Vështirësia nuk qëndron në të kuptuarit e fesë dhe gjeografisë. Unë mendoj se vështirësia është në të zbuluarit e asaj diçkaje që është më shumë se sa fe në Islam dhe gjeografi në Perëndim, sepse Islami është fe më shumë se sa fe dhe Perëndimi është gjeografi më shumë se sa gjeografi. Unë besoj se kjo “diçka më shumë se sa fe dhe gjeografi”, është ajo që i bën Islamin dhe Perëndimin të tërhiqen drejt njëri-tjetrit dhe të jenë në garë me njëri-tjetrin.
Duke qëmtuar në këtë ‘diçka’ të mistershme, që është “diçka më shumë se sa Islam”, disa të shkolluar, shpesh e humbasin nga shikimi objektin e studimit të tyre. Të verbuar nga ambicia për të qenë të kohës, disa të shkolluar të Perëndimit orvaten të japin mendime të paragjykuara në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me myslimanët. Ata dëshirojnë të na mësojnë, se politikat janë diçka më shumë se sa feja islame, por duke harruar faktin se Islami është diçka më shumë se sa vetë politika. Pra, të reduktosh Islamin në gjykime politike, është një çoroditje, si të reduktosh politika vetëm me problemet e Islamit. Islami është politikë më shumë se politika, siç është në të njëjtën kohë më shumë fe se feja.
Unë mendoj se është më shumë kjo “diçka më shumë e Islamit” se sa politika primitive, që mungon të shihet në mediat apo kulturën e Perëndimit. Sadam Huseini është një mysliman, aq sa është Hitleri një i krishterë; Karaxhiçi është i krishterë, aq sa është Osama bin Laden mysliman. Sidoqoftë, në këtë vizion primitiv, Hitleri nuk është një i krishterë fashist. Ai s’është veçse një ndër fashistët më të këqij në histori. Karaxhiçi nuk është një i krishterë kriminel lufte. Ai s’është veçse një ndër kriminelët më të këqij të luftës në ish-Jugosllavi. Nga ana tjetër, Sadami nuk është vetëm një ndër shtetarët më të këqij të historisë. Ai është pikërisht myslimani diktator. Dhe Osama bin Laden s’është veç një ndër luftëtarët vullnetarë botërorë, por ai është terroristi islamik i vërtetë.
Myslimanët e mbarë botës janë përditë të bombarduar prej medias perëndimore, veçanërisht, sepse adresa e atyre që akuzohen për terrorizëm janë në trajtën pavetore. Përderisa Islami nuk ka një adresë personale, kjo do të thotë se çdo gjë dhe kushdo që ka lidhje me idenë fisnike të Islamit, është i akuzuar edhe pa një provë të vërtetimit të fajësisë. Do t’u dëshiroja disa njerëzve të medias perëndimore të ishin në rrobat e myslimanit vetëm një minutë, që të shikonin se si dikush e ndjen veten të mundshëm për t’u shndërruar në një tabelë qitjeje të akuzave për terrorizëm islamik. Unë mendoj, se pas kësaj, ata kurrë nuk do të stigmatizonin më me damkën e terrorizmit islamik.
Madje, edhe nëse themi se Perëndimit i pëlqen ta mbajë Islamin nën një provë të përhershme pa një verdikt të qartë për fajësi, nuk është ende e falshme për të ofruar një mbrojtje të dobët për Islamin. Historia ka treguar se mirëqenia e Islamit është më mirë të kryhet me një vetëdhënie provash, se sa me një britmë apologjike (mbrojtëse). Islami i ka rezistuar disa keqinterpretimeve myslimane dhe po kështu do t’u rezistojë edhe atyre perëndimore.
Unë vërej se marrja e Islamit dhe Perëndimit vetëm me terma të problematikës dhe lidhjeve midis të madhit Perëndim dhe Lindjes së gjerë islame, nuk na ndihmon të kuptojmë problemet dhe të ardhmen e Islamit në vetë Perëndimin, jo si diçka që është e importuar, por si diçka që ka lindur në Perëndim. Flas për myslimanët natyrorë të Perëndimit, ata që historikisht janë europianë dhe ata që kanë lindur në Europë. Do të doja të ndaja mendimin dhe reflektimin tim për problemet e Islamit, të ardhmen dhe qytetarinë e tij në Europë, si një port i jetës njerëzore, me problemet dhe të ardhmen e Islamit dhe të Perëndimit në Europë.
Më lejoni të them se Europa nuk është Darul Islam (shtëpia e Islamit), por nuk është as edhe Darul Harb (shtëpia e luftës). Unë besoj se Europa është Darus Sulh (shtëpia e pajtimit), shtëpia e kontratës sociale. Nuk është shtëpia e Islamit, sepse myslimanët nuk përbëjnë shumicën e banorëve dhe vendeve të saj, por edhe sepse Ligji Islam nuk mund të implementohet plotësisht.
