35 VJET LIRI BESIMI

Këtë nëntor të vitit 2025 bëhen plot 35 vjet që jetojmë lirinë e besimit. Pas luftës së dytë botërore, vuajtjet u bënë pjesë e jetës së besimtarëve për gjysmë shekulli, sepse më shumë se çdokush tjetër dhe mbi çdo torturë fizike, besimtarëve iu mohua përkujtimi i Zotit, iu ndrydh ndërgjegjja, iu ndalua besimi dhe komunikimi që ata kishin me Krijuesin e tyre. Politika komuniste bëri një propagandë të ashpër përbuzjen e fesë, nëpërmjet shtypit, radios, formave të edukimit, kinemasë, pjesëve të leximeve shkollore dhe edukimit.

Duke i ndarë në periudha, mund të themi se deri më 1967 u bë likuidimi fizik dhe organizativ i klerit, ndërsa pas kësaj periudhe u vazhdua programi me likuidimin total të objekteve të kultit, duke mos kursyer as ato që konsideroheshin monumente të kulturës, dhe kjo si rrjedhojë e të ashtuquajturit revolucion kulturor. Predikues të të gjitha besimeve fetare vuajtën fate të përbashkëta, u ndaluan të predikonin, u internuan ose u burgosën për veprimtari kundër regjimit komunist. Dhjetëra prijës fetarë u ekzekutuan, u vranë apo vdiqën nëpër burgje. Pasuritë e të gjitha bashkësive fetare u konfiskuan dhe një pjesë u shkatërruan.

Ndalimi i fesë u ligjësua edhe me Kushtetutën e re të miratuar më 28 dhjetor 1976 nga Kuvendi Popullor, ku te kreu I, neni 37, pika 6 përcaktohet prerazi: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor.” Ndërsa te kreu II, neni 55 theksohet: “Ndalohet krijimi i çdo organizate me karakter… fetar… ndalohet veprimtaria dhe propaganda fetare

Diktatura komuniste, me tërë egërsinë e vet, hoqi mësimin e besimit nga shkolla, mbylli të gjitha shkollat për përgatitjen e kuadrit fetar, pezulloi shtypin fetar dhe botimet, sekuestroi të gjitha bibliotekat personale me literaturë fetare, ndaloi funksionimin e objekteve fetare, pengoi zhvillimin e riteve fetare, xhamitë i shndërroi në magazina e stalla dhe, sigurisht, shumicën e tyre i shkatërroi dhe i rrafshoi. Hoxhallarët më të shquar i burgosi dhe i pushkatoi, kurse disa prej tyre i internoi, i la pa punë, u bëri presione që të hiqnin petkun fetar e të mohonin pikëpamjet e tyre, shkurt, u përpoq me çdo mjet që të mos linte asgjë nga feja dhe ndjenjat e popullit për të.

Kur erërat e ndryshimeve frynë në Shqipëri, në fillim të viteve ’90-të, pati kërkesa për rikthimin e lirisë fetare. Në përgjigje të këtyre kërkesave, qeveria shqiptare, në vitin 1990, pranoi të lejonte praktikimin publik të fesë, të hiqte ndalimin dhe ndëshkimin për botimin e literaturës fetare dhe të lejonte organizatat dhe institucionet fetare të funksiononin lirisht. Këto nisma nga ana e qeverisë shqiptare shënuan fundin e luftës institucionale kundër fesë dhe fillimin e një epoke të re në këtë drejtim.

