TË GJITHË KEMI NEVOJË PËR MËSHIRËN E TIJ

Falënderime të panumërta i qofshin Zotit që në mesin e njerëzve na ndriçoi me besim. Me anë të këtij besimi ndryshuan jetët tona, si dhe konceptet për mënyrën se si duhet t’i shohim dhe gjykojmë fenomenet e ndryshme. Por besimi nëse nuk mirëmbahet, ashtu si çdo gjë, vjetërsohet dhe Zoti na ruajt, rrezikon të humbasë. Që ky besim të mbahet i gjallë, që të rifreskohet, të rinovohet apo të forcohet më tej, ka nevojë për ushqim shpirtëror, për adhurim, punë të mira dhe lutje të ndryshme drejtuar Krijuesit.

Njeriu, krijesa më me vlerë, më e vyer dhe më e bukur e Allahut (xh.xh.) në rruzullin tokësor, është po aq gjynahqare. Nuk mund të jetë ndryshe kur mëkati është pjesë e jetës së njeriut. Pikërisht kjo e bën njeriun, njeri dhe jo engjëll. Në një hadith kudsi, i Madhi Zot shprehet kështu: “Nëse ju do të ishit popull që nuk gabon, Unë do ju fshija nga sipërfaqja e dheut e do të krijoja njerëz që gabojnë. Në mënyrë që t’më njihnit Mua si të Mëshirshëm”.

Mirëpo për besimtarin, gjynahet kanë peshë të rënda, të cilat bëhen pengesë në rrugën drejt Zotit. Sepse pas dhuratës më të madhe, që është besimi, Zoti na urdhëron të thellohemi në besim. Njeriu hyn në gjynahe me dashje apo pa dashje, ndonjëherë edhe si kupton gjynahet e vogla. Për këtë arsye, Allahu me Madhnin e Vet, ka krijuar shumë mundësi dhe sebepe për njeriun (abdesi, namazi, kurani, sadakaja, sjellja e mirë etj.) që nëpërmjet tyre t’i falen gjynahet dhe të fitojë mëshirën e Krijuesit. Profeti (a.s.) thotë se vetëm me mëshirën e Zotit hyjmë në xhenet. I thanë shokët: Edhe ti o i dërguari i Allahut? Po ju përgjigj ai. Edhe unë.

Allahu kërkon nga ne besimtarët që dita ditës të përmisojmë diçka nga vetët tona, të përkushtohemi më shumë, të ecim drejt hapave të devotshmërisë. Ai (xh.sh.) na mëson që gjynahet prejnë lidhjen që kemi me Të. Për këtë arsye, mbështetur edhe në jetën e vet Profetit (a.s.) duhet të pendohemi shumë dhe të vazhdojmë rrugën drejt Zotit, duke qëndruar larg gjynaheve. Mirëpo ka njerëz, të cilët nuk po i shmangen disa gjynaheve apo veseve të këqija, megjithëse përpiqen. Ata kërkojnë përgjigje, kërkojnë qetësi, ngushëllim apo forcë në përballjen e situatave të pakëndshme që i kanë trazuar shpirtin. Dhe shejtani, që është armiku i vërtetë i njeriut, kënaqet kur e sulmon atë nga dobësitë që ka. Por kënaqësi më e madhe për shejtanin është kur besimtarin e bën të dorëzohet, kur e bën pesimist derisa ai të marrë rrugën e qoftëlargut. Prandaj gjithmonë duhet t’i kthehemi Allahut, sepse dera e pendimit është e hapur për të gjithë ata, që shpresojnë tek falja e Zotit (xh.sh).

Hz. Vahshiu, i cili kishte bërë një punë të shëmtuar duke u bërë vrasësi i xhaxhait të profetit hz. Hamzait, kërkonte një drite shprese dhe shpëtimi. Ai i dërgon një letër profetit (a.s), ku i thotë: “O profet i Zotit! Unë dua të pendohem por ia kam frikën një ajeti në Kuran, ku thotë se ai që i ka vënë shok Allahut (xh.sh.), që ka bërë imoralitet dhe që ka vrarë tjetrin pa të drejtë, do ta marrë dënimin e tij. Unë kam vrarë Hamzain, kam bërë imoralitet dhe i kam vënë shok Allahut (xh.sh.), prandaj kam frikë se Zoti nuk m’i fal gjynahet”. Atëherë i dërguari i Zotit i shkruan në letrën e dërguar ajetin kuranor ku thotë: “Përveç atij që është penduar, beson dhe bën vepra të mira, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.[1]

Vahshiu në vazhdim tha: “Allahu (xh.sh.) ka vënë kusht që të bëjmë punë të mira, mirëpo unë nuk bëj punë të mira, prandaj kam frikë se Zoti nuk do të më falë”. Atëherë profeti i dërgon ajetin: “Thuaj: O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Pa dyshim, Allahu i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti[2], tregon gjerësinë dhe pafundësinë e mëshirës së Krijuesit për të gjithë mëkataret dhe është bërë një dritë shprese për të gjithë ata që nuk gjejnë asnjë mundësi shpëtimi në jetën e tyre.

Pika më e fortë në të cilën mbështetet njeriu, drejtimi më i saktë ku ai orientohet, është mëshira e Allahut. Asnjëherë njeriu nuk i pret shpresat nga kjo mëshirë. Ai beson në mënyre të prerë se cilido qoftë gjynahu që ka bërë, çfarë do lloj padrejtësie të ketë kryer, dera e faljes dhe e mëshirës së Allahut është gjithmonë e hapur, mjafton të trokasësh e të kërkosh falje nga Ai. Me mëshirën e Allahut do të kalojmë me sukses këtë jetë, me mëshirën e Tij do të kalojmë pa vështirësi llogarinë për veprat tona, me mëshirën e Tij do të kalojmë me lehtësi inshallah urën e siratit, si dhe me mëshirën e Tij do të trokasim në dyert e xhenetit. Në një hadith kudsi Zoti i Lartëmadhëruar thotë: “O bir i Ademit! Përderisa t’më drejtohesh Mua e t’më lutesh Mua, çfarëdolloj mëkati të bësh unë do të ta fal. O bir i Ademit! Edhe sikur mëkatet e tua të arrijnë kufijtë e qiellit Unë përsëri do të t’i fal ato. O bir i Ademit! Nëse më vjen me mëkate sa e gjithë dynjaja, pa më bërë shirk, do të t’i fal të gjitha ato.”

Krijuesi ynë kërkon prej nesh një pendim të sinqertë, kërkon vetëm një lëvizje zemre dhe në atë moment do ta gjejmë pranë Allahun (xh.sh). Prandaj vazhdimisht dhe për çdo gabim që kemi bërë, të pendohemi te Zoti, t’i japim fjalën për të mos u kthyer më në ato gjynahe që kemi bërë, si dhe të kërkojmë me sinqeritet të plotë mëshirën dhe faljen e Tij të pafund. Kjo është mëshira e Zotit prej së cilës nuk pritet  asnjëherë shpresa. Në këtë drejtim, i dërguari i Allahut (a.s.) në njërën prej perlave të tij na tregon kështu: “Allahu shtrin dorën e Tij natën që të pendohet kush bën mëkate ditën, dhe shtrin dorën e Tij ditën që të pendohet kush bën mëkate natën, derisa dielli të lind andej nga perëndon”.[3]

Dorian Demetja

[1] Furkan 25:70

[2] Zumer, 39:53

[3] Muslim