Ajeti Kuranor “Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit”[1], u vë një përgjegjësi dhe një detyrë atyre që besojnë. Kjo përgjegjësi është t’u tregojnë njerëzve të mirat dhe të këqijat që përcaktohen nga vetë Allahu i Plotfuqishëm, ose nga profetët në përputhje me shpalljen e Tij, ose nga njerëz me kualifikime të caktuara duke u mbështetur te Kur’ani dhe tradita profetike si dy burime kryesore. Kjo është detyra më e nderuar dhe më e çmuar në sipërfaqen e tokës. Nëse do të kishte ndonjë detyrë më të rëndësishme dhe më me vlerë sesa kjo, Allahu do t’ia ngarkonte njerëzve më të zgjedhur të Tij, Profetëve, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi ta.
Profeti Muhamed (a.s.) me t’u shpërngulur në Medine vuri themelet e një shoqërie të re. Ai përpiqej që t’i forconte lidhjet e kësaj shoqërie bazuar në dashuri dhe vëllazëri. Nga njëra anë ai u sugjeronte shokëve të tij sjellje që do t’i përmirësonin marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe, nga ana tjetër ndalonte fjalët e veprat që dëmtonin unitetin shoqëror. Edhe nga ata kërkonte po aq ndjeshmëri, që të kujdeseshin për njëri-tjetrin, i mësonte që ta nxisin vëllain në fe për të mirën e të bukurën dhe ta largojnë njëri-tjetrin nga e keqja dhe e shëmtuara.
Në terminologjinë fetare islame, “ftesë” (davet) do të thotë thirrje për në Islam, thirrje drejtuar njerëzve për t’i pranuar parimet jetëdhënëse të Islamit. Në Kuran, njerëzit ftohen për të besuar, për të hyrë në islam, për të hyrë në rrugën e Allahut, për ta njohur dhe pranuar Librin e Allahut, për te e vërteta, e drejta dhe shpëtimi. Prandaj, ftesa mund t’u drejtohet edhe atyre që ende se kanë pranuar islamin, por edhe myslimanëve që kanë shkëputur lidhjet e tyre me përditshmërinë islame. Ftesa në islam vlen për të gjitha çështjet që trajton islami. Njoftimi i të gjithë njerëzimit për të gjitha parimet e sjella nga islami, si në punët e kësaj bote, ashtu dhe të botës tjetër, përfshihet në përmbajtjen e ftesës.
Si term fetar, “kumtim” (teblig) do të thotë përcjellje te njerëzit e urdhrave dhe ndalimeve të Allahut, e të gjithë të vërtetave të deklaruara prej Tij, ashtu siç i ka deklaruar dhe ashtu siç kërkon Ai. Meqenëse kumtimi është njoftimi i urdhrit të Allahut për të gjithë njerëzimin, është edhe fjala më e bukur e të gjitha fjalëve të thëna në botë. Në librin tonë të shenjtë, në lidhje me rëndësinë e kumtimit thuhet kështu: “E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: Unë, me të vërtetë jam mysliman.”[2]
Duke iu bindur këtij urdhri, myslimanët, duke filluar nga Shekulli i Lumtur, e kanë pranuar ftesën si një përgjegjësi dhe janë përpjekur ta realizojnë këtë përgjegjësi me fjalë dhe në praktikë. Detyra më e madhe që la Profeti Muhamed (a.s.) si trashëgim, është kumtimi. Ky hadith i Profetit parashtron se ftesa e njerëzve për te e mira dhe pengimi i tyre nga e keqja bart një rëndësi të madhe për shoqërinë: “Kush nga ju sheh një të keqe, ta rregullojë me dorë; po të mos ketë mundësi, ta rregullojë me gojë dhe, po të mos ketë mundësi as për këtë, ta përbuzë me zemër, gjë që është forma më e dobët e besimit!”[3]
Një hadith tjetër në lidhje me këtë çështje, Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë kështu: “Betohem në Allahun që ma ka dhuruar jetën se ju ose do të urdhëroni për të mirë e do të pengoni të keqen, ose Allahu do të dërgojë mbi ju një ndëshkim. Atëherë do të luteni, por lutja nuk do t’ju pranohet!”[4]
Gjatë hutbes së tij të lamtumirës, duke u folur të pranishmëve, Profeti Muhamed (a.s.) i pati pyetur shpesh nëse e kishte kryer detyrën e kumtimit dhe, pasi mori prej tyre miratim, në fund të hutbes i kishte kërkuar Allahut të ishte dëshmitar i miratimit të të pranishmëve. Kështu, Profeti pati përjetuar kënaqësinë dhe qetësinë e zbatimit të kësaj detyre të shenjtë!
