Funksioni i profetësisë dhe vlera e saj krahas filozofisë

Zoti i madhnueshëm i dërgoi njerëzimit revelacionin e Tij me anë të profetëve për t’u mësuar detyrat që kanë ndaj vetes, Zotit e shoqërisë. Këto mësime u sjellin njerëzve dobi të ndryshme që mund t’i përmbledhim në tri aspekte:

Së pari, revelacioni është një korrigjim i moraleve të shpirtit, duke e detyruar njeriun të respektojë kodin moral, të ushtrojë drejtësinë, bamirësinë, dëlirësinë morale, të vërtetën, kurajën, durimin, butësinë e mëshirën dhe të mënjanojë të kundërtat e këtyre virtyteve. Këto mësime, të dhëna nëpërmjet revelacionit, janë të një rëndësie jetike për njeriun, sepse pa moral ai nuk mund të mbijetojë. Një mendje me logjikë nuk mund të dyshojë se shërimi i sëmundjeve të shpirtit është më i rëndësishëm se shërimi i trupit, pasi shërimi i këtij të fundit vjen si pasojë e të parit. Arsyeja është se një regjim i shëndoshë për shpirtin kërkon parandalimin nga çdo gjë që të shqetëson për procesin e funksionimit të trupit dhe që vepron kundër interesave të njeriut.

Një ilaç që mund të shërojë shpirtin e trupin së bashku, është prej natyre më i preferueshëm për njeriun se ai që shëron vetëm trupin. Kjo është krejtësisht e qartë e mund të perceptohet lehtësisht. Një shpirt nuk mund të shërohet me asnjë rekomandim filozofik, përveçse me mësime profetike. Vetëm etika morale siguron udhëheqje të shëndoshë, përderisa bindja ndaj Zotit është pjesë e nevojshme e shërimit dhe është e pakrahasueshme me bindjen që ushtrohet ndaj ndokujt tjetër.

Nuk ka asnjë pikë konvergimi midis moraliteteve shekullare që thonë se kjo është teoria më e saktë për t’u adoptuar në lidhje me edukimin e trupit e të shpirtit njëherazi. Njerëzit që e perceptojnë forcën dhe pushtetin e hidhërimit e të zemërimit e shpjegojnë çdo gjë me termat e kësaj force. Kjo i referohet teorisë së mbinjeriut të Niçes.

Fusha e dytë në të cilën profetët i sollën dobi njerëzimit ishte shpëtimi i tyre nga shkelja e ligjit dhe ndalimi nga agresioni. Kjo tendencë e njeriut nuk mund të korrigjohej me anë të qortimit dhe të kujtuarit verbal të atyre që nuk u kushtojnë rëndësi të vërtetës, kultivimit të moraleve mbrojtëse të të dobëtit dhe të pronës. Kështu pra, profetët u mësojnë njerëzve metodat e largimit dhe të sigurimit nga e keqja. S’ka njeri që të mund të korrigjojë sjelljet e tij pa një udhëheqje të shëndoshë, ngase, siç u cek më lart, çdo fuqi tjetër përveç Zotit, është e pafuqishme për të ndihmuar. Njerëzit nuk arrijnë të mësojnë vetë se cilën rrugë duhet të ndjekin pa udhëheqje nga lart. Zoti është i vetmi autoritet që me anë të profetëve, të dërguar herë pa here, e ka udhëzuar njerëzimin.

Rruga e tretë me të cilën profetët i sjellin dobi njerëzimit, konsiston në faktin se ata ndihmojnë për të kaluar një jetë të mirë në këtë botë dhe për t’u përgatitur për një jetë të lumtur pas vdekjes. Siç është provuar tashmë se nuk ka asnjë rrugë tjetër për të njohur Zotin, Krijuesin e gjithësisë dhe për të arritur përsosmërinë shpirtërore e materiale vetëm me anë të profetëve. Filozofia kurrë nuk i ka sjellë njerëzimit shpëtim. Çdo njeri që pretendon se ajo është një mjet shpëtimi, e ka gabim, sepse nuk ka prova që ta vërtetojë këtë. Edhe filozofët kanë pikëpamje të ndryshme. Njeriu duhet të kërkojë realitetin e gjërave, sepse ai humb kohën duke lexuar dhe vërejtjet rreth çështjeve që kërkon nuk i sjellin dobitë që i sjell feja.

