FEJA ISLAME

Eyüp Sultan Camii, 2013 yýlý Ramazan Ayý'nýn ilk teravih namazýnda vatandaþlarýn akýnýna uðradý. (Zaman/Üsame Arý)

Feja është tërësia e rregullave hyjnore, të cilat Zoti i Madhëruar ua ka dërguar njerëzve me anë të profetëve të Tij.

Gjatë gjithë historisë njerëzore, në të gjitha shoqëritë, ka ekzistuar besimi e jeta fetare dhe asnjëherë nuk është parë ndonjë shoqëri pa ndjenja e besim fetar. Ekzistenca e idhujve dhe faltoreve në gjetjet arkeologjike të periudhave të lashta, nxjerr në pah ekzistencën e jetesës fetare edhe në kohët e vjetra. Në librat e shenjtë, zbritur profetëve nga Allahu, bëhet e qartë ekzistenca e fesë bashkë me njeriun e parë. Aty shprehet qartë se Ademi, paqja qoftë mbi, ishte njeriu i parë dhe njëkohësisht profet i ngarkuar me detyrë nga Zoti.

Siç mësojmë nga ajeti 213 i sures Bekare, njëherë e një kohë njerëzit i besonin vetëm një feje. Të gjithë pranonin ekzistencën dhe njëshmërinë e Allahut. Duke u shtuar, me kalimin e kohës, njerëzit mërguan në vende të ndryshme. Në këtë mes, e harruan fenë e tyre të vjetër. Kur besimi i tyre dobësohej dhe futeshin në rrugë të gabuara, Allahu i Lartë u dërgonte profetë, që ua tërhiqnin vëmendjen dhe i mbronin të mos futeshin në rrugë të këqija.

Feja është e nevojshme që njeriu të jetojë i lumtur dhe i qetë, sepse besimi dhe adhurimi i falin njeriut qetësi. Feja bën të mundur që njerëzit të jetojnë në paqe e siguri, sepse ndalon të këqijat e padrejtësitë, si krimi, mëria, gënjeshtra e mashtrimi, dhe urdhëron dashurinë, respektin, ndihmën e ndërsjellë, ndershmërinë dhe sjelljen e mirë mes njerëzve. Feja kërkon që njerëzit të shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe të kenë respekt për të drejtat e njëri-tjetrit, këshillon jetesën në paqe, etj. Kështu, shoqëria fiton qetësi e siguri.

 

FEJA ISLAME

Feja është dërguar nga Zoti. Ndërkaq, me kalimin e kohës, njerëzit janë larguar prej saj dhe kanë formuar besime të ndryshme, të bazuara në mendimet e gjykimet e veta. Si rrjedhojë, kanë lindur fe të ndryshme me burim njerëzor. Nga ky vështrim, fetë ndahen në dy grupe: a) Fetë e shpallura: Janë fetë e zbritura nga Zoti, të cilat kanë libër të shenjtë dhe profet. Këto janë Hebraizmi, Krishterimi dhe Islami. b) Fetë jo të shpallura: Janë besëtytni të formuara nga njerëzit, duke u bazuar në idetë e veta, si për shembull, budizmi, hinduizmi, taoizmi, zoroastrizmi, etj.

Islami është feja e fundit, që Zoti i Lartësuar i ka dërguar njerëzimit. Emri origjinal i Zotit në gjuhën arabe është Allah. Profeti i fesë Islame është Muhamedi (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), kurse libri i shenjtë është Kurani. Feja islame është universale. Kurani i është zbritur gjithë njerëzimit, po kështu, Muhamedi (a.s.) është dërguar si profet për të gjithë popujt. Faltoret e myslimanëve janë xhamitë dhe mesxhidet, ndërsa kibla jonë është Qabja.

Sipas fesë islame, njerëzit lindin pa mëkate dhe të pafajshëm, sepse askush nuk mund të bëhet përgjegjës për fajet ose mëkatet e të tjerëve. Gjynahet e njerëzve mund t’i falë vetëm Allahu. Askush tjetër nuk ka të drejtën t’ua falë njerëzve gjynahet, t’u ngarkojë mëkate apo t’i nxjerrë ata nga feja.

Feja islame nuk njeh mes njerëzve dallime, epërsi fisnore, klase, posti, pasurie apo race. Islami u jep shumë rëndësi drejtësisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, moralit të mirë dhe pastërtisë; urdhëron njerëzit që, në çdo punë, të sillen ndershmërisht e të respektojnë të drejtat e të tjerëve; kërkon prej tyre që të jenë të moralshëm e të pastër. Islami u jep një rëndësi të veçantë arsyes e dijes dhe e quan detyrë të çdo myslimani kërkimin e diturisë. Ai i urdhëron njerëzit të punojnë edhe për këtë botë, edhe për botën tjetër. Puna e pastër dhe e ndershme, fitimi me të drejtë, pra në formë të lejuar, quhen adhurim në Islam.

Shkëputur nga libri “ILMIHAL për fillestarë

Botim i KMSH-së