Me rënien e regjimit komunist, besimet fetare filluan të riorganizohen mbi bazat tradicionale, duke pasur si bërthamë ato pak objekte kulti, që ishin shpallur “Monumente Kulture” dhe ato të cilave u ishte ndërruar destinacioni, si dhe ata pak hoxhallarë, që i kishin rezistuar terrorit komunist. Pas 23 viteve të ndalimit të fesë me ligj, Zoti bëri të mundur që me datë 16 nëntor 1990, të rihapet xhamia e parë në Shqipëri, ajo e Plumbit në Shkodër. Rihapja e xhamisë së Plumbit ishte shkëndija e parë, që dha sinjalin fatlum se Islami jo vetëm që nuk ish harruar, por vazhdonte të ishte i gjallë e i freskët në zemrat e shqiptarëve. Ky veprim historik për Shqipërinë, vërtetoi edhe një herë ajetin e Kur’anit Famëlartë: “Thuaj: E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket![1]

Atë ditë, bijë e bija shqiptare morën iniciativën e guximshme për të hapur xhaminë dhe për të rifituar të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit fetar. Rreziku ishte shumë i madh, por zemrat e besimtarëve nuk mund të rezistonin më ndalimin e praktikimit të fesë. Pjesëmarrësit në këtë ngjarje tregojnë se ajo ka qenë një ditë sa e gëzueshme e mallëngjyese, po aq e guximshme dhe e rrezikshme për të ardhmen e besimtarëve. Një ftesë me foton e Xhamisë së Plumbit qarkullonte në njerëz me këtë tekst: “Me dt. 16.11.1990 ora 12.00 te Xhamia e Plumbit falet dita e xhumasë. Keni nderin të faleni brenda xhamisë.” Komisioni

Lidhur me këtë ditë të shënuar, ish myftiu i Shkodrës, H. Faik Hoxha, mes të tjerash shkruan: “Pesë vjet më parë, një grup qytetarësh, shumica të rinj si…, morën iniciativën e guximshme për të hapur xhaminë, për të falur xhumanë, për të ripërtërirë fenë, për të rifituar të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit fetar… Duke përkujtuar këtë ngjarje të shënuar historike, na del përpara ai miting i madh popullor me mijëra pjesëmarrës nga qyteti e fshati, nga të gjitha moshat, të mbledhur me dëshirën dhe vullnetin e tyre të lirë, të cilët shprehën urrejtjen për diktaturën dhe ndjenjat e tyre për fenë. Kjo ngjarje e paharruar jehoi në çdo familje, ajo u bë nxitje për të ndërmarrë vepra të tjera në dobi të gjallërimit të fesë, për të kapërcyer atë periudhë terri ateist 50-vjeçar.”[2]

Në këtë ditë të shënuar, ne kujtojmë me respekt 69-vjeçarin Haxhi Hafiz Sabri Koçi, pishtarin e ringjalljes së Islamit në Shqipëri, i cili do të shprehej: Gëzimi më i madh imi ka qenë më 16 nëntor… sikur linda përsëri. Kur shkova te xhamia, ç’të shihja?! Ishte mbushur zi me njerëz. Vargu i tyre zgjatej deri në kala. Altoparlantët rreth e përreth. S’mund të bëja asnjë hap. Të gjithë filluan të bien në tekbir. Brohoritnin. Masa gjithnjë e më tepër merrte flakë… Kam hipur në një tribunë të ngritur për atë qëllim… Mezi e përmbaja veten dhe s’mundja t’u besoja syve të mi. Thashë: A jam në mend apo s’jam? S’kisha parë në jetën time aq të tubuar… E pashë veten aq të lumtur, saqë nuk kisha gajle edhe sikur të bija kurban. Nuk kishte gëzim më të madh për jetën.”[3]Gjatë një interviste e pyetën Hafiz Sabriun: “A menduat për pasojat që mund të kishit në drejtimin e kësaj ceremonie?” Ai u përgjigj: “Duke kujtuar të gjitha vuajtjet e mundimet, nuk kisha se çfarë të humbisja. Përkrahur nga djemtë dhe i ftuar nga rinia e mrekullueshme shkodrane, unë e ndjeja veten superior ndaj atyre që duhej të kisha frikë.”[4]

