بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ
إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ (1) فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ (2) إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ الْأَبْتَرُ (3)
Shqipërimi:
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
- Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira,
- andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!
- Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë.
Kjo sure, e cila ka zbritur në Meke, në periudhën e parë të Shpalljes Hyjnore, është surja më e shkurtër e Kuranit. Në të, tregohen mirësitë e mëdha, të cilat Allahu ia bëri të mundur të Dërguarit të Tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).
Shkaku i zbritjes së sures
Transmetimet, më së shumti, pohojnë se kjo sure ka zbritur për shkak të fjalëve fyese që mohuesit përdorën ndaj të Dërguarit të Allahut, duke i thënë atij “ebter” (të është shuar fara, soji). Ndërsa për sa i përket vetë personit, i cili e ka thënë këtë fjalë dhe mënyrës së thënë, rreth kësaj çështjeje ka transmetime të ndryshme. Transmetimi më i hasur është: El-‘As bin Uail, një ditë, thotë: “E urrej Muhamedin. E kush ka urrejtje për dikë, këtij të fundit i shuhet soji”. Në një transmetim tjetër thuhet se, Ukbe bin Ebi Muajt të ketë thënë për të Dërguarin e Allahut: “Ai nuk ka djalë. Kështu që fara e tij është e shuar (ebter)”.
Në një transmetim tjetër, i cili përcillet nga Ibn Abasi (r.a.), thuhet: “Fëmija më i madh i të Dërguarit të Allahut ishte Kasemi. E dyta, Zejnebja. I treti, Abdullahu. Më pas Umu Kulthum. Më pas Fatimja dhe e fundit Rukija. Kasemi (paqja qoftë mbi të), ndërroi jetë i pari në qytetin e Mekës. Pas kësaj ndodhie, El-‘As bin Uail, tha: “U shua soji i Tij. Ai është ‘ebter’.” Pas kësaj, Allahu i Lartë zbriti ajetin: “Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë.”.
Disa transmetues të tjerë, përcjellin një ngjarje tjetër ku thonë se, kur djali i të Dërguarit të Allahut ndërroi jetë, armiqtë e tij flisnin me njëri-tjetrin duke thënë: “Muhamedit sonte iu shua soji (ebter)”. Pas kësaj, Allahu (xh.sh.) zbriti suren Keuther.
I vetmi transmetim, i cili tregon se kjo sure mund të ketë zbritur në Medine, është transmetimi që flet rreth vdekjes së Ibrahimit (paqja qoftë mbi të). Ndërsa, të gjitha transmetimet e tjera flasin rreth ngjarjeve të ndodhura në Meke dhe vërtetojnë se kjo sure ka zbritur në Meke. Mendimi i dytë është ai më i përhapuri mes dijetarëve.
Ajo që kuptohet nga këto transmetime është se, mohuesit, duke përdorur fjalën “ebter”, nënkuptojnë se të Dërguarit të Allahut i është shuar vazhdueshmëria e trungut familjar dhe njëkohësisht, as profetësinë nuk do ta trashëgojë dot. Si duket, këto fjalë do ta kenë rënduar shumë të Dërguarin e Allahut e, për këtë arsye, Allahu i Lartë i ka zbritur suren Keuther. Në këtë sure, Ai (xh.xh.), i thotë të Dërguarit të Tij se me dhënien e profecisë, Ai (xh.xh.) i ka dhuruar shumë të mira, saqë emri i tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), do të përmendet përgjithmonë. Gjithashtu, i rikujton se ata që e urrejnë të Dërguarin e Tij, në fakt janë pikërisht ata që u është shuar soji. Në fund, Allahu (xh.sh.) e urdhëron të Dërguarit të Tij që të falë namaz dhe të therë kurban për Të, si shenjë falënderimi ndaj mirësive që Allahu i ka dhuruar.