Profeti kërkon që këtë detyrë që ai e kreu gjatë një jete të tërë, ta vazhdojë edhe umeti, bashkësia e tij. Duke u shprehur, “çojuni njerëzve prej meje qoftë edhe një fjali”[5], ai ka treguar se kumtimi është i domosdoshëm kurdoherë dhe se kjo është një përgjegjësi me një rëndësi shumë të madhe. Nga kjo lutje e bukur e bërë për ta, kuptojmë se sa i ka dashur Profeti ynë njerëzit që janë përpjekur për t’i përçuar te çdo njeri të drejtën dhe të vërtetën: “Allahu ia zbardhtë faqen atij që dëgjon një gjë prej nesh dhe ua përcjell të tjerëve siç e ka dëgjuar!”[6]
Mundimet, torturat, padrejtësitë dhe fyerjet nuk e patën lënë prapa Profetin në detyrën e kumtimit. Me anë të Ebu Talibit, politeistët i patën dërguar fjalë Profetit duke i kërkuar që të hiqte dorë nga kauza e tij. Atëherë Profeti i pati dhënë të xhaxhait këtë përgjigje historike që tregonte vendosmërinë dhe zellin e tij në lidhje me këtë çështje: “O xhaxhai im! Vallahi, edhe sikur të m’i vënë diellin mbi dorën e djathtë dhe hënën mbi të majtën për të hequr dorë nga kumtimi i fesë së Allahut, unë prapë nuk heq dorë nga kjo kauzë! Ose Allahu do ta përhapë atë në të gjithë botën dhe detyra ime do të plotësohet, ose unë do të vdes në këtë rrugë!” Sytë iu mbushën me lot dhe qau![7] Ja, me këtë besim të fuqishëm vepronte Profeti ynë (a.s.) dhe shpenzonte të gjitha forcat që njerëzit të bëheshin myslimanë.
Në fushatën e Nahles, Abdullah bin Xhahsh pati zënë disa robër. Mes tyre ndodhej Hakem b. Kejsan. Profeti e ftoi Hakemin në islam. Ai i foli atij për islamin gjerë e gjatë. la përsëriti disa herë me qëllim që t’ia hiqte dyshimet. I nxehur që, me gjithë përpjekjet e mëdha të Profetit, Hakemi nuk u bë mysliman, Hz. Omeri i tha Profetit:
“O i Dërguari i Allahut! Pse vazhdon të merresh ende me të? Vallahi, ai kurrë s’ka për t’u bërë mysliman! Më lejo t’ia këpus kokën e të shkojë mu te e ëma në Xhehenem!”
Por Profeti nuk ia dëgjoi fjalën Hz. Omerit. Ai vazhdoi t’i fliste Hakem b. Kejsanit për islamin. Erdhi një çast që Hakemi e pyeti: Ç’është islami? Profeti i tha: “Ta adhurosh Allahun duke mos e barazuar asgjë tjetër me Të dhe të dëshmosh se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij!”[8]
Hakem b. Kejsani tha: “U bëra mysliman!” Atëherë, duke u kthyer nga shokët, Profeti u tha: “Po qe se pak më parë unë do të kisha lejuar të vritej siç thoshit ju, ky do të kishte përfunduar në Xhehenem!”
Në etapën e fundit të veprimtarisë së tij kumtuese, Profeti ngriti një shtet që do ta bartte veprimtarinë kumtuese në popuj të tjerë dhe do ta mbante në këmbë pushtetin e Islamit. Me cilësitë e përfaqësuesit të Allahut e të kryetarit të shtetit islam, Profeti u dërgoi letra ftese sundimtarëve të shteteve fqinje, duke filluar, kështu, veprimtaritë kumtuese të përbotshme që do të zhvilloheshin e zgjeroheshin me shpejtësi në shekujt pasardhës.
Po të shqyrtohen me kujdes veprimtaritë ftuese e kumtuese të Hz. Muhamedit (s.a.s.) shihet lehtë se cilët janë faktorët themelorë që kanë siguruar suksesin e tij në ftesë. Në krye të tyre vijnë besimi i tij plotësisht i sinqertë te feja te e cila ftonte dhe zbatimi i parimeve të saj me të gjitha hollësitë në jetën e vet.
Veç kësaj, fakti që Profeti u jepte vlerë bashkëbiseduesve dhe bashkëpunëtorëve, që tregonte vëmendje për ndjenjat, kërkesat dhe veçoritë e tyre individuale, që në pikat e përbashkëta vepronte duke u nisur nga parimi i afrimit dhe bashkimit, që parapëlqente mëshirën dhe dhembshurinë ndaj zemërimit, urrejtjes dhe armiqësisë, patën kontribuar shumë për suksesin e tij në ftesë.
Profeti pati organizuar mbledhje për ta parashtruar ftesën e tij kudo ku njerëzit ndodheshin të grumbulluar, si në treg, në tregje e panaire të organizuara. Duhet theksuar se ai kurrë nuk u pati shtuar faktorëve që i patën dhënë sukses, interesat dhe dëshirat vetjake. Prandaj, ftesa islame është shmangur nga të qenit një lëvizje e organizuar që bart prapaqëllime politike dhe ekonomike.
Linjat kryesore të metodës së ftesës që do të ndiqte Hz. Muhamedi (a.s.) gjatë kryerjes së detyrës së kumtimit, qenë përcaktuar prej Allahut: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!”[9]
Themelin dhe bazën e detyrës kumtuese të Profetit tonë (a.s.) e përbën personaliteti i tij i përsosur, personaliteti i një profeti të drejtë në të gjitha aspektet, i sinqertë dhe larg dobësive për popullaritet dhe famë! Ky Profet u ka thënë kështu njerëzve të cilëve u ka kumtuar urdhrat e Allahut: “Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë pagesë për këtë punë. Shpërblimi im i përket Allahut, Zotit të botëve!”[10]
Synimi i Profetit ka qenë pëlqimi i Allahut, prandaj numri i dëgjuesve nuk ka përbërë për të një ndryshim të rëndësishëm. Kështu, biseda që ka bërë me Muadh b. Xhebelin (r.a.) gjatë një udhëtimi të përbashkët, me bisedën e bërë në Arafat para më se 100.000 vetëve, nuk kanë asnjë ndryshim në afërsi dhe sinqeritet. Në të dyja bisedat ai e pati tërhequr në mënyrë të mjaftueshme vëmendjen e dëgjuesve.
Gjithashtu, në ajetin “A mos do ta shkatërrosh ti veten (Muhamed) pse ata nuk bëhen besimtarë?!”[11], tregohet qartë se sa ishte i lidhur Profeti me detyrën e tij dhe se sa e pati dëshiruar orientimin e njerëzve në rrugën e drejtë! Lusim Allahun e Lartësuar të na mundësojë që këtë detyrë të bekuar ta kemi praktikë gjatë gjithë jetës sonë.
Dorian Demetja
[1] Al-i Imran, 3:104
[2] Fussilet, 41:33.
[3] Muslim, Iman, 78.
[4] Tirmidhi, Fiten, 9.
[5] Buhari, Enbija, 50
[6] Tirmidhi, Ilm, 7.
[7] Ibnu’l-Esir, el-Kamil fi’t-Tarih, II, 64.
[8] Ibni Sa’d, Tabakat, IV, 137-138.
[9] Nahl, 16:125
[10] Shuara, 26:164
[11] Shuara, 26:3