Besim, Fikh (Jurisprudenca Islame), Tefsir (Komentimi i Kur’anit) Hadith (Tradita profetike), Histori islame, si dhe gjuhët e huaja arabisht e anglisht. Për sa i përket strukturës administrative të medreseve, ato administrohen sipas protokolleve të parashikuara prej Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe fondacioneve përkatëse që i sponsorizojnë.
Sot, falë kujdesit të vazhdueshëm të KMSH-së dhe kontributeve financiare të shoqatave bamirëse e fondacioneve, tashmë Medresetë (të shtrira në qytetet Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Elbasan) kanë siguruar godina të reja e të bukura, mjedise të përshtatshme bashkëkohore për mësim dhe fjetje, laboratorë, biblioteka, palestra, kënde sportive, materiale didaktike e mjete informacioni të fjalës së fundit. Objektivi kryesor i medreseve ka qenë dhe mbetet brumosja e nxënësve me njohuritë e moralin islam, me ndjenja kombëtare e me vizion të qartë për të ardhmen, pajisja me dije të thella e të qëndrueshme që do t’u shërbejnë atyre për të përballuar sfidat e jetës në shoqërinë e sotme demokratike. [13]
Stafi mësimor i Medresesë së Tiranës punon shumë që nxënësit t’i shfrytëzojnë aftësitë e tyre jo vetëm për vete, por edhe për familjen, shoqërinë e mbarë kombin. Për këtë qëllim zhvillohen edhe veprimtari praktike orientuese, që nxënësit e Medresesë së Tiranës të dinë të tërheqin në rrugën e drejtë të Islamit edhe persona të tjerë të afërm ose të njohur. Me gjithë vështirësitë e kohës, Medreseja e Tiranës e ruan profilin e saj, duke ofruar për nxënësit arsimin dhe edukimin e duhur të ndërthurur me frymën fetare e kombëtare, mision të cilin vazhdon ta kryejë me përkushtim edhe sot.
Më 17.03.2015, me numër dekreti 8997, ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Bujar Nishani, i ka akorduar Medresesë së Tiranës titullin “Për merita të veçanta civile” me motivacionin: “Si një shkollë e arsimit fetar në Shqipëri, e cila, duke u bërë pjesë e arsimit tonë, përgatiti për disa dhjetëvjeçarë në një nivel të lartë një plejadë teologësh myslimanë, të cilët luajtën një rol parësor në ripërtëritjen e moralit tonë kombëtar.”
Dorian Demetja
[1]. Faik Kasollja, Hoxhallarët, kategori e respektuar e shoqërisë shqiptare, revista “Zani i Naltë”, nr. 8 (161), korrik-gusht-shtator 2014, f. 21-22.
[2]. AQSH, fondi 482, viti 1923, dosja 76, fleta 37.
[3]. AQSH, fondi 482, viti 1923, dosja 3, fleta 74.
[4]. Ceremonia e shpërdamjes së diplomave maturantëve të medreses, revista “Zani i Naltë”, nr. 3-4, nëntor-dhjetor 1932, f. 460.
[5]. Medreseja e Përgjithshme (Universite) e Komunitetit Mysliman, revista “Zani i Naltë”, nr. 5, shkurt 1924, f. 146.
[6]. Inaugurimi i ndërtesës së Medresesë, revista “Zani i Naltë”, nr. 5, janar 1931, f. 111.
[7]. Shyqyri Hysi (Dr.), Muslimanizmi në Shqipëri në periudhën 1945-1950, Tiranë 2006, f. 147.
[8]. AQSH, fondi 482, viti 1945, dosja 3, fleta 9.
[9]. Shyqyri Hysi (Dr.), Muslimanizmi në Shqipëri në periudhën 1945-1950, f. 156.
[10]. AQSH, fondi 482, viti 1964, dosja 6, fleta 1.
[11]. Myzafer Kazazi (Prof. Dr.), Tirana kryeqytet, ndryshimet urbane dhe objektet e kultit musliman, revista “Drita Islame”, nr. 15, shtator 1999.
[12]. Kërkesë për bazë materiale për shkollat fetare – Bashkësisë së qytetit të Tiranës, datë 31.03.1993, arkivi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
[13]. Hiqmet Patozi, Medreseja e Naltë e Tiranës, ëndrra e besimtarëve islamë, revista “Zani i Naltë”, nr. 10 (163), janar-shkurt-mars 2015, f. 105.