Ajo nuk është shtëpia e luftës, sepse disa aspekte të ligjit islam mund të implementohen. Megjithatë Europa është shtëpia e pajtimit, sepse të jep mundësinë të jetosh në pajtim me Islamin në kuadrin e “Kontratës Sociale”, si principe që individët e lirë dhe racionalë, të nisur nga interesa personale, do ta pranonin në një pozitë fillestare të barazisë, si përkufizim të termave të shoqërizimit të tyre.
Nuk është e vështirë të provohet ideja e një kontrate, qoftë sociale apo tjetër, është mëse e legjitimuar në Islam. Ne kemi me shumicë dokumente doktrinale dhe historike, të cilat tregojnë për konceptin e Sulh-it (paqe, “ri”pajtim, zgjidhje), si një kundërshti të konceptit të Harb (konflikt, përleshje, acarim, luftë, etj.).
Ideja e vërtetë e Islamit është paqja me Zotin, me të Dërguarin e Tij dhe me sundimin e ligjit. “Zoti ju thërret në shtëpinë e paqes” (10:25). “Shërbëtorë të Zotit janë ata, të cilët vërtiten kokulur, të përulur në këtë rruzull dhe që kur injoranti u drejtohet atyre, ata thonë: “Paqe”” (25:63). “Nuk është e përshtatshme për një besimtar, grua qoftë apo burrë, që atëherë kur diçka është e vendosur prej Zotit dhe të Dërguarit të Tij, të ketë një opinion të vetin, nëse kushdoqoftë nuk i bindet Zotit dhe të Dërguarit të Tij, do të thotë që ai paska zgjedhur rrugën e gabuar, me të vërtetë” (33:36). “Secilit prej jush i kemi përshkruar një Ligj dhe një Rrugë të hapur. Nëse Zoti megjithatë do të kishte pasë dëshirë, Ai do të mund t’ju bënte një popull të vetëm, por (plani i Tij është) dëshiron t’ju vërë në provë në atë çka ju ka ofruar… Qëllimi i të gjithë juve është Zoti. Është Ai që do t’ju tregojë juve të vërtetën e gjërave për të cilat keni kundërshtime ndërmjet jush” (5:51).
Është në frymën e këtyre ajeteve kuranore, që i Dërguari i Zotit a.s. ka realizuar traktate (pajtimi apo zotimi) me politeistët, të krishterët dhe çifutët në Medine, si edhe me fqinjët mbretër të Abisinisë, Persisë apo Bizantit. Kalifati i Rashidinëve ka ndjekur pikë për pikë shembullin e të Dërguarit a.s., shembull ky i ndjekur prej sundimtarëve të mbarë myslimanëve gjatë gjithë historisë së Islamit. Ky fakt historik i Kontratës Shoqërore, i nisur prej myslimanëve mbarë kundrejt kombeve apo kulturave të tjera, ka qenë mësimi i dokumentuar prej Dr. Muhamed Hamidullah në librin e rrallë të titulluar “Grup dokumentesh politike të epokës së Profetit dhe Kalifatit të Rashidinëve”.
Ne mund të shpreheshim se një kontratë burrash nuk është ligj i natyrës, por diktati i arsyes, sidoqoftë kjo marrëveshje, është vullneti i besimit. Kështu pra, që ne e konsiderojmë myslimanin si një njeri besnik ndaj Zotit, si një akt vullneti për fenë e tij, që do të thotë kushtetutë. Ne e përkufizojmë qytetarin si një njeri me detyrime shtetërore, pra si një akt të diktatit të arsyes së tij, pra të pajtimit të tij me marrëveshje, njeri që mund të japë zemrën e tij për Zotin dhe të marrë prej Tij sigurinë e brendshme.
Me kontratë, ai i jep shtetit arsyen e tij dhe merr prej tij sigurinë sociale, si banor i një qyteti apo fshati. Njeriut i jepet e drejta për të pasur privilegje dhe e drejta si një njeri i lirë. Ai është pjesëtar i një shteti, një njeri i lindur apo i natyralizuar, që i deklaron besnikërinë e tij një qeverie, e cila nga ana
e saj ka për detyrë t’i sigurojë të drejtat për jetën, fenë, lirinë, pasurinë dhe dinjitetin.
