Udhëtimi në mënyrë të përgjithshme është lidhur gjithnjë ngushtë me zbulimin e vendeve të reja. Njeriu, shpesh i zënë në rutinën dhe në gjeografinë e po të njëjtave përjetime të përditshmërisë, shtyhet të njohë shtigje të reja, përjetime qoshesh, sokakësh dhe njerëzish të kulturave të ndryshme dhe kjo zgjon tek shpirti i tij ndryshimin dhe lëvizjen në vetvete. Lëvizja dhe ndryshimi i sjellin freski mendjes, ashtu siç rrjedha e mban gjallë ujin. Rutina e punës, pirja e kafes në po të njëjtat kafene, ulja me po të njëjtit njerëz, dynjaja në vetvete dhe bisedat e përkoshmërisë, shpeshherë të padobishme, nuk e mbushin më zemrën me ajrin që i duhet, kështu atë e thërret udha…
Së dyti, llojit të udhëtimit i shtohet edhe ai historik, ku njeriu priret të njohë historinë e njerëzve dhe vendeve që dikur patën një madhështi gjallimi, e që tashmë qëndron mbi dhé vetëm gjurma e tyre e shkuar. Mbretëri të rëna, kështjella, vepra arti që u qendisën nga duar të tjera në të shkuarën feksin me misterin e tyre të vjetëruar por jo të plakur, të paprekur nga koha. Ky udhëtim lidh tek shpirti urat e shekujve dhe mijëvjeçarëve…
Mirëpo, ka edhe një lloj tjetër udhëtimi, për të cilin rrallëpak flitet, i cili vihet në specifikë edhe nga një hadith profetik, ku fjalëurti i Dërguar i Allahut a.s. na lë si porosi: “Tri janë vendet të cilat njeriu merr udhën t’i vizitojë: Mesxhidi Haram (Qabja), Mesxhidi Aksa, dhe kjo xhami e imja (pra xhamia e Resulullahut në Medinen e Shndritshme).”[1] Të trija këto vende kanë si specifikë të përbashkët faktin se janë xhami pejgamberësh. Ky lloj udhëtimi shkon përtej të resë dhe të vjetrës, ndonëse në pikëpamje të parë ne priremi të mendojmë historikun e të tri xhamive, këtu nuk kemi të bëjmë veçse me urën mes të shkuarës dhe të tashmes së shpirtit të njeriut, e aq më pak mes të tashmes dhe të ardhmes së tij. Shpalosja e kaderit dhe e jetës për njeriun është mister që i përket të fshehtës dhe që askush nuk e di e as që mund ta zbulojë, përveçse duke e jetuar. Ama, nuk është ky qëllimi. Çfarë ka kaluar, ka kaluar dhe çfarë ka për të ardhur, ka për të ardhur.
Ky udhëtim ka të bëjë me gjenezën e gjithçkaje, me kërkimin e fillit nistor, me burimin nga ku nisi krijimi dhe nga ku doli shpirti. Kërkimi i strehës është qëllimi. Në hadithin e mësipërm Profeti i nderuar a.s. nuk është se ndalon vizitën e vendeve apo xhamive të tjera, ama sikur do të thotë: Më të mirat e vendeve që mund të vizitohen dhe që ja vlen të merret parasysh lodhja e mundimi i rrugës janë këto të trija. Njëra është streha e parë që sipas edhe Ibn Abbasit, është shtëpia e parë që u ndërtua nga engjëjt për profetin Adem a.s., njeriu i parë, dhe që më vonë, profeti Ibrahim a.s. e rindërtoi dhe rinxorri në pah themelet e vjetra të saj. E kështu me radhë, këto faltore të ndërtuara nga profetët bëhen udha e pastër e cila zgjatet për ata që duan të udhëtojnë për tek Zoti i tyre. Tek këto tri xhami namazi ka më shumë vlerë dhe adhurimi ka më shumë sevape. Po a nuk na qartëson Zoti në Kuran se shtëpia e parë, apo faltorja e parë e ndërtuar për njerëzit në tokë është Qabja në Mekën e bekuar?![2]
Haxhi, i cili është bërë detyrim për ata që i përmbushin kushtet, dhe që është një nga pesë shtyllat e fesë Islame, është pikërisht ky fill i gjetur. Është për këtë arsye që, ata që kurrë nuk rendën në rrugë për të kërkuar, shpirti i të cilëve nuk ndjeu kurrë mall, e që nuk u përzhitën nga mungesa e gjatë e takimit, nuk mundet kurrsesi ta kuptojnë mallin e një haxhiu. Ata që nuk ndoqën fillin e profetëve, që nuk u gjendën në gjurmët e tyre, ata që e humbën fillin pra, dhe nuk panë dritën e shpalljes që Zoti u dha zemrave të profetëve, që na e përcolloën me aq mundim e zell e përkushtim të jashtëzakonshëm, enden duke vizituar muzetë, piramidat, rrënojat në mënyrë të pashpresë për të kërkuar atë: fillin.
