Në Islam, akti më i lartë pas besimit, siç dihet, është namazi. Në namazet që falim gjatë 24 orëve, bashkë me synetet, kapitullin Fatiha e përsërisim 40 herë. Në përsëritjen që i bëjmë një kapitulli të caktuar të Kur’anit në çdo rekat të namazit, duhet të ketë shumë urtësi. Një nga këto urtësi është kuptimi i thellë që përmban ajeti “Ihdinas-siratal mustekim” (Na udhëzo në rrugë të drejtë). Kërkesa për të hyrë në “Sirati Mustakim”, domethënë në rrugën e drejtë që të çon tek Allahu, do të thotë që, mbi gjithçka, të kërkosh të nderohesh me Islamin. Atëherë, ç’kuptim ka kjo lutje këmbëngulëse e përsëritur çdo ditë nga 40 herë, për një njeri që në fund të fundit është mysliman dhe fal namaz? Ajeti-argument i formës “A mos vallë njerëzit kujtuan se porsa që thanë ‘besuam’, do të mbeten të qetë në punën e tyre dhe s’do të pësojnë asnjë ngatërresë?”, na bën të ditur në këtë çështje dhe na lajmëron se njeriun, qoftë edhe pasi të ketë besuar, e presin shumë rreziqe dhe ngatërresa.
Kjo botë plakë mbi të cilën jetojmë, është kthyer sot në një panair prej qindra idesh e rrymash ideore. Ekzistojnë miliona prezantues, propagandues të çdo ideje e rryme. Po të futeshin në hesap edhe mundësitë e komunikimit të epokës sonë, të cilat nuk njohin pengesë në përhapjen në botë të ideve dhe rrymave, nuk do të vononim të kuptonim se gjer në ç’shkallë janë ngatërruar me njëra-tjetrën e vërteta dhe e shtrembra dhe se si e shtrembra ka marrë pamjen e së vërtetës. Përballë gjithë kësaj rrëmuje idesh e bindjesh, sa kuptimplotë është fakti që një mysliman të kërkojë 40 herë në ditë në audiencën hyjnore rrugën e drejtë ose të lutet që të vazhdojë të ecë në rrugën e orientuar. Siç shprehet edhe në Kur’an: “Zoti ynë! Mos na i shmang zemrat tona, pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet Ti je Dhuruesi i Madh” (Al-Imran, 8).
Le të pranojmë se teknika dhe komforti që sollën shkencat eksperimentale deri në shekullin tonë, kanë siguruar rehatinë e disave. Mirëpo ato në asnjë mënyrë nuk kanë siguruar lumturinë e njerëzimit. A nuk e shohim se bota e qytetëruar që zotëron pamjen e jashtme të jetës tokësore, por që është plotësisht e paditur për jetën tjetër, përpëlitet nën dhimbjet therëse të padurueshme të imoralitetit dhe pamundësisë për të kënaqur vetveten? Çështë e drejta, as pasuria, as popullariteti, as komforti dhe as femra nuk ka mundur të qetësojë epshin e njeriut. Përparimet e arritura në përmasa botërore, mundësitë që kemi shtënë në dorë, sikur të ishin armiq të jetës sonë shpirtërore, na kanë zhdukur prehjen e zemrës e na kanë rrëzuar në gjendjen e njeriut të hutuar që s’mund ta dijë se ç’duhet të bëjë. E ç’duhet të bëjë më në fund, njeriu i ndodhur mes rrymash perverse të shekullit tonë? Atëherë mbetet të themi se ne kemi nevojë për t’u orientuar, domethënë kemi nevojë për ta orientuar njëri-tjetrin dhe për ta ndihmuar në mënyrë reciproke në rrugët plot gjemba që të çojnë për në xhenet, që është simboli i lumturisë së amshuar.