Kjo sure, krahas numrit të paktë e të shkurtër të ajeteve që ka, brendia e saj është si një plotësuese për të gjitha suret e tjera paraardhëse dhe si një gurë-themel për suret e tjera që vijnë pas saj. Në veçanti, me suren Maun, ajo ka një lidhje shumë të fortë kuptimore me fenomenet negative, të cilat trajtohen në suren Maun dhe me ato pozitivet të trajtuara në suren Keuther. Për shembull:
- Në suren Maun flitet rreth veçorive të mohuesve dhe mosbesimtarëve, ndër të cilat është edhe përgënjeshtrimi i jetës tjetër (Ahiretit). Ndërsa në suren Keuther, flitet rreth besimit në jetën tjetër.
- Në suren Maun flitet rreth një tjetër veçorie të mohuesve e cila është koprracia dhe jo-njerëzorja. Ndërsa në suren Keuther flitet rreth cilësive pozitive si lëmosha, ndihma, bamirësia. Nënkuptime të cilat rrjedhin nga fjala “Keuther”.
- Në suren Maun, flitet rreth një cilësie tjetër negative të mohueseve, mosbesimtarëve dhe hipokritëve e cila është të falurit namaz për t’u dukur. Ndërsa në suren Keuther, tregohet cilësia e mirë e besimtarëve e cila është falja e namazit, pra kryerja e adhurimeve vetëm për Zotin. Kjo kuptohet qartë nga fjala “Li-Rabbike” (për Zotin tënd).
- Në suren Maun flitet rreth koprracisë së mohuesve, qoftë kjo edhe për gjërat më të vogla. Ndërsa në suren Keuther, flitet rreth bamirësisë dhe lëmoshës duke therur kurban.
TEFSIRI
إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ
- Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira
Ky ajet i drejtohet të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Me fjalën “Ne të kemi dhënë Ty” nënkuptohet madhështia e Allahut të Lartë. Ashtu siç tregon Madhështinë e Dhuruesit, kjo fjalë tregon edhe madhështinë e asaj që dhurohet, pra Keutherit. Allahu (xh.sh.) në vend të përdorimit të kohës së ardhme “Ne do të japim ty Keutherin (shumë të mira)”, ka përdorur kohën e kryer të thjeshtë, duke treguar kështu një veprim, kryerja e të cilit ka marrë fund dhe do të dhurohet patjetër, pra “Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira”.
الْكَوْثَرَ Keuther: Origjina e kësaj fjale është “kethijr” e cila ka kuptimin, shumë, në nivel ekstrem, sa më shumë, me tepri. Një kuptim tjetër i kësaj fjale është: Emri i një lumi në Xhenet prej të cilit degëzohen të gjithë përrenjtë e tjerë. Sipas disa gjuhëtarëve, ka edhe kuptimin, shumë të mira ose shumë mirësi. Këtu nënkuptohet Kurani, ndërmjetësimi, dituria, e shumë cilësi të tjera të mira.
Për sa i përket kuptimit më specifik të kësaj fjale, duhet të parashtrojmë mendimet që kanë dijetarët e shkencës së interpretimit të Kuranit. Rreth komentimit të kësaj fjale, kemi hasur rreth njëzetë e gjashtë mendime të ndryshme. Më poshtë, do të përmendim disa që janë më të rëndësishmet dhe më të përdorurat ndër to.
E para: Kuptimi më i lëvruar mes librave të interpretimit të Kuranit, rreth fjalës Keuther është lumë në Xhenet. Ky kuptim është përftuar nga një hadith i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) ku thotë: “Keutheri, është një lumë të cilin Allahu ma ka dhuruar mua në Xhenet.”[1] Në një transmetim tjetër, thuhet: “(Keutheri) është një luginë e madhe, në të cilën gjinden shumë mirësi. Bashkësia ime do të pijë prej këtij uji. Numri i tasave do të jetë sa numri i yjeve. Aty do të ketë edhe njerëz të cilët do të hidhen brenda. Unë do të them: ‘O Zoti im! Ata janë prej popullit tim.’ (Do të më thuhet): ‘Ti nuk e din se ç’kanë bërë ata pas teje’.”[2] Në këtë hadith, fjala Keuther është përdorur në kuptimin e shumë të mirave por duke pasur në epiqendër kuptimin e kësaj fjale si lumë në Xhenet. Për sa i përket veçorive të këtij lumi, këtë na e sqaron një hadith tjetër, ku thotë: “Brigjet e tij janë të rrethuara me perla në formë kubesh. Lumi kundërmon një aromë shumë të mirë misku. Është më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël se mjalti. Gjatësia dhe gjerësia e tij janë sa hapësira e lindjes me perëndimin, ndërsa thellësia, është në një hark kohor prej shtatëdhjetë mijë vitesh. Kush do të pijë nga ky ujë, nuk do të ketë më etje asnjëherë. Kush do të marrë abdes prej këtij uji, nuk do ta gjejë asgjë e keqe. Kush e thyen besën që më ka dhënë mua dhe kush vret një prej prestarëve të ehli-Bejtit (pasardhësve të Mi), nuk ka për pirë asnjëherë prej këtij uji.”[3]
Hadithet rreth hauzit (lumit-vendgrumbullimit të ujërave) të Keutherit, janë transmetuar me miratim të gjerë. Duke u bazuar në këto transmetime, dijetarët e fushës së besimit janë të mendimit se besimi në ekzistencën e këtij burimi është vaxhib (i domosdoshëm). Edhe pse nuk ka diskutim se Keutheri i është dhënë të Dërguarit të Allahut, (siç citohet në këtë sure), nuk mund të thuhet e njëjta gjë për sa i përket të qenët të tij një burim, lumë apo hauz, sepse të gjitha këto mendime mund të jenë të sakta, por nuk mund të jetë vaxhib (i domosdoshëm) besimi në llojin e tij. Kjo, për shkak se, ekzistojnë edhe mendime të tjera rreth specifikave të tij.
E dyta: Sipas mendimit të Ikrimes, ajo që nënkuptohet me fjalën Keuther, është vetë profetësia. Pasi me dhënien e profetësisë, atij (sal’la llahu alejhi ue selem) i ishin dhënë të mirat e kësaj bote e të jetës tjetër (Ahiretit).
E treta: Janë dijetarët e bashkësisë islame. Me të vërtetë që mirësia më e madhe janë dijetarët, sepse ata janë trashëgimtarët e diturisë dhe moralit profetik.
E katërta: Janë ndjekësit e shumtë të Dërguarit të Allahut. Allahu i ka dhënë një mirësi aq të madhe të Dërguarit të Tij, saqë më shumë se gjysma e banorëve të Xhenetit, transmetohet se do të jetë nga populli i të Dërguarit të fundit.
E pesta: Pasardhësit e shumtë të të Dërguarit të Allahut. Meqenëse kjo sure zbriti për shkak të fyerjes që bënë mohuesit ndaj shuarjes së familjes së të Dërguarit të Allahut, duke përdorur fjalën “ebter”, mund të mendohet se kuptimi i përshtatshëm i kësaj fjale është ky. Pra, një kundërpërgjigje se jo vetëm që nuk do të shuhet kurrë soji i tij, por ai do të ketë fëmijë, nipër dhe trashëgimtarë brez pas brezi. E në të vërtetë kështu ka ndodhur.
Megjithëse kësaj fjale i janë dhënë shumë kuptime të tilla të ndryshme, shumica e ekspertëve të interpretimit të Kuranit, i kanë dhënë kuptimin “shumë të mira”. Kjo, për shkak se edhe kuptimi bazë në fjalor, është ky. Po ashtu,është një kuptim shumë herë më i gjerë, i cili lë hapësira për më shumë nënkuptime dhe përfshin në të, të gjitha llojet e mirësive.
فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ
- Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban
E nuk kishte mënyrë tjetër më të mirë, për të çuar në vend falënderimin ndaj mirësive të pafund (keuther), vetëm se duke bërë atë çka urdhërohet nga ajeti.
