Dobitë shpirtërore, morale dhe sociale të agjërimit

Muaji i Ramazanit është një adhurim i madh për besimtarët, ku Allahu i shumëfishon shpërblimet për agjëruesit dhe i ngre ata në shkallët e larta të devotshmërisë. Me agjërimin e Ramazanit më së miri shprehet besimi, sinqeriteti, humaniteti, uniteti, solidariteti.. virtyte këto të cilat duhet të stolisin çdo besimtar. Me anë të agjërimit në këtë muaj, arrijmë të krijojmë jetë më të ngritur shpirtërore, një atmosferë mirëkuptimi, mirësjelljeje, devocioni, një atmosferë bujarie, ndershmërie dhe përgjegjësie, duke i pranuar gabimet dhe duke kërkuar faljen e Zotit.

Devotshmëria është qëllimi i vërtetë i agjërimit dhe, nëse e kuptojmë dhe e pranojmë si qëllim kryesor, atëherë më pas, do të gjejmë të gjitha frytet dhe dobitë e tij. Objektivi final i agjërimit është mirëqenia e njeriut dhe lumturia e tij në të dy botët. Pikësynimin kryesor agjërimi i Ramazanit drejtpërsëdrejti, e ka të thyejë faraonësinë dhe imagjinatën prej idhulli të nefsit, duke i bërë të njohur atij dobësinë, varfërinë e pafuqinë, në mënyrë që të fillojë të kryejë adhurimin ndaj Krijuesit të tij. Ai e njofton se është një rob dhe asgjë më tepër.

Njerëzit, nën perden e pakujdesisë të të mirave materiale, nuk arrijnë të vlerësojnë dhe të çmojnë të mirat e Allahut (xh.sh.). Nefsi (egoja) i njeriut nga pakujdesia e harron vetveten, sepse mban dobësinë, varfërinë e pafundme dhe paaftësitë e panumërta. Ai nuk do që t’i shohë ato dhe ta kuptojë se është një i varfër që mund të shkojë drejt zhdukjes. Ky është edhe thelbi i fatkeqësisë, sepse nefsi është një krijesë që është krijuar prej mishi dhe kocke, që do të prishet së shpejti dhe do të ndahet. Ai mendon se ka një trup prej çeliku, që kurrë nuk do të zhduket, prandaj sulet pas interesave të kësaj bote, duke imagjinuar se nuk do të vdesë. Me një ambicie të tmerrshme dhe me një lidhje të fortë pas kësaj bote, bën çdo përpjekje. Tërhiqet pas çdo gjëje që është e shijshme dhe e vlefshme, duke e harruar Krijuesin që e edukon me mëshirën e pasosur. Më në fund, rrokulliset në moralin e keq, duke mos menduar për përfundimin e jetës, sepse edhe ai do të vdesë një ditë dhe do të ikë në jetën e përjetshme.

Agjërimi i Ramazanit u tregon njerëzve dobësinë, varfërinë dhe pakujdesinë e tyre. Për shkak të urisë, ata mendojnë stomakun dhe e pranojnë nevojën e tij. Me anë të urisë së agjërimit, njeriu e kujton se sa mashtrues është trupi i tij dhe e pranon se ka nevojë për Mëshirën e Allahut (xh.sh.). Uria e shtyn të braktisë idhujtarinë e nefsit dhe të pranojë dobësinë e varfërinë e tij. Në këtë mënyrë i zgjohet dëshira që të mbështetet në praninë e Allahut (xh.sh.).

Për jetën individuale, agjërimi është një ilaç me shumë efekt. Nga pikëpamja mjekësore është një dietë e mirë, sepse njeriu kur ha më tepër se sa duhet dhe pa kontroll, e dëmton stomakun, gjë që mund t’i shkatërrojë shëndetin. Duke gjykuar në këtë formë, ai mund të bëhet i pavëmendshëm edhe për ushqimet e palejuara, gjë që do ta shqetësojë shumë shpirtërisht, jo vetëm për këtë jetë por edhe për tjetrën. Kjo vepër e papëlqyer bëhet shkak që zemra dhe shpirti të mos u binden urdhrave të fesë Islame. Në këtë moment, nefsi i pakujdesshëm i merr në dorë frerët e njeriut dhe e sundon atë, duke e çuar ku të dojë vetë.

Me agjërimin e Ramazanit njeriu mësohet të mbajë dietë. Kështu nefsi mësohet t’i bindet urdhrave dhe stomaku shpëton nga pesha e rëndë e bluarjes, i cili bëhet shkak që njeriu të sëmuret shpesh. Njeriu gjatë muajit të Ramazanit disiplinohet, që ai të mos i sulet haramit duke braktisur hallallin. Ai e mëson njeriun ta kuptojë se qëllimi i krijimit të tij është të mos e shkatërrojë jetën shpirtërore.

Njeriu në jetën e tij në shumë raste përballet me urinë. Agjërimi i Ramazanit është një lloj ushtrimi, që ia kalit durimin njeriut. Ai zgjat rreth pesëmbëdhjetë orë në ditë dhe po të mos hahet syfyr, ai zgjat njëzetekatër orë. Pra, për të kalitur durimin, ky është një ushtrim shumë i mirë dhe një ilaç për atë që nuk duron dot fatkeqësinë dhe nuk ka rezistencën e duhur. Profeti (a.s.) thotë: “Agjërimi është gjysma e durimit, kurse pastërtia është gjysma e besimit” (Tirmidhi, Daavat, 85; Ibn Maxhe, Sijam, 44; Ahmed, 4/260). “Fabrika” e stomakut (lukthit) ka shumë anë shpirtërore, sepse pajisjet e saj kanë kontakt me vetë njeriun. Po qe se nefsi nuk e duron urinë e një muaji, atëherë sundimin e merr në dorë ai dhe bëhet shkaktari i veseve të tjera, duke u dhënë pas tij dhe duke harruar detyrat e adhurimit.

Agjërimi është lartësim i shpirtit, ushtrim për përforcimin e trupit dhe nxitës për bamirësi. Ai synon ngritjen e ndërgjegjes së individit, ndriçimin e mendjes dhe zbardhjen e zemrës. Ai është një adhurim edukativo-moral, i cili synon edukimin fizik e shpirtëror të njeriut, ku e përgatit atë përballë sprovave me të cilat ballafaqohet në jetën e përditshme. Nëpërmjet agjërimit njeriu aftësohet për të disiplinuar dëshirat e tij dhe ka vullnet e fuqi për të kryer çdo punë me përpikëri. Duke agjëruar, njeriu mënjanon me ndërgjegje ushqimin sipas orarit të caktuar nga agimi deri në perëndim të diellit, largon mendimet dhe sjelljet e pahijshme dhe shton ndjenjën e tolerancës aq të nevojshme për shoqërinë ku jetojmë, duke kontribuar kështu për harmonizimin e raporteve në familje, punë dhe shoqëri.     

Të privosh vetveten nga gjërat thelbësore të jetës, nuk është një akt i lehtë. Kjo kërkon një personalitet të fortë për të patur një vetkontroll, vetëdisiplinë dhe vetëpërmbajtje. Ky program vetushtrues gjatë muajit të Ramazanit, ka rëndësi të veçantë në jetën e përditshme. Një besimtar që mund të përmbajë veten nga gjërat thelbësore të jetës për një kohë të caktuar dhe kur këtë e bën për hir të dashurisë për Allahun, meriton një shpërblim nga vetë Krijuesi. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Ka shumë njerëz që agjërojnë, e nga kjo nuk kanë asgjë, përveç urisë dhe etjes. Ka shumë njerëz që luten natën, e asgjë nuk ka nga kjo lutje, përveç pagjumësisë, i këtillë është çdo njeri , i cili nuk e kryen këtë veprim me besnikëri dhe sinqeritet të plotë” (Ibn Maxhe, Sijam, 21).

Gjatë agjërimit në muajin e Ramazanit, myslimanët mësohen të kontrollojnë emocionet e tyre dhe të kenë durim, durim ndaj të gjitha llojeve të sprovave dhe shqetësimeve. Agjërimi është mjeti më i mirë për rrënjosjen e moralit. Përsosmëria e tij më e madhe është se ashtu siç na largon nga nevojat e stomakut, na pastron edhe nga zilia e shqisave; syri, veshi, gjuha, zemra apo mendimet e liga të imagjinatës. Domethënë secilës shqisë i ndalohet të ndërhyjë në shijime të ndaluara dhe të padobishme. Për shembull, syrin e ndalon nga vështrimi i harameve dhe nga lëvizjet në vende të dyshimta, kurse veshin e drejton të mos dëgjojë fjalët e liga, por Kur’anin dhe fjalët e drejta. Në këtë mënyrë edhe shqisat e tjera i shtyn të agjërojnë në këtë muaj të ndritur.

Gjatë agjërimit urrejtja dhe zemërimi personal janë në nivelin më të ulët. Myslimanët mbajnë parasysh këshillat e të dërguarit të Allahut: “Po qe se, ndërsa jeni të agjëruar, dikush ju ofendon ose ju godet, thojini: Unë jam me agjërim” (Buhari, Saum, 2; Muslim, Sijam, 161; Tirmidhi, Saum, 54). “Zoti nuk ka nevojë që njeriu të braktisë ushqimin dhe pijen, nëse ai nuk braktis fjalën e keqe dhe veprën e ligë” (Buhari, Saum, 8; Ebu Daud, Saum, 25; Tirmidhi, Saum, 16). Për këtë arsye Profeti (a.s.) e quan agjërimin mburojë, sepse mbron zemrën nga ligësitë dhe gjymtyrët nga veprat e shëmtuara. Nëpërmjet agjërimit njeriu vlerëson të mirat e kufizuara që i ka dhënë Zoti. Kështu, ai bëhet i thjeshtë, i sinqertë dhe mirënjohës ndaj Allahut të Madhëruar.

Zoti ka krijuar njerëzit me kapacitete të ndryshme fizike, emocionale, intelektuale dhe shpirtërore. Ai na ka bërë të gjithëve ne të kemi nevojë për njëri-tjetrin për përfitime të dyanshme. Nga kjo, nënkuptohet që Ramazani dhe respektivisht agjërimi ka rëndësi sociale, se secili person kërkon me veprimet e tij të dalë në dritë e gjithë shoqëria Islame, duke u bërë kështu të devotshëm, të mirëorganizuar dhe të mirëdisiplinuar. Pra, kjo shoqëri myslimane në këtë muaj, jeton dhe punon sipas kodit hyjnor moral të shkruar në Kur’anin e shenjtë që ka zbritur në këtë muaj.

Falë agjërimit të Ramazanit, në jetën shoqërore njeriu krijon lidhje të ndryshme me njerëzit e tjerë. Me këtë, ai ndjen një lidhje të fuqishme ndaj tyre. Bashkë me të gjithë besimtarët, fillimi i agjërimit në të njëjtin çast, pritja e iftarit, ngritja në syfyr, falja e teravive me xhemat, gdhirja e natës së kadrit, hyrja në bajram etj., bëhen shkak për një vëllazëri shumë të shëndoshë dhe për një dashuri të vërtetë. Kështu, besimtarët bëhen si gjymtyrët e një trupi të vetëm, ashtu siç shprehet edhe Profeti ynë: “Në dashurinë për njëri-tjetrin, në dhimbjen për njëri-tjetrin dhe në dhembshurinë për njëri-tjetrin, besimtarët janë si një trup i vetëm. Po qe se një organ ankohet, organet e tjera rrinë pa gjumë e rënkojnë.” (Buhari, Edeb, 27; Muslim, Birr, 66; Ahmed b. Hanbel, 4/270). Me këtë mendim të lartë, në shoqëri ngrihen bashkimi dhe uniteti.

Pritja e iftarit rreth sofrës nga të gjithë pjesëtarët e familjes së bashku, ku sot mungon shumë, i lidh më shumë këta njerëz me njëri-tjetrin. Kjo situatë e pritjes së iftarit është shumë e rëndësishme sidomos për shtimin e afërsisë dhe dashurisë mes individëve të familjes, domethënë për realizimin e ngritjes së familjes mbi themele më të shëndosha. Kjo duhet të jetë edhe njëra prej urtësive të faktit që Islami kërkon që e gjithë familja të ulet së bashku në sofrën e iftarit dhe ashtu ta presë atë. Pritja e iftarit i hap rrugë forcimit të lidhjeve të afërsisë dhe dashurisë sa mes pjesëtarëve të familjes, aq dhe me anë të ftesave, mes të ftuarve, të njohurve, miqve, madje edhe të panjohurve fare.

Dorian Demetja