Agjërimi dhe dimensioni shpirtëror i tij

Si njëri prej adhurimeve, agjërimi është shumë i hershëm dhe ka ekzistuar me disa ndryshime në të gjitha periudhat e historisë. Mund të thuhet se pothuaj në të gjitha fetë e shkuara ka pasur agjërim ose një adhurim të ngjashëm me agjërimin, pavarësisht nga forma, koha, synimi dhe përbërja. Ai është i njohur në të gjitha fetë e shpallura, madje dhe në paganizëm. Ka të dhëna se keltët, meksikanët e vjetër, peruanët dhe asurianët i kanë dhënë rëndësi agjërimit. Ai ishte i njohur edhe tek egjiptianët e lashtë, e pastaj është bartur edhe tek grekët e vjetër. Këtë e praktikuan edhe babilonasit, kinezët e popuj të tjerë. Edhe tek ithtarët e feve hyjnore “Ehlul Kitab” (Hebraizmi dhe Krishtërimi), agjërimi njihej dhe praktikohej.

Islami si fe e drejtë dhe e vërtetë, i ka urdhëruar përfaqësuesit e vet të kryejnë disa adhurime duke vënë si kusht të qenit mysliman. Si shumë konkluzione e urdhra, edhe agjërimi është bërë detyrim (farz) në periudhën e Medines, në vitin e dytë të hixhretit, një muaj pasi kibla u kthye kah Qabja.

Në kuptimin terminologjik të Islamit, agjërim do të thotë ndërprerje e ngrënies, pirjes dhe marrëdhënieve intime nga agimi deri në perëndim të diellit me një synim të caktuar dhe në mënyrë të vetëdijshme. Agjërimi në fenë islame dhe aplikimi i tij në praktikë, mbi të gjitha është një adhurim që bëhet vetëm për hir të Zotit, e cila kupton nënshtrimin ndaj Allahut dhe respektimin e ligjeve të Tij.

Me anë të agjërimit në Ramazan, arrijmë të krijojmë jetë më të ngritur shpirtërore, një atmosferë devocioni, uniteti, mirësjelljeje, një atmosferë bujarie, solidariteti dhe përgjegjësie, duke i pranuar gabimet dhe duke kërkuar faljen e Zotit.

Pra, agjërimi është një adhurim shumë i mirë për të futur në zemër përkushtimin ndaj Zotit, sepse ai i pret njeriut hovin e keq dhe nuk e lë të rendë në veprime të ndaluara. Devotshmëria (takvaja) që është edhe qëllimi i agjërimit, e dërrmon nefsin (egon) dhe e bën atë të dobët. Nefsi është në kundërshtim e në luftë me mendjen, sepse ai e bën njeriun të lakmojë pa masë dhe të rendë në punë të mbrapshta. Në suren Jusuf, ajeti 53, Allahu thotë: “Egoja është shumë nxitëse për të keqen, përveç atij që mëshiron Zoti im.

Nefsi është një armik i brendshëm dhe më i fortë i njeriut. Ai furnizohet nëpërmjet ushqimit, dëshirave dhe veseve të këqija. Atë e sjell në vijë uria, sepse, për shkak të urisë agjëruesit mendojnë stomakun dhe e pranojnë nevojën e tij. Me anë të urisë së agjërimit, njeriu e kujton se sa mashtrues është trupi i tij dhe e pranon se ka nevojë për mëshirën e Allahut (xh.sh.). Prandaj kanë thënë se kur barku është bosh, gjymtyrët e tjera janë të gatshme të largohen nga punët e liga dhe të zbatojnë urdhrat e Zotit.

Njerëzit, nën perden e pakujdesisë të të mirave materiale, nuk arrijnë të vlerësojnë dhe të çmojnë të mirat e Allahut (xh.sh.). Nefsi i njeriut e harron vetveten, sepse mban dobësinë, varfërinë dhe paaftësitë e panumërta. Ai nuk do që t’i shohë ato dhe ta kuptojë se është një i varfër, një krijesë që është krijuar prej mishi dhe kocke, që do të prishet së shpejti dhe do të ndahet. Ai mendon se ka një trup prej çeliku, që kurrë nuk do të zhduket, prandaj sulet pas interesave të kësaj bote, duke imagjinuar se nuk do të vdesë. Me një ambicie të tmerrshme dhe me një lidhje të fortë pas kësaj bote, bën çdo përpjekje pas çdo gjëje që është e shijshme dhe e vlefshme, duke e harruar Krijuesin që e edukon me mëshirën e pasosur.

Njeriu gjatë muajit të Ramazanit disiplinohet, që ai të mos shkojë drejt haramit duke braktisur hallallin. Agjërimi e mëson njeriun ta kuptojë se qëllimi i krijimit të tij është të mos e shkatërrojë jetën shpirtërore. Në muajin e Ramazanit myslimanët shpirtërisht përparojnë në shkallë të ndryshme dhe sipas meritave fitojnë gëzime, qetësi dhe kënaqësi të zemrës. Ata urdhërohen në Ramazan që për një kohë të caktuar të braktisin veset dhe t’u shëmbëllejnë engjëjve të pamëkatë.

Agjërimi është si një dush shpirtëror që besimtari hyn një herë në vit, për të dalë prej tij i pastër nga gjynahet. Këtë nënkupton edhe hadithi i Profetit (a.s.) kur thotë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe bindje, duke e pritur shpërblimin nga Zoti, i falen të gjitha gjynahet e tij.” (Buhari- Muslim)

Dorian Demetja