Begatitë e Allahut ndaj robërve të tij janë të mëdha e të panumërta, siç thotë edhe në Kur’an: “Nëse ju doni t’i numëroni begatitë e Allahut ndaj jush, nuk do të mund t’i numëroni” (Sure Ibrahim, 34). Ndër këto begati të panumërta ekzistojnë edhe periudha të veçanta në të cilat njerëzit vepërmirë i shtojnë veprat e mira. Prej këtyre periudhave janë edhe ditët e netët e mira. Kështu i quan populli ynë, që sipas myslimanëve janë të mbara e të bekuara.
Në kushtet e zakonshme, mes kohëve të ndryshme nuk ka ndonjë dallim dhe përparësi. Ndërkaq, disa ditë dhe netë kanë fituar veçanti dhe vlerë ngaqë janë bërë skenë e disa ngjarjeve me rëndësi. Megjithëse këto ditë dhe netë mbështeten në pretekste të ndryshme, janë kohë dhe raste shumë me vlerë që kanë një funksion të përbashkët në sigurimin e fuqizimit të besimit e të jetës besimore te myslimanët.
Ditët dhe netët e mira janë prej shenjave të Islamit, kështu që ato kanë një rëndësi dhe vlerë të veçantë. Universi, qiejt dhe të gjitha krijesat i respektojnë së tepërmi këto kohë. Këto ditë dhe netë, shenjtëria e të cilave është e përcaktuar me ajete dhe hadithe, si dhe festohen prej shekujsh me radhë, zënë vend brenda muajve të vitit. Koha e këtyre është e përcaktuar sipas kalendarit hënor, e cila përmban 355 ditë, pra, 10 ditë më pak sesa kalendari ynë diellor. Për rrjedhojë, ditët dhe netët e mira si dhe festat fetare në Islam nuk fiksohen në një datë dhe muaj të caktuar, por lëvizin duke i përshkruar të gjithë muajt me radhë, e cila përbën një bukuri krejt të veçantë dhuruar nga Allahu Fuqiplotë.
Nga ana tjetër, koha e një pjese ditësh dhe netësh të mira është saktësisht e ditur, kurse e një pjese tjetër, jo. Dita e Xhuma është një ditë e mirë dhe e bekuar. Mirëpo “ora e pranueshme e lutjeve”, nuk është e përcaktuar dhe është e fshehur në atë ditë. Edhe nata e Kadrit është e fshehur në dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit, sikurse Ismi Adham, i cili është i fshehur në Esmau’l Husna. Ndërkaq, edhe kohët e shënuara të papërcaktuara, ashtu si kohët e përcaktuara, i nxisin myslimanët për syçelësi, adhurim dhe shfrytëzim të dobishëm të tyre. Veçanërisht kohët e shënuara të papërcaktuara bëhen pretekst për vlerësimin dhe shfrytëzimin e një kohe më të gjatë.
Nuk duhet menduar se ngjarja e ndodhur i përket vetëm ditës apo natës kur ka ndodhur për herë të parë dhe kështu, më pas, ditës apo natës në fjalë nuk i mbetet ndonjë vlerë e veçantë. Edhe pse ngjarjet përkatëse nuk përsëriten, dita apo nata e mirë përsëritet çdo herë së bashku me të gjitha vlerat dhe përparësitë. Prandaj, në çdo përsëritje duhen bërë përpjekje për t’i përjetuar dhe gjallëruar ato.
Urtësitë e ditëve dhe netëve të mira
Njeriu në jetën e tij herë pas here hyn në një proces ndryshimi. Dhe është tepër e rëndësishme që drejtimi i këtij ndryshimi të kthehet kah e mira, e dobishmja dhe e drejta. Ja, pikërisht ditët dhe netët e mira na hapin dyert dhe na ndihmojnë duke u bërë pretekste për një ndryshim pozitiv në jetën tonë.
Ditët dhe netët e shënuara në fenë Islame janë kohë shumë të begata, ku dhuntitë dhe dhuratat hyjnore shfaqen në sasinë më të madhe nga ana ideore dhe shpirtërore. Entuziazmi ideor dhe shpirtëror i ditëve dhe netëve të mrekullueshme që shtrihen si rrugëlidhje, porta apo katapulta, të cilat formojnë tek njeriu një ndjesi krejt ndryshe, i bashkon e i bën një myslimanët. Shpirti rreh krahët më ndryshe përtej përjetësisë, çdo gjë futet në sinfoninë e gjatë të jetës së universit, gjokset i pushton një fëshkërimë lutjesh dhe kërkesash, që nuk mund të shprehen dot me gjuhën tonë të varfër.
