Home Botime Familja, strehë e qetësisë dhe mëshirës

Familja, strehë e qetësisë dhe mëshirës

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, i Cili e krijoi njeriun në formën më të bukur, e nderoi me besim dhe e bëri familjen strehë të qetësisë, dashurisë dhe mëshirës. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij fisnikë dhe mbi të gjithë ata që ecin në gjurmët e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Prej mirësive që Allahu i Madhëruar i ka dhuruar njeriut në këtë botë është edhe familja. Ajo është vendi ku zemra gjen qetësi, ku shpirti pushon nga lodhjet e jetës dhe ku njeriu mëson dashurinë, sakrificën dhe përgjegjësinë. Allahu i Madhëruar thotë në Librin e Tij Fisnik:

﴿وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُمْ مِنْ أَنْفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُمْ مَوَدَّةً وَرَحْمَةً﴾

“Dhe prej shenjave të Tij është që për ju krijoi bashkëshorte nga vetë lloji juaj, që të gjeni qetësi tek ato, dhe vendosi ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë.” (Er-Rum, 21)

Ky ajet na mëson se themeli i familjes në Islam nuk është vetëm bashkëjetesa materiale, por qetësia shpirtërore, dashuria dhe mëshira reciproke. Familja në Islam nuk është thjesht një institucion shoqëror, ajo është amanet hyjnor dhe themeli mbi të cilin ndërtohet shoqëria. Prandaj Islami i kushtoi familjes një rëndësi të jashtëzakonshme.

Që nga krijimi i njeriut të parë, Allahu i Madhëruar e vendosi familjen si mënyrën e natyrshme të jetës njerëzore. Ademi dhe Havaja ishin familja e parë mbi tokë, duke na treguar se jeta njerëzore fillon me familjen dhe ruhet përmes saj. Për këtë arsye, Islami e nxiti martesën dhe e konsideroi atë pjesë të traditës profetike.

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Martesa është prej sunetit (traditës) tim, e kush largohet nga suneti im nuk është prej meje.” Kështu, në një kohë kur shumë vlera po tronditen dhe kur familja po përballet me sfida të shumta morale e shpirtërore, besimtari duhet ta konsiderojë ruajtjen e vlerave familjare si ruajtjen e vetë moralit të fesë.

Kur flasim për familjen në Islam, shembulli më i përsosur është vetë i Dërguari i Allahut ﷺ. Ai ishte pejgamber, udhëheqës, gjykatës dhe njeriu më i dashur tek Allahu, por megjithatë gjente kohë për familjen e tij, i ndihmonte, i dëgjonte dhe sillej me butësi ndaj tyre.

Transmetohet se Aishja (r.anha) kur u pyet: “Çfarë bënte Profeti në shtëpinë e tij?”
Ajo u përgjigj: “Ai ishte në shërbim të familjes së tij; qepte rrobat e veta, ndreqte sandalet dhe ndihmonte në punët e shtëpisë.”

Ja pra, ky ishte Profeti Muhamed (a.s). Ai që drejtonte umetin, nuk e konsideronte ulje të dinjitetit të ndihmonte familjen e tij. Ndërsa sot, disa njerëz mendojnë se burrëria qëndron në ashpërsi, në urdhra dhe në largësi emocionale nga familja.

Ai na mësoi se madhështia e burrit nuk matet me forcën ndaj familjes, por me butësinë dhe mëshirën ndaj saj. Prandaj ai e përmblodhi moralin familjar në një fjali madhështore kur tha: “Më i miri prej jush është ai që është më i miri me familjen e tij.” 

Kemi edhe rastin e vajzës së Profetit a.s, Fatimes (r.anha). Ajo jetonte me thjeshtësi dhe vështirësi, por shtëpia e saj ishte e mbushur me bereqet dhe iman. Një ditë ajo shkoi tek babai i saj për të kërkuar një ndihmëse, për shkak të lodhjes nga punët e shtëpisë. Por, ai në vend të ndihmëses, i mësoi asaj që para gjumit të thoshte 33 herë “Subhanallah”, 33 herë Elhamdulilah, dhe 34 herë Allahu Ekber, dhe se kjo do të ishte më e mirë për vetë atë.

Kjo ngjarje na mëson se familja besimtare nuk ndërtohet vetëm me rehati materiale, por me lidhje të fortë me Allahun. Sot shumë familje kanë komoditet, por u mungon qetësia. Kanë teknologji, por u mungon komunikimi. Kanë luks, por u mungon bereqeti. Familja myslimane ndërtohet mbi devotshmëri, respekt dhe përgjegjësi. Burri dhe gruaja nuk janë rivalë, por plotësues të njëri-tjetrit.

Allahu i Madhëruar thotë: ﴿هُنَّ لِبَاسٌ لَكُمْ وَأَنْتُمْ لِبَاسٌ لَهُنَّ﴾ “Ato janë petk për ju dhe ju jeni petk për ato.” Petku mbulon dhe zbukuron. Kështu duhet të jetë edhe marrëdhënia bashkëshortore, mbrojtje nga gabimet, mbështetje në vështirësi dhe zbukurim i jetës së njëri-tjetrit.