Për Zotin tënd: Kjo pjesë e këtij verseti, do të thotë se atë që e bën, ta bësh me sinqeritet të plotë, vetëm e vetëm për hir të Zotit, Një, të Vetëm e të Pashoq. Për ta bërë akoma më të qartë mënyrën se si duhet të falet namazi, pas fjalës “falu” menjëherë është përdorur togfjalëshi “për Zotin tënd”.
Dhe ther kurban: Krahas namazit që fal, ther edhe kurban. Kjo, të jetë si një kundërveprim ndaj atyre që ngurojnë të japin edhe gjënë më të vogël. Ndërsa ti, ji i gatshëm që të therësh e të sakrifikosh diçka të çmueshme, të kushtueshme dhe me vlerë (deve, lopë, dele, dhi) vetëm për Zotin tënd. Ashtu siç e fal namazin vetëm për Allahun, po me këtë qëllim dhe ndjesi, të therësh edhe kurbanin. Pra, të dyja bëji me një qëllim të pastër dhe të sinqertë vetëm për Allahun (xh.sh.). Ashtu siç nuk mund të quhet më namaz, një namaz i falur jo për Allahun, po ashtu nuk quhet kurban diçka që nuk është therur për Allahun. Për më tepër, jo vetëm që nuk mund të konsiderohet kurban, por nëse ajo kafshë është therur në emër të dikujt tjetër, apo nuk është thënë “bismilah” në momentin e therjes, e bërë kjo me dijeni, atëherë ajo kafshë nuk është gjë tjetër vetëm se diçka e ngordhur dhe haram për t’u ngrënë.
Siç e shohim, në këtë ajet, vihet re një nxitje për seriozitet, përkushtim dhe vendosmëri në faljen e namazeve të detyrueshme dhe ato vullnetare. Akoma më tej, ky ajet sinjalizon për të mos u vetëmjaftuar për të shprehur falënderimin vetëm me namaz, por falënderimet të shprehen edhe duke bërë sakrifica materiale, siç është therja e kurbanit. E në fund, të gjitha llojet e adhurimeve, të kurorëzohen me: “Thuaj: ‘Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij’.”[4]
Disa dijetarë, thonë se në fjalën “falu” të këtij ajeti, nënkuptohet kryerja e pesë namazeve gjatë ditës. Disa të tjerë kuptojnë se këtu bëhet fjalë për faljen e namazit të kurban bajramit. Një mendim tjetër është edhe se këtu bëhet fjalë për faljen e namazit të kurban bajramit dhe pas faljes, therja e kurbanit. Megjithatë, nëse do ta analizojmë mirë rrjedhën e ngjarjes, ajeti sikur thotë kështu: “O i Dërguar! Zoti ty të ka dhënë aq shumë të mira, saqë ti tani fal namaz dhe bëj kurban për hir të Tij!”