Disa thonë se ç’nevojë kishte Zoti për të favorizuar dikë duke e caktuar profet që të udhëhiqte të tjerët? Përse të sillte njerëz të ndryshëm që do të shkaktonin përçarje tek njerëzit? A nuk do të ishte më mirë sikur Ai ta kishte inspiruar krejt popullin dhe t’i frenonte nga gabimet e zakonshme? Ne u përgjigjemi kështu: Zoti është i ditur dhe i mëshirshëm. Kudo në jetë shohim se disa njerëz janë udhëheqës e disa të udhëhequr, disa janë mësues e disa nxënës. Ky proces ekziston në çdo aspekt të jetës dhe nuk ka ndodhur që të gjithë të jenë të një niveli për të perceptuar problemet e jetës. Njerëzit nuk mund të jetojnë të pavarur nga njëri-tjetri. Mësuesit në të gjitha fushat që t’i marrim, janë të nevojshëm për të udhëhequr atë që nuk është në gjendje. Vetëm hipokritët kryeneçë e të drejtuar gabim mund të mendojnë në këtë mënyrë. A mendojnë ata se dinë diçka që nuk e kanë mësuar? Ata i kanë mësuar dituritë e tyre nga mësuesit që kanë pasur. Nëse ata mendojnë se mund të mësojnë të tjerët nga ju, le të shikojnë përqark tyre se sa larmi natyrash e kapacitetesh ka. Njerëzit kanë nevojë të madhe për profetët e librat e tyre të shenjtë, të inspiruar nga Zoti për të sjellë paqe e bashkim në këtë jetë. Me veprimet tona thjesht materiale, nuk përfitojmë gjë në këtë fushë. Ne nuk arrijmë të kuptojmë urtësinë hyjnore në trajtimin që u bën Zoti problemeve njerëzore.

Neoplatonistët myslimanë, Ihvanus-Safa, e vlerësuan shumë filozofinë dhe u përpoqën ta pajtojnë me fenë. Ata përkthyen shumë tekste greke në atë kohë, në gjuhën arabe. Logjisieni E.S. Mantik i kritikoi ata për mendimet që kishin në lidhje me pajtimin e unifikimin e fesë me filozofinë. Filozofinë ai e konsideronte prodhimin e mendjes njerëzore, ndërsa ligjet hyjnore janë revelata e komunikuar profetëve nga Zoti. Filozofia shtron pyetje, ndërsa feja është e fiksuar dhe e stabilizuar. Profetët u dërguan edhe për filozfoët, ndërsa këta të fundit nuk mund t’u predikojnë profetëve.

Teologët, nga të cilët edhe Ibni Hazmi, thonë se Zoti është burimi i të gjitha diturive. Ai e mëson njeriun që të shprehë njohuritë e tij e mënyrën se si të komunikojë me të tjerët dhe njëherazi si të sillet.

Njeriu i parë u la aftësitë atyre që pasuan.

Profeti Muhamed (a.s.) shkëlqeu në të gjitha aspektet morale të tij, në karakterin e tij gjejmë të gjitha cilësitë e kodet e sjelljeve morale. Morali i tij krahasohet me atë të profetëve të marrë së bashku: bujaria, përulësia që ishin dy veçori të rralla tek qeniet e tyre njerëzore. Ai nuk ndërtoi një shtëpi për vete, denjonte të rrinte e të hante krah për krah me të varfrin, ecte rrugës më këmbë si njeri i përvuajtur, nuk pranonte kurrë bamirësi e lëmoshë, por mund të pranonte ndonjë dhuratë modeste, të cilës i përgjigjej me të njëjtën vlerë. Ai kurrë nuk hante vetëm, por me njerëzit e thjeshtë, të cilët i trajtonte me butësi; pranonte çdo ftesë, pavarësisht nga rangu shoqëror që ishte ftuesi. Kur mori Mekën, kundërshtarët e tij iu afruan përqark, mes tyre kishte edhe nga ata që i kishin vrarë të afërmit dhe shokët, nga ata që e kishin sharë, përbuzur e persekutuar e, në vend që të hakmerrej, siç veprojnë sistemet e ndryshme politike, edhe të ditëve tona, ai i fali e i përcolli me fjalët: “Fjalët e mia ndaj jush janë si ato që u tha të vëllezërve të tij vëllai im, Jusufi, prandaj kthehuni e shkoni në shtëpitë tuaja, Zoti është i mëshirshëm ndaj jush dhe ju fal”.