Do të ishin Hafiz Qazim Rakipi që këndoi versetet Kuranore, si dhe hoxha i nderuar Imam Vehbi Dani që këndoi ezanin, pas 23 vitesh heshtje. I burgosur për 22 vjet nga regjimi komunist, Haxhi Hafiz Sabri Koçi vuri në dukje në fjalën e hapjes, nevojën e ushtrimit të fesë nga çdo njeri dhe në çdo kohë. Ai pasi falënderoi Zotin për mirësitë e Tij të panumërta, në fjalinë e parë gjatë ligjëratës para xhamisë, i hipur në një tribunë të improvizuar tha: “Të dashur vllazën myslimanë, katolikë e ortodoksë, e mbi të gjitha vllazën shqiptarë”, pastajvlerësoi lart mundin dhe përpjekjet e të gjithë atyre që ndihmuan në rikthimin e xhamisë në gjendjen e saj funksionale. Nga xhamia e Plumbit u dëgjuan pas shumë vitesh ajetet e Kur’anit dhe Hadithet e Muhamedit (a.s.), të cilat me besnikërinë më të madhe i kishte ruajtur në kujtesën e tij Hafiz Sabriu.

Duke përkujtuar këtë ngjarje, këtë ndodhi të madhe, Ismail Muçej, ish kryeredaktor i gazetës “Drita islame”, shprehet:“Deshi s’deshi qeveria e asaj kohe, feja u legalizua praktikisht, duke dhënë shkëndijën e parë për qytetet dhe fshatrat e tjera të Shqipërisë, të cilat filluan të hapin njëra pas tjetrës faltoret.”[5]

Rihapjet e xhamive anembanë vendit pasuan me hapa të shpejta. Mund të përmendim xhaminë Mbret në Berat, e cila u rihap më 14.12.1990, xhaminë e Plumbit në Vlorë, e cila u rihap më 11.01.1991, xhaminë e Kokonozit (pazari i ri) në Tiranë, e cila u rihap më 18.02.1991, xhaminë Fatih në Durrës, e cila u rihap më 07.03.1991, xhaminë e madhe në Durrës, e cila u rihap më 24.03.1991, xhaminë në qytetin e Fierit, e cila u hap më 12.04.1991, xhaminë në Koplik, e cila u hap më 21.04.1991, xhaminë në Patos, e cila u hap më 07.12.1991, etj.

Kështu, dalëngadalë, me një punë të kujdesshme e plot sakrifica, filluan të hapen xhamitë e para, të meremetohen ato që kishin mbetur kur dorëzoheshin nga organet e pushtetit, u hapën salla për të kryer faljet e predikimet e rastit në ato vende ku nuk kishte xhami, si dhe u ndërtuan xhami të reja.

Ngjarja e 16 nëntorit nuk ishte thjesht një ceremoni fetare. Ajo krahas vlerës së vet të ringjalljes së fesë, ishte një dritë shprese për të ardhmen e Islamit në Shqipëri. Po atë ditë u vendos rithemelimi i institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili, me ndihmën e Zotit, me shumë mund dhe sakrifica, arriti të ngrihet së bashku me myftinitë dhe medresetë, një institucion që i shërben mbarë popullit shqiptar në të gjitha drejtimet.

Dorian Demetja


[1]. Isra’, 17:81

[2]. Faik Hoxha, Duke kujtuar një përvjetor, gazeta “Drita Islame”, nr. 21 (82), viti IV i botimit, dhjetor 1995.

[3]. Pjesë nga intervista e H. Sabri Koçit, Shqipëria i kthehet fesë, revista “El-Hilal”, botim special, qershor 1991, f. 13-14; 16 nëntor 1990, gazeta “Drita Islame”, nr. 11 (334), viti i XIX i botimit, nëntor 2010.

[4]. Faik Luli – Islam Dizdari, Një jetë në shërbim të fesë, Tiranë 1996, f. 56.

[5]. Ismail H. Muçej, Tri vjet pas rihapjes së institucioneve fetare në Shqipëri, gazeta “Drita Islame”, nr. 18 (43), viti II i botimit, dhjetor 1993.