Agjërimi që kërkohet

Njeriu gjendet pranë Zotit të tij, për aq sa është larg nefsit së tij. Ose e thënë ndryshe: Njeriu duhet të jetë sa më larg unit të tij dhe egos së tij, që të jetë më pranë Zotit. Sot, në shumë raste shikojmë që agjërimit i ngeli vetëm forma. Namazi ngeli i përbërë veç prej disa formaliteteve ulje-ngritjesh. Sikur feja jonë të ishte një Islam folklorik. Domethënë realizimi vetëm i disa formaliteteve të caktuara. Si kanë qenë sahabët? Po ashtu, si qenë tabiinët, që vinin menjëherë pas tyre? E ndoshta në një shkallë të tretë, si qenë tebe-i tabiinët, që vinin pas tyre? Po gjithë njerëzit e mendimit që përfaqësonin periudhat e tjera, shekujt e ndryshëm, apo reformuesit e mendimit, si qenë ata? Duhet t’i kërkojmë ato ç’kemi humbur pikërisht në mënyrën e tyre të jetesës dhe në stilin e tyre të veprimit. Pastaj të themi: Ah, edhe këtë e paskemi humbur! Paskemi humbur pasionin, paskemi humbur dëshirën, paskemi humbur emocionet. Duhet t’i drejtohemi dhe njëherë vetes, e duke u përballur me të, ta pyesim se a jemi duke e jetuar atë Islam po në atë shkallë, siç përfaqësohej prej Profetit tonë (a.s.), apo ashtu siç ai pasqyrohej tek të tjerët përreth tij? Parë në këtë këndvështrim, muaji i Ramazanit është si një hap i mundshëm për t’u hedhur në rrugëtimin drejt atij Islami.

Agjërimin e mbajnë dy kategori njerëzish. E para është agjërimi i njerëzve të thjeshtë, i cili përkufizohet vetëm me stomakun. Të hash një vakt bukë në syfyr, e pastaj të bësh edhe një iftar në mbrëmje. Ky është agjërimi i njerëzve të rëndomtë. Nëse njeriu nuk e mban dot gojën prej shpifjes, prej përgojimit, fyerjeve, gënjeshtrave, sharjes së këtij apo atij personi, apo prej vetëmburrjes, duke mos i vënë dot frerë vetes, do të thotë që po e mban thjesht agjërimin e njerëzve të rëndomtë e të thjeshtë. Ky quhet thjesht agjërim si formë. Agjërim si dukje. Agjërim i lidhur pas imitimit. Po edhe kaq, a e pranon vallë Allahu (xh.sh.)?

E dyta është agjërimi i të veçantëve, i cili përbëhet nga detyrimi i të gjitha organeve dhe të gjithë përbërësve, fizikë apo metafizikë që të agjërojnë. I dorës, syrit, gojës, veshit, këmbëve, gjuhës…T’i bësh të agjërojnë këmbë e dorë, syrin e veshin, gjuhën e  buzët, si dhe mendimet. T’i fusësh në agjërim madje edhe ato ç’mund të të shkojnë nëpër mend. Ti kushtosh kujdes edhe imagjinatës. Ta zëmë se në një cep të imagjinatës ju shkoi ndërmend ofendimi i dikujt. Pyetja e bërë vetes: A mos, m’u prish shpirti i agjërimit?! Nuk e ruajta dot parimin tim. Nuk e ruajta nderin dhe krenarinë e agjërimit tim në mendim dhe imagjinatë. Pra, të mos hash e të mos pish, por krahas saj të përpiqesh të qëndrosh i pastër prej fjalëve, mendimeve apo imagjinatave të ndotura. Të përpiqesh t’i mbash sa më të kulluara e të paprekura. Dhe ky është agjërimi i të veçantëve. Pikërisht ky horizont do rrekur për t’u kapur, duke e ngritur sa më shumë nivelin e pritshmërive.

Besimtari që është në kërkim të devotshmërisë, duhet të përpiqet ta kalojë jetën e tij me parimin: A nuk ka edhe më? A nuk ka edhe më thellë se kaq? Mos të notoj në sipërfaqe, por të zhytem thellë në oqean e të shoh margaritarët që më servir Allahu Fuqiplotë. Duhet një agjërim i atillë, që sikur edhe mijëra djaj të më sulen, të mos më fusin dot ndotësinë më të vogël, jo vetëm në mendje, por as në imagjinatë. Natyra njerëzore ka dobësitë, hapësirat e mundshme për të gjitha këto, mirëpo ato duhen mbajtur nën kontroll. Dhe nëse bie pre e këtyre dobësive, besimtari duhet të thotë: “Po kjo cytje e djallit nga doli?” Pastaj duhet të thotë me dhjetëra herë “Estag’firullah.

O Allah! “Nuk të njohëm dot ashtu siç e meriton. Nuk të përmendëm dot aq sa e meriton. Nuk të falënderuam dot ashtu siç e meriton. Nuk të adhuruam dot ashtu siç e meriton.” Duhet ndoshta ta artikulojmë mbi 50 herë në ditë pozicionin tonë. Nuk të adhuruam dot Ty ashtu siç duhej, kështu që nuk të merituam. Nuk të përmendëm e lavdëruam dot ashtu siç duhej. U bëmë shembuj të këqij. Bëmë të lindë Islamofobia. Ua dhamë vetë këtë të drejtë atyre që të na cilësojnë në këtë mënyrë.

Njeriu i kohëve tona jetoi fatkeqësisht i panjohur me bukuritë e Islamit. Nuk i panë dot sjelljet dhe qëndrimet e mirëfillta prej myslimani. Prandaj, detyra jonë më parësore është, që me strukturën tonë familjare, në lidhjet me nënën, babanë apo fëmijët, me ftesat tona, t’u tregojmë atyre Islamin e vërtetë porsi fisnikë. Nëse disa njerëz e shohin Islamin si gogol, rruga për ta kapërcyer këtë keqkuptim është formimi i një shoqërie të sinqertë me ta. Myslimanët, gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, sipas pozicionit të tyre, duhet ta përdorin sa më frytshëm mendjen, logjikën, gjykimin dhe këshillimin, në mënyrë që ta realizojnë sa më mirë këtë punë.

Ramazani, për të gjithë ne, për të gjithë popullin, për të gjithë botën Islame, na bëftë të fitojmë afërsi me Allahun (xh.sh.). T’i fusim të agjërojnë të gjitha organet dhe ndjesitë tona. Kjo është fillimisht detyrë e jona, por njëkohësisht edhe e drejtë e Allahut. Detyrë për t’ua bërë njerëzve Islamin të dashur. Një detyrë për t’i bërë njerëzit që ta duan Allahun (xh.sh.).

Le të mendojë secili për vete se çfarë mund të bëj unë që t’ua bëj Zotin të dashur njerëzve! T’i bëj të duan ato gjëra që do Allahu (xh.sh). Si mund t’ia arrij kësaj që ata të thonë: “Ja, kjo qenka jeta e vërtetë!” Në të kundërt, të mos thojnë: Ja, këta janë myslimanët!” Të mos mërziteshin e të hidhëroheshin prej nesh. Të mos vihen në pritje të ditës së rrënimit tonë. Duhet të shfaqim një trajtë të atillë, që njerëzit të thonë: “Aman, të mos ikin këta njerëz, sepse më ikjen e këtyre shuhen pishtarët, fiken llambat për njerëzimin, duke ngelur krejt në errësirë.” Që me lejen dhe ndihmesën e Allahut, Profeti të jetë bërë i dashur për njerëzit. Të mund të bëjmë të dashur atë Shpirt Bamirës. Ky Ramazan na ktheftë në formën e përshtatshme për t’u bërë edhe njëherë vetvetja e për t’u bërë shembull, me thellësitë e bamirësisë dhe mëshirës së tij. Na ktheftë dhe na dhëntë trajtë! Allahu na ka krijuar në trajtën më të përkryer për të arritur përsosmërinë, prandaj ky muaj i bekuar na bëftë të mundur që t’i japim hakun kësaj trajte.

Muaji i Ramazanit është një rast i mirë për ata të cilët dëshirojnë të gjejnë veten dhe të vazhdojnë rrugën e udhëzimit, për t’iu afruar Allahut me vepra të mira, duke harruar armiqësinë, urrejtjen, inatin dhe egoizmin, e duke marrë pjesë në tubime ku jepen këshilla dhe adhurohet Zoti Fuqiplotë. Inshallah Ramazani shkon i begatë. Teravitë përftojnë begati. Inshallah, ashtu siç e kemi izoluar gojën nga të ngrënit dhe të pirët, të mos hyjmë në mëkate, të mos artikulojmë fjalë negative, të mos përgojojmë, të mos shpifim, të mos i afrohemi gënjeshtrës, po ashtu të mos përfshihemi në kurrfarë mashtrimi apo manipulimi. T’i qëndrojmë larg harameve dhe të shumojmë adhurimet e veprat e mira. Kjo sjellje do të na përftojë një mënyrë të jetuari prej besimtari të vërtetë. Atëherë me plot gojën themi: “Oh, sa mirë që e kuptuam Ramazanin!” 

Në të kundërt, Ramazani ashtu siç hyri, del, e nëse dhe ne dalim prej tij ashtu siç hymë, më kot do të jemi lodhur gjatë tij. Do të kemi përjetuar lodhjet e gjatë këtij muaji më kot. Këtë nënkupton fjala e të dërguarit të Allahut kur thotë: “Ka shumë njerëz që agjërojnë, e nga kjo nuk kanë asgjë, përveç urisë dhe etjes. Ka shumë njerëz që luten natën, e asgjë nuk ka nga kjo lutje, përveç pagjumësisë I tillë është çdo njeri, i cili nuk e kryen këtë veprim me besnikëri dhe sinqeritet të plotë.

Dorian Demetja