Familja, themeli bazë i bashkësisë njerëzore

Familja është institucion i frymëzuar nga Zoti i paraqitur qysh me krijimin e njeri- ut. Ajo nuk është zhvilluar përmes proceseve eksperimentale të evolucionit njerëzor e as rastësisht gjatë rrjedhës së kohës. Kjo është një e vërtetë e kumtuar nga mësimet hyjnore të shpallura nga Zoti dhe është
refuzim i tërësishëm i mësimeve evolucioniste, sipas të cilave jeta e njeriut ka filluar në ujë me bashkimin e rastësishëm të miliona proteinave për të krijuar qelizën e parë të jetës.

Raca njerëzore është prodhim i këtij institucioni e nuk është institucioni prodhim i racës njerëzore. “O njerëz, bëhuni respektues e të bindur ndaj Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një individi, kurse prej tij krijoi gruan, e ndërsa prej tyre krijoi dhe shpërndau shume burra e gra. Kini frikë Allahun në emrin e të Cilit përbetoheni. Vërtet, Allahu është Mbikëqyrësi juaj…”

Familja është sistemi më i vjetër shoqëror, sepse ajo arrin deri te familja e parë e Ademit (paqja qoftë mbi të!), e cila ishte bërthamë e tërë shoqërisë njerëzore.

Familja në secilën fe dhe secilin rregullim social pranohet si gurëthemel në shoqëri.

Edhe feja islame shumë shpesh fokusohet te rëndësia e familjes dhe e konsideron atë si kala mbrojtëse përballë jetës boheme, sepse familja është vendi ku natyra njerëzore mundet ta shprehë veten në mënyrën më të mirë, ku mundet t’i realizojë dhe kthejë në praktikë vlerat e larta si: dashuria, respekti, dhembshuria, sakrifica, besnikëria dhe bindja. Afërsisht një e treta e rregullave juridike të
Kur’anit kanë të bëjnë me familjen dhe rregullimin e harmonisë së saj.

Kurani tregon për ambientin e qetësisë, prehjes shpirtërore, të mëshirës dhe të dashurisë, të cilën e formon sistemi familjar dhe ai e bën këtë sistem një argument prej argumenteve të urtësisë, të fuqisë dhe të madhështisë së Allahut.

“Dhe nga shenjat e (madhështisë së) Tij është për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë) ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (30: 31)

Sistemi i familjes islame i vendos të drejtat e burrit, gruas, fëmijëve dhe të të afërmve në një ekuilibër të përsosur dhe këto marëdhënie nga aspekti juridik dhe moral janë të shpjeguara deri në detajet më të imëta. Ai ushqen tek individi bujarinë, dashurinë dhe sjelljet joegoiste në kuadrin e një familjeje të
organizuar mirë. E gjithë kjo ka për qëllim që shoqëria myslimane të ndërtohet mbi themele të shëndosha, pasi qetësia dhe siguria e ofruar nga një familje e stabilizuar ka vlerë të jashtëzakonshme dhe është thelbësore për anëtarët e saj.

Pa ekzistencën dhe përkrahjen e një familjeje të shëndoshë nuk mund të realizohet kurrë harmonia në një shoqëri.

Vetëm në kuadër të familjes potenciali shpirtëror i burrit dhe gruas bëhet realitet dhe zhvillon pastërtinë morale brenda dhe jashtë saj.

Familja në kontekstin islam është një strukturë e veçantë, parimet e së cilës janë lidhur me njëri-tjetrin përmes lidhjeve të gjakut dhe marrëdhënieve bashkëshortore, lidhshmëria e të cilave është e një natyre të atillë sa të kërkojë “kërkesa të ndërsjella”, që janë caktuar nga feja, të përforcuara nga ligji dhe të ndërtuara nga individi.

Struktura familjare në fenë islame është e ndërtuar mbi baza të shëndosha, me qëllim të suksesit dhe vazhdimësisë se saj. Këto baza janë:

  1. Besimi. Me anën e besimit dhe Sheriatit, secili nga bashkëshortët i di të drejtat dhe obligimet e veta dhe ka para vetes një program të qartë për zgjidhjen e problemeve të tyre. Burri dhe gruaja plotësojnë njëri-tjetrin dhe respektimi i përbashkët i vlerave të martesës dhe besnikëria në mes
    bashkëshortëve janë elementet kryesore që e fuqizojnë paqen dhe harmoninë në jetën bashkëshortore.
    Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Më i miri (më i dobishmi) prej jush është ai që është më i mirë për gruan (familjen e tij), e unë jam më i miri nga ju për familjen time”. Po ashtu ka thënë: “Kjo botë është kënaqësi dhe kënaqësia më e mirë e saj është gruaja e mirë. Kur e shikon atë, e gëzon, kur i kërkon diçka e dëgjon dhe, nëse nuk është i pranishëm, ia ruan nderin dhe pasurinë”.

