Çdo fe u ka sjellë ndjekësve të saj një sërë urdhëresash dhe ndalesash duke i bërë përgjegjës për respektimin e tyre. Kjo përgjegjësi ekziston pak a shumë në të gjitha fetë, qofshin të vërteta apo besëtytni. Personi që përfaqëson një fe dhe mendim, e tregon besnikërinë ndaj saj vetëm me këto veprime, pra duke i zbatuar urdhrat dhe duke iu shmangur akteve dhe veprimeve të ndaluara.
Fjala agjërim në kuptimin etimologjik, do të thotë të ndalosh veten nga çdo gjë, ushqimi, pija etj. Si njëri prej adhurimeve, fenomeni i agjërimit është shumë i hershëm, i cili ka ekzistuar me disa ndryshime në të gjitha periudhat e historisë. Ndërkaq, këto ndryshme kanë ndodhur në disa çështje lidhur me hollësitë e agjërimit. Mund të thuhet se pothuaj në të gjitha fetë e shkuara ka pasur agjërim ose një adhurim të ngjashëm me agjërimin, pavarësisht nga forma, koha, synimi dhe përbërja. Ai është i njohur në të gjitha fetë e shpallura, madje dhe në paganizëm. Ka të dhëna se keltët, meksikanët e vjetër, peruanët dhe asurianët i kanë dhënë rëndësi agjërimit. Ai ishte i njohur dhe aplikohej edhe tek egjiptianët e lashtë e pastaj është bartur edhe tek grekët e vjetër. Këtë e praktikuan edhe babilonasit, kinezët e popuj të tjerë.
Edhe tek ithtarët e feve hyjnore ”Ehlul Kitab“ (Judaizmi dhe Krishtërimi), agjërimi njihej dhe praktikohej. Sipas një transmetimi, kur profeti Musa ndodhej në Egjipt, Allahu u premtoi bijve të Izraelit se, po ta shkatërronin armikun, do t’u dërgonte një libër. Pas shkatërrimit të faraonit, profeti Musa iu lut Allahut t’ua dërgonte librin e premtuar. Allahu e urdhëroi profetin Musa të agjëronte 30 ditë (të muajit Dhulkade) dhe pastaj edhe 10 ditë të tjera (të muajit Dhulhixhe), duke plotësuar kështu 40 ditë agjërim. Tridhjetë ditët qenë ditë agjërimi, kurse dhjetë ditët e tjera, ditët e afërsisë dhe pëlqimit dhe në fund zbritja e Teuratit dhe biseda mes Zotit dhe profetit Musa. Ndërsa në burimet mbi agjërimet e krishterëve hasim në veçorinë se para profetësisë, Hz. Isai mbante dyzet ditë agjërim. Veç kësaj, sipas një pikëpamjeje të parapëlqyer, mbante edhe agjërimin e shëlbesës që ishte detyrim tek hebrenjtë. Profeti Isa nuk ka vënë konkluzione të veçanta mbi agjërimin.
Argumenti më i madh për ekzistencën e agjërimit edhe para Islamit është ajeti 183 i sures Bekare ku thuhet: “O ju që besuat! Agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. Siç kuptohet edhe nga ajeti, agjërimi njihej tek popujt dhe gjeneratat e hershme, të cilët në shenjë respekti ndaj Zotit, agjëronin ditë të caktuara ose i ndalonin vetes disa ushqime. Edhe pse rendi i agjërimit ka ndryshuar, të gjithë e kanë njohur si formë adhurimi. Lashtësia e kësaj dispozite flet për rëndësinë e saj dhe për vet faktin se në shpirtin e njeriut përherë është ushqyer ndjenja për adhurimin e Allahut në forma të ndryshme.
Islami si fe e drejtë dhe e vërtetë, i ka urdhëruar përfaqësuesit e vet të kryejnë disa adhurime duke vënë si kusht të qenit mysliman. Si shumë konkluzione e urdhra, edhe agjërimi është bërë detyrim (farz) jo në vitet e para të Islamit, por në periudhën e Medines. Si datë, agjërimi në Ramazan është bërë obligim në muajin Shaban të vitit të dytë të hixhretit, një muaj pasi kibla u kthye kah Qabja.
Ndërsa në kuptimin terminologjik të Islamit, fjala agjërim do të thotë ndërprerje e ngrënies, pirjes dhe marrëdhënieve seksuale nga agimi deri në perëndim të diellit me një synim të caktuar dhe në mënyrë të vetëdijshme. Agjërimi në fenë Islame dhe aplikimi i tij në praktikë, mbi të gjitha është një adhurim që bëhet vetëm për hir të Zotit, e cila kupton nënshtrimin ndaj Allahut dhe respektimin e ligjeve të Tij.
Sprova e Agjërimit
Njeriu është një udhëtar që lëviz gjithmonë dhe që s’njeh ndalime. Udhëtimi i tij ka filluar nga bota e shpirtërave për tek babai, nga babai tek barku i nënës, nga atje ka ardhur si fëmijë në këtë botë. Nga fëmijëria në rini, pleqëri, varr, ringjallje, ura e siratit e deri në pafundësi (Haxh, 5). Ne nuk e dimë se sa kohë kemi qëndruar në botën e shpirtërave, sa do të qëndrojmë në këtë botë apo sa do të qëndrojmë në varr, por e dimë shumë mirë se do të jetë e pafundme jetesa në botën e përtejme.
Për të shpjeguar se sa e shkurtër është jeta këtu, Profeti (a.s.) thotë: “E ç’lidhje kam unë me botën. Unë jam si shembulli i udhëtarit. Ai ka dalë për një udhëtim të gjatë, duke ecur qëndron për t’u rehatuar nën hijen e një peme. Më pas ka filluar udhëtimin. Edhe shembulli im është si ai (Gazali, Ihjau Ulumid-Din).
Ja pra, kjo botë pse është shumë e shkurtër është një vend sprovimi shumë i vështirë. Po ta fitojmë këtë sprovë, do të fitojmë kënaqësinë e Tij (xh.sh.) dhe po të fitojmë kënaqësinë e Tij, kemi fituar çdo gjë.
Agjërimi i Ramazanit është një nga sprovat e forta dhe të vështira për njeriun. Ai mund ta fitojë këtë sprovë me besim dhe përkushtim ndaj Krijuesit të tij. Në fakt e gjithë jeta e njeriut është një sprovë. Allahu (xh.sh.) na ka sjellë në këtë botë për të na sprovuar, të shihet, a do të bëhet një njeri i denjë për xhennet, apo me veçoritë e qymyrit do të meritojë xhehenemin. Këtë fakt Allahu i Madhëruar e shpjegon në ajetin e dytë të sures Mulk: “Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është Ngadhënjyesi, Mëkatfalësi”. Ndërsa në ajetin 155 të sures Bekare thuhet: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta, e edhe nga frytet, po ti përgëzoji durimtarët”. Po, Allahu na sprovon me jetën, me ato që na jep, me ato që na merr, me urdhërat dhe ndalimet, me uljet dhe zbritjet tona dhe me shumë fenomene të tjera. Rruga për të fituar këto sprova është falenderimi ndaj Allahut (xh.sh.), për mirësitë dhe begatitë që na dhuron dhe durimi përballë fatkeqësive dhe të këqijave, largimi nga gjërat e ndaluara dhe kryerja e obligimeve të urdhëruara nga Ai (xh.sh).
Edhe agjërimi i muajit të Ramazanit është një nga sprovat e forta, sidomos në kohët tona kur pretendimet kanë marrë tatëpjetën. Është akoma më e fortë kur ushqimi i mirë, akomodimi luksoz dhe kërkesat e panumërta të njeriut për këtë jetë, janë shtuar së tepërmi duke lënë mbrapa për ta varfëruar akoma më tej shpirtin e tij. Jemi mësuar të hamë shumë dhe shpesh, por ne, duke e ditur se agjërimi është sprovë dhe, për të fituar kënaqësinë e Allahut (xh.sh.), në dashtë Zoti do ta kryejmë sa më mirë këtë obligim.
Agjërimi është një adhurim i pastër dhe i sinqertë. Sepse në adhurimet e tjera ekziston mundësia e përzierjes së hipokrizisë, por tek agjërimi, jo. Pra, agjërimi është i sinqertë, i papërzier me qëllime të tjera përveç qëllimit për të fituar pëlqimin e Allahut (xh.sh.). Agjërimi dallohet nga adhurimet e tjera për vetë faktin se sekreti i tij lidhet me qëllimin e agjëruesit, të cilin se di kush tjetër, veçse Krijuesi i Madhëruar. Prandaj Zoti e konsideron agjërimin të Tijin, në një hadith kudsi të transmetuar nga Ebu Hurejre ku thuhet: “Çdo punë e njeriut është e tija, përveç agjërimit. Ai është i Imi dhe vetëm Unë e jap shpërblimin për të. Besimtari e lë ushqimin për Mua, largohet nga gruaja e tij vetëm për Mua dhe braktis dëshirat e tij vetëm për Mua” (Sahihu ibn Huzejme). Krijuesi i Lartë në një tjetër hadith kudsi thotë: “Kush agjëron një ditë për mua, shpërblimin e tij do e jap unë” (Buhari). Kjo do të thotë se ky shpërblim i Zotit, nuk llogaritet me njësi matëse apo peshore, por jipet drejpërdrejt nga Ai, në masën që e di vetëm Ai.
Shkëputur nga libri “Ditët dhe netët e mira në Islam”
Këshilli botues, KMSH