ISLAMI MES MENDJES DHE ZEMRËS

Allahu xh.sh e krijoi njeriun dhe e pajisi me dy të vërteta të mëdha, të cilat janë: Mendja dhe zemra. Ai i dha secilës prej atyre të dyjave nga një detyrë të cilën nuk do të mund ta kryente asgjë tjetër përveç tyre dhe nuk do të vlente asgjë pa verifikimin dhe konfirmimin e tyre prej çështjeve të dynjasë dhe të Ahiretit.

Për sa ka të bëjë me mendjen, detyra e saj është që ajo t’u afrohet gjërave, të perceptojë realitetin e tyre, të deduktojë prej dukurive të jashtme të gjërave atë çfarë gjendet prapa tyre dhe, prej kësaj, të arrijë te njohja e Allahut, te besimi në Njësimin e Tij dhe në Zotërimin e Tij Absolut.

Ndërsa lidhur me zemrën, detyra e saj është që ajo të ecë pas udhëzimit të mendjes, ta dojë atë të mirë, të cilën mendja e vërteton se është e mirë, dhe ta urrejë të keqen, të cilën mendja e vërteton se është e keqe, duke e ndërtuar skemën e të gjithë asaj në rrugën e kënaqësisë së Allahut.

Sigurisht, për ndërtimin e botës dhe për vendosjen e rregullit në të kërkohet vënia në funksion e këtyre dy aparateve. Në qoftë se nuk do të ishte mendja, do të përziheshin tekat dhe fantazitë e nefsit me rrahjet dhe ndjenjat e zemrës, dhe do të bëheshin bashkë e ulëta me të lartën për ndezjen e një të keqeje ndjellazezë, e cila do të prishte çdo gjë, “Sikur e Vërteta të ishte sipas dëshirave të tyre, atëherë do të shkatërroheshin qiejt dhe toka dhe gjithçka që gjendet në to…” (El-Mu’minun, 23:71).

Po të mos ishte zemra, nuk do të gjendej e mira veçse në botën e iluzionit dhe të fantazisë. Atëherë, do të mbetej struktura e virtyteve dhe e idealeve më të larta thjesht dhe vetëm në plane e projekte në letër, ose thjesht fjalë e fjali në gojë. Kështu mendja është fuqia zbuluese dhe planifikuese, kurse zemra është fuqia shtytëse dhe lëvizëse.

Në çdo punë ose ndërtim kërkohet, së pari, të bëhet projekti i saktë dhe i mirë-sistemuar; pastaj, së dyti, kërkohet mjeti zbatues i tij. Duke parë se Islami është përfshirësi i të gjitha vlerave, atëherë kërkohet medoemos, për realizimin e kësaj detyre, mbështetja te këto dy aparate të mëdha. Për këtë arsye erdhi Islami që t’u drejtohet njëherazi mendjes dhe zemrës. Ai i drejtohet mendjes me qëllim që ajo të perceptojë e të planifikojë; dhe i drejtohet zemrës me qëllim që ajo të dojë dhe të ndikohet. Sigurisht, ti do të gjeje shumë ajete të Librit të Qartë që u drejtohen lidhjeve të zemrës pikërisht në kohën që ato ajete komunikohen për të zgjuar perceptimet e mendjes. Kjo është me qëllim që secili të ngrihet për të kryer funksionin e tij dhe të kontribuojë në realizimin e humanizmit të njeriut; dhe pastaj ta ngrejë atë te niveli i adhurueshmërisë së tij ndaj Allahut. Gjithashtu ti do të gjeje Hadithe të Profetit Muhamed, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, në të cilët Profeti Muhamed gjithmonë e refuzonte në qoftë se besimi me mendje nuk do të shoqërohej me dashurinë e zemrës. A nuk e ke dëgjuar Pejgamberin të thotë në hadithin e saktë: “Askush prej jush nuk beson derisa unë të jem më i dashur për të se sa pasuria e tij, fëmija e tij dhe se sa të gjithë njerëzit”. Gjithashtu në një hadith tjetër të saktë ai tha: “Tek ai që ndodhen tri gjëra, ai do të gjejë ëmbëlsinë e besimit: Që Allahu dhe  Pejgamberi i Tij të jenë më të dashur për të se sa çdo gjë tjetër; që njeriu të dojë veçse për hir të Allahut; dhe ta urrejë kthimin në mohim, ashtu siç urren që ai të flaket në zjarr”.