Për çdo sëmundje apo dhembje që mund të kemi në trupin tonë, ne menjëherë interesohemi dhe shkojmë për vizitë tek mjeku. A nuk është e drejtë të përpiqemi me po aq forcë për të shpëtuar nga gjynahet që na errësojnë botën, na ngushtojnë shpirtin dhe na hapin plagë në zemër? Nëse jemi të bindur për këtë, atëherë le të mendojmë pak ç’mund të bëjmë! Përpjekja për të shpëtuar nga gjynahet në literaturën Islame e merr emrin teube dhe istigfar (pendim dhe falje). Ky veprim përveç se bëhet me gjuhë dhe me zemër, ka edhe disa kohë të veçanta ku fokusimi është akoma më i madh dhe më i përshtatshëm. Ne e dimë se falje mund të kërkohet në çdo kohë, por ekzistojnë disa intervale kohore në të cilat ne e kemi më të lehtë të fokusohemi me gjithë shpirtin tonë. Këto kohë janë pikërisht ditët dhe netët e mira, në të cilat ne kemi mundësinë të drejtohemi të vetëdijshëm në maksimum drejt faljes. Ky është vërtet një rast mjaft i volitshëm për të gjithë besimtarët myslimanë, që të largohen nga gjynahet dhe të hedhin hapa të rëndësishëm drejt mirësive. Ato kohë janë me të vërtetë momente mjaft të vyera për njeriun, sepse gjen rastin për t’iu lutur Zotit më afër, e përmend Atë dhe kërkon falje për gjynahet, që i kanë shkatërruar qetësinë shpirtërore. Kështu, ditët dhe netët e mira janë për ne si doktorët më të mirë që mjekojnë me ilaçet e tyre shpirtërore, shpirtin tonë.
Allahu i Lartë ndër muajt, ka zgjedhur muajin e Ramazanit, ndër netët, natën e Kadrit, ndër vendet Mekën, ndër njerëzit Hz. Muhamedin (a.s.) dhe ndër ditët, ditën e Xhuma.
Ndër zakonet dhe traditat e bukura fetare të popullit tonë janë edhe vizitat që u bëhen në këto kohë të afërmëve, fqinjve, të sëmurëve apo shoqërisë duke i uruar dhe i kujtuar ato me ëmbëlsirat e porositur posaçërisht për këtë rast. Ndër këto tradita të fisshme është edhe ndriçimi si asnjëherë tjetër i xhamive, këndimi në xhamia i pjesëve të zgjedhura të Kur’anit për publikun, daullet që bien për njoftimin e këtyre ditëve dhe netëve, etj.
Vlerat dhe përparësitë e ditëve dhe netëve të mira ndaj ditëve dhe netëve të tjera të zakonshme janë të shumta. Ka shumë rëndësi që në këto ditë dhe netë, besimtari të jetë i ndërgjegjshëm dhe t’i kalojë ato me adhurim e lutje. Adhurimi dhe lutja e bërë në këto kohë, bëhet shkak për më shumë mirësi, gjë që u jep atyre një vlerë të veçantë. Nga ana tjetër duhet te theksohet se një ndërgjegje të tillë ndaj Allahut, Krijuesit të gjithësisë, besimtari duhet të përpiqet ta gjejë në çdo ditë apo natë të jetës së tij.
Adhurimet dhe lutjet që bëhen në ditët dhe netët e mira
Ditët dhe netët e mira sikur lëvizin penzën mbi orët e gjata në adhurim, për t’i treguar zemrës me një gjuhë të ëmbël kuptimin e vërtetë të jetës. Në çast fillon poema e kulluar si zëri i zogjve në ato minuta të këndimit të ezaneve, të cilët ndikojnë aq mrekullueshëm sa vetë bukuritë e parajsës dhe në krah të tyre qëndrojnë orët e adhurimit, dialogut me Zotin e Lartë duke u bërë vetë bashkëfolës, gjë kjo e cila realizohet me ndjenjat e smeralda gjatë përkujtimit dhe meditimit ngazëllyes. Më tej perdet e fytyrave të krijesave grisen dhe së fundi ato minuta të ngrohta, të të qenit pranë Allahut në qetësi dhe të sigurtë, bëhen tonat. Ne vërvitemi në këtë trajektore rrethore të dritës pesë herë në ditë dhe të paktën tridhjetëepesë herë në javë, duke përjetuar ndodhitë e miraxhit dhe ëndrrën e të qenit njeri i përsosur.
Dijetarët myslimanë janë të mendimit që ditët dhe netët e mira të kalohen me adhurime dhe lutje të llojeve të ndryshme. Në këto kohë myslimanët falenderojnë Allahun që u ka dhënë mundësi t’i respektojnë dhe përjetojnë ato me shëndet, falin namaz, këndojnë ose dëgjojnë Kur’an, e përmendin Allahun dhe meditojnë, luten për mëshirë dhe paqe për Profetin, ndjekin predikime e këshilla, bëjnë vetëllogari dhe kalojnë nëpër sy të metat e gabimet, bëjnë pendesë për mëkatet; mes myslimanëve bëhen urime, agjërimi i ditëve përkatëse të këtyre kohëve është sevap dhe e këshillueshme. Kurse ata që kanë mundësi, i japin iftar agjëruesve në shtëpitë e tyre.
Adhurimet që bëhen në ditët dhe netët e mira mund t’i përmbledhim si më poshtë:
1) Pendesë, zikër dhe përpjekje për të hequr dorë nga veset dhe shprehitë e këqija.
2) Këndim Kur’ani; meditim mbi jetën, vdekjen dhe botën e amshueshme.
3) Përpjekje për kryerjen e kazave të farzeve të lëna në të kaluarën dhe shlyerja e detyrimeve.
4) Agjërim dhe salat e selam për Profetin.
5) Dhurata për fëmijët, ndihmë për të varfërit, vizita në varreza, dhurata për veprimtari të dobishme dhe për institucionet bamirëse.
6) Lutje për falje, për veten, për prindërit dhe të gjithë myslimanët.
Nata e mirë Regaib
Regaib në gjuhën arabe është shumësi i fjalës “ragibe”, që do të thotë se kjo është nata e dhuntive, dhuratave, shpërblimeve dhe nxitëse për vepra të mira.
Nata e mirë Regaib, sipas kalendarit hënor, bie natën e xhumasë së parë (nata që lidh ditën e enjte me të premte) të muajit Rexhep, i cili është edhe muaji i parë i Tre Muajve të mirë. Çdo natë e xhuma është e bekuar. Kur këto dy netë puqen bashkë nata bëhet akoma më e bekuar dhe më e dobishme. Me vlerat e mëdha që përmban kjo natë, është njëkohësisht sihariqi dhe lajmëtari i parë i muajit të Ramazanit. Në aspektin psikologjik kjo është shumë e rëndësishme, sepse besimtari hyn në një parapërgatitje shpirtërore dhe e drejton veten e tij kah adhurimeve, përgjegjësive individuale dhe familjare duke urdhëruar të mirën e duke ndaluar të keqen.
Në popull është konceptuar gabim fakti që në këtë natë ka mbetur shtatëzanë nëna e profetit tonë, Emineja. Vetë data e lindjes së profetit tonë nuk e vërteton këtë hipotezë. Mundet që në këtë natë Emineja ta ketë kuptuar që ishte shtatëzanë. Një komentim i tillë i këtij koncepti do të ishte më i përshtatshëm.
Sipas mendimeve të dijetarëve Islam, në këtë natë Allahu i madhëruar e ka begatuar profetin Muhamed (s.a.s.) me dhunti dhe dhurata shpirtërore shumë të çmuara. Edhe profeti ynë i dashur e ka lavdëuar dhe falenderuar Allahun (xh.sh.) me lutje, teube dhe namaz.
Allahu natën e Regaibit i jep myslimanëve mirësi dhe begati të panumërta. Kjo është nata kur pranohen lutjet, pendesat dhe kur shpërblimet e adhurimeve janë të mëdha e të shumta. Profeti ynë i nderuar, në një hadith të transmetuar nga Enesi (r.a.) thotë: “Kujdes, përpiqu të rrish zgjuar natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep, të mos e kalosh atë në shkujdesje, sepse engjëjt asaj nate ia kanë vënë emrin Regaib!” Ndërsa në disa thënie të tjera për rëndësinë e kësaj nate Profeti Muhamed (s.a.s.) thotë: “Ai që e vlerëson natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep (Nata e Regaibit), Allahu i madhëruar nuk e dënon në varr” (Saadet-i Ebedije). “Lutja që bëhet në këto pesë netë nuk kthehet mbrapsht: Në natën e Regaibit, natën e 15 të Shabanit, të Xhumanë, natën e Bajramit të Ramazanit dhe të Kurbanit” (Ibn-i Asakir).
Si përfundim themi që kjo natë duhet vlerësuar nga besimtarët me namaz, me lexim Kur’ani, me teube istigfar, i dërgohen salavate Profetit, dita e enjte agjërohet dhe në darkë kryhen adhurime të llojeve të ndryshme, gjthashtu, kjo natë kalohet edhe me punë të tjera të dobishme dhe sevapprurëse në fenë tonë. Nuk duhet të harrojmë që lutjet tona të fillojnë dhe të mbarojnë me salavate për profetin, duke ditur që lutja midis dy lutjeve të pranuara tek Zoti, pranohet.
Shkëputur nga libri “Ditët dhe Netët e mira në Islam”
Këshilli Botues, KMSH