Ama nuk ka rëndësi se sa e mundimshme qe sfilitja duke kërkuar gjetkë atë që fshihej brenda në ashtin e truallit të shpirtit, kudo që të gjendet, njeriu me zemrën kërkuese dëgjon kumtin hyjnor “Kudo që të jeni, kthejini fytyrat tuaja në drejtim të Mesxhidi Haramit (Qabes)”.[3] Kështu shpaloset tabloja madhështore e haxhit. Miliona besimtarë të përmalluar që adhurojnë Zotin e tyre.
Mbi Qabe, në një linjë të drejtë që tejkalon fizikën dhe që grish metafizikën, Allahu krijoi poshtë Arshit të Tij një shtëpi të quajtur Bejtu’l Ma’mur, rreth së cilës bëjnë tavaf engjëjt. Në gjegjësen e saj, rreth Qabes në dynja, bëjnë tavaf besimtarët. Ky adhurim i ngazëllyeshëm i engjëjve, i njerëzve, dhe i xhindeve, ky unifikim i pamatë, është manifestimi i monoteizmit, i njëshmërisë së Zotit i Cili qëndron larg çdo të mete dhe larg çdo idhujtarie që i atribuohen nga ata që e humbën fillin.
Ata që kërkuan, gjetën. Ata që patën mall, u panë. Ata që deshën, u takuan. Gjeti oazin e saj ajo etje e brendshme e zemrës dhe e shpirtit për atë ujë përjetësie, për atë ab-i hajat,qëburon prej fjalës së Allauht, kur tha: “… Kur i dhashë njeriut formë të bukur dhe i fryva atij prej Shpirtit Tim…”[4] si edhe mallit për kujtesën apriori të kumtit:
- “A nuk jam Unë Zoti juaj?
- Thanë: “Kalú belá – S”ka dyshim që po, dëshmuam që je!”[5]
Haxhi është besnikëri ndaj besës së dhënë. Me fillin e gjetur në dorë, besimtari lidhet pas atij litari të fortë të Allahut dhe tashmë dynjaja për të është thjesht një udhë kalimi nga Zoti për tek Zoti. Cilat re mund ta errësojnë qiellin e asaj zemrë që i besoi Allahut? Asnjë errësirë nuk e terratis, asnjë pellg i thellë nuk arrin ta mbysë, asnjë pus i thepisur nuk arrin ta ngërthejë, asnjë burg nuk arrin ta kufizojë, asnjë plagë nuk arrin ta gjunjëzojë, asnjë lodhje nuk arrin ta mposhtë. Horizontet e larta të mbushura me engjëjt e afërt të Zotit, me profetët, me njerëzit e devotshëm grishin vazhdimisht shpirtrat e etur për përjetësi dhe në këtë rrugë të ndritur, e keqja nuk hedh dot rrënjë.
Zot na bashko me të sinqertët dhe me udhën tënde të Drejtë. Zot mos na e humb fillin. Zot udhëzoje këdo drejt këtij filli të pakëputshëm dhe na mundëso të përjetojmë madhështinë e mirësisë Tënde në këtë botë dhe në botën e përhershme!
Amin!
Mehmet Disha
[1] (Buhariu, Fadlus-Salâti fî Mesxhidi Mekke ue’l-Medîne, 6; Haxh, 26; Saum, 67; Muslimi, Haxh, 288; Tirmidhiu, Salât, 243/326)
[2] Ali Imran, 96.
[3] Bekare, 144.
[4] Hixhr, 29.
[5] Araf, 172.