E VËRTETA E BESIMIT

Pastaj ti, gjithashtu, do ta gjeje të mishëruar këtë kuptim në atë për të cilën kanë konsensus unanimisht shumica e dijetarëve të Islamit, se ‘Besimi shtohet dhe pakësohet’ dhe se myslimanit i kërkohet të punojë për ta forcuar e shtuar besimin e tij. Është e vetëkuptueshme se fusha e këtij shtimi nuk mund të jetë mendja, sepse mendja nëse përparon në perceptimin e diçkaje deri në shkallën e besimit dhe të nënshtrimit, ajo sigurisht që ka arritur te fundi i skajshëm, përtej të cilit nuk mund të kalohet; meqë perceptimi për diçka është thjesht edhe vetëm përfytyrim edhe konceptim edhe vërtetim. Vërtetimi është përfundimi më i lartë logjik, i cili nuk pranon kundërshti e dyshim. Atëherë, sigurisht vërtetimi me mendje nuk pranon asnjë shtim apo pakësim; por fusha e këtij shtimi nuk është veçse zemra. Në zemër ndodhet një shkallë ndjenjash, shkelëzat e së cilës pothuajse kurrë nuk mbarojnë. Në të ndodhet një lëndë e madhe djegëse prej pasionesh të mëdha e të fuqishme, të cilën nuk mund ta përshkruajë asnjë laps apo diksion. Në këtë poçe -enë- piqet dhe lulëzon besimi. Në të riprodhohen mrekullitë e besimit, për të cilat kemi dëgjuar shumë shpesh në të shkuarën, por që jeta jonë mbeti shterpë në të tashmen. Shikoje Deklaratën Hyjnore se si e përshkruan këtë fushë të zemrës për të forcuar e shtuar besimin dhe medito rreth Fjalës së Tij: “Dhe dijeni mirë se mes jush është i Dërguari i Allahut. Po të ishte se ai do t’ju bindej juve (duke ndjekur dëshirat e mendimet tuaja) në shumë çështje, ju sigurisht që do të ishit në telash, por Allahu e ka futur thellë besimin tek ju dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, ndërsa jua ka bërë juve mosbesimin, poshtërsinë dhe mosbindjen (ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij) të urryer për ju. Pikërisht këta janë ata të udhëzuarit drejt”. (El-Huxhurat, 49:7). Dhe ti je i mirinformuar se dy fjalët, “Habbebe” (Ai jua bëri të dashur), dhe “Zejjene”(Ai jua ka zbukuruar), të dyja këto fjalë i njeh fjalori i zemrave; ato vijnë pas mendjes dhe nënshtrimit të saj.

E VËRTETA E DASHURISË

Pastaj, kjo dashuri, në kuptimin e saj të vërtetë, nuk është thjesht ndjekja dhe sjellja praktike, siç mund ta përfytyrojnë disa njerëz, por ajo është përdorur pikërisht në kuptimin e saj të mirëfilltë. Kështu, ndjekja nuk është veçse një ndikim prej ndikimeve të saja. Atëherë, si do të ishte dashuria ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij një ndjekje praktike?! Vetë ndjekja, për sigurinë e mendjes, ka nevojë për një dashuri shtytëse të zemrës. Natyrisht, kuptohet me intuitë se akti prej sakrificave të mëdha dhe të ndritshme, që e paraqitën Sahabët me veten dhe pasurinë e tyre, nuk ishte vetë dashuria, por ishte një ndikim prej ndikimeve të dashurisë së madhe, të cilën zemrat e tyre e bënë të vërshojë. Përndryshe ajo do të ishte thjesht vërtetim i asaj që është vetë misteri i sakrificës në rrugën e saj. Atëherë, do të bëhej detyrim me mendje që të barazoheshin të gjithë myslimanët në cilësinë e bërjes së sakrificës dhe vetëflijimit. Kush do të mund ta thoshte këtë? Dhe kush ka pretenduar se vetë çështjet mendore kanë ndikim në mendje e në zemra? A ka dëgjuar ndonjëri prej njerëzve që një njeri ta ketë sakrifikuar jetën e tij për shkak se ka besuar në ndonjë rregull matematikor apo në ndonjë problem prej problemeve të algjebrës?

