Transmetohet nga Mugire: Profeti (a.s.) ka qëndruar aq gjatë duke falur namaz, derisa i janë enjtur këmbët dhe Aishja i tha: Allahu t’i ka falur gabimet e kaluara dhe të ardhshmet, pse e bën këtë? Ai është përgjigjur: “A nuk duhet të jem një rob falenderues”[1]?!
Jeta dhe gjithçka që i ka dhënë Zoti njeriut në këtë botë është amanet. Dhe njeriu këtë amanet duhet ta çojë në vendin e vet duke u bërë rob i Zotit në kuptimin e plotë të fjalës. Për këtë arsye njeriu duhet të përpiqet gjatë gjithë jetës së vet për t’u bërë një besimtar i denjë për Krijuesin e tij. Një ndër elementët që duhet ta shoqërojë njeriun në rrugëtimin e tij për t’iu afruar Zotit, është të jetë mirënjohës dhe falenderues. Jo më kot në hadithin e lartëpërmendur Profeti e shpreh në mënyrën më të bukur rëndësinë e falenderimit. Ndërsa në suren e dytë të Kur’anit Allahu (xh.sh.) urdhëron e thotë: “Pra, më kujtoni Mua (me adhurime) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime), më falenderoni e mos më mohoni”[2]. Dijetarët myslimanë e kanë grupuar konceptin e falenderimit në tri çështje:
- a) Çështja e parë është të dihet dhe të kuptohet mirë që të gjitha begatitë vijnë prej Allahut dhe vetëm me lejen e dëshirën e Tij. Të gjithë faktorët si njerëzit, vendi, rrethanat, dukuritë natyrore etj., janë vetëm shkaqe që kjo begati të mbërrijë në destinacionin e vet. Transmetohet se Hz. Musa (a.s.) ka thënë: O Zot, si mundi Ademi të japë falenderimin e asaj që bëre për të? E krijove me fuqinë Tënde, fryve në të prej shpirtit Tënd, e vure atë të banojë në xhenetin Tënd, urdhërove engjujt që t’i bënin sexhde. Allahu iu përgjigj: O Musa, ai e kuptoi se kjo është prej Meje dhe më falenderoi. Dhe ky ishte falenderimi për atë që i bëra.
- b) Çështja e dytë është që ta shohim këtë begati si mjet, i cili do të na afrojë më shumë me Allahun. Në këtë mënyrë kjo do të shërbejë që të jemi më të përkushtuar ndaj Zotit. Ebu Xhild transmeton: Kam lexuar për Musain (a.s.) se ai i është drejtuar Allahut: O Zot, si mund të të falenderoj Ty, kur mirësinë më të vogël që më ke dhënë nuk arrin ta shlyejë dhe ta shpërblejë e gjithë puna ime?! Atij i erdhi shpallja: O Musa, tani më falenderove Mua.
- c) Çështja e tretë është që të veprosh me zemër, fjalë dhe fizikisht duke iu bindur urdhrave të Zotit e duke iu larguar rrebelimit. Profeti (a.s.) pyet një njeri, si u gdhive? Mirë, i përgjigjet ai. Profeti (a.s.) e përsërit pyetjen dhe merr të njëjtën përgjigje. Kur të njëjtën pyetje Profeti e përsërit për herë të tretë, ai i përgjigjet: Falenderoj Zotin jam mirë. Profeti (a.s.) i tha: Këtë përgjigje prisja prej teje, prandaj e përsërita pyetjen.
Falenderimi që i bëhet Zotit të botërave në namaz është më i miri, sepse namazi përfshin të gjitha llojet e falenderimeve. Çdo pasuri mbi dhe nën sipërfaqen e tokës është krijuar nga Allahu i Lartmadhëruar për t’i shërbyer njeriut dhe jetësës së tij në tokë. Për të gjitha këto dhe të tjera duhet të falenderojmë Krijuesin tonë që megjithëse mëkatojmë, Ai vazhdimisht nuk e kursen ndihmën dhe begatitë e Veta për ne. Sa herë që Allahu e begaton një njeri me mirësi dhe ai e falenderon për këtë, falenderimi i tij është më i mirë se mirësia. Jo më kot në Kur’an thuhet: “Ne i patëm dhënë Daudit dhe Sulejmanit dituri dhe ata të dy thanë: Falenderojmë vetëm Allahun që na dalloi (me të mira) mbi shumë robër të Tij besimtarë”[3]. Nëse Allahu i jep sukses njeriut për të falenderuar begatitë e Tij të kësaj bote, kjo mirësi është më e mirë dhe më e dashur te Zoti se begatitë. Sepse begatitë e kësaj bote nëse nuk shoqërohen me falenderim, atëherë janë bela dhe sprovë për njeriun. Nga ana tjetër mirënjohja që tregon robi i shton më tepër begatitë dhe mohimi tyre ndëshkohet nga Zoti. “Dhe (kujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: Nëse falenderoni do t’ju shtoj të mirat, nëse përbuzni, s’ka dyshim dënimi Im është i vështirë”[4].
Njëkohësisht duhet t’u jemi mirënjohës e t’i falenderojmë edhe njerëzit kur ata bëhen sebep për mirë, sepse në këtë mënyrë tregojmë moralin e bukur të fesë sonë që përfaqësojmë. Duke vepruar në këtë mënyrë kënaqim Krijuesin tonë, në të kundërt nuk kemi falenderuar edhe Atë. Kështu shprehet Profeti ynë në fjalën e tij kur thotë: “Kush nuk falenderon njerëzit nuk falenderon Zotin”[5].
Dorian Demetja
[1] Buhari, Muslim, Tirmidhi, Nesai, Ibn Maxhe
[2] Bekare, 152
[3] Neml, 15
[4] Ibrahim, 7
[5] Ahmed