Profeti e kalonte kohën më të madhe në heshtje, e nuk fliste pa qenë nevoja. Ai i këshillonte shokët e tij që të flisnin gjëra të vlefshme ose të heshtnin. Sipas nivelit të njerëzve përdorte edhe gjuhën e të folurit e tij. Një herë i erdhi një shok dhe i kërkoi sqarim rreth prikës që donte t’i jepte gruas së tij. Në përgjigje ai përdori disa terma që e çuditën shokun e tij, Ebu Bekrin, i cili i tha Profetit: “Ti ke lindur e je rritur në gjirin e prindërve tanë, ne kemi udhëtuar edhe nëpër ato vende dhe ti s’ke pasur rast të tillë”, duke dashur të thoshte me këto fjalë me njerëz që flasin dialekte të ndryshme të gjuhës arabe, por ne po shohim se ju po i kuptoni mirë ato gjëra që për ne janë të panjohura. Profeti iu përgjigj se këto ishin mësimet e Zotit, prej të cilave kishte përfituar.

Duke i pasur parasysh të gjitha këto virtyte, ne mund të themi se njeriu është një krijesë e Zotit dhe, si e tillë, mund të dallojë të mirën e të keqen. Zoti e ka pajisur njeriun me aftësi e prirje për të kërkuar të mira e virtyte dhe kur Ai e sheh se njeriu priret drejt të mirave, e ndihmon dhe e udhëheq shpirtin në kërkimin e rrugës së drejtë, e ndihmon të bëjë dallimin në mes të drejtës e të shtrembës, të dobishmes e të dëmshmes. Për këtë ndihmë Zoti është angazhuar ndaj njeriut që krijoi me këto fjalë në Kur’an: “E kur robtë e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua” (2: 186).

Njeriu është një qenie intelektuale e morale e nderuar nga Zoti, i Cili e urdhëron të përdorë aftësitë e tij për të bërë të mira në mënyrë që të shpëtojë këtë botë e në atë të përjetshmen. Kur njeriu vuan nga një sëmundje, në shpirtin e tij Zoti i jep rekomandime të ndryshme për ta kuruar atë dhe është i gatshëm ta falë, kur e ndien shpirtërisht pendimin për sjelljet e veprat e kryera. Ai krijon gjithfarë mundësish për të kuruar të metat e tij morale, gjë që mund të arrihet me anë të bindjes e të nënshtrimit ndaj vullnetit të Zotit, me të cilin emër janë quajtur edhe ndjekësit e kodit hyjnor, Kur’anit, “myslimanë” nga fjala “Islam” (bindje e nënshtrim ndaj urdhrave të Zotit). Korrigjimi e reformimi i shpirtit nuk është i pamundur, një përpjekje për të arritur këtë fazë është jetike për njeriun. Profetët na pajisin me morale të sjelljeve të mira. Këto sjellje të mira morale nuk mund të shkëputen në asnjë mënyrë nga feja e mësimet e saj. Filozofia vetëm nuk mund ta zëvendësojë moralin fetar, i cili ka më shumë se një qëllim e që është përgatitja e njeriut për të fituar një jetë të lumtur në të dy jetët.

Prandaj është detyra e njeriut që të kërkojë për të mbajtur me dinjitet këtë emër të krijesës më të përkryer, duke respektuar e zbatuar, me anë të veprimeve të tij të përditshme, mësimet e fesë së reveluar nga Zoti nëpërmjet profetëve të Tij gjatë gjithë historisë, pasi sado që të përpiqet për të gjetur burime të tjera moralizuese, nuk do të arrijë kurrë atë që merr nëpërmjet fesë.

Përgatitur sipas Ibni Hasur

ISMAIL MUÇEJ