Prandaj mirësia e njeriut nuk matet vetëm me namazin dhe fjalët e bukura në publik, por me sjelljen e tij brenda shtëpisë. Sa njerëz tregohen të buzëqeshur me të huajt, por të ashpër me familjarët! Sa njerëz kërkojnë respekt nga fëmijët, ndërsa nuk u japin atyre dashuri dhe shembull të mirë!

Një prej shtyllave më të rëndësishme të familjes është edhe edukimi i brezit të ri. Fëmijët janë amanet i Allahut në duart tona. Ata nuk kanë nevojë vetëm për ushqim dhe veshmbathje, por mbi të gjitha për edukatë, moral dhe shembull të mirë.

Allahu i Madhëruar thotë: ﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا قُوا أَنْفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا﴾ “O ju që besuat! Ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri.” (Et-Tahrim, 6)  Pra, ruajtja e familjes nga zjarri bëhet duke i edukuar me besim, duke i mësuar namazin, moralin, respektin dhe frikën ndaj Allahut.

Profeti ﷺ ka thënë: “Të gjithë jeni barinj dhe të gjithë do të pyeteni për kopenë tuaj.” Prindi do të pyetet për fëmijët e tij. Burri do të pyetet për familjen e tij. Gruaja do të pyetet për amanetin e shtëpisë së saj.

Në një hadith tjetër Profeti ka thënë: “Trashëgimia më e bukur që një baba mund t’i lërë fëmijës së tij është edukata e mirë.” (Tirmidhi, Birr 33) Shumë fëmijë sot nuk kanë nevojë vetëm për ushqim dhe veshmbathje, por kanë nevojë për prindër që i dëgjojnë, që u flasin dhe që u japin kohë.

Profeti (a.s.), edhe pse mbante barrën e shpalljes, i përqafonte fëmijët. Një herë, kur ai po puthte nipërit e tij Hasanin dhe Husejnin, një beduin i tha: “Unë kam dhjetë fëmijë dhe nuk kam puthur asnjërin prej tyre.” Ndërsa Profeti (a.s) iu përgjigj: “Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet.” Ky hadith është mesazh për çdo prind. Fëmijët nuk rriten vetëm me disiplinë, por me dashuri dhe mëshirë.

Po ashtu, Islami na mëson respektin ndaj prindërve. Një herë Abdullah ibn Mesudi (r.a) pyeti Profetin (a.s) se “Cila është vepra më e dashur tek Allahu?” Ai tha: “Namazi në kohën e tij.” Po pas namazit? e pyeti përsëri. Këtë herë ai tha: “Mirësia ndaj prindërve.” Sot, në një kohë kur shumë prindër ndihen të vetmuar, Islami na kujton se respekti ndaj tyre është rrugë drejt kënaqësisë së Allahut.

Nga ana tjetër, prej sprovave më të mëdha të kohës sonë është se shoqëria po përjeton një krizë të thellë familjare. Shtëpitë janë mbushur me mjete komunikimi, por zemrat janë zbrazur nga komunikimi i vërtetë. Familjet jetojnë nën të njëjtën çati, por larg njëri-tjetrit në shpirt dhe në ndjenja. Shpesh babai është i zënë me telefonin e tij, nëna me lodhjet e saj, fëmijët me ekranet e tyre. Në shumë shtëpi mungon biseda, mungon dëgjimi, mungon përqafimi dhe fjala e mirë. Dashuria po zëvendësohet nga egoizmi, respekti nga ashpërsia dhe sakrifica nga individualizmi. E gjithë kjo ndodh atëherë kur familja largohet nga udhëzimi hyjnor.

Familja nuk mbahet me përsosmëri, sepse askush nuk është i përsosur. Ajo mbahet me durim, falje dhe sakrificë. Çdo familje ka sprovat e saj, por familja besimtare nuk dorëzohet lehtë. Ajo e ndërton jetën mbi iman, mbi komunikim dhe mbi mëshirë.

Prandaj le ta pyesim veten:     
Sa kohë i kushtojmë familjes    sonë?
Sa herë u themi prindërve “Allahu jua shpërbleftë”?   
Sa herë përqafojmë fëmijët tanë?        
Sa herë kërkojmë falje nga bashkëshorti apo bashkëshortja?

Mos e lini dashurinë për nesër.
Mos e vononi   faljen.
Mos kurseni fjalën e mirë.       
Sepse mund të vijë një ditë kur do të kemi kohë, por nuk do të kemi më mundësinë për t’i thënë ato fjalë që zemra i mbajti gjatë në heshtje.

E lusim Allahun e Madhëruar që t’i mbushë familjet tona me iman, dashuri dhe mëshirë. Të na bëjë prej atyre që ndjekin shembullin e Profetit Muhamed (a.s.) në jetën fetare e familjare. Të na bëjë prindër të mirë, fëmijë të devotshëm dhe bashkëshortë që ndihmojnë njëri-tjetrin. Allahu e largoftë urrejtjen, padrejtësinë dhe përçarjen nga shtëpitë tona, si dhe na bashkoftë në mirësi, në këtë botë dhe në botën tjetër. Amin

Tauland Bica