VIRTYTI DHE LIGËSIA

Sa të drejtë kishte “Zhan Zhak Ruso – Jean-Jacques Rousseau” në atë ditë që nisi të përqeshte ata që mendonin se thjesht besimi në virtytin konsiderohet fitore për të dhe për përmbushjen e parimeve të tij. Ai thotë: “Sa shumë është thënë e rithënë rreth dëshirës për ta vendosur virtytin te thjesht mendja! Oh sa bazament i fortë! Çfarë  bazamenti është ky?! Virtyti, ashtu siç thonë, është sistemi. Por a është e mundur që besimi në sistemin ta kapërcejë ëndjen time të veçantë? Ky parim i pretenduar nuk është gjë tjetër veçse lojë fjalësh. Ligësia është dashuria për sistemin në një formë të ndryshme”.

Shiko! Një ditë Amerika perceptoi se në alkool ndodhen dëme e pasoja të rënda të ndryshme; dhe ajo e besoi këtë me mendje, duke u mbështetur në prova të sigurta dhe në tregues të ndryshëm eksperimentalë dhe shkencorë. Në bazë të kësaj, qeveria amerikane mori guximin që të shpallte me ligj ndalimin e alkoolit. Por çfarë ndodhi pas kësaj? Sapo kaloi një periudhë e shkurtër kohe, filluan t’u merreshin mendtë kokave të vetë atyre kodifikuesve të legjislacionit prej dhimbjes së privimit. Pastaj ata u tërhoqën dhe e grisën projektligjin, që gati do ta miratonin e shpallnin. Kështu, ata nisën përsëri të merreshin me gotat e mbushura me alkool.

Kurse në Medinën e Ndriçuar, para katërmbëdhjetë shekujve, një grup prej analfabetësh, jeta e të cilëve qysh prej një kohe të gjatë ishte ndërtuar me alkoolin, duke e konsideruar atë aq të domosdoshëm si domosdoshmërinë e diellit, të ajrit dhe të ujit dhe të cilët e konsumonin shumë alkoolin, tek ata ndodhi mrekullia nëpërmjet misterit të një ajeti të vetëm, i cili përmban vetëm pak fjalë. Ata sapo e dëgjuan Fjalën e Allahut të tyre në fund të ajetit, “Kështu, a nuk do të hiqni dorë, pra? (El-Maideh,5:91), ata menjëherë e derdhën alkoolin, thyen gotat e alkoolit dhe shprehën me klithma: “Ne hoqëm dorë, o Zoti ynë”.  Vetëm për një orë kohë alkooli, prej një elementi prej elementeve të jetës – i cili konsiderohej i domosdoshëm si domosdoshmëria e diellit, e ujit dhe e ajrit – u transformua në një fëlliqësi e ndyrësi të keqe. Në një orë të vetme u shfuqizua një zakon i fortë e i vjetër, sikur ai zakon të mos ishte dje dhe sikur ai të mos kishte rrënjë të thella e të largëta.  Atëherë cili është ndryshimi mes Amerikës, që besoi në eksperimentin, njohjen dhe shkencën dhe mes Sahabëve të Pejgamberit të Allahut, të cilët e pritën çështjen me pranim dhe e besuan atë nga e Padukshmja?

Ndodhet një siguri e paarmatosur, të cilën nuk e arrin nefsi dhe nuk e mbështet epshi; dhe ndodhet diçka e cila vendoset në zemër dhe qëndron në mendim. Zemra është prijësi i të gjithë kësaj qenieje njerëzore, duke e drejtuar atë si të dojë dhe duke e çuar në rrugën që ajo dëshiron. Pastaj zemra është si pasqyra, e cila nuk mund të zhvishet e nuk mund të jetë pa format që shfaqen në fytyrën e saj. Në të, ose do të vërtetohen forma të turbullta prej dynjasë dhe prej fantazive të saj, ose ajo do të shkëlqejë me Dashuri të Vërtetë Hyjnore. Në qoftë se zemra do të vërshonte me turbullirat e epsheve dhe të fantazive, atëherë sa e pamundur dhe sa larg do të ishte që vetë besimi të bëhej nxitës i njeriut për çfarëdo akti prej akteve të sakrificës apo të vetëflijimit?!

DASHURIA HYJNORE

Cila është rruga për pastrimin e zemrës dhe për mbjelljen e Dashurisë Hyjnore në të derisa të shtohet besimi nëpërmjet saj dhe që të shumohen faktorët bazë të vetëflijimit, dhënies dhe të xhihadit?

Përgjigjja: Ti ke rrugë të shumta për këtë. Prej më të rëndësishmeve të këtyre rrugëve është ajo që ti të veçohesh me veten tënde midis çdo periudhe kohe dhe çdo etape. Medito në të për nefsin tënd, për të vërtetën dhe origjinën e tij dhe sa shumë i nevojshëm është ai për përkujdesjen e Allahut dhe për suksesin nga ana e Tij në çdo çast të jetës. Medito rreth mirësive të shumta të ndryshme me të cilat Allahu të nderon ty në gjendjet, rrethanat dhe në transformimet e tua. Pastaj medito rreth njerëzve dhe pafuqisë së tyre të skajshme para Krijuesit dhe rreth mospasjes së asnjë dobie prapa lavdërimit të tyre, ose shpifjes së tyre, ose mbështetjes tek ata. Pastaj mendo se sa e lartësuar është Madhështia e Krijuesit në shfaqjet e mirësive të Tij të ndryshme dhe të përkujdesjes së Tij, të cilat nuk mund të numërohen. Mendo se si Ai të ka dhuruar ty mantelin e mbulimit dhe të fshehjes së Tij, dhe si i ka penguar njerëzit duke i mbajtur larg të metave të tua dhe duke i mbajtur ato të meta sekret midis Tij dhe teje. Pastaj Ai i përhapi tek ata virtytet e tua dhe aktet e tua të lavdërueshme, kur ti vetë nuk e synove atë gjë. Pastaj ndiqe këtë me shumimin e Dhikrit- Përmendjes- së Tij duke bërë Tesbihate -Lëvdata- me zemër e me gjuhë dhe duke shpeshtuar recitimin e Kur’anit.

Gjithashtu, midis më të rëndësishmeve të këtyre rrugëve është ajo e shqyrtimit të shumtë lidhur me Biografinë e Profetit Muhamed, me moralin e tij, me mënyrën e tij të të jetuarit dhe të trajtimit të njerëzve nga ana e tij, sepse e gjitha kjo është pjesë prej shfaqjes së Profetësisë së tij. Është veçori e këtij shqyrtimi që ta forcojë besimin dhe ta ngulisë atë në zemër. Pastaj zemra, në këtë gjendje, dridhet e vlon me dashurinë e virtyteve dhe me idealet më të larta. Çfarëdo që të studioje e kërkoje, ti nuk do t’i gjeje virtytin, shembullin më të lartë dhe aspektet e mirësjelljes dhe të bukurisë personale e morale të grumbulluara në ndonjë qenie të vetme, veçse në qenien e më të mirit të krijesave, në qenien e Profetit Muhamed, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Atëherë s’është për t’u habitur që ai të jetë boshti i zemrave të medituesve dhe të shqyrtuesve si dhe modeli i të gjithë mendimtarëve të drejtë.

Gjithashtu, midis më të rëndësishmeve të rrugëve është ajo e shtimit të akteve të përgjithshme të adhurimit dhe të salavateve të veçanta, duke qëndruar drejt tek ato me devocion, frikë dhe duke ndierë Praninë Hyjnore. Dhe betohem për Zotin! Nuk do të binin pasojat e ndryshme që lidhen me nefsin dhe as nuk do të gjallërohej zemra me dritën e dashurisë dhe të njohjes, veçse pasi të shtohen e shumohen adhurimi dhe virgjëria -pastërtia morale- në jetën e myslimanit derisa të shtrihet ndikimi i tyre në nefs dhe në zemër dhe t’i tundin ato të dyja duke i nxitur, nëpërmjet uljes dhe ngritjes, mes dy anëve të frikës dhe të shpresës. Dhe pikërisht kështu bien pasojat e lidhura me nefsin dhe do të hiqej ai perikard -cipë- e turbullt e shtrirë në faqen e zemrës.

Në qoftë se myslimani do të ecte në këtë rrugë dhe nëse do të përgatitej për të ndërmarrë këtë detyrë, atëherë, nga kjo do të mbinte në zemrën e tij një dashuri e madhe hyjnore, duke e bërë atë që të mos frikësohej prej asnjë të madhi tjetër, që të përçmonte çfarëdolloj tundimi prej gjërave tunduese, të shpërfillte çdo lëndim e ndëshkim dhe të ngjitej lart mbi çdo poshtërim apo qesëndi. Betohem se ajo është pajisja më e madhe me të cilën Allahu e pajisi të dashurin e Tij, Muhamedin, për të marrë përsipër peshat e thirrjes islame. Ajo është pajisja me të cilën duhet të armatoset, pas tij, çdo mysliman.

Dëshiroj ta vendos dorën tënde, pas kësaj që përmenda, te pusia e sëmundjes kronike në jetën tonë islame sot.

SËMUNDJA KRONIKE

Sëmundja jonë e rëndë kronike është se ne myslimanët, me mendim dhe mendje dhe jo me dashuri e me zemër, domethënë, është se ne ushtrojmë thjesht një Islam me mendje larg tërheqjeve të zemrës dhe ndikimeve të saja. Një lloj i këtillë prej jetës islame mund të prodhojë pasuri të madhe ideologjike ose një bibliotekë të gjerë Islame, por ai lloj nuk do ta prodhonte kurrë lumturinë e synuar islame. Mishërimi më i vogël i kësaj të vërtete, të cilën po e shpreh, është, për shembull, se ti mund të takohesh me një grup ose xhemat prej myslimanëve të cilët kanë qendrën kryesore të mendimit dhe të udhëheqjes islame në vendin ku ata gjenden. Midis tyre fillon diskutimi rreth Islamit, rreth mënyrës së thirrjes për tek ai, për t’u lartësuar nëpërmjet tij dhe rreth detyrës së myslimanëve në këtë shekull. Ata zhyten në këtë diskutim me energji, kënaqësi dhe entuziazëm. Në afërsi të tyre dëgjohet zëri i lartë i myezinit, duke thirrur ezanin për faljen e namazit. Por diskutimi vazhdon. Thirrja e ezanit mbaron dhe shkrihet në zhurmën e diskutimit dhe në poteren e tij. Pas kësaj, vazhdon një kohë e gjatë  dhe të pranishmit, duke qenë të preokupuar me përgjigjet, shpërqendrohen ndaj ezanit dhe ndaj kryerjes së namazit dhe vazhdojnë diskutimin rreth Islamit dhe interesimit ndaj tij. Koha e namazit gati po mbaron, ndërkohë që ata vazhdojnë në prokopinë me diskutimin e tyre. Në fund, njëri prej tyre propozon një pushim prej pak minutash me qëllim që të kryejnë faljen e namazit. Namazi fillon me nxitim, duke mos kryer më shumë se rekatet e farzit. Tani shqyrto në aspektin e jashtëm të namazit të tyre. Nuk ka dyshim se secili prej tyre është drejtuar me mendjen e tij te diskutimi rreth të cilit ata fantazuan! Sapo të japin selamin e namazit, ata kthehen te njëri-tjetri. Gjatë namazit njëri ka kujtuar atë çfarë kishte harruar gjatë diskutimit. Te kujtesa e një tjetri ndodhi vështirësia dhe ngatërresa e perceptimit të tij te leximi i Sures El-Fatiha. Diskutimi i tyre rreth Islamit dhe problemeve të tij fillon përsëri. Por ata harruan se prapa namazit që e kryen ndodhen edhe Tesbihate, Dhikri dhe duatë. Sigurisht, namazi ka pjesë plotësuese të njëpasnjëshme dhe nafile. Çdo gjë prej diskutimit në të cilin ata u zhytën nuk është veçse mjet për këtë qëllim të madh; dhe kështu me radhë. Ti mund të marrësh shembuj të tjerë në këtë mënyrë. Megjithatë, ajo që është më e rëndësishmja, në vetë këtë përshkrim, është se shumë myslimanë sot e mbrojnë këtë mënyrë dhe filozofojnë në thirrjen për tek ajo dhe janë të bindur dhe i bindin edhe të tjerët se ‘Islami nuk është tjetër veçse ky aspekt i jashtëm prej lëvizjeve formale, i cili stampohet mirë në studimet ideologjike, në diskutimet teorike dhe në organizimet protokollare’. Kështu, ata vazhdojnë duke e zvogëluar rëndësinë e ibadetit, të virgjërisë dhe të llojeve të Dhikrit, duke pandehur se ato janë mallra të njerëzve të zakonshëm dhe të të paditurve, të cilët nuk kanë punë tjetër dhe me to mbushin boshllëkun e kohës së tyre.

Mua më kujtohet një tubim i madh në njërin prej vendeve tona arabe. Unë isha njëri prej të pranishmëve në atë tubim. Më kujtohet se një mendimtar prej dijetarëve të shquar mbajti një fjalim në atë tubim. Midis të tjerave, ai tha: “Problemi i shumë myslimanëve sot është mendimi i tyre se Islami është ‘që njeriu të kryejë sa më shumë namaz, ose të bëjë sa më shumë adhurim, ndonëse Islami është punë dhe ndërtim’.” Unë nisa të kthehesha nga ana e djathtë dhe e majtë me qëllim që të shikoja fytyrat e të pranishmëve. Pastaj nisa të meditoja rreth natyrës së njerëzve të të gjithë atij qyteti. Ajo tek e cila më drejtuan sytë e mi dhe tek e cila më çoi mendimi im ishte se atje ndodheshin njerëz të cilët ishin shkëputur nga jeta e dynjasë dhe gjendeshin nëpër shpella të largëta për adhurim e namaz me pak rekate prej nafileve plotësuese. Atëherë, cili është aspekti i nevojës për këtë fjalë? Cila është domosdoshmëria që të bën thirrje për ta bërë të urryer namazin, ose për të bërë thirrje për t’i pakësuar adhurimet ndërkohë që të gjithë të pranishmit në vend ishin neglizhentë deri në minimum? Çudia është se, pas kësaj ne bëjmë thirrje për punë, ndërtim e vetëflijim. Cila është ajo që i bën myslimanët ta realizojnë të gjithë atë, ndërsa janë të lidhur me pesha e pranga prej epsheve, fantazive dhe prej lakmive të ndryshme të dynjasë!? Cila është ajo që më nxit mua për të shkuar pas epsheve dhe fantazive të mia dhe që zemra ime regëtin me dashurinë e tyre dhe me lidhjen pas tyre? Padyshim, çështja ka nevojë për ndihmës e për mbështetës. Por ku janë ky ndihmës e mbështetës dhe cilët janë? Deklarata Hyjnore i është përgjigjur kësaj dhe ka vendosur para duarve tona ndihmësin dhe mbështetësin. Kjo është te Fjala e Allahut, “Dhe kërkoni ndihmë me durim dhe me faljen e namazit. E është e vërtetë se kjo është tejet e rëndë dhe e vështirë përveç besimtarëve që i frikësohen (ndëshkimit) të Tij”. (El-Bekareh, 2: 45). Krijuesi e vendosi këtë ilaç ndihmues para duarve të të dashurit të Tij, Profetit Muhamed, sa herë që rëndohej çështja, ose sa herë binte ndonjë telash i rëndë, ose zgjoheshin në nefsin e tij disa ndjenja njerëzore. Shqyrtoje, për shembull, Fjalën e Allahut drejtuar Pejgamberit të Tij: “Bëj durim për gjithçka që ata thonë dhe lartëso lavditë e Zotit tënd para lindjes së diellit dhe para perëndimit. Edhe gjatë një pjese të natës lavdëroje Atë, si edhe pas faljeve-sexhdeve”. (Kaf, 50:39-40). Hidhe vështrimin edhe te këto ajete të tjerë: “Kështu që ji i duruar dhe nënshtroju urdhrit të Zotit tënd, dhe mos iu bind asnjë mëkatari ose mohuesi prej tyre. Dhe kujto Emrin e Zotit tënd çdo pasdite. Dhe gjatë natës bjer me fytyrë përtokë (në sexhde) për Atë dhe lavdëro Atë gjatë natës me falje të gjatë.” (El-Insan, 76: 24-26).

Ruajna Zot, që Selefët tanë -të parët tanë- prej myslimanëve të ishin neglizhentë! Ata e forcuan dhe e mbrojtën këtë fe me heroizmat e tyre, me xhihadin dhe me vetëflijimet e tyre. Ata patën sukses në këtë veçse me heqjen e peshave të epsheve dhe prangave të fantazive prej vetvetes së tyre nëpërmjet armës së adhurimit, virgjërisë dhe qëndrimit në këmbë për orë të gjata, duke bërë ibadet para Allahut, në një pjesë të natës, duke derdhur lot të nxehtë, duke bërë lutje të përshpirtshme dhe duke e përmendur Atë me zemër të dridhur.

Për Zotin! Myslimanët e sotëm nuk do të mund të ecnin pas hapave të të parëve të tyre të djeshëm veçse në qoftë se dashuria do të mbushte zemrat e tyre, në qoftë se do të ndizeshin pasionet hyjnore mes krahëve të tyre, dhe në qoftë se do t’i mbushnin gotat e tyre me atë pije të lartë, e cila do t’i nxirrte ata prej errësirës së epsheve e të fantazive dhe të ngjiteshin lart me ndërgjegjen e tyre te niveli i së vërtetës më të lartësuar. Vetë zjarri i dashurisë është kërbaçi shtytës dhe energjia lëvizëse. Vetë dashuruesi është ai që përpiqet me mallëngjim për tek i dashuri. Me këtë atij i lehtësohet vështirësia, ajo ia afron atij të largëtën, tek ajo asgjësohen forcat, në të shkrihet jeta, dhe nuk e sheh se ai e ka përmbushur premtimin e dashurisë apo e ka kryer detyrën e dhënies së falënderimit ndaj mirësisë. Në ditën që kjo dashuri të mbushë zemrat e myslimanëve të sotëm, atëherë plotësohet e gjithë struktura, përmbushet e gjithë puna, shfaqen mrekullitë e vetëflijimit, të dhënies dhe të xhihadit, si dhe zbresin mrekullitë e ndihmës, krenarisë dhe të mbështetjes.

Dr. Muhammed Seid Ramadan Buti

 Shqipëroi nga Arabishtja: Jusuf Salkurti