Doli në treg libri “100 VJET KOMUNITETI MYSLIMAN I SHQIPËRISË” me autor Dorian Demetja. Ai përmban një përshkrim përmbledhës në lidhje me historikun e institucionit të Komunitetit Mysliman, ku, krahas tekstit, pasqyrohen edhe faksimilet e disa dokumenteve të rëndësishme, si dhe foto të ndryshme rreth zhvillimit të tij 100 vjeçar.
Libri përbëhet nga 7 kapituj, i cili përfshin themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, periudhën e komunizmit deri në ndalimin e fesë me ligj, ringritjen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, veprimtarinë e tij gjatë dekadave të fundit, deklarata shtypi të bëra nga KMSH për raste të ndryshme, një biografi të shkurtër të 10 kryetarëve të KMSH, brenda të cilëve përfshihet edhe kontributi kryesor i tyre për institucionin, si dhe foto të përzgjedhura qysh nga Kongresi i parë më 1923 deri në organizimet me rastin e 100 vjetorit të institucionit.
Hulumtimet për këtë libër kanë qenë të përqendruara te fondi i Komunitetit Mysliman, pranë Arkivit Qendror të Shtetit, fond i përbërë prej 500.000 dokumenteve autentikë që nga viti 1911 deri më 1967, i cili është dixhitalizuar nga KMSH në vitin 2018, hulumtimet janë fokusuar gjithashtu tek arkivi i brendshëm i KMSH-së në qendër, te arkivi i gazetës dhe i revistave periodike të tij “Zani i Naltë” dhe “Drita Islame”, te fototeka e KMSH-së, te fototeka Marubi, te libri “Rrugëtimi i fesë islame 1912 – 1967”, i autorit Ali Basha, te libri “Një jetë në shërbim të fesë”, i autorëve Faik Luli – Islam Dizdari, si dhe Librat e Aktiviteteve 2010 – 2022 të Komunitetit Mysliman, botime të KMSH-së, etj.