Më lejoni të jem i qartë këtu: të mirëkuptohesh, nuk do të thotë të pranosh. Në të kundërt, mosmirëkuptimi të çon në pranimin e gjërave, që mund të hidheshin poshtë prej shpirtit të marrëveshjes po aq mirë, sa edhe mund të hidheshin poshtë gjëra që mund të pranoheshin prej forcës së kontratës. Megjithëkëtë, mosnjohja e realitetit të shoqërisë europiane në dimensionet e saj të ndryshme, na bën të paaftë të dallojmë të mirën nga e keqja, të nevojshmen nga e panevojshmja e prodhimeve europiane. Unë tentoj të besoj se Europa (apo Perëndimi në përgjithësi) ka më shumë njohuri për myslimanët që më vonë t’i pranojë ata, në të kundërt, myslimanët kanë shumë më pak njohuri për Perëndimin dhe kështu që janë më pak të gatshëm për ta pranuar. Ky është dallimi bazë midis afrimit europian për Islamin dhe afrimit mysliman për Europën. Pra, europianët t’i pranojnë myslimanët siç janë dhe myslimanët të mbeten në stadin e tyre të njohjes për Europën. Europa është gati të tolerojë Islamin në shtëpinë e saj, por nuk është akoma e gatshme të pranojë Islamin në jetën politike, kulturore dhe sociale të saj. Nga ana tjetër, myslimanët janë gati ta pranojnë Europën ashtu siç është, por nuk janë duke bërë ndonjë gjë të mjaftueshme për të rritur njohjen e tyre për ambientin politik, kulturor e shoqëror europian, me qëllim ndryshimi të pozicionit të tyre në shoqërinë europiane.
Nëse do të pranonim Shtëpinë e Pajtimit si një koncept tonin për Europën, sipas termave të “një myslimani të vërtetë dhe qytetari të mirë europian”, vetëm atëherë do të mund të njihnim se cilat janë rrugëdaljet që do të mund të kishin të bënin me veten tonë për të gatuar konceptet praktike. Vallë, a do të mund të njihnim problemet që mund të krijohen prej disa lloj tensionesh mes Islamit alla europian dhe qytetarisë? A janë ato vallë politike apo ekonomike, kulturore apo fetare? Unë besoj se do të ishte korrekte të thonim se problemet janë të tëra fetare. Pra, politikisht, myslimanët në Europë do të duhej të dinin se çfarë përfaqësojnë të drejtat njerëzore për komunitetin e tyre. Do të duhet të insistonin për të shkundur paragjykimet që ekzistojnë te publiku europian për Islamin dhe myslimanët e të krijuar prej masmedias politike europiane.
Me këtë nënkuptoj prirjen dhe qëndrimin antiislam, si një rezultat të intolerancës politike dhe urrejtjes raciale. Ne duhet ta mësojmë Europën që të pranojë vlerat islame dhe të çmojë kontributin, që punëtorët dhe intelektualët myslimanë japin në ndërtimin e një Europe të lulëzuar dhe të lirë. Nuk është vetëm në planin historik që Europa i ka borxh myslimanëve lirinë dhe lulëzimin e saj, por është gjithashtu edhe kontributi i tanishëm i myslimanëve për zhvillimin e saj, që na jep të drejtën të shpallim që Europa na ka një borxh të madh. Ekonomikisht, ne duhet të kërkojmë shanse të barabarta për një
lulëzim ekonomik të komunitetit mysliman në Europë.
Për sa i përket problemeve fetare, ato varen në një masë të madhe në zgjidhjen e të lartpërmendurave zgjidhje politike, ekonomike dhe kulturore. Feja jonë është rruga e jetës sonë. Megjithëkëtë, problemet fetare nuk mund të izolohen prej jetës sonë. Ndërtimi i një xhamie në Europë është një problem fetar, por ai nuk mund të zgjidhet pa një vendosmëri politike të qeverisë europiane, nuk mund të mbahet pa një zhdërvjelltësi ekonomike të komunitetit mysliman, ai nuk mundet t’u shërbejë qëllimeve të tij edukuese pa lehtësitë e duhura.
Çështjet e myslimanëve në Europë nuk mund të kufizohen vetëm tek ato fetare, por mund të shtrihen po kaq edhe tek ato shoqërore. Feja jonë mund të trajtohet në mënyrë të natyrshme dhe legale si të gjitha kulturat e tjera të Europë, sipas parimit të lirisë së ndërgjegjes. Për fat të keq, Islami akoma nuk është natyralizuar në Europë. Ai ende ka një status të çuditshëm, apo një status të veçantë, që e toleron, por nuk e ka pranuar si një përfaqësi e barabartë në fushën e trashëgimisë shpirtërore europiane, pavarësisht faktit që ai qëndron sot për sot si një besim i dytë pas Krishterimit në shumë vende europiane.
Myslimanët europianë sot janë duke u përballur me vështirësi të mëdha në ruajtjen e identitetit të tyre prej mungesës së vullnetit të disa qeverive europiane, me qëllim sendërtimin e nevojave të tyre fetare dhe të drejtave shoqërore. Ata presin të jenë të integruar në shoqërinë europiane, shumë shpesh për të mos humbur identitetin e tyre mysliman. Në përgjithësi, prej medias europiane del përshtypja sikur një mysliman, për të qenë qytetar i mirë europian, duhet të mohojë origjinën e tij myslimane, apo të marrë përsipër (sikur të jetë ai fajtori) barrën e gjithçkaje që ndodh në botën myslimane.
Kjo ndodh, sepse nga kjo përshtypje, del që çështja e myslimanëve në Europë nuk është vetëm fetare, në kuptimin e personalitetit etik dhe moral mysliman, por në shumë raste, gjendja e tyre është e mbingarkuar aq shumë politikisht, sa rëndom dhe përherë ata jetojnë nën presionin e pasigurisë dhe frikës. E megjithëkëtë, Islami mund të depolitizohet në kuptimin e të larguarit nga lokalizmi e të shfaqjes siç është, një fe universale, që ka qëllimet e veta t’u mësojë pasuesve besimin e mirë të jetesës në një shoqëri globale. Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se myslimanët nuk mund të mirinformohen për politikën e shoqërisë globale. Përkundrazi, myslimanët mund të jenë mjaft mirë të pajisur me njohurinë e një politike globale, në mënyrë që të jenë të aftë të ruajnë besimin e tyre nga politizimet e këqija.
Duke thënë këtë, ne erdhëm tek më e rëndësishmja çështje për Islamin në Europë, të emërtuar ‘problemi i përfaqësimit dhe i institucioneve’. Së pari, na duhet të dimë se me anë të një vlerësimi të
përafërt, tridhjetë milionë myslimanë jetojnë në Europën e sotme. Ata paraqesin tre grupe të ndryshme: 1) vendasit; 2) emigrantët; 3) të lindurit në Europë. Me vendas nënkuptojmë myslimanët, të cilët kanë një të kaluar të gjatë historike në Europë, siç janë myslimanët e Bosnjes, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Bullgarisë, etj.. Me emigrantë, nënkuptojmë myslimanët, të cilët kanë emigruar në Europë si studentë apo punëtorë dhe që janë sistemuar përgjithmonë në Angli, Gjermani, Francë, etj. Dhe grupi i të lindurve në Europë, janë brezi i ri i gjeneratave, të lindur prej prindërish emigrantë. Të tre këto grupe kanë të përbashkët Islamin. Ata ndryshojnë, sidoqoftë, në eksperiencën
e tyre njerëzore dhe jetën e ardhshme.
Myslimanët vendas kanë në përvojën e tyre një barrë të rëndë historie dhe presin mbështetje për përballimin e betejës së tyre për vazhdimësinë e tyre kulturore e fetare në Europë. Myslimanët emigrantë janë duke bërë përpjekje të mëdha për të stabilizuar vetveten në Europë dhe janë në pritje të tejkalimit të statusit të tyre si të huaj në të. Myslimanët e lindur në Europë janë në gjendjen e një sfide për ruajtjen e identitetit të tyre islam, në një thirrje për sfidë me politikën, ekonominë
dhe ambientin kulturor europian dhe presin që dikush t’u thotë atyre se si të jenë kryelartë për besimin e tyre dhe për lindjen e tyre në Europë.
Çka mund të jetë si përfundim? Ajo që vlerat e përbashkëta të Islamit mund të bëhen një bazë e përbashkët për të gjithë myslimanët në Europë. Unë besoj se tani është koha që të vlerësojmë sa më seriozisht rrugën e institucionalizimit të Islamit si një fe universale dhe myslimanët si qytetarë universalë.
Unë shpresoj që të jetë tepër e qartë për këdo, se një paraqitje voluntariste e Islamit dhe e myslimanëve në Europë, është çoroditëse, si edhe çdo gjë tjetër që drejtohet kundër dinjitetit mysliman dhe paqes europiane.
Nuk është e mjaftueshme që Europa të mirëpresë praninë e Islamit në tokat e saj. Myslimanët presin më shumë se kaq. Ata presin që prania e tyre të legalizohet, në kuptimin e krijimit të një klime politike dhe ekonomike, që t’i mundësojë çdo myslimani europian, të tregojë vetveten përpara institucioneve dhe që të ketë si mbështetje qeveritare, po ashtu edhe mirëpranim prej publikut. Sepse deri më tani, jemi të ofenduar nga insistimi i medias europiane në paraqitjen e Islamit në Europë përmes figurës së terroristëve.
Dr. Mustafa Cerić
Ish-kryemyfti i Bosnje-Hercegovinës