 

  1. Martesa me pëlqim të dyanshëm, sepse vetëm një martesë e tillë do të jetë e sukseshme.
    Islami e ndaloi imoralitetin dhe ndërrmori masa të ashpra për ndalimin e tij, sepse imoraliteti është sulm i hapur ndaj sistemit të familjes dhe shenjtërisë së saj. Kështu, Islami hapi dyert për formimin e familjeve duke iupërgjigjur natyrës së njeriut me të cilën Allahu i krijoi njerëzit.

Kur’ani shpjegon se martesa ishte traditë e pejgambereve në ajetin vijues:

“Ne dërguam edhe para teje të dërguar dhe atyre u mundësuam të kishin gra e fëmijë…” (13: 38).

Në ditët tona familja, e cila është epiqendra e shoqërisë, ndodhet përballë një sërë sulmesh bashkëkohore. Tregtarët e epshit, të cilët pandehin se mbrojnë të drejtat e vajzave dhe grave, duke zhvilluar armiqësi veçanërisht ndaj Islamit, në çdo rast të përshtatshëm e paraqesin martesën si të keqe dhe kërkojnë të asgjësojnë ndikueshmërinë dhe efektivitetin e familjes. Një numër i madh
njerëzish të rënë në grackën djallëzore të ngritur nga ata që e përdorin femrën si mjet kënaqësie e dëfrimi, duke u dhënë pas kërkimeve jashtë familjes dhe Islamit, kryejnë të gjitha llojet e mëkateve në emër të të ashtuquajturit qëndrim bashkëkohor.

Prandaj, martesa është e vetmja mënyrë që bashkëshortët në jetën e tyre të përbashkët të gjejnë kënaqësinë dhe qetësinë e tyre, ta plotësojnë njëri-tjetrin, ndërmjet tyre të ketë dashuri dhe butësi të ndërsjellë, të bëjnë mirëmbajtjen e brezave të ardhshëm dhe të kryejnë të tjera detyra madhështore.
Jeta bashkëshortore është themeli i familjes, kurse familja themeli i bashkësisë njerëzore.
Se sa e rëndësishme është, për sa i përket njeriut, familja e formuar si rezultat i martesës, pohohet me këto fjalë në Kur’an:

“…ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato…” (Bekare, 187)

Profeti Muhamed a.s. në lidhje me këtë thotë:

“Kush ka mundësi për martesë, le të martohet, ngase martesa i mbron sytë nga harami deri në pikë të fundit. Gjithashtu e ruan nderin dhe moralin deri në një shkallë. Ndërsa kush nuk ka mundësi të martohet, le të agjërojë pasi agjërimi e shuan epshin”.

  1. Përgjegjësia e përbashkët. Martesa obligon përgjegjësi të caktuara, të cilat i përkufizon Sheriati.
    Për këtë feja islame i jep rëndësi hapave të parë të krijimit të familjes duke zgjedhur elementet e shëndoshë, të cilët do të mbajë shtrënguar fort nyjen e shenjtë (lidhjen martesore).

Po cila është përgjëgjësia themelore e burrit dhe gruas?

Ato zbërthehen në terma të gjerë e të përgjithshëm. Me qëllim që të mos ketë anarki dhe çrregullim në udhëheqjen e çështjeve të familjes. Islami udhëheqjen e këtij institucioni dhe mbrojtjen e tij ia caktoi burrit, pasi ai është më i fortë që të ballafaqohet me vështirësi dhe peripecitë e punëve të
ndryshme gjatë kërkimit të rrizkut në tokë dhe gjithashtu, sepse burri ka një përvojë më të madhe në njohjen e gjendjes së njerëzve dhe të jetës për shkak të natyrës së krijimit të tij dhe rolit të tij në shoqëri.

Allahu i Madhëruar thotë: “Burrat janë mbrojtësit dhe mbajtësit e grave”.

Kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të kuptohet si sundim apo nënshtrim, por do të thotë sistematizim e radhitje e përgjegjësive, pasi ideja per superioritetin mashkullor në raport me atë femëror, në fenë islame nuk qëndron, ngase kodi islam ka rregulluar mjaft mirë raportet mes burrit dhe gruas ku secilit prej tyre i ngarkoi përgjegjësi të ndara, jo për ta ulur njëri-tjetrin, por për t’u relizuar formula
hyjnore “gjetja e prehjes dhe e qetësisë mes njëri-tjetrit”.

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Të gjithë jeni rojtarë dhe të gjithë jeni përgjegjës për të drejtat e atyre që janë në kujdesin tuaj. Udhëheqësit janë përgjegjës për gjithë atë që është nën pushtetin e tyre, përgjegjësi i familjes është përgjegjës për anëtarët e familjes së vet, ndërsa gruaja është përgjegjëse për familen e saj.”

Ndërsa përgjegjësitë e gruas janë:

Së pari, ajo ka përgjegjësi për kultivimin e situatës së shëndoshë në shtëpi për burrin dhe për fëmijët. Ajo është që dikton disponimin se si do të udhëhiqet shtëpia e si do të krijojë një atmosferë të shëndoshë e të qetë për familjen e saj.

Në Islam, burri për gruan e tij dhe gruaja për burrin e saj janë si një pëlhurë, e cila mbron secilin nga çdo gjë jashtë tyre. Kjo mbulesë përfshin të gjitha aspektet, qofshin shpirtërore apo materiale.
Së dyti, përgjegjësia e saj është në rritjen e fëmijëve dhe edukimin e tyre. Përgjegjësitë e saj shtrihen deri në ballafaqimin me fëmijët, edukimin e tyre, të mësuarit atyre sjelljen, mbrojtjen e tyre, si dhe dallimin e asaj se ç’është mirë dhe ç’është e keqe. Duke i kultivuar të gjitha këto aspekte të rëndësishme në jetën e tyre të përditshme ata do të rriten në mënyrë të pastër dhe të sigurt. Allahu
thotë në Kur’an: “O ju që keni besuar! Mbrojeni veten tuaj dhe familjet tuaja (do të thotë fëmijët, çiftin dhe kështu me radhë) nga zjarri.”

Ndërsa i dërguari i Zotit porosit: “Fëmija edukohet 20 vjet para lindjes së tij”, pra me edukimin e prindërve të tij.

Familja është shkolla e parë për edukimin e fëmijëve dhe se fëmija ka nevojë të domosdoshme për dashurinë e saj, ngase ajo e rrit, e frymëzon dhe i jep vullnet atij. Këtë e shohim në rastin kur familja është e shëndoshë, në shpirtin e fëmijës kultivohen ndjenjat e dashurisë, respektit, bashkëpunimit, vullneti i mirë për të tjerët, puna për të mirën e përgjithshme, si dhe sakrifica për hir të parimeve të larta.
Hulumtimet e shumta shkencore vërtetojnë se shumica e atyre që kanë devijuar dhe janë zhytur në rrugën e kriminalitetit, janë ata që nuk kanë pasur rastin të shijojnë ngrohtësinë familjare, si dhe nuk kanë pasur rast të edukohen me vlerat dhe ndjenjat e jetës së familjes së shëndoshë.

Dashuria dhe harmonia në martesë dhe në familje ku çdo anëtar i familjes i përmbush detyrat e tij familjare, është kënaqësi e vërtetë.

Joharmonia në familje rrjedh nga lënia e detyrimeve dhe përgjegjësive ndaj familjes si dhe nga mungesa e vetëdijes, e cila shkaktohet nga shkalla e ulët e edukatës morale, e pirjes se alkoolit dhe jobesnikërisë bashkëshortore.
Feja islame ka për qëllim të krijojë familje të shëndosha në shoqëri. Këto familje të shëndosha nuk mund të shkatërrohen lehtë dhe nuk bien lehtë nën ndikimin e streseve shoqërore dhe morale dhe që mos shkojmë deri te shkatërrimi i familjes prej shtresave ideologjike, të cilat mundohen të depërtojnë në familjet tona, ne duhet ta forcojmë strukturën familjare.

Familja është institucion që i zhvillon lidhjet farefisnore ose të gjakut mes njerëzve, që i shndërron këto lidhje, në masë të madhe, në solidaritet shoqëror-ekonomik dhe mbështetje të dyanshme. Ka plot tekste kuranore dhe profetike që na obligojnë për sjellje të mirë, vizitë dhe kujdesje ndaj prindërve si dhe ndaj të afërmve.

Allahu i Madhërishëm thotë: “Ne e kemi obliguar njeriun me punë të mirë ndaj prindërve të vet.” dhe “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë, që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë të denjë ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapluar pleqëria pranë kujdesit tënd,
atëherë mos u thuaj atyre as ‘Of-Oh’, as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese). Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj:

“Zoti im, mëshiroji ata të dy sikurse më edukuan mua kur isha i vogël.” (Isra: 23-24) Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Mëkate të mëdha janë: t’i bësh shirk Allahut të Madhërishëm, mosrespektimi i prindërve dhe e vrasja e njeriut të pafajshëm”.

Familja renditet në krye të institucioneve që kontribuojnë në njohjen e brezave me vlerat islame si dhe në formimin e shëndoshë dhe të qëndrueshëm të ndërrimeve shoqërore. Familjet e ngritura mbi vlera të larta si besnikëria, dashuria e sinqertë, bindja e vetëdijshme dhe morali i bukur, janë garancia më e madhe e shoqërisë islame. Fundja, ekzistenca e një institucioni matet me aktivitetin e tij.
Prej familjeve të lumtura burojnë rrezet e lumturisë në mbarë shoqërinë njerëzore, kurse fatkeqësinë e familjeve jo të lumtura e përjeton e tërë bashkësia apo shoqëria njerëzore.

Aida Kurti