Në gjysmën e dytë të viteve 1990 kur isha student, gjatë pushimeve mes leksioneve shkoja në bibliotekën e vjetër të Fakultetit të Edukimit Nexhati Bej (Necatibey) dhe kaloja kohë duke parë libra. Ky vend në fakt ngjante më shumë si një dyqan librash të vjetër të dorës së dytë sesa një bibliotekë. Bibliotekarët zakonisht bisedonin me të ftuarit e tyre ose me njëri-tjetrin dhe pinin çajin që përgatisnin në sobën me gaz.
Shumica e këtyre librave, më të rinjtë prej të cilëve janë të 30-40 viteve, janë libra të botuar në vitet e para të Republikës, ndër klasikët e [përkthyer nga] Hasan Ali Yücel dhe janë pothuajse aq të vjetër sa vetë Fakulteti i Edukimit Necatibey. Në fakt, ky ishte pikërisht vendi ku doja të isha, sepse ndërsa nuk konsiderohej normale të shikoja dhe shfletoja çdo libër një nga një në një bibliotekë, nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për të gjetur atë që kërkonim këtu dhe askush nuk të përzihej. Sigurisht, nuk kërkoja një libër të veçantë në bibliotekë, thjesht doja t’i bëja të këndshme pushimet mes leksioneve të mija. Kush e di, ndoshta ajo që kërkoja ishte të bëja miq të rinj dhe të njihja libra të rinj në këtë botë të librave të vjetër.
Në ato vite, librat që lexonim në shtëpi në shkollë nuk mund t’i lexonim pa rrezikuar shtimin e një prapashtese “-ci”, ose “-cu”[1] përpara emrave tanë. Ne kemi jetuar në kohë të çuditshme dhe vazhdojmë të jetojmë në kohë edhe më të çuditshme.
Epo, një herë u dashurova me librat dhe si në të gjitha dashuritë, ndalesat dhe pengesat tona nuk ishin aq të forta sa të ndanin të dashuruarit. Askush nuk e dinte kohën që kaloja në atë bibliotekë. Ajo u bë fjalë për fjalë një qendër private terapie për mua në ato vite.
Në fakt, synimi im është të flas për disa shkrimtarë për ekzistencën e të cilëve jam në dijeni. Një ditë më ra në dorë një libër. Në kopertinën e librit kishte një vijë të trashë në një sfond gri. E kisha të vështirë të lexoja emrin e autorit, sepse në këtë emër ishin krah për krah zanoret dhe bashkëtingëlloret që shqiptohen shumë vështirë në turqisht. Fatmirësisht titulli i librit ishte përkthyer në turqisht: “Üç Büyük Usta/Tre Mjeshtrat e Mëdhenj”[2] dhe shkruar në kopertinë. Në atë kohë, konceptet “usta/mjeshtër” dhe “ustalëk/mjeshtëri” nuk përdoreshin shumë si argument politik. Në jetën time tashmë kishte një koncept “Ustad” dhe mendoj se fjala “usta” ishte që më tërhoqi nga ky libër. E morra librin dhe fillova ta lexoj me kujdes. Libri ishte një biografi që fokusohej në jetën e tre shkrimtarëve të mëdhenj.
Nuk e mbaj mend nëse e kam huazuar atë libër dhe e kam marrë në shtëpi, apo nëse e kam lexuar në bibliotekë gjatë pushimeve të mësimit, por që nga ajo ditë, të gjithë librat e autorit të këtij libri kanë pasur gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time. Bleva çdo libër që mund të gjeja dhe i lexova pa pushim gjatë viteve. Librat e tij u bënë një strehë për mua kur isha konfuz dhe kisha nevojë për paqe ose për pak kohë vetmie. Me ta u shkëputa nga toka, koha dhe situata ku ndodhesha dhe udhëtova në botë ku bëhej lufta për vlerat e përbashkëta universale të njerëzimit.
Theksimi i vlerave universale njerëzore që kanë librat dhe autori dhe me të cilat jam dakord, më bëri të kuptoj se të njëjtat vlera ekzistojnë edhe në botë të tjera. Në ato botë, pashë se çfarë çmimesh të larta paguanin njerëzit për vlera të tilla si paqja, liria, dashuria për të vërtetën, liria e mendimit dhe besimit si dhe barazia e mundësive. Si në çdo periudhë, pavarësisht nga të gjitha pengesat e pronarëve të rendit të vendosur që mendojnë vetëm për interesat e tyre dhe grupet e interesit që ushqehen me to, mësova se sa shumë përfitime u bënë për emëruesin e përbashkët të njerëzimit nga lufta dhe vuajtja, vetëm nga disa individë, edhe nëse ata nuk mund t’i shihnin vetë këto.
Në historinë e kombeve dhe feve të ndryshme kemi parë intelektualë që nuk heshtën përballë padrejtësisë, njerëzit e fesë që ishin zëri i ndërgjegjes kundër tiranisë të ekspozuar në emër të fesë, artistë që nuk u shitën njerëzimit për asnjë përfitim material paqen në kurriz të gjithë botës në periudhat kur shtete të mëdha dhe kombe të tëra ishin të mbyllur në luftë dhe tirani. Unë njoh mendimtarët që mbrojnë rëndësinë e të jetuarit së bashku, shenjtërinë dhe virtytin e jetës njerëzore. Nga këto libra mësova se vlerat njerëzore dhe juridike të vendeve perëndimore, ku qindra mijëra njerëz, përfshirë edhe mua, një ditë do të duhej të strehoheshin, u arritën me luftën vetëmohuese të një grushti njerëzish.
Sërish pashë me shembuj në këto libra që politikanët, njerëzit egoistë dhe turmat që manipulojnë, të cilët ndryshojnë drejtim sipas erës së kohës dhe ruajnë pozicionet e tyre në çdo periudhë, nuk mund t’i bëjnë këta njerëz të heqin dorë nga vlerat njerëzore që ata besojnë se janë të vërteta. Nëse nuk do të ishin këta njerëz dhe idetë e tyre, të cilët frymëzuan kombet që përpiqeshin të përmirësonin vendet e tyre pas shkatërrimit të dy luftërave botërore, ne nuk do të mund të gjenim strehë këtu sot.
Tani jam veçanërisht i lumtur që kam parë dhe mësuar në ato libra se vlerat njerëzore që arkitektët tanë të ndjenjave dhe mendimeve mbrojtën në kurriz të jetës së tyre, u mbrojtën edhe në gjeografi të tjera nga njerëz me besime dhe stile jetese të ndryshme. Këta njerëz dhe ata të frymëzuar prej tyre duket se janë partnerët tanë të vetëm me të cilët do të bashkohemi dhe do t’i bashkojmë duart në të përbashkëtat minimale, në ndërtimin e paqes botërore që ëndërrojmë për të ardhmen, edhe nëse stilet tona të jetesës janë të ndryshme. Mbi të gjitha, për këtë arsye, ne duhet t’i njohim vlerat, idetë dhe përfaqësuesit e tyre aq sa duam t’i ndërgjegjësojmë për vlerat dhe arkitektet e mendimit tonë.
Ndryshe dihet; njeriu është armik i asaj që nuk e njeh.[3]
Husejin Elmas
Përktheu: Haki Sahitaj
[1] Është fjala për prapashtesat e përkatësisë së një grupi apo xhemati të caktuar. Në kulturën turke kjo përkatësi shprehet si Ahmedci, Tarikatci, Osmancu etj. (Shënim i përkthyesit).
[2] Stefan Zweig, Üç Büyük Usta: Balzak, Dickens, Dostoyevski, İstanbul: Türkiye İş Bankası Kültür Yayınları, 2019.
[3] Shih: Bediüzzaman Said Nursi, Sözler, İstanbul: Şahdamar Yayınları, 2010, fq. 54.