Siç nuk ka asnjë rrugë tjetër për të shkuar te Zoti përveç qëndrimit besnikërisht në rrugën e Tij, nuk ka asnjë pozitë të lartë se sa ruajtja e kësaj rruge në çdo çështje, por dhe asnjë urdhër më të vështirë se sa zbatimi i saj siç duhet. Por, Allahu i përgëzon kështu njerëzit e kësaj rruge: “Ata që thanë: ‘Zoti ynë është Allahu’ dhe qëndruan besnikërisht, për ta nuk ka frikë dhe ata nuk do të pikëllohen. Ata janë banues të xhenetit, aty do të jenë përgjithmonë. Atë e kanë shpërblim për veprat që kanë bërë” (Ahkaf, 13-14). Sipas transmetimit të Enesit (r.a.), i dërguari i Allahut (s.a.s.) lexoi ajetin: “S’ka dyshim se ata që thanë: ‘Zoti ynë është Allahu’, pastaj vazhduan të vendosur në rrugë të drejtë, atyre u zbresin engjëjt (para vdekjes) dhe u thonë: Mos u frikësoni e mos u pikëlloni dhe gëzohuni me xhenetin që ju është premtuar” (Fussilet, 30). Pastaj ai tha: “Njerëzit gjithmonë e kanë thënë këtë, por pastaj shumica e tyre ranë në kufër. Kush vdes mbi këtë fjalë, është nga ata të cilët janë në rrugë të drejtë” (Tirmidhi, Tefsir, 41/ 3250). Pra, të qëndrosh besnikërisht në rrugë të drejtë është i domosdoshëm për çdo besimtar, por është e vështirë ta mbash dhe ta ruash. Nderi i një rezultati që fitohet, ngaqë ka lidhje me vuajtjet me të cilat duhet përballur për ta mbërritur, njerëzit e kësaj rruge kanë fituar nder të madh dhe pozitë të lartë, si shpërblim i sakrificave të larta me të cilat e kanë paguar.
Detyra e falënderimit që duhet të kryejë robi që është mirënjohës ndaj Zotit, gjithsesi nuk duhet të mbetet vetëm me fjalë. Falënderimi i një njeriu që ia ka arritur rrugës së drejtë duke iu kushtëzuar rregullit ‘falënderimi i çdo të mire bëhet me anë të llojit të saj’, do të realizohet përmes rrugës së përpjekjeve të tij për t’i futur edhe të tjerët në rrugë të drejtë. Të qenit fetar, nuk është identiteti vetëm i këndimit të lutjeve të njohura ose i kryerjes së ceremonive të adhurimit. Ai është i nevojshëm vazhdimisht si uji që pimë, si ajri që thithim. Ai është çdo kohë i domosdoshëm si dielli që jep jetë. Njeriu fetar ka nevojë për një atmosferë fetare e për një mjedis islam. E pranoni dhe ju se krijimi i një atmosfere dhe zhvillimi i një mjedisi të tillë nuk është i mundur vetëm me zellin dhe përpjekjet e shërbyesit të fesë. Në këtë kuptim, të gjithë myslimanët janë orientues. Dhe një veprimtari orientuese e tillë nuk bëhet vetëm me fjalë, madje, disa herë më parë se me fjalë, mund të çohet përpara me akte dhe veprime. Njeriu i kauzës së lartë, një ideologji që e ka përqafuar dhe e jeton vetë, kërkon t’ua përjetojë edhe të tjerëve. Nëse nuk i shohim shenjat e kësaj kërkese dhe dëshire, mbetemi të detyruar të mendohemi mbi fisnikërinë dhe sinqeritetin e tij apo mbi drejtësinë e ideologjisë së tij.
Myslimani i vërtetë e kalon jetën e tij midis veprave të dobishme për dynjanë dhe ahiretin. Qoftë edhe një çast ai nuk i mendon fjalët dhe punët e pafrytshme. Ai është i detyruar të jetojë një jetë tepër të kujdesshme dhe nuk duhet të largojë asnjëherë nga kujtesa se një mendim, një fjalë apo një veprim, mund ta fundosi njeriun thellë në kënetë.
Atëherë le të lutemi: Zoti im, dhe në bëfsha pabesi duke ndenjur larg Teje, gjendja ime thërret me të madhe se nuk do të mund të rri pa Ty. E kërkoj favorin Tënd jo për të shpëtuar prej pabesisë sime, por se kam aq shumë nevojë për Ty!..
Dorian Demetja