Për një periudhë dy vjeçare të pandemisë, na ka munguar dimension social i Ramazanit. Mirëpo Ramazani i sivjetshëm vjen me një kënaqësi të veçantë, sepse besimtarët do të jenë më shumë të pranishëm mes njëri-tjetrit në çdo lloj forme. Ky muaj është për të gjithë besimtarët më shumë mënyrë jetese sesa mënyrë mendimi, pasi në këtë muaj është veprimi ai që sundon në të gjitha çastet. Njeriu i afrohet më shumë se kurdoherë tjetër detyrës për të qenë konkret dhe realist për atë që thotë apo mendon.
Muaji i Ramazanit është një muaj i veçantë në jetën e individit mysliman dhe shoqërisë Islame, pasi në të rinovohet krejt jeta! Gjallërohen mendjet me dije dhe njohuri, gjallërohen zemrat me besim dhe përkushtim, gjallërohet shoqëria me bashkëpunim dhe ndërlidhje, gjallërohet vullneti duke garuar njerëzit në bamirësi dhe vepra humane të konsiderueshme.
Muaji i Ramazanit është muaji ku Allahu i shumëfishon shpërblimet për agjëruesit dhe i ngre ata në shkallët e larta të devotshmërisë. Me agjërimin e Ramazanit më së miri shprehet besimi, sinqeriteti, humaniteti, uniteti, solidariteti.., virtyte këto të cilat duhet të stolisin çdo besimtar. Me anë të agjërimit në këtë muaj, arrijmë të krijojmë jetë më të ngritur shpirtërore, një atmosferë mirëkuptimi, mirësjelljeje, devocioni, një atmosferë bujarie, ndershmërie dhe përgjegjësie, duke i pranuar gabimet dhe duke kërkuar faljen e Zotit.
Muaji i Ramazanit është një rast i mirë për ata të cilët dëshirojnë të gjejnë dhe të vazhdojnë rrugën e udhëzimit, për t’iu afruar Allahut më tepër me vepra të mira, duke harruar armiqësinë, urrejtjen, inatin dhe egoizmin e duke marrë pjesë në tubime ku jepen këshilla dhe adhurohet Zoti Fuqiplotë. Jo vetëm kaq, por duhet të dimë se muaji i Ramazanit, është edhe koha kur zgjojmë dhembshurinë, mëshirën dhe solidaritetin me të tjerët, sidomos me të varfrit, të cilëve duhet t’u gjendemi më afër se kurrë, duke iu përgjigjur nevojave të tyre, sepse në këtë muaj ne vetë e përjetojmë urinë, të cilin i vobekti e përjeton në çdo kohë.
Muaji i Ramazanit njihet si muaj i përkujdesjes. Të përkujdesesh për të tjerët ashtu siç përkujdesesh për vete dhe të ndash me të tjerët lumturinë dhe brengosjen. Përkujdesja është një akt fisnik i besimtarit, që do të thotë të shpenzosh kohë, përpjekje, njohuri, energji, para. Kryerja e veprave të tilla fisnike kërkon njerëz me zemër të madhe.
Në këtë muaj, ndihmesa e anasjelltë, butësia dhe toleranca, duhet të jenë më të pranishme ndërmjet myslimanëve. Në të njëjtën kohë, ndjenjat shpirtërore të besimtarëve gufojnë dhe janë shumë herë më aktive. Kështu, besimtari bëhet më i vetëdijshëm në përjetimin e fesë së tij. Dhe po në këtë muaj, e kupton më mirë momentin kalimtar të kësaj bote të rreme dhe rëndësinë e asaj që është e përjetshme.
Në një hadith, Profeti (s.a.s.) ka thënë: “Për sa kohë që ymeti im do ta mbajë gjallë muajin e ramazanit me adhurim, kurrë nuk do të turpërohet!” Sigurisht, rruga e vlerësimit e kësaj mundësie, e këtij rasti të dhënë, kalon nëpër mbajtjen gjallë me sa të jetë e mundur e asaj kohe të bekuar si një tërësi e vetme me ditët dhe netët, me syfyrin dhe iftarin, me agjërimin dhe sadakanë, me teravinë dhe Kur’anin, sepse në hadith është vënë kushti, “për sa kohë që ymeti do ta mbajë gjallë muajin e ramazanit me adhurim”, kusht që mund të plotësohet vetëm me zbatimin e gjërave të parashtruara më sipër.
Po si duhet ta kalojmë këtë muaj dhe ç’duhet të bëjmë për të mbajtur gjallë muajin e Ramazanit, ditët dhe netët e tij të bekuara? A e kryejmë plotësisht detyrën tonë si nënë dhe baba, si bir dhe bijë, si afarist, si mësues, si nxënës, si drejtues, si nënshtetas?! Mendojmë se specifikat e mëposhtme duhet t’i ketë në vëmendje çdo njeri që beson në Zotin dhe ditën e gjykimit:
Në ditë dhe netë të tilla, duke bërë vetëgjykim, duhet t’i gjejmë se ku i kemi të metat dhe gabimet dhe duhet të bartim shpresën dhe vendosmërinë për t’u bërë më të dobishëm, më të suksesshëm, më prodhimtarë!
Po të na lejojnë kushtet dhe mundësitë dhe po ta kemi shëndetin në vend, është mirë që gjatë gjithë Ramazanit të shkojmë në xhami për të falur namazet me xhemat. Kështu, edhe fitojmë më shumë mirësi, edhe krijojmë mundësinë për t’u takuar dhe përshëndetur në këtë atmosferë të begatshme me njerëzit e mjedisit të vendit të punës dhe lagjes. Ka rëndësi që në ditët dhe netët e Ramazanit të shkojmë në xhami bashkë me fëmijët tanë që janë në periudhën e rritjes. Në kohë të tilla entuziaste, ata e kuptojnë më mirë rëndësinë e solidaritetit, bashkimit dhe unitetit.
Në muajin e Ramazanit, në ditët dhe netët e shënuara të kërkojmë mundësinë për të uruar farefisin, fqinjët e miqtë dhe për të pritur urimet e tyre. Urimet e dyanshme dhe interesimi i dyanshëm për mirëqenien jep mundësinë për të marrë pjesë në gëzimet dhe hidhërimet, në sukseset dhe problemet e njëri-tjetrit.
Në ditët dhe netët e Ramazanit lind mundësia e arritjes më lehtë të pëlqimit të Allahut me anë të namazit, sepse çasti i namazit është momenti kur robi është më afër Zotit. Namazi është dhikri më i madh. Është e dobishme që në këto ditë dhe netë të bekuara të tregohet përkushtim i veçantë për këtë adhurim kompleks.
Në këto ditë dhe netë të bekuara, këndimi i Kur’anit dhe dëgjimi i tij, pjesëmarrja në bisedat me temë nga Kur’ani dhe hadithet, dëgjimi i predikimeve dhe këshillave, ndarja me të tjerët e kësaj atmosfere moralo-shpirtërore, i japin njeriut prehje e kënaqësi. Sidomos meditimi mbi kuptimet e Kur’anit dhe haditheve na i plotëson mangësitë e njohurive në fushën e fesë, duke na siguruar thellimin në këtë drejtim.
Në ditët dhe netët e Ramazanit, duhet t’i lutemi me sinqeritet Allahut që të na mbrojë nga fatkeqësitë bashkimin dhe unitetin kombëtar, sigurinë dhe qetësinë kombëtare, botën Islame dhe tërë njerëzimin. Një botëkuptim i tillë i përfton personit vetëdijen se është një pjesëtar i dobishëm i bashkësisë njerëzore.
Dorian Demetja