Namazi i kurban bajramit dhe kurbani, u legjitimuan për umetin (bashkësinë e Profetit të fundit) në ditën e dhjetë të muajit Dhul-hixhe, në Medine. Mirëpo, obligueshmëria në zbatueshmërinë e namazit të bajramit dhe të therjes së kurbanit, nuk u urdhëruan nëpërmjet kësaj sureje, sepse kjo është sure e zbritur në Meke, por nëpërmjet praktikës së Profetit (s.a.s.). “Tre gjëra më janë bërë mua detyrim ndërsa umetit tim, jo. Ato janë: namazi i duhasë, therja e kurbanit dhe namazi i vitrit.”[5] Do të thotë se, disa gjëra që edhe pse të Dërguarit të Allahut i janë bërë detyrim, umetit të tij nuk i janë bërë të detyrueshme. Kështu që, edhe ato të cilat nënkuptohen prej fjalëve “falu” dhe “ther kurban” në këtë ajet, nuk janë të kategorisë së farzeve. Ato janë të kategorisë së vaxhibeve. Jo vetëm namazi i bajramit, por edhe therja e kurbanit, janë prej vaxhibeve. “Kush ka mundësi të mira ekonomike dhe nuk ther kurban, mos t’i afrohet xhematit tonë (bashkësisë sonë)”.[6] “Therni kurban në ditën e bajramit, sepse kjo është një traditë profetike prej babait tuaj Ibrahimit (paqja qoftë mbi të).”[7] Therja e kurbanit pas faljes së namazit të kurban bajramit, është praktikuar nga vetë i Dërguari i Allahut. Ky veprim i zbatuar nga ana e tij, nuk është bërë farz (detyrë) për umetin, por është synet i pabraktisur ndonjëherë prej Tij. Me kalimin e kohës, ky synet ka zënë një vend shumë të rëndësishëm në fe dhe në simbolet e saj, saqë herë-herë ka marrë edhe nuancat e një praktike afër farzit. Edhe pse një praktike të tillë nuk mund t’i thuhet farz, duke marrë shkas thënien e Profetit se: “Kush ka mundësi të mira ekonomike dhe nuk ther kurban, mos t’i afrohet xhematit tonë (bashkësisë sonë)”, medhhebi hanefi e ka stabilizuar këtë çështje duke e kategorizuar në nivelin e vaxhibit. Pavarësisht se, ka një argument të fshehur brenda ajetit, ky gjykim nuk kategorizohet në nivelin e farzit, por në atë të vaxhibit, dhe ky i fundit nuk është gjë tjetër vetëm se një përngjasim i farzit. Në hadithet profetike është sqaruar se kafshët që mund të theren për kurban, janë dashi, delja, dhia, lopa, viçi, deveja.
Zakonisht, në Kuran, kur flitet për namazin, menjëherë pas tij vjen zekati. Mirëpo, në këtë sure, pas namazit flitet për kurbanin për shkak të ngjashmërisë që kurbani ka me zekatin. Pra, në këtë sure të shkurtër, i është kushtuar vëmendje edhe nevojave të të varfërve e nevojtarëve, duke u gjendur pranë tyre me ndihma materiale, siç është edhe mishi i kurbanit.
Nëse do t’i bëjmë një përmbledhje të shkurtër atyre që u parashtruan deri më tani, mund të themi kështu: Falënderoje Zotin tënd për të mirat aq të shumta që të ka dhënë (keuther), duke kryer ndaj Tij adhurim trupor, pra duke falur namaz dhe duke kryer adhurim material, pra duke therur kurban për Të. Adhuroje Zotin me sinqeritet dhe me përkushtim, si shenjë falënderimi ndaj mirësive të Tij të panumërta që të ka dhuruar. Nëse je falënderues, Zoti nuk do t’i ndërpresë asnjëherë mirësitë e Tij ndaj teje.
Një besimtar, i cili lexon Kuran, duhet t’i mendojë dhe t’i përjetojë ajetet kuranore sikur po i zbresin atij. Në këtë linjë, duhet të nxjerrë këtë mësim: Të jetë falënderues për të gjitha mirësitë të cilat Allahu i ka dhënë atij deri më sot. Të mendojë rreth tyre dhe t’i shtojë falënderimet, duke falur sa më shumë namaz dhe duke therur sa më shumë kurbane për hir të Allahut të Lartësuar.
إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ الْأَبْتَرُ
- Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë
Sigurisht, ai që të urren ty: Kushdo që ka urrejtje ndaj teje, dhe ndjen në brendinë e tij dëshirë për hakmarrje, qoftë e pakët apo e shumtë, në të vërtetë “ai vetë është fatprerë”. Pra, atij që do t’i shuhet trungu, do t’i ndërpritet soji, do të shuhet, nuk do të jesh ti o Muhamed (s.a.s.), por ai që të urren ty. Ndërsa soji yt do të vazhdojë, e prej teje do të vijnë shumë njerëz, të cilët do t’u sjellin mirësi shoqërisë. Prej teje do të dalin shumë njerëz, të cilët do të jenë tregues për vazhdimin e sojit tënd. Edhe në jetën e pafundme (Ahiret), ti do të jesh prej të begatuarve, prej të shpërblyerve me shumë të mira.
(Ebter) Fatprerë: Kuptimi leksikor i fjalës “ebter” është të jesh i prerë, pa vazhdim. Ndërsa kuptimi terminologjik, është, shuarja e sojit. Mosvazhdimi i trungut familjar dhe mospasja e një trashëgimtari, pra mungesa e një trashëgimtari të hairit, të mirë.
Profeti Muhamed (s.a.s.) shprehet në një hadith: “Çdo punë e cila nuk fillon me (Bismilah) me emrin e Allahut, ajo punë është e shuar (ebter) që në krye”.[8] Pra nuk ka vazhdim, e nuk ka mirësi. Këto janë disa nga kuptimet e nxjerra prej një hadithi tjetër, në të cilin përmendet fjala “ebter”.
Kushdo që të thotë ty se të është shuar soji, për shkak se djali yt ndërroi jetë, ai është vetë soj-shuar. Me të vërtetë, kushdo që i ka thënë diçka të tillë të Dërguarit të Allahut, i është shuar soji. Ata, ose janë shuar fizikisht, pra nuk kanë pasur pasardhës, ose janë shuar shpirtërisht, pra emri i tyre është përmendur vetëm për keq dhe ashtu janë fshirë nga kujtimet e njerëzve. Askush nuk ka parë mirësi, qoftë edhe prej atyre që fizikisht u ka vazhduar soji, por që e kanë fyer të Dërguarin e Allahut në këtë formë.
Ata që e kanë akuzuar apo kanë dëshiruar për Profetin diçka të tillë, gjithmonë kanë pasur si arsyetim mospasjen e një djali nga ana e të Dërguarit të Allahut. Mirëpo kanë harruar se vazhdueshmëria e brezit, e sojit, është edhe nëpërmjet vajzës. Vajza, fëmijët e saj, më pas fëmijët e tyre, më pas fëmijët e tyre, e me radhë, janë të gjithë vazhdimi i sojit dhe i familjes së Profetit (s.a.s.). Sigurisht që, edhe fakti se djemtë e të Dërguarit të Allahut kanë ndërruar jetë që të vegjël dhe soji i tij ka vazhduar ndërmjet vajzës së tij, ka një urtësi. Ndër to, mund të jetë fakti se profetësia është mbyllur me të Dërguarin e fundit (s.a.s.). Profetit i janë dhënë edhe djem edhe vajza. Po ashtu, Allahu i ka mundësuar vazhdimin e sojit të tij nëpërmjet vajzës së tij. Mirëpo, profetësia i është dhënë vetëm të Dërguarit të Allahut, Muhamedit (s.a.s.), e askujt tjetri. Profetësia është mbyllur me të dhe nuk mund të vazhdojë më. Pas tij, do të jenë vetëm libri i shenjtë, Kurani dhe Tradita e tij (Suneti). Mirëpo, nëse djemtë e të Dërguarit të Allahut do të jetonin, mund edhe të binin pre e mendimeve për trashëgiminë e profetësisë, ose mund të ishin objekt për turbullirat që do të krijonte më vonë historia e njerëzimit, për të shkatërruar besimin e pastër. Kështu që, për t’i mbrojtur ata nga një gjendje e tillë, Allahu e ka parë më të hajrit që të jetë kështu. Edhe nëse djemtë e të Dërguarit të Allahut nuk do të pretendonin apo nuk do të vendoseshin nga të tjerët në pozitat e trashëgimtarit të profetësisë, një mundësi e madhe është që ata të konsideroheshin si udhërrëfyesit, udhëheqësit fetarë pas tij. Atëherë një fenomen i tillë, do të dëmtonte rëndë meritokracinë në pozicione të ndryshme dhe do të vendoste një tabu se lidershipet mund të trashëgohen. Gjë që bie ndesh me mësimet profetike. Ndërsa për sa i përket grave, duke qenë se ato nuk mund të jenë profetë, të dërguara, atëherë nuk ka asnjë problem nëse soji i të Dërguarit të Allahut vazhdon prej së bijës së tij. Kështu, këtë aspekt mund ta përmbledhim në dy arsyetime të urta kryesore, të cilat janë: Mos vazhdueshmëria e profecisë pas të Dërguarit të Allahut dhe paprekshmëria e një kriteri hyjnor, siç është meritokracia, duke mos hapur derën e trashëgimisë së lidershipit fetar nga babai te djali. Nuk mund të biem dakord me tezën që kanë hedhur mohuesit se trashëgimia e një babai vjen vetëm nga djali. Trashëgimia e babait vazhdon edhe nëpërmjet vajzës. Këtë sinjal na jep edhe ky ajet kuranor dhe mund të themi se është një ajet, i cili na jep një lajm nga e fshehta.
Mohuesit, duke u shprehur në këtë formë, kanë shpresuar më tepër që Profetit t’i ndërpritej trashëgimia shpirtërore. Pra, pas vdekjes së tij, askush më nuk do të kujtohej për të. Askush nuk do ta ndiqte, e askush nuk do ta përmendte më. Mirëpo, ai u përmend, u njoh, u kujtua, u studiua dhe akoma përmendet, kujtohet e studiohet nga miliona njerëz në mbarë botën. Fakti që, sot ai ndiqet nga miliona besimtarë në mbarë botën, të cilët kanë mbushur xhamitë, është një demonstrim në praktikë i lajmit që jep kjo sure.
Siç e kemi thënë edhe në interpretimin e sures Fatiha, qëllimet e Kuranit, janë katër:
- Teuhidi, Njësimi i Allahut
- Profetësia
- Jeta e pafundme (Ahireti)
- Të qëndruarit i palëkundur në adhurime dhe në drejtësi
Këto katër qëllime që përmendëm, janë të dukshme edhe në suren më të shkurtër të Kuranit, në suren Keuther:
1– “Ne të kemi dhënë ty”, është tregues për Njësimin e Zotit.
2– “Të kemi dhënë ty”, është tregues për profetësinë.
3– “Të kemi dhënë ty shumë të mira (keutherin)”, është tregues për jetën tjetër, sepse siç e sqaruam edhe më lart, një nga kuptimet e fjalës keuther, është një luginë, lumë, hauz i madh, i cili do t’i jepet të Dërguarit të Allahut në jetën tjetër, në Xhenet.
4- “Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban! ”, është tregues për vendosmërinë në adhurime dhe në drejtësi. Të falurit namaz në mënyrë të vazhdueshme është një qëndrim i palëkundur që besimtari shpalos në adhurime. Ndërsa, të ushqyerit e të varfërve me mishin e kurbanit të therur, është një shenjë e drejtësisë, e cila vihet në zbatim duke u dhënë të varfërve nga ajo që të pasurit kanë.
Këshilli Botues, KMSH
[1]. Buhari, Tefsiru Sure 108, 1; Muslim, Salat 53, Fedail 37, 40, Taharet 36; Nesai, Iftitah 21; Tirmidhi, Kijamet 15; Ibn Maxhe, Zuhd 36; Musned, III, 102, 281.
[2]. Buhari, Rikak 53.
[3]. Buhari, Rikak 53; Muslim, Salat 53; Ebu Davud, Salat 122; Sunen 23; Tirmidhi, Tefsiru Sure 108, 1; Nesai, Iftitah 21; Darimi, Rikak 113; Musned III, 102.
[4]. En’am, 6:162-163.
[5]. Musned, I, 231; Sujuti, ed-Durru`l-Mensur, I, 536.
[6]. Ibn Maxhe, Edahi 2; Musned, II, 321.
[7]. Ibn Maxhe, Edahi 3.
[8]. Bejhaki, e`s-Sunenu`l-Kubra, III, 209.