Prej tefsirit të Muhammed Hamdi Yazır, Hak dini Kur’an dili (Feja e drejtë, fjala e Kur’anit):
“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (Bekare 2: 183)
Agjërimi është një nga shtyllat më të mëdha të fesë tonë dhe një nga ligjet më të fuqishme të Legjislacionit Islam. Nefsi (e kundërta e ndërgjegjes) që urdhëron vazhdimisht të keqen (en-nefs el-emmare bi es-su’) mund të edukohet me këtë xhihad[1] dhe dëshira e shfrenuar ndaj të keqes mund të qetësohet në këtë formë. Agjërimi, kjo vepër e zemrës, është një xhihad i shenjtë, i cili formohet nga mbajtja e nefsit larg dëshirave trupore si ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime përgjatë një orari të caktuar ditës. Është një nga adhurimet më të bukur, me anë të të cilit merr shijen e jetës dhe kupton vlerën e vullnetit. Por nefsit të njeriut, i duket si vepra më e vështirë ndër urdhëresave hyjnore. Për këtë arsye, urtësia hyjnore ka dashur që urdhëresat adhurimore t’i nisë nga më i lehti, që është namazi, pastaj ai i mesmi, që është zekati dhe në radhë të tretë ka urdhëruar agjërimin, që është më i vështiri mes të treve. Në këtë formë, personat përgjegjës fetarisht i ka njohur dalëngadalë me adhurimet e detyrueshme.
Për këtë arsye, edhe në ajetin “…të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset (lëmoshëdhënësit dhe lëmoshëdhënëset), agjëruesit dhe agjërueset…” (Ahzab 33: 35) gjatë lëvdatave është ruajtur e njëjta radhitje. Gjithashtu në hadithin ku përmenden shtyllat e Islamit, është ruajtur e njëjta radhitje duke thënë: “Dëshmia, namazi, zekati, agjërimi i ramazanit dhe haxhi”[2].
Në periudhën e parë pas hixhretit të Profetit a.s. në Medine, i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, kishte urdhëruar si nafile agjërimin e tre ditëve në muaj dhe të ditës së ashures. Ky quhet agjërimi i parë. Agjërimi i muajit ramazan është bërë farz një vit e gjysëm pas hixhretit, pas ndryshimit të kibles, në 10 shaban.
Megjithase disa dijetarë janë të mendimit që ajeti i mësipërm ka ardhur në lidhje me agjërimin e parë dhe që është shfuqizuar me zbritjen e ajetit të agjërimit të ramazanit, mendimi më i drejtë është që ajetet ku përmendet agjërimi, kanë qenë gjithmonë në lidhje me muajin ramazan. Pra, “O ju që keni qenë përgjegjës për besim dhe që keni besuar! O besimtarë me zhvillim mendor normal dhe që keni arritur në moshën e pjekurisë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar profetëve para jush dhe umeteve të tyre”. Prandaj, mos u mërzisni duke menduar se barra e agjërimit ju është ngarkuar vetëm juve. Agjërimi është një urdhër hyjnor që ka qenë praktikuar që prej kohëve të hershme. Njerëzimi ka shumë nevojë për të në aspektin e edukimit dhe rregullsisë, dhe prej tij përfiton dobi të panumërta.
Fjalët “sijam” dhe “saum” kanë kuptimin e agjërimit. Në leksik “sijam” do të thotë të privosh veten nga diçka, qoftë edhe një fjalë. Në ajetin “Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sotnuk do të flas me askënd.” (Merjem 29: 26) është përdorur në kuptimin e privimit prej fjalës.
Sipas ajeteve dhe traditës profetike, kuptimi i agjërimit në jurisprudencën islame është kështu: “Të ndalosh veten nga dëshirat më të mëdha të nefsit, që janë gjithashtu edhe disa prej nevojave me të domosdoshme trupore, si ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime”. Nëse do ta përkufizonim teknikisht mund të themi kështu: “Privimi prej ngrënies, pirjes dhe marrëdhënieve intime, që një person përgjegjës i bën vetes, duke nisur nga agimi deri në perëndim të diellit me qëllim adhurimi”. Në këtë aspekt, nëse diçka hyn në trupin e njeriut edhe me ndonjë rrugë tjetër përveç gojës ose hundës, p.sh., me shiringë, agjërimi prishet.
“E pra o besimtarë! Juve ju është bërë farz agjërimi” në mënyrë që të mbroni veten tuaj. Me anë të agjërimit do të mësoni që t’i bëni ballë nefsit dhe kërkesave të tij. Kështu do të ruheni prej mëkateve dhe do të keni mundësinë të arrini gradat e devotshmërisë.
Sepse agjërimi thyen epshin dhe mund dëshirat e nefsit. Ndalon nga tepricat dhe veprat negative. Shijet e ulëta të dynjasë, dëshirat për post e për të qenë sa më lart, i tregon të vogla, të jep shijen e vërtetë të jetës, shton lidhjen e zemrës me Allahun dhe agjëruesit i dhuron një kënaqësi e pastërti engjëllore. Sepse, duke u bazuar edhe në një fjalë të moçme ku thuhet “Njeriu vrapon për dy zbrazëtitë, stomakun dhe organin gjenital”[3], ato që i hapin më tepër probleme njerëzve janë epshi i stomakut dhe i organit gjenital. Të jesh njeri do të thotë t’i dalësh për zot këtyre dy epsheve.
Agjërimi në krye thyen këto dy elemente dhe u jep atyre njëfarë rregullsie. Veprat që ato ia imponojnë njeriut sikur të ishin nevoja esenciale, agjërimi i kthen në të varura nga dëshira e vullneti i tij. Personat që nuk agjërojnë, duke mos i dalë për zot arsyes dhe vullnetit të tyre, kthehen në kuklla të këtyre dëshirave trupore, dominohen prej tyre dhe jeta u kalon në detin e mëkateve. Kurse personat që agjërojnë, janë dominues mbi elementët e lartëpërmendur. Ata dinë ta përmbajë veten dhe t’i përdorin dëshirat e nefsit sipas nevojës. Për këtë arsye, Profeti, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, personave që nuk e kontrollojnë dot nefsin e tyre i këshillon agjërimin[4].
Kush nuk agjëron, nuk di të durojë. Ai nuk di as ta përdorë nefsin aty ku duhet. Sidomos personat që jetojnë në bollëk dhe mirëqënie, nëse nuk agjërojnë, të gjithë lirinë ia ozurpojnë dëshirat trupore. Nuk e ndalojnë dot veten nga dhunimi i dëlirësisë apo pasurisë së të tjerëve. Nuk e dallojnë dot hallallin nga harami. Madje hidhen në këto poshtërsira pa dëshirën e ndërgjegjes. Si rezultat, shkelin edhe të drejtat e nefsit, dhe e konsumojnë veten në të kundërt të asaj që kërkon arsyeja dhe ndërgjegja, feja dhe besimi.
Personave që e kanë shfrenuar veten, patjetër që agjërimi do t’i duket si tepër i vështirë dhe i parealizueshëm. Në fakt ai është një edukim moral, ashtu siç është edhe një edukim fizik si një pushim i domosdoshëm për stomakun tonë nga aspekti mjekësor.
Por, përveç gjithë këtyre dobive, që janë si individuale, ashtu dhe shoqërore, nuk duhet të harrojmë që urtësia kryesore e përcaktimit si detyrim të agjërimit, është të bësh xhihad me nefsin për të arritur në shijimine robërisë ndaj Krijuesit duke iu bindur urdhërave të Tij, për të fuqizuar sinqeritetin duke u pastruar nga çdo shenjë e hipokrizisë dhe për t’ia dorëzuar veten mbrojtjes hyjnore.
Pikërisht në lidhje me këtë, në një hadith kudsi thuhet: “Agjërimi është për Mua. Shpërblimin e tij vetëm Unë mund ta jap”[5]. Kështu, fjalia “që të mund të ruheni nga të këqijat”, është shprehje hyjnore, e cila cilëson me të gjithë gjerësinë e mundshme urtësitë dhe dobitë, shkaqet dhe qëllimet e agjërimit. Të gjitha këto qëllime shpirtërore e materiale, fetare e tokësore, janë të grumbulluara në shprehjen “që të mund të ruheni”.
Ja pra, agjërimi, që duket si një adhurim tepër i vështirë, është një adhurim kaq i bukur e i dobishëm.
Elton Karaj
[1] Përpjekja e njeriut për të dalë i fituar ndaj anës së tij të brendshme negative.
[2]Buhari, Iman, 1,3; Muslim, 19-22; Tirmidhi, Iman, 3; Nesai, Iman, 13.
[3]Ez-Zemahsheri, Esâsu el-Belaga, 458; ez-Zebidi, Tuxh el-Arus, III. 458.
[4]Buhari, Saum, 10; Nikah, 2,3; Muslim, Nikah, 1; Nesai, Sijam, 43; Ibn Maxhe, Nikah, I; Darimî, Nikah, 2.
[5]Buhari, Saum, 9; Muslim Sijam, 160,162,164; Tirmidhi, Sijam. 54; Nesai,Sijam, 41, Ibn Maxhe, Edeb, 58,Sijam, 1; Muvatta, Sijam, 58; Ahmed b. Hanbel, I, 446, II, 232,234.














