Ibrahimi a.s. është  një profet shumë i rëndësishëm. Jeta e tij ka plot mesazhe që mund të nxjerrim. Për këtë arsye, le të shikojmë pak se çfarë cilësish posedonte ai, me synimin që të mundohemi t’i përvetësojmë sado pak.

Cilësia e parë – Ai ishte i vetmi profet që u quajt Halilullah, Mik i Zotit. Të jesh mik i Zotit, do të thotë ta duash Atë aq shumë, saqë edhe Ai të të konsiderojë ty si të dashur. Secili prej nesh që dëshiron të zbulojë vendin e tij pranë Zotit, le të shikojë se çfarë vendi i ka caktuar Zotit në zemrën e tij. Ibrahimi a.s i kishte caktuar Zotit në zemrën e tij, vendin më të lartë të mundshëm dhe të njejtin vend zuri edhe pranë Tij. Këtë pozitë na e mëson Zoti në Kuran, i cili thotë: “Allahu e zgjodhi Ibrahimin si të dashurin e Tij më të ngushtë” (Nisa 125)

Cilësia e dytë – Ai është një nga 5 pofetët më të vendosur, të quajtur ndryshe si “Ulul Azm”.

Quhen pesë profetët më të vendosur, pasi janë profetët që janë përballur më shumë me sfida dhe vështirësi. Zoti i ka përmendur këta, në një ajet të vetëm dhe thotë: “Përkujto kur Ne morëm prej profetëve besën e tyre. Edhe prej teje (o Muhamed), prej Nuhut, Ibrahimit, Musait, Isait, të birit të Merjemes, pra morëm prej tyre besë të fortë” (Ahzab 7)

 

Cilësia e tretë – Vetë Zoti e ka quajtur atë “Umet”. Ai thotë: “Vërtet, Ibrahimi ka qenë një umet (bashkësi njerëzish), adhurues i Allahut, besimtar i drejtë dhe nuk ka qenë nga idhujtarët” (Nahl 120)

Që do të thotë se, pesha e besimit të tij, ka qënë sa pesha e besimit të një umeti të tërë, por edhe se veprat e mira që ai ka bërë, kanë qënë sa tërë veprat e mira të një umeti. Kishte nga shokët e Profetit tonë të dashur, si psh. Ebu Bekri r.a apo Omeri r.a, që për ta njerëzit thonin se janë sa për një mijë burra. Ka njerëz që janë sa për dhjetë burra, por ka edhe gra, që janë sa për njëqind burra.  Gjithësecili të mendojë për pëshën e tij në besim apo në vepra.

Cilësia e katërt –  Ibrahimi a.s ishte njeri i besës, me Zotin dhe me njerëzit. Thotë Allahu në Kuran: “Dhe Ibrahimi është ai që e mbajti besën” (Nexhm 37) Po si e mbajti besën ai? E mbajti duke zbatuar çdo gjë që i kërkoi Zoti. Po ne vallë, a jemi të besës karshi Krijuesit tonë? A i zbatojmë urdhërat që Ai na ka dhënë në Kur’anin Famëlartë? Thotë Zoti:  يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَوْفُوا بِالْعُقُودِ “O ju që besuat! Zbatoni premtimet pra obligimet” (Maide 1)

Cilësia e pestë   Ai ishte shumë i ndjeshëm dhe i butë me njerëzit. Shikoni se si fliste ai me babain e tij, i cili ishte skulptori i idhujve të asaj kohe: “O babai im, pse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh, e as nuk ke dobi prej tij? O babai im, unë kam frikë se do të të godasë ndonjë dënim prej të Gjithmëshirshmit, e do të jesh shok i djallit!” (Merjem 42,45)

Pra edhe kur i kujton se mund ta godasë dënimi për atë çka beson, e shoqëron me emrin e bukur të Zotit, i Gjithmëshirshmi, i cili të fal, të mëshiron.

Cilësia e gjashtë – Ai ishte i pari që ka pritur miq dhe organizonte ceremoni ushqimi për të ftuarit. Ai ishte më bujari i njerëzve, i cili nuk hante ushqim asnjëherë pa patur mik në sofrën e tij.

Përmendëm disa nga cilësitë e babait të profetëve Ibrahimit a.s, me qëllim që të shikojmë veten tonë se ku jemi në raport me këto cilësi, të cilat Zoti na i përmend në librin e tij.

Allahu na mundësoftë të posedojmë cilësi si të profetit Ibrahim a